E premte, 26.04.2024, 12:16 AM (GMT+1)

Mendime

Nebi Dragoti: E tha, po kujt ia tha?!

E merkure, 30.08.2017, 07:14 PM


NEBI DRAGORI

E THA, E THA, PO KUJT IA THA?!

Satirë

Hëëë, e tha, e tha Naim Frashëri, po kujt ia tha ?! Shkruar në kopertinën e fletoreve, futur edhe në tekstet shkollore: “Punë, punë natë e ditë/ që të shohim pakëz dritë”.Mësuar përmendësh që të mos harrohet ky distikt filozofik dalur nga mendjendrituri Naim.Shumë domethënës eshtë për çdo brez e për çdo kohë. E, për çudi, sot fletoret e nxënësve kanë në kopertinë lloj-lloj majmunësh e palaçosh cirku që të bëjnë të qeshësh. Po, të qeshësh de, se ky problem siç ka marrë, për të qeshur është, se fundja, (…) kush e do e kush e ka qejf punën?! Nejse, ka kush e shikon edukimin në arsimin tonë. Edukimi shkollor për ndjenjën e punës ka ikur në drejtim të paditur. Hipën një qeveri, shanë atë të mëparshmen… e kështu me radhë si kurvat shajnë njëra-tjetrën dhe për rezultat profka në ajër çojnë. Arsimi “ ku e lamë e ku na mbeti…anës dijes i panxënë”… veç shtohen analfabetët. Arsimi ka ngelur pa bosht identiteti, pa fizionomi e traditë kombëtare. Ka të tjera e të tjera; eh , sa ka për të thënë. Pa le, pa le edhe politikanët shejtanë e kanë mësuar përmendsh dyvargshin naimian.. Dhe, për djall, si aktor, e recitojnë bukur: “Punë, punë natë e ditë/ që të shohim pakëz dritë”. Siç duket edhe këta politikanët si atje lart në qendër, po kështu edhe këta këtu në bazë…u këputën duke punuar, u ranë kërrbishtet: u dobësuan nga puna… duke shtuar peshë e duke dhjamosur barkun, vithet… e xhepin. Pastaj, gjithë autoritet, të bëjnë leksion : “Puna sjellë ndryshim, mirëqënie “ etj. etj. Eh, sa ka, sa ka. Duhet t’i kërkojmë falje Naimit, se …” E tha, e tha, po kujt ia tha ?!...

NË GAZETA KA ÇENZURË TË DËMSHME

Vëzhgim

Media e gazetave si pushtet i katërt nuk e luan rolin fisnik për të kryer misionin e kërkuar të karakterit politik për të cilin ka shumë nevojë shoqëria. Ky është edhe defekti më i madh  shtypit. Madje, madje këto kot vetëquhen shtyp i pavarur gjoja nga politikat partiake, sepse, në realitet, ndodh e kundërta e asaj që trumpetohet. Këtu nuk e kam fjalën për gazetat e partive, sepse, (të pakta janë) dhe këto tërhiqen ashiqare nga kapistalli prej tyre, ndaj dhe shpesh lajmin, opinionin e zhanre të tjera gazetareske i gatuajnë me veshjen e virtualitetit, gjë që stonon dukshëm e që bie hapur në kundërshtim me realen. Duket dhe është krejtësish gabim: në gazeta ka çenzurë të dëmëshme dhe kjo vjen në saj të bindjes politike që kanë drejtuesët apo pronarët e tyre. Dhe këtë bindje e kanë futur si linjë pasqyrimi në gazetat që kanë si pronë. Këta pronarë, këta kryeredaktorë kërkojnë proçes reformimi, kërkojnë emancipim kulturor në ndërgjegjen e tyre dhe, këtë, ta reflektojnë në punën e tyre. Hasëll, hasëll këta të tillë nuk kanë edhe përgatitjen e tyre të pjekurisë politike për t’i servirur publikut shumëllojshmërinë e lajmeve që, patjetër, duhen kaluar në sitë duke u shikuar vlerën sesi influencon njëra apo tjetra tek lexuesi, kush është më e mira, kush është më funksionalja. Pra, një garë e tillë duhet të funksionojë në gazeta. Në këtë hulli konstaton nëpër shtyp edhe shkrime që janë paraqitur vetëm e vetëm për të plotësuar faqet e gazetave, sepse këto janë tejet të varfëra dhe nuk shtjellojnë problem e zgjidhje. Kjo dukuri konstatohet edhe tek opinion si gjini e madhe që është: e lexon e asgjë nuk kupton, sepse është ndërtuar pa bosht problematik, sepse është ndërtuar me lojë fjalësh duke lozur edhe me sinonimet kuptimore të saj. Kjo dukuri shihet edhe tek autor famozë, ku paraqiten me opinione shumë të lehta, të dobëta e të cekta, por që botuesët këto firma i mbështesin se i kanë përzemër ose i kanë për afera të tjera.. Sigurisht, për këto dobësi kështu bie vlera dhe serioziteti që duhet të ketë një gazetë. Ç’ kam shprehur: kjo është sëmundje e përgjithëshme. Ka tema që trajtohen jashtë kohores, pa qënë nevoja, jashtë realitetit, tema sensacionale boshe: tema të vdekura pa interes, të përmbysura, ku protagonistët e tyre janë të dështuar ose kanë vite që nuk jetojnë, por, edhe ajo më kryesorja, këto botime asgjë me vlerë nuk sjellin. Me to bëhet vetëm zhurmë. Nga ana tjetër : ka shkrime tepër cilësore që çenzurohen, sepse ka qëndrim subjektiv, ndaj autorëve të këtyre shkrimeve. Jo, jo gazetat nuk shiten se botojnë “të famëshmit”, por ato shiten për ç’gjëra të reja cilësore sjellin dhe, në këtë prizëm gjykohen: ia vlen apo jo ta blesh për ta lexuar. Është mirë që çdo gazetë, që e mbanë veten si të pavarur, duhet të jetë në çdo kohë oponencë e çdo qeverie që është në pushtet. Dhe kjo oponencë të bëhet nxitje, të jetë ndihmëse në përmirësimin e punës duke bërë verejtje konstruktive duke i kujtuar  qeverisë çfarë duhet dhe si duhet të punojë më mirë. Në këtë natyrë, për ta arritur duhet aftësi, duhet punë, përgatitje, duhet qartësi e profesionalizëm. Në shkrimet e mia jam i mendimit konstant, se edhe në media (gjithë llojet e mediave)  duhet Revolucion dhe Rilindje ashtu siç duhet gjithandej.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora