Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Ilir Muharremi: Fyerje ndaj figurës së Adem Jasharit

| E merkure, 30.08.2017, 06:23 PM |


Fyerje ndaj figurës së Adem Jasharit

Deri kur më të fyhen heronjtë shqiptar me shtatore të dobëta. Nuk e dijë a është e qëllimshme kjo fyerje apo përse duhet të bëhet? Duhet sa më parë të rrënohen këto shtatore, të ngritën ato siç i ka hije heronjve shqiptar. Njëherë e masakruan serbët, tash po e masakrojmë vet ne me anë të artit.

Nga Ilir Muharremi

Edhe një shtatore qesharake dhe fyese ndaj komandantit legjendar Adem Jasharit e ngritur më 2012 në fshatin Radushë të Shkupit, me rastin e 100 vjetorit të pavarësisë së shtetit shqiptar. Shtatorja  ka madhësi prej dy metra e pesëdhjetë centimetra, ndërsa në vete mban mbi 280-300 kilogram rrjetë çeliku si dhe ka cement-krom dhe disa aditive të tjera. Në atë kohë disa folën fjalë miradije për anën estetike të shtatores, disa të tjerë qenë më realist sepse realizmin artistik e quajtën: “Marre dhe marrëzi, përmendore qesharake.” A qëndron kjo? Natyrisht, ngjanë me tendencën e skulpturave realosocialiste. Në anën tjetër figura e Ademit duket si xhuxhë, apo babadimër, ose një meksikanë i vogël, apo trup valltari tejet vital. Asnjërën nga këto nuk i posedonte heroi Adem Jashari. Për mua kjo është një fyerje e rëndë ndaj figurës së tij. Skulptori  merr guxim të tallet me figurën e Ademit, dhe Ademi po qe i gjallë, ta shihje veten në këtë art, do qeshej mesiguri ose të ndjehej i turpëruar.

E dyta, shtatorja u ngritë në fshat në një hapësirë tejet të ulët, mirëpo figura siç ishte Ademi meriton  hapësira urbane, por kjo është ajo më e pakta krahas anës estetike realizuese shëmtuese të shtatores. A ngjanë shtatorja me heroin Jashari? Pothuajse fare. Edhe këtu përmasat devijojnë trupore derisa skulptori i saj Selam Mustafi kishte tendencë të krijonte një realizëm  minimal sepse çdo gjymtyrë trupore është shumë e vogël, ose ca të tjera janë më të mëdha. Është degradim total i figurës së Adem Jasharit. I mungon jeleku antiplumb të cilin heroi gjithmonë në beteja e përdorte, dylbitë janë të fëmijëve, duken si lodër në shtatore, pastaj plumbat janë të mbështjellur rreth dorës, a në realitet Ademi i ka mbajtur rreth qafës, pistoleta është shumë e madhe, dhe kjo përdorej në filma vizatimor, tranformers. Pastaj i mungon edhe pjesa mjekrës që e kishte shumë të theksuar. Mustaqet janë kjo s’mund të mohohet. Koka është shumë e madhe në raport me trupin, duart janë tejet të shkurtra dhe masa e trupit është e vogël.

Nëse vështrohet nga poshtë pak do vërejmë karakterin e tij, sepse duhet të rritet figura nga distanca e tokës, ajo humbet në perspektivë, e në këtë rast Ademi qëndron sipër mbi tank. Nëse flasim për karakterin e tij duhet të paraqesim anën luftarake, qe vizionar i luftës, por edhe familjarë i mirë, dhe i dashur për të gjithë. E tërë skulptura është një shëmti disproporcionale, aspak estetike.

Çfarë kishte thënë në media skulptori Mustafi për artin e tij? Ai kishte menduar se njerëzit kanë prapavijë dhe qëllime jo të mira. Të gjithë mund të kenë, vetëm shqiptarët jo. Kjo nuk mjafton me arsyetua një skulpturë të dobët. Ai madje kërkonte se ku ka gabuar? Shumë e lehtë, syri më i thjeshtë e vëren. Madje, shumë fëmijë e identifikonin si babadimër ose si ndonjë xhuxhë i borëbardhës. Fyerje e rëndë kjo.

Skulptori po të kishte ndërgjegje do punonte shumë më shumë për një figurë siç qe Ademi. Unë si qytetar jam jashtë mase i fyer me një shtatore të tillë. “Këto që u thanë janë ngatërresa politike kurse unë kam tentuar të bëj një Adem Jashari në Maqedoni, të gjallë, të lëvizshëm, jo-statik, promotor i lëvizjes çlirimtare shqiptare. Për mua si artist është shumë me rëndësi simbolika”, ishte shprehur skulptori. Shtatorja as nuk është në lëvizje e as statike, është qesharake. Kurse pjesa simbolike nuk e dijë se ku vërehet në këtë shtatore, ndoshta vetëm në emër dhe mbiemër, kurse pjesën artistike fare. Ky është pseudomonument zotëri skulptor, dhe shqiptarët e Maqedonisë duhet të ngrihen kundër një përqeshje ekstreme banale që i bëhet heroit. Qytetari këtu duhet të  ulërijë sikurse në pikturën e Munkut, zëri i tij ta shkul këtë objekt tallje, apo mjerim të vuajtur.

Ademi nuk e ka merituar një gjë të tillë zotëri skulptor. Ky në shtatore s’mund të jetë as Charlie Chaplin askush zotëri. Adem Jashari ishte shtatmadh, i plotë.  Suzana Varvarica Kuka, pedagoge e historisë artit në Tiranë shtatoren e ka quajtur në një tekst “Monument bastard”. Dhe, vërtetë është i tillë nga ana estetike. “Ju lutem në emër të artit dhe të asaj që dinë të bëjnë artistët profesionistë shqiptarë hiqeni atë katrahurë mjetesh luftarake”, shkruan Kuka. Nëse respektohet thellë Jashari, duhet të hiqet kjo karikaturë, të punohet një tjetër, ashtu si vërtetë e identifikon figurën e tij madhështore. “Ju, që e inaguruat dhe ai njeri anonim e mjeran që e ka kryer atë zallamahi figurative, do të jeni gjithmonë të gjykuar nga një pjesë e denjë e shoqërisë shqiptare.” Shprehet ajo.  Edhe janë të gjykuar, gjykimet nuk do ndalen derisa të hiqet ky marifet.

Në shqiptarët e Kosovës edhe sot krijojmë art të lirë. Përse qëndrimi i Adem Jasharit t’i kthehet skulpturave socialreliste të Shqipërisë? Nejse, është vetëm në këtë rrugë e jo tamam ashtu siç e theksova. P.sh. dora e skulpturës në këtë rast nuk kanoset, simbolikën e dorës e ka lënë ta gjejnë vetë njerëzit. Këtë skulptori e lidh me 2001-shin, kur ushtarët e UCK-së marrin tanket e forcave të armatosura maqedonase. Kjo simbolikë i bartet shtatores që mbanë armatim të lehtë, e që bëri punë të madhe. Pastaj, pjesa e këmbës së ngritur lartë, tentohet t’i jepet gjallëri shtatores, të jetë në lëvizje mbi tank i cili është material tjetër krahas me skulpturën, e imazhi këtu na del si kiç tipik. Nuk ka ndërlidhje fare kjo.

Mjekra i mungon, kjo ndonëse e qëllimshme nga skulptori sepse kur ishte në Kukës të Shqipërisë, kishte vetëm mustaqe. Këtë fizionomi e trajtoj skulptori, por ai mbahet mend me mjekër, dhe nuk e dijë pse e ktheu në kohë Adem Jasharin. Kurse pjesa proporcionale e tankut me shtatoren, nëse shikohet nga poshtë në relief të drejt duket si lojë fëmijësh krahas me figurën. Pse figura ka dal e shëmtuar? Mund jetë edhe materiali i cili nuk modifikohet dy herë, duhet njohuri për konstruksionimin e fizionomisë. Skulptura është realizuar për 4 muaj.

Nuk e dijë përse figurat e heronjve bien në duar të skulptorëve amator të cilët marrin guxim me fare përgjegjësi edhe të arsyetohen në media kinse duhet kuptuar konceptin e jo pamjen, a skulptura identifikohet me plastikën e saj. Këta njerëz janë kundër artit shqiptar dhe disi gëzohen me këtë tallje të mjerë. Publiku krenohet me figurën, por duhet të reagojë kundër realizimit të dobët. Kjo nuk po ndodh në Maqedoni. Vërtetë nuk e dijë si mund të kënaqet një artist me një shtatore aq të shpërfytyruar, aq turp të  dhimbshëm. Unë këtë nuk mund ta quaj vepër arti e as skulpturë, vetëm një shëmti e qëllimshme, ose e pavetëdijshme, por nuk mjaftohet me kaq, sepse ajo tashmë ka zënë hapësirën.

Skulptorët amator përjashtuar disa autodidakt të cilët i bastardojnë heronj përmes shtatorëve të dobëta, nëse ju ofrohet ndonjë punë e madhe si kjo, duhet të heqin dorë, sepse komisionet si duket janë edhe më të papërgjegjshme për këtë. Unë ndjehem tepër i fyer, dhe nga revolta reagoj sepse nuk është kushdo Gjergj Kastrioti, Adem Jashari, Ismet Jashari, janë figura që meritojnë shtatore realiste me përmasa natyraliste.

Edhe politika shqiptare e Maqedonisë, por edhe ajo e Kosovës, në tërësi e trojeve shqiptare duhet të ndjehet e fyer, por edhe e zemëruar ndaj këtyre shëmtive artistike.

Ju lutem rrënojini shtatoret e dobëta sa më parë, krijoni shtatore të merituara, sepse jemi komb që meritojmë artë të mirëfilltë.