E enjte, 25.04.2024, 10:39 PM (GMT+1)

Kulturë

Baki Ymeri: Pesë poetë shqiptarë në shtypin letrar të Rumanisë

E enjte, 04.09.2008, 06:03 PM


Baki Ymeri
Pesë poetë shqiptarë në shtypin letrar të Rumanisë

 

Kosova digjet për një fitil drite. Dy temat më të e preferuara të poezisë kosovare janë dashuria ndaj qenjes së dashur dhe dashuria ndaj atdheut. Poetët kosovarë që kanë ndjekur fatin e mërgimtarit, shkruajnë nëpër brigjet e huaja, me dashuri, me nostalgji e me dhembje, për historinë e përbujshme të vendit të vet, si dhe për luftën e popullit shqiptar për liri.
 
Nga Baki Ymeri, Bukuresht

 

Tudor Vianu ka thënë se përshtypja letrare nuk është një dhunti e natyrës por një prodhim i zanatit njerëzor. Sipas Balzakut, nuk është e bukur ajo që është e bukur por ajo që i pëlqen kritikut të artit. Duke u bazuar në vlerat e diskursit poetik, kritikët rumunë shkruajnë me admirim për autorët tanë, sidomos për ata që shprehin dëshirën për ta parë se si duket poezia e tyre, në vendin ku njeriu lind poet. Kështu, revista Sud, që del në Bolintin de Vale (nr.108-109/2008), në kuadrin e rubrikës Libra, prezanton librin e Jusuf Zenunajt (Prej shkëmbit rrjedhin lotë), që e pa dritën e botimit në Bukuresht (2008). Autorja Victoria Milescu, që në fillim thekson faktin se Jusuf Zenunaj i shtohet vargut të gjerë të poetëve shqiptarë, i cili përmes librit të tij  regjistrohet si biografi dhe krijim letrar, në linjën e poetëve kosovarë që kanë vajtur nga vendlindja, duke ndjekur fatin e mërgimtarit, duke shkruar nëpër brigjet e huaja me dashuri, me nostalgji e me dhembje, historinë e përbujshme të atdheut të vet, për luftën e popullit shqiptar për liri.

          Poeti Zenunaj, thekson zonja Milescu, ka lindur në Kosovë (1958), ka studjuar në Universitetin e Prishtinës, ka ushtruar profesionin e profesorit disa vjet, ndërsa që nga viti 1992 është vendosur në Belgjikë. Dy temat e preferuara të poezisë kosovare – dashuria ndaj qenjes së dashur dhe dashuria ndaj atdheut, gërshetohen këtu mbi një sfond pitoresk, duke mbajtur shenjën e një kolorature lokale që lanson apel në zakone, tradita, sidomos toponime: Drini plak, Gryka e Rugovës, Guri i Bardhë, Peja, Lumbardhi etj. Përmes kronikës me titull “Fjala në gur”, poezia e Jusuf Zenunajt gëzon popullaritet edhe në faqet e revistës Natiunea (Kombi, nr. 466/2008). Një tjetër poet kosovar që ka ndjekur rrugën e mërgimit për ekzistencë, është Rizah Sheqiri (Suedi). Libri i tij që e pa dritën e botimit në Bukuresht, mban titullin Apel për dashuri, botim i Bashkësisë Kulturore të Shqiptarëve të Rumanisë (2007). Libri del në të dy gjuhët dhe vlerësohet nga ana e poetit Mihai Antonescu në dy revista letrare: Dor de Dor (Malli ndaj Mallit) dhe Climate literare. Titulli i reçensionit: Dashuria si instancë e fundit e dritës sonë.

          “Rizah Sheqiri është një jeremit që e kultivon në vetmi dhe fshehtësi vuajtjen dhe dashurinë në pazarin e madh të shpirtit njerëzor, i hapur periodikisht mbi ekuilibrin e përkohshmërisë dhe ngjarjeve. Shtegtar i përjetshëm në rrugën e dritës, poeti nuk ka as lindje e as muzg, por vetëm endje me të vërtetat e tij nëpër një botë, siç është edhe ai, që digjet duke u përngutur. Hapërimet e poetit don të thonë po aq “djegje totale”, mbi plagën e rëndë të vatrave të mbetura. Ngase, kushdo që do t’i zbulonte kalimet e mistershme mbi pafundshmërinë e rrugëve, më parë do të ndeshej me qenjen e tij, delikate dhe e matur, e shtruar mbi letër dhe libër, që të dihet se, edhepse i degdisur nëpër botë, a vazhdon të jetë ai që është: një qenje e prekur nga flatrat e engjëllit.” Mihai Antonescu, përndryshe, është autor i reçensionit Ide për pavetminë, kushtuar librit të një poeti tjetër kosovar, Sarë Gjergji (Zjarr i pashuar, Bukuresht, 2007):

“Poezia shqipe kohëve të fundit është duke ma fisnikëruar shpirtin. Më duket se ajo nuk e ka gjetur një vend më të mirë për admirim se sa në gjuhën e shqiptarëve të shquar për trimëri, besnikëri dhe qëndresë. Dhe ja se si më vjen në horizontin e shpirtit Sarë Gjergji, poet kosovar i mërguar me zemër në ëndërrat e tij. Zjarr i pashuar është një hymn që i dedikohet gruas mbarëprezente nën diellin e çdo burri, gruaja si ilaç i mirë për shërrimin e shpirtit.  Sarë Gjergji është një Solomon european, ndërsa vargjet e tij eliptike, një farë Këngë e Këngëve që tingëllojnë tjetërsoj. Ngase, poeti ndez zjarrin e fjalëve të ndjenjave nga shpirti i tij i mbushur me dashuri, duke patur kujdes që vrrulli i valëve të flakës mos të kaplojnë proporcione që s’mund të shuhen, e të cilat do ta rrezikonin vetë poetin. Ai që që e afron paskajshmërinë e qiellit me thellësinë e shpirtit njerëzor për të  trasuar rrugë për shpirtin e gruas që vjen, është një poet i madh. Ngase, asgjë nuk do të qëndronte si ekuilibër në qiell e në tokë, pa këtë ide madhështore të Zotit, për flakjen e vetmisë së burrit. Duket se më është dhënë të prehem shumë kohë që tani e tutje, nën hijen e veprave të poetëve shqiptarë, të cilëve u kam premtuar se do t’i dua edhe në jetën tjetër, duke ua nderuar pavdekësinë” (Viata de pretutindeni, Arad, nr.1-5/2008). Sarë Gjergji është prezent edhe në revistën Oglinda literara (nr.78/2008), përmes vlerësimeve eseistike të poetit Marius Chelaru (Shpirti i gruas përmes syrit të një burri).

          Një poet tjetër shqiptar me prejardhje nga Kosova, Fatmir Salihu me banim të përkohshëm në Zvicër, figuron me katër poezi në faqet e revistës Oglinda literara (nr.76/2008): Cerul (Qielli), Fulger (Vetëtimë), Exaltare (Ekzaltim) dhe Cand ne-am despartit (Kur u ndamë). Sipas eseistit Mihai Antonescu, Fatmir Salihu ka mjaft burime për etje dhe fqinjësi të mirë për nevojat e botës. Këtë e kemi kuptuar duke ia lexuar vëllimin Valle, që pason të dalë me një parathënie të një miku të madh të kulturës shqiptare, Marius Chelaru. Lutjet e poetit për falje, janë ndërgjegja e një shpirti të përjetimeve të panumërta, janë shenja e fuqisë dhe dritës së fjalëve të tij mbi mëndjen dhe potencialin e durimit të lexuesit. Fatmir Salihu shfrytëzon fjalët me kujdes të veçantë, duke i dhënë vjershës dukshmëri të qarta të shprehjes, të mendimit dhe ndjenjës. Fatmir Salihu ka një ndjenjë fine të fenomenti social, duke kërkuar në poezi (me durim e këmbëngulje), zgjidhjen e antitezës, nga e cila kuptojmë se shqiptarët kanë frymëzime të larta dhe burime të thella, dhe se nuk tremben se ato do të thahen një ditë.

Sipas vështrimit të eseistit Marius Chelaru me titull Gjurma e fjalës, botuar në të përjavshmen bukureshtare Natiunea  (7-13 maj 2008, fq. 10), Brahim Avdyli është një tjetër emër nga galeria e poetëve kosovarë, i cili vjen në gjuhën rumune nga një botë e përmbushur me dhembje, mohime, frustrime e shtypje, dhembje e vuajtje,  nga një botë e ri/projektuar në fjalë. Me to, autori tenton të ri/krijojë një djep ëndërrrash të mërguara në „poezi”:  Vargjet nuk janë të prekura nga plagët e luftës, sa janë të prekura nga „marrëzitë e kohës”, siç i sheh përmes syrit të tij, „janë fryrë nga dhembja” jeta e njerëzve të vendlindjes në një natë të mbrapshtë, që e ndërron „ngjyrën dhjetra herë në ditë/ porsi kameleonët”. Prej këtu mund ta filloj analizën, që nga vetmijësimi, siç kam shkruar edhe për poetë tjerë të Kosovës, që nga një platformë e shkallëzuar e „ritërheqjes” në një skutë të shpirtit nga e cila mund të „shohë”), dhe nga njëfarë kërkimi të dyfishtë/ etje për liri të cilën e kuptojnë përndryshe njerëzit që vuajnë, njerëzit që e ndjejnë se u është vjedhur diçka. Dhembja në poezinë e Brahim Avdylit është e shumëllojshme, së pari e natyrës, t’i themi, intime, personale, por sidomos ajo që ndërlidhet me dramën që prek vendin ku jeton: „Koha të kthehet në fundin e një drame” ngase „në horizontin e shekujve përsëri/ Kosova digjet për një Fitil Drite”.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora