E merkure, 24.04.2024, 07:36 AM (GMT+1)

Editorial » Entela

Entela Binjaku: Vetëvrasja, disa argumenta më shumë!

E hene, 28.08.2017, 07:43 PM


Vetëvrasja, disa argumenta më shumë!

Nga Entela Binjaku

Nga të dhënat e INSTAT në vitin 2016 në Shqpëri ishin 320 qytetarë të Republikës të ndarë nga jeta sipas kësaj mënyre: 235 vetëvrasje dhe 85 vrasje.  Duke marrë në konsideratë impaktin që ka një jetë e shuar tek të afërmit, miqtë, kolegët dhe të njohurit, kjo dukuri është shumë më e madhe sesa një statistikë. Duke parë se numri i jetëve të prera në mes prej vetëvrasjeve është 3 herë me i lartë se i atyre të ndërprera prej vrasjeve,  po ndalemi më gjatë te disa tipare të kësaj dukurie. Së pari të përbashkëtat mes të prekurve janë shumë më të mëdha këtëj e tutje sec mund të kishin qenë më parë dhe dallimet mes tyre janë thuajse të papëprfillshme. Ata mbeten përjetësisht të shënjuar dhe të munduar nga pyetjet kryesore: “Po pse?Po si nuk mendoi?Po si i paska pasur hallet?Po si nuk më tha? Po si nuk e kuptova”? Pikërisht mbi këtë bazë pyetjesh dhe mbi këtë impakt të konsiderueshëm që ka dukuria e heqjes dorë nga jeta po ndalem në disa argumente. Numri i vetëvrasjeve në një shoqëri të caktuar  për 100 mijë banorë, përcakton edhe shkallën e intensitetit të kësaj dukurie në atë shoqëri. Në vendin tonë sipas Organizatës Botërore të Shëndetit më 2015 numri i vetëvrasjeve në Shqipëri ishte 5.3 për 100 mijë banorë.  Studimet thonë se numri i vetëvrasjeve është më i lartë në vendet e prekura nga lufta, më i lartë në Evropën Qendrore,    i ulët në Evropën meridionale.  Ndër vendet me nr. më të lartë të vetëvrasjeve renditet Hungaria dhe me numrin më të ulët Italia. Në shoqërinë tonë numri i vetëvrasjeve për 100 mijë banorë është më i ulët krahasuar edhe me Italinë, por shqetësues është numri në rritje nga viti në vit dhe shkaqet e patrajtuara që sjellin për pasojë shuarjen e një jete.

Së dyti, megjithëse në këto vite është folur më shpesh, sërish kemi mbetur në vend lidhur me shkaqet që cojnë në këtë vendim, duke i vënë vulën arsyetimit tone,  përmes shprehjes tashmë monumentale “Shkak mendohet të ketë qenë depresioni”. Depresion përse? Që kur, Si?Sa ka qenë njohur, si është trajtuar? Sikur të ishte kaq pa rëndësi shkaku që con në depresion, edhe studimeve në këtë fushë do t’u kishte ardhur fundi. E megjithatë ato vazhdojnë!

Së treti edhe pse tek në flitet pak,  dukuria e vetëvrasjes është studiuar që në fundin e 1800-ës. Në 1897 Durkhemi, sociologu që hulumtoi gjerësisht i ndante në anomike, egoiste, altruiste dhe fataliste. Ndërsa përshkruante vetëvrasjet anomike, ai fliste për ato situata që ndodhnin në një shoqëri ku janë shkatërruar shumë prej  normave dhe vlerave të saj, ku  njeriu nuk ka synime të qarta për jetën, ku mes mjeteve në zotërim dhe qëllimeve,  ka një konflikt të vazhdueshëm etj. Vetvrasjet e tipit egoist janë ato dukuri që ndodhin në shoqëritë ku mbizotërojnë vlerat e tipit individual, ku shoqëria dhe individi ndërveprojnë gjithmonë e më pak etj. Në vetëvrasjet e tipit altruist motivacioni kryesor është ai të bërit mirë të tjerëve sic janë heroizmat,   apo aktet që bëhen në emër të një të mire më të madhe,  të të tjerëve, edhe pse jo domosdoshmërisht konsiderohen si të tilla.Vetëvrasja fataliste është ajo që ndodh kur individi nuk sheh më asnjë rrugëdalje dhe ku cdo perspektivë individuale është e mbyllur. Kjo ka qenë tipike në shoqëritë e skllevërve edhe pse duket sikur është dhe sot aktuale.  Të gjitha këto kategorizime edhe pse të kryera 100 e ca vite më parë kanë mjaft elementë nga aktualiteti ynë si për të treguar se kjo dukuri nuk njeh kohë, as popullsi, se ajo i përfshin të gjitha situatat që njeriu kalon në jetë dhe se shoqëria ku bën pjesë individi,  është shumë përcaktuese për të.Padyshim konfirmon edhe forcën përgjithësuese të një mendimi shkencor dhe nevojën për t’u mbështetur tek parimet e konfirmuara, që sic kuptohet nuk mjaftohen me një shprehje të vetme, si në rastin tonë.

Për  të tjerë studiues kjo dukuri shpjegohet nisur nga raporti  që ka invidi me vendbanimin: më shumë ndodh në qytete se në fshat;  të tjerë e lidhin me bindjet fetare: më shumë ndodh tek ata që janë të cliruar nga ky besim sesa tek besimtarët, të tjerë e shpjegojnë me stabilitetin në jetën familjare: ndodh më shumë tek gratë e divorcuara sesa tek të martuarat, të tjerë e lidhin me kategorinë sociale, me krizat ekonomike apo dhe me situatat e luftës etj.

Së katërti, ndërsa Dyrheimi, filozofi francez  fliste ne fundin e 1800 dhe shpjegimet e tij duken dhe sot aktuale, Markyze në 1964  në veprën me titull “Njeriu në  një dimension” fliste për vetminë e njeriut modern. Duke u përqëndruar tek shoqëritë e industrializuara ai ndalej tek mendimi negativ dhe tek forca e  mendimit pozitiv. Këtu sërish kemi nevojë të ndalemi. Nëse argumentat e Dyrheimit na duken të largëta në kohë, nuk duhet të anashkalojmë argumentat e filozofit gjermano-amerikan. Por për ne si shoqëri, vetmia është një ndër konceptet për të cilat flasim pak ose aspak. Herë prej turpit, herë prej krenarisë për ta pranuar, herë prej stepjes së moskuptimit apo frikës prej stigmatizimit, herë sepse vetmia “nuk na përket”, “të vetmuar janë ata” e asnjëherë ne.

Së pesti, vetmisë filozofët ekzistencialistë  i kanë kushtuar shumë nga kontributi i tyre, ndërsa  tek ne “filozofia është dega që të la pa punë” ose nëse e studion nuk ke asnjë mundësi ta ndash atë dije me të tjerë,  që në shumicë janë,  ashtu si ty, në përpjekje për mbijetesë. E megjithatë ajo vazhdon të trajtohet edhe sot dhe një lidhje mes vetmisë dhe vetëvrasjes studiuesit ja kanë gjetur.

Vetmia është një nga ato gjendje psikike që përfshin një gamë e gjerë, që nga ato kalimtaret,  tek ato që zgjasin një kohë të shkurtër, që varion tek ndjenja kronike e izolimit psikik, që lidhet me mungesën e komunikimit, të mosbesimit tek te tjerët, duke arritur deri tek forma më e ashpër e saj dhe e skajshme që mund të çojë në vetëvrasje. Në cdo shoqëri ka disa grupe që ndodhen në situata sociale të rriskut,  dhe këtu fjalën e kemi për adoleshenttët, të rinjtë, të divorcuarit, pakicat apo grupet e margjinalizuara, njerëzit me aftësi të kufizuar, të varfërit etj që janë edhe kategoritë më të ekspozuara ndaj vetmisë.

Efektet e vetmisë janë të ndryshme nga njëri tek tjetri dhe dallojnë në varësi të moshës, gjinisë, gjendjes konkrete dhe terapisë që ndjek për patologjinë etj. Ndërkohë vetmia ndryshon edhe lidhur nga burimet e saj e cila i bën të ndryshme situatat. Konkretisht duhet të njohim se ka vetmi prej izolimit (që vjen nga aksidentet psh), vetmi prej izolimit të dëshiruar, që lidhet me dëshirën që ka vetë individi për një lloj pavarësimi,  për të rigjetur veten, për të mbrojtur logjikën e brendshme nga ndikimi i marrëdhënieve të jashtme, për të ruajtur korpusin e vetë nga ata që mund të fragmentarizojnë apo ndikojnë logjikën etj. Vetmia mund të vijë si rezultat i mbylljes në ndonjë institucion si spital, burg, jetimore etj., vetmia vjen si pasojë e tëhuajësimit nga të afërmit, miqtë, kolegët të cilët edhe pse të pranishëm, prej tyre ndjehesh i huaj. Vetmia mund të vijë si prej një gjendjeje të thellë emocionale dhe afektive që lidhet me ndarjen nga i dashuri, familja, fëmijët etj. Studiuesit që e lidhin vetminë me sasinë e raporteve që ka një individ janë të shumtë, por po aq të shumtë janë edhe ata që e lidhin vetminë me kuptimin që cdo njeri i jep raporteve që kalon me të tjerë, pra është fjala për intensitetin dhe për shkallën e perceptimit të tyre.

Për secilin prej nesh, marrëdhënia me të tjerë është me rëndësi të madhe, për sigurinë, për përmbushjen e funksioneve biologjike, ushqim, strehim, riprodhim, për funksionet mbështetëse psikologjike dhe kulturore: për krijimin i identitetit për veten përmes krahasimit me të tjerët, për uljen e frikës dhe të ankthit, formimi i ndjenjave të tilla si dashuria, vlerësimi dhe vetëvlersimi, miqësia, pranimi reciprok etj.

Njeriu i vetmuar ndjehet i crrënjosur nga mjedisi social e kulturor përreth, ndjen mungesën e mbështetjes dhe të identifikimit me grupin, përjeton ndjesinë e mungesës së përkatësisë, dhe e përjeton nevojën për të tjerët,  deri në dramë.

Ndërsa bota përfundimet e mësipërme i ka arritur në vitet 80 kur studiuesit Rubenstein dhe Shaver dolën në përfundimet se vetmia lidhet edhe më procesin e rritjes, me mënyrën sesi i ndërtojmë raportet tona afektive me prindërit, sa prej nesh është në dijeni të këtyre 285 jetëve të shuara, si ka qenë fëmijëria e tyre, sa të vetmuar paskan qenë, sa të pambështetur janë ndjerë,  sa pak i paskeshim kuptuar dhe sa prej tyre do të donin të kishin jetuar, nëse do të kishin pasur mbështetjen, kuptimin dhe ndihmën tonë?!



(Vota: 3 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:

Video

Qazim Menxhiqi: Niset trimi për kurbet


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora