E premte, 29.03.2024, 02:21 AM (GMT)

Kulturë

Meri Lalaj: Në Restorantin 'SOLE' ku flitet shqip

E premte, 25.08.2017, 07:10 AM


Akim Nuredini dhe Placido Domingo

Në Restorantin “SOLE” ku flitet shqip

Nga Meri Lalaj

E papritura më e këndshme (e gjithë jetës sime) ndodhi kësaj vere, teksa miqtë e mi Afife dhe Tanush Frashëri më ftuan për të vizituar Venecian dhe Vjenën. Përveç mrekullive të kryeqytetit austriak, të ngrënat: drekat dhe darkat i kalonim tek Restoranti “SOLE”, i cili ndodhet në zemër të Vjenës, jo larg Teatrit të Operës të Vjenës dhe ndërtesës së famshme të Shoqatës së Muzikës (Musikverein) ku jepen koncertet e Vitit të Ri, ky lokal i bukur gjendet në rrugicën e këndshme dhe mrekulluese “Annagasse”. Aty të gjitha ndërtesat janë të stilit barok, të shekullit XVII e të XVIII, përfshirë edhe Kishën e Shën Annës në mes të rrugicës – e cila i ka dhënë emrin të gjithë rruginës.

Kur po kalonim nëpër rrugicën “Annagasse”, ende nuk kishte rënë nata dhe befas dëgjojmë melodinë “O sole mio” interpretuar nga dy instrumentistë, thuajse përballë Kishës Shën Anna ndodhet Restoranti “SOLE” i ndërtuar 34 vite më parë prej zotëri Akim Nuredinit, ardhur në Vjenë nga fshati Kajan i Tetovës. Pronarin e restorantit zotëri Akim Nuredinin nuk e takuam dot pasi ai kishte shkuar për të parë ndeshjen e Real Madridit së bashku me tenorin e famshëm Placido Domingon të cilin e ka mik të ngushtë.

Sapo afrohemi pranë hyrjes së restorantit na përshëndesin mirëseardhjen në gjuhën shqipe (aty punojnë disa kamerierë italianë që flasin shqip si edhe Matilda, një zonjë nga Elbasani, madje në ditët e pastajme, Xhovani italiani na pyeti: (... me hudhër apo pa hudhër?... ). Së pari takuam Fatmirin, djalin e dytë të zotëri Akimit, ai ka studiuar biznes është një djalë shumë simpatik, që na njeh me të dashurën e tij italiane, një vajzë shtathedhur, e bukur me sy që i shkëlqejnë veshur fare thjesht me një bluzë të bardhë dhe pantallona xhins ngjan fort me vajzat tiranase, ajo flet fjalë shqipe me shqiptim të saktë dhe kur i them vargjet e poetit: “Në zemër tënde vetëm unë, / në zemër time vetëm ti / dhe jashtë bota përgjimtare / dhe jashtë syri plot zili”. (Vajza pyet vetëm për kuptimin e fjalës “zili”). Djali i madh i zotëri Akimit, Naseri ishte një tjetër befasi edhe ai ka studiuar menaxhim biznesi (po e them me fjalë të thjeshta profesionin e tij) në Eton Sussex në Angli atje ku kanë studiuar Princi Charles i Uellsit, bijtë e tij princat William dhe Harry si edhe Princesha Kate, bashkëshortja e William-it. Naseri flet një anglishte të përkryer dhe qëndrimi, sjellja e tij tregojnë veç fisnikëri. Këta dy bij të zotëri Akimit përveç punëve të tyre vijnë dhe punojnë në restorantin e babait të tyre.

Ky restorant me këtë emër kuptimplotë është frekuentuar dhe frekuentohet nga personalitete të artit, muzikës, politikës, të cilët sikur kanë gjetur aty “shtëpinë e tyre”. Kështu mund të përmendim dirigjentë të shquar: Pierre Boulez, Daniel Barenboim, Lorin Maazel, Seiji Ozawa, Zubin Mehta, Mariss Jansons, Semjon Bukov etj. Solistë e soliste të shquar: Placido Domingo, Edita Gruberova, Anna Netrebko, Thomas Hampson, Jose Carreras, Jonas Kaufmann, Cecilia Bartoli, Saimir Pirgu, Elina Garanca, Albano, Angelica Kirchsclager, Ramon Vargas, Juan Diego Florez e të tjerë. Gjithashtu koncertmaestro dhe Intendentë të operave, instrumentistë: Julian Rachlin, Vladimir Malakhov, basi Ferrucio Furlanetto, baritoni Dmitri Hvorostovski, Intendentja e Operës së Napolit, një dirigjent francez dhe po një koncertmaestër francez e të tjerë. Në Restorantin “Sole” kanë lënë gjurmë edhe politikanë si: Bill Clinton, Heinz Fischer (President i Republikës Austriake), kryeministra dhe lista nuk mbaron, por vazhdon...

Një restorant kaq i famshëm me kaq shumë njerëz të famshëm.

Pronarit të Restorantit “Sole”, familjes së tij, punonjësve të papërtuar ju uroj që t’u bëhet rruga e jetës Diell!


Zonja Xhipe, Bill Clinton dhe Akim Nuredini


Akim Nuredini dhe Jonas Kaufmann


Akim Nuredini dhe Saimir Pirgu


Akim Nuredini dhe Semjon Bukov



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora