E premte, 29.03.2024, 09:27 AM (GMT)

Mendime

Agim Gashi: Deklaratë individuale për publikun

E enjte, 04.09.2008, 07:34 PM


Agim Gashi
Agim Gashi
Deklaratë individuale për publikun
03.09.08
LDD-së dhe LDK-së

Të nderuar miq dhe kolegë,

Personalisht, dëshiroj t'iu shpreh falënderimet e mia më të sinqerta për qëndrimin tim me vite në mesin tuaj. Nderin dhe kënaqësinë që m’i ofruat e kisha obligim moral dhe politik të jem në mesin e tuaj krejt me dashurinë e madhe që kisha dhe e kam për Kosovën, Dr. Ibrahim Rugovën, Presidentin e përjetshëm të kësaj toke dardane dhe idealin e pashuar të lirisë kombëtare. Kohërat në të cilat punuam së bashku ishin të rënda dhe plot rreziqe. Shumica nga kolegët dhe miqtë nuk janë më në mesin tonë. Të lehtë e paçin dheun e Kosovës dardane. Sa ishte gjallë Presidenti Rugova, ishte kënaqësi të punosh dhe fare nuk mendohej as për rreziqet që na kanoseshin. Përkundrazi ato rreziqe dhe situata mua personalisht më jepnin kurajë të punoj akoma dhe ta urrej për vdekje armikun shekullor që na robëroi e na gjymtoi për së vdekuri e për së gjalli. Shoqërisë tonë shqiptare i nevojitej një subjekt politik siç ishte LDK-ja dhe anëtarësia e saj, sepse me anë të saj u bë sensibilizimi i masave gjithë popullore kombëtare dhe i BN-së e cila në ato vite akoma(shumica) nuk e dinin se ku gjendej Kosova.
Dr. Rugova ishte ai që na mbushte elan dhe na e shtonte vullnetin të luftojmë për një të ardhme më të mirë. Siç e dini që prej formimit të LDK-së, pra prej  regjistrimit në këtë Lëvizje gjithëkombëtare, qëllimi kryesor i punës sime ishte pavarësia e Kosovës. Kjo u arrit edhe pse jo në atë masën që ne e ëndërruam. Gjithsesi Kosova sot është shteti më i ri i kësaj bote.

Jam përpjekur të jem i gjithanshëm, të kontribuoj në të gjitha fushat e jetës për qëllimet tonë dhe se për këtë kurrë s’kam marrë dhe as përfituar asnjë cent. Sot jam qytetari më i varfër i Republikës së Kosovës por edhe më i lumturi.

Kam kënaqësinë të jap vlerësimin e duhur dhe falënderimet e mia për punën rigoroze dhe të vazhdueshme te të gjithë anëtarëve të ilegales, të shokëve  nga burgjet serbe  të kolegëve pa dallim  ideologjie apo besimi fetar,  të pajtimtarëve të gjaqeve e deri tek shokët e miqtë që ranë në altarin e lirisë për idealin më të shenjët: LIRINË DHE PAVARËSINË E KOSOVËS!
Gjithashtu  përshëndes të gjithë miqtë dhe kolegët që nuk e dëshiruan ndarjen e LDK-së, dhe atyre që me dashuri i shkojnë rrugës së Presidentit Rugova.

Është më se e kuptueshme që ka pasur raste, ku ndonjëherë nuk kam mundur t'i përgjigjem detyrave të parashtruara për shkak të obligimeve të mia dhe për shkak të shëndetit tim.
Shumë prej jush i njoh në raporte personale dhe pikërisht e ndjeva si obligim parimor t'iu njoftoj, të dy palët, miqtë dhe kolegët e LDK-së dhe LDD-së  se unë bëj një tërheqje nga jeta politike me mendimin më të shëndoshë se më shumë jam i nevojshëm për popullin se sa për ndonjë klan politik. Demoralizimi im kishte arritur kulmin me ndarjen e LDK-së në dy grupe. U rebelova edhe unë si shumë të tjerë dhe përkraha krahun e Dacit. Por dita-ditës bindesha se unë jam njeri i artit e jo i politikës, edhe pse në të kaluarën jo të largët edhe dasmat dhe vdekjet i kishim politike. Me të vërtetë ka qenë një nder t'i shërbej një kauze shumë të madhe, si në ilegalitet ashtu edhe legalitet, prej që mbaj mend e deri në këto ditë vjeshte, duke premtuar se do jem përsëri me të gjithë dhe për të gjithë ata që punojnë e veprojnë për të mirën e popullit dhe atdheut.

Isha i sulmuar në shumë fronte. I kërcënuar edhe me likuidim fizik, i share, më quanin spiun, tradhtar, më shantazhonin dhe më ofendonin mua dhe familjen time, mi frikësonin fëmijët dhe mi rrahnin e plagosnin anëtarët e familjes, por qëndrova. Qëndrova sepse e dija se lufta për ardhmëri kombëtare i ka sakrificat e veta.
Ju uroj të gjithëve suksese të më tejshme në jetë dhe arritje sa me të mëdha në punë e në synimet tona kombëtare. Po ashtu, i uroj Kryetarit të LDD-së z. Akademik Nexhat Dacit punë të mbarë dhe suksese të mëtejshme në realizimin synimeve të tija politike.

Mesazhi im i fundit për të gjithë mbetet të jetë si gjithnjë: vazhdoni të ndihmoni e ta doni njëri-tjetrin, si në nivelin individual ashtu dhe në atë kombëtar, të ecni para me vullnet e devotshmëri, se vetëm kështu mund të ecet përpara suksesshëm!

Ju falënderoj për vëmendjen dhe konsideratën tuaj.

Me respekt dhe sinqeritet të plotë,

Këngëtari dhe rapsodi i popullit
Agim Gashi-Gjermani

----------

I nderuari z. Agim,
 
Deklarata juaj është shprehje e vullnetit tuaj personal.
I kuptoj brengat dhe shqetësimet tuaja njerëzore dhe intelektuale. Vendimi juaj për t'u larguar nga politika është një çështtje e bindjeve dhe zhgënjimeve, por edhe e drejtë për të pushuar nga kokëdhimbjet politike.
Ju jeni një thesar i madh i kulturës dhe poezisë shqiptare. Vepra juaj do të jetojë prore bashkë me gjeneratat që do vijnë. Sidomos, të gjithë ata që e deshen Presidentin tonë historik Dr. Ibrahim Rugovën ju duan njësoi edhe juve, se duke i kushtuar këngë atij e keni përjetësuar veprën tuaj, ndaj edhe nëse largoheni nga politika, me vete po i merrni shpërblimet më të shtrejta dhe më të lavdishme për një krijues dhe rapsod popullor, i cili që kur lindi i këndojë atdheut, Kosovës, popullit, lirisë, e më në fund edhe pavarësisë së Kosovës.
 
Jetë të gjatë dhe sukses në krijimtarinë tuaj të më tutjetshme ju dëshiron një mik juaji, që nuk ju
ka njohur për së afërmi, por që ka jetuar gjithmonë me këngën dhe melosin e zërit tuaj të bukur
dhe shumë karakteristik.
Zoti ju bekoftë !
 
Me respekt të lartë,
Rexhep Elezaj
Gjermani, 03. 09. 2008



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora