Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Rreziku, santuari i Dautes një thesar i varrosur

| E marte, 28.06.2005, 07:07 PM |


Fatos Tartari tregon dëmtimet arkeologjike

Durres/Oert ULQINI

Santuari i kodrës së Dautes në Durrës tashmë është një thesar arkeologjik i varrosur përfundimisht.

Një fortifikim nëntokësor i kryer nga ushtria në mesin e viteve '80, godinat ekzistuese, si dhe barbaria e ndërtesave informale e periudhës pluraliste ka dëmtuar në mënyrë të pariparue-shme qendrën më të njohur botë-rore të mble-dhjes së figurinave. "Dëmet e shkaktuara në dekada, të cilat i faturohen jo vetëm viteve '90, por edhe diktaturës, si pasojë e mungesës së vizionit modern të arkeologjisë, kanë shkatërruar shtresat nëntokësore ku dokumentohet historia", shprehet për "Panorama"-n bashkëdrejtori i projektit franko-shqiptar për santuarin e "Çezmës së Ferrës", Fatos Tartari.
Pavarësisht masakrës së mëvonshme, sipas Tartarit mjaftojnë dy tonelatat e statuetave të ndryshme në terakotë për ta renditur këtë monument të varrosur si të parin e këtij lloji në të gjithë botën antike. Ekspedita e parë arkeologjike në këtë santuar u zhvillua në vitin 1970 dhe drejtuesi i gërmimeve ishte Vangjel Toçi. Me mbledhjen e statuetave, enëve të baltës, objekteve të bronxit dhe mbi 500 monedhave punimet u ndërprenë në vitin 1971, shprehet Tartari. Duke iu referuar fazës së dytë të projektit të përbashkët me palën franceze, bëhet e ditur se zonja dominuese e këtij santuari është perëndia greke e gjuetisë, Artemisi. Referencat e fundit të kryera në bashkëpunim me arkeologët e universitetit "Charles de Gaulle" të Lilës, hedhin poshtë idenë e parë të autorit të gërmimeve Vangjel Toçi, i cili e personifikonte këtë objekt kulti si tempullin e hyjnisë së dashurisë, Afërditës (Venerës për romakët). "Studimet e detajuara të statuetave dhe të pjesëzave të veçanta nxirrnin në pah kafshë gjahu, të cilat të çojnë drejt përfundimit të sigurt se Artemisi ishte edhe idhulli kryesor i Dyrrahiumit", shprehet Tartari. Megjithatë, sipas tij, veç sundueses absolute të këtij tempulli, në statueta të veçanta dallohet edhe Afërdita, Demetra dhe Apolloni.

E veçanta
Fare rastësisht gjatë gërmimeve të një pallati shumëkatësh pranë pusit të Top-Hanës, në Durrës, u zbulua edhe punishtja e këtyre figurinave. "Kallëpet e zbuluara gjatë gërmimit të fadromave vërtetuan faktin se kishim të bënim pikërisht me formatet për përgatitjen e statuetave prej 20-30 cm", saktëson bashkëdrejtori i palës shqiptare. Kjo, sipas tij, është edhe dëshmia e pakontestueshme e miratuar edhe nga francezët, e cila e rendit Dyrrahiumin si qytetin e parë në botën antike për prodhimin dhe ruajtjen e figurinave. "Në botën greko-romake njihen edhe disa qendra të tjera mjaft të njohura për figurat e terrakotës si Tanagra, ishulli Tasos, Korinti dhe Taranto, por në asnjërën prej tyre nuk është zbuluar një sasi e tillë prej afro dy tonelatash, ku çdo statuetë demonstron një teknikë të shkëlqyer", shprehet për "Panorama"-n arkeologu Tartari. Një tjetër aspekt i rëndësishëm, sipas palës franceze, është edhe fakti se "Clio", veç çmimit prestigjioz shërben edhe si një agjenci kontinentale e turizmit arkeologjik.
Sipas Artur Myllerit, të interesuar për të parë këtë thesar të arkeologjisë botërore janë francezët, anglezët, gjermanët, spanjollët, suedezët, madje edhe vetë grekët, të cilët nuk mund të gjejnë në vendin e tyre një koleksion kaq të pasur koreoplastik. Grupi i autorëve shpreh bindjen, se pas botimit përfundimtar të studimit në shumë gjuhë të botës, elita intelektuale e Evropës, por edhe turistë aziatikë, amerikanë dhe australianë do të shfaqin interes për t'u njohur nga afër me çdo figurë të koleksionit prej dy tonelatash, e cila ruhet me xhelozinë më të madhe në Muzeun Arkeologjik të Durrësit.

Studimi
Ka nisur faza e dytë e studimit dhe e botimit të koleksionit më të pasur me baltë të pjekur që ka njohur bota antike. Sasia prej 1830 kg e qindra figurinave të terrakotës e zbuluar në kodrat e Durrësit, pranë vendit të njohur si "Çezma e ferrës", ka zgjuar interesin e jashtëzakonshëm të Universitetit të Lilës në Francë.

Retrospektivë dhe çmime
Ndonëse me një moshë fare të re, projekti franko-shqiptar për promovimin e figurinave të terrakotës ka arritur të mbledhë një CV mjaft të pasur. Në vitin 2005, bashkautorëve Artur Myller (zv/rektor i universitetit "Charles de Gaulle" të Lilës dhe arkeologut të njohur, Fatos Tartari, iu akordua çmimi më prestigjioz i botës frankofone për arkeologjinë "Clio". Ata ishin fituesit e vendit të parë, pasi kishin mrekulluar botën frankofone me studimin mbi figurinat. Pas santuarit të Durrësit juria prestigjioze e kryesuar nga prof i Sorbonës, Jacques Briend, i dha çmime të dyta dhe të treta ekspeditave franceze të zhvilluara në Egjipt dhe Kaukaz.

Panorama
 
DURRES, ARKEOLOGET FRANCEZE VLERESOJNE ZBULIMIN E FIGURINAVE PREJ BALTE

DURRES Ne santuarin e cezmes se Ferres zbulohen figurina me balte te pjekur. Keto figurina kane befasuar nje grup arkeologesh franceze qe drejtohet nga prof. Artur Myler, per tekniken e punimit te tyre. Sasia prej 1830 kg e qindra figurinave te terrakotes ka mahnitur arkeologet e Universitetit te Liles "Sharl de Gol" ne France te cilet kane ardhur ne qytetin e Durresit dhe do te qendrojne rreth nje muaj.

Ky grup arkeologesh qe drejtohet nga zv.rektori i Universitetit te Liles, Artur Myler, synon qe te ndihmoje dhe ne zhvillimin e turizmit arkeologjik e kulturor ne Durres, permes pasurise kulturore e arkeologjike te periudhes antike, e asaj ilire ne vecanti. Kjo sasi figurinash prej balte, thote prof. Fatos Tartari, daton ne shekujt 4 2 para Krishtit dhe nuk eshte zbuluar ne asnje vend te botes. Keto figurina tregojne njekohesisht dhe per fuqine e madhe eksportuese te Dyrrahut antik, duke e radhitur kete qytet 3000 vjecar nder qytetet me te perparuara te antikitetit.

Pas nje muaji pune, ekspedita franceze dhe ajo shqiptare pritet te mbylle siparin e fazes se dyte te zbulimit te figurinave prej balte te pjekur. Por prof. francez Artur Myler ka shprehur dhe keqardhjen e mbulimit te Durresit antik nga Durresi modern, me pallate shumekateshe dhe me bunkere qe te kohes se diktatures te cilet kane hijezuar zbulimin e madh te Santuarit, me figurinat e te cilit pritet te pergatitet botimi i nje koleksioni te pasur, ndoshta me i pasuri i njohur gjer tani nga bota antike, me balte te pjekur.

Garip Troci - Koha Jone