E premte, 29.03.2024, 05:45 AM (GMT)

Kulturë

Julia Gjika: Duke ardhur viti i ri 1952

E enjte, 04.09.2008, 05:41 PM


Julia Gjika
Skice kushtuar Elena Gjikes

Nga Julia Gjika

Këtë skicë letrare ia kushtoj përvujtneshës së madhe, zonjës Elena Merlika Gjika, jetën e së cilës e njoha tani vonë duke lexuar disa shkrime publicistike të djalit të saj Eugjen dhe zotërinjve Lek Pervizi e Mërgim Korca.

Elena lindi më 1920 në qytetin Latina pranë Romës në gjirin e një familjeje shqiptaro-italiane. Babai i saj ishte gazetari i njohur shqiptar Sotir Gjika, kurse nëna e saj ishte një mësuese italiane. Sotir Gjika vdiq në vitin 1927, Elena dhe vëllai i saj më i madh u rritën jetimë. Vëllai studioi për mjekësi, kurse Elena, sipas amanetit të babait studioi shkencat humane me synimin që t’i kushtohej albanologjisë. Sotiri e pagëzoi jo rastvsisht vajzën e vet me emrin Elena. Ai ëndërronte që ajo të bëhej e shquar si e famshmja shqiptaro-rumune Elena Gjika. Në vitin 1942 kjo peri shqiptaro-italiane u martua me krutanin simpatik Petrit Merlika, i cili ishte diplomuar për ingjineri në Universitetin e famshëm të Goteborgut. Elenën e kërkoi për ta mbajtur pedagoge Universiteti i Napolit, por ajo dëshironte të realizonte amanetin e babait. Vendosi të shkonte bashkë me Petritin në Shqipëri, atdheun e babait dhe të burrit, për të cilin kishte dëgjuar aq rrëfime nostalgjike. Cifti i ri u vendos në Tiranë dhe në prill të vitit 1944 u shtua me një djalë, Eugjenin. Lindja e djalit të parë për familjet shqiptare ka qenë e është shenjë mbarësie, por kësaj familjeje, Partia Komuniste Shqiptare që mori pushtetin në nëntor 1944 ia përmbysi endrrat dhe ia ktheu jeten  ne ferr. Sipas udhëzimeve të Partisë Komuniste Jugosllave, e cila në fakt komandonte politikën e Shqipërisë së asaj kohe, inteligjenca shqiptare e formuar në Perëndim duhej të kositej si bari dhe të zëvendësohej me inteligjencën e re që do të edukohej në Jugosllavinë mike…

Me 1991-92 diktatura komuniste kapitulloi, ing. Petriti, Elena dhe Eugjeni, tashmë të thinjur e të plakur, u liruan. Më 1945 kjo familje, si shumë familje të tjera, u dënua sipas urdhërit të PKJ, kurse më 1992 ajo u ridënua prej kupolës komuniste me papunësi dhe uri. Asnjë detyrë nderi, asnjë post zyrtar nuk iu dha më 1992 e as më pas këtyre intelektualëve të formuar në Perëndim, asnjë falje nuk iu kërkua për 145 vjetët e humbur nëpër burgje e internime dhe për shpronesimet.

Në pushtet, sipas planit të fshehtë të hartuar prej kupolës komuniste tepër tinzare, duhej të vinin ishkomunistë, ishagjentë të tyre të fshehtë dhe disa të persekutuar, njerëz që kishin bërë betimin: E jap jetën për partinë!. Ata që nuk bënin pjesë midis këtyre njerëzve, u dëbuan nga atdheu me presione nga më të ndryshmet. Familja e Petrit Merlikës, si shumë të tjera u detyrua të merrte rrugën e hidhur të shpërnguljes. Ata shkuan e u vendosën në Latina të Italisë, vendlindjen e Elenës, ku ajo dhe i shoqi vdiqën në vitet e para të shekullit XXI.


DUKE ARDHUR VITI I  RI 1952

Dielli donte dhe ndo një orë të perëndonte tutje Tepelenës. Katër gra të reja, të ngarkuara me dru për kampin e internimit, po zbrisnin me nxitim faqen e malit për karshi. Ato herë pas here shihnin barakat e kampit, të cilat ngjanin si haurre bagëtish. Prenda ishte rreth 40 vjece, Elena dhe Pavlina rreth të tridhjetave, kurse Mjaftimja i mbushi të njëzetat në kamp kur e sollen nja dhjete muaj më parë me nje djale motak. Tre të mëdhatë e mbanin pranë Mjaftimen, e trajtonin si motër të vogël. Ishte fshatare nga zonat kufitare të Korcës. Vjerri i saj me të dy djemtë e punonte tokën më mirë se fshatarët e tjerë, por partia e shpalli familje kulake, familje që punonte për t’u pasuruar. Një komunist, mik i familjes, u tha se do t’i arrestonin mbas disa ditësh, prandaj më mirë të arratiseshin në Greqi. Vjerri me djemtë kishin vendosur të arratiseshin, por Mjaftimja nuk kishte pranuar. Kishte thënë se djali bonjak mund të qante kur t’i afroheshin kufirit dhe rojet do t’i diktonin e mund t’i vrisnin ose kapnin të gjallë. Kështu ishte ndarë familja: burri, vjerri dhe kunati në Greqi, ajo me foshnjën në internim.

Pavlina me burrin e saj ishin dashuruar gjatë luftës kur kishin dalë malit për liri si partizanë. Propaganda komuniste ua kishte rëmbyer zemrat, ishin bërë komunistë duke menduar se komunizmi do ta shpëtonte popullin e vuajtur shqiptar. Mirëpo mbas luftës po shikonin se premtimet nuk po mbaheshin: në vend të bollëkut ushqimor, popullit iu ndanë triska sa për të mbijetuar i urritur, kush nuk kishte triska e kishte dhe më vështirë; në vend të lirisë së fjalës, iu mbyll goja me anë të dënimeve të shumta… Burri i Pavlinës filloi të vinte në shtëpi i mërzitur dhe disa herë i dehur. Nja dy vjet më parë, në muhabet e sipër, ishte shprehur kundër trajtimit të keq që u bënte partia tregëtarëve, të cilëve u hodhi tatim-fitime speciale, u mori floririn, po i fuste nëpër burgje duke u konfiskuar shtëpitë e dyqanet. Dikush e spiunoi dhe mbas disa javësh e morën në degën e brendshme, ku mbasi e rrahën mirë e mirë, i kurdisën një gjyq në përputhje me nenin 55 dhe e dënuan me 13 vjet burg për agjitacion e propagandë, Pavlinën e kishin internuar me gjithë dy vajzat tre e pesë vjecare. Në kamp, të dënuarat e vjetra nuk e kishin pritur mirë Pavlinën, i kujtonin kohën kur burri i saj punonte në kryesinë e Frontit Demokratik dhe ajo ecte me hundën përpjetë… Por Elena e kishte afruar duke i thënë:

- Mjafton të pendohemi për sjelljen e kaluar, dhe të jemi të kujdesshëm tash e mbrapa, pa Zoti na i fal mëkatet. Kur Zoti pranon pendesën tonë, neve nuk kemi pse të ta mbajmë kokën mënjanë. Dhe duke u kthyer nga të tjerat, e kishte ngritur zërin: Mjaft e ka Pavlina dënimin e qeverisë, këtu jemi të gjitha njësoj.

Kështu Elena e kishte afruar Pavlinën e para, pastaj gjithë të dënuarit e tjerë filluan ta respektonin si bashkëvuajtëse.

Prenda ishte një mirditore e shëndetshme trupmadhe, fjalëpakë. Atë e kishin sjellë në kamp dy vjet më parë bashkë me dy djemtë e vegjël, të madhin ia kishin burgosur që në vitin 1945. Burri i saj, general Preng Pervizi, ishte një malësor i mprehtë kurbinas, kishte kryer studimet ushtarake në Austri dhe Itali, kishte shërbyer për mëkëmbjen e shtetit dhe të ushtrisë shqiptare që në vitin 1921. Gjatë viteve të Mbretërisë kishte shërbyer si ushtarak i lartë.. Më 1938 specialistët italianë duke parë se Prenga ishte i pakorruptueshëm dhe mbrojtës i flaktë i Shqipërisë së pavarur, e kishin larguar nga Tirana dhe dërguar me detyrë në Korcë, që të mos ndodhej në Tiranë, Durrës a Vlorë, kur të sulmohej Shqipëria. Mbreti, duke e kuptuar se e kishte nënvlerësuar Preng Pervizin, gjatë takimit të fundit me të në Zëmlak të Korcës, e kishte emëruar General dhe e kishte ngarkuar me detyrën e komandantit të milicisë shqiptare nën sundimin Italian. Mbas pushtimit gjerman, Prenga ishte larguar nga Tirana dhe ishte bashkuar me forcat e nacionalistëve. Ai u ndesh me armë me ushtrinë gjermane dhe u lidh me përfaqësuesit e forcave aleate anglo-amerikane të Mesdheut. Mbas mbarimit të luftës, forcat komuniste e kërkuan general Pervizin për ta arrestuar e pushkatuar, por nuk mundën ta kapnin dot, ai iku në Greqi e më vonë në Belgjikë ku kaloi vitet e pleqërisë si emigrant politik. Preng Pervizi, ashtu si Muharrem Bajraktari e nacionalistë të tjerë duheshin burgosur e pushkatuar si armiq, sepse kishin luftuar pushtuesin e huaj jo nën urdhërat e PKSH, por si nacionalistë antikomunistë. Prenda me dy djemtë më të vegjël ishte lënë pa u internuar me shpresë se general Pervizi mund të vinte nga Greqia për t’i marrë dhe ta kapnin forcat e kufirit. Më 1950, kur u pa se gjenerali nuk po binte në lak, e internuan treshen Pervizi në kampin e Tepelenës. Prenda dhe djemtë e saj u përshtatën shpejt me jetën e kampit, ata punonin fort dhe pa hile.

Elenës, mbasi ia kishin burgosur burrin në fillim të vitit 1945, nuk i thanë të shkonte në Itali tek nëna e vet, por e internuan në Shijak bashkë me djalin 10 muajsh. Mbas krijimit të kampit të Tepelenës e shpunë aty. Trupi i saj elegant, u përshtat shpejt me punën e rëndë fizike.

Partia, sipas urdhërave të PKJ duhej ta eleminonte Mustafa Merlika Krujën, ishkryeministrin shqiptar të viteve 1941-1943. Këtij atdhetari nuk duhej t’i merreshin parasysh meritat e tij si nënshkrues i aktit të pavarësisë më 28 nëntor 1912, as pjesëmarrja në Kongresin e Lushnjës, as veprimtaria pro Fan Nolit e ajo kundër Zogut. Atij nuk duhej t’i konsiderohej akt patriotik krijimi i Shqipërisë Etnike (bashkimi i trojeve shqiptare nën pushuesin Italian), as hapja e shkollave shqipe në territoret e cliruara prej zgjedhës sërbe, as forcimi i financave të shtetit shqiptar, as dorëheqja e tij trimërore. Atij nuk i falej fakti se kishte qenë antikomunist dhe se i kishte shkëputur Sërbisë Kosovën e territore të tjera. Meqë vetë Mustafaj kishte shkuar në Itali për të ndihmuar djalin e madh të sëmurë rëndë, partia shtet u hakmor me Petritin, Elenën dhe foshnjën e tyre, ndonëse këta nuk kishin pasur aktivitet politik.

Duke ecur pranë një pishe, Elena këputi tre degëza dhe i futi poshtë litarëve të vandakut të Mjaftimes, që po ecte para saj. Pavlina e pa dhe qeshi, iu kujtua se si vitin e kaluar Elena e kishte zbukuruar me disa degëza pishe jeshile shtrojën e darkës së Vitit të Ri. Ngjyra jeshile, thosh Elena, simbolizon shpresën, pranverën, prandaj nuk duhet të mungojë në tavolinat tona kur festojmë.

Pavlina kishte qenë rrobaqepse dhe njerëzit i shikonte e i vlerësonte jo vetëm sipas pamjes së fytyrës e sipas fjalëve, por edhe sipas linjave të trupit dhe mënyrës së jetesës. Sa herë shihte trupin elegant dhe solid të Elenës, veshjen e saj e të Eugjenit që u këndonte në trup, regullimin e dyshekut ku flinin, shtrimin me kujdes të vahteve, lutjet e saj në heshtje, Pavlina thosh me vete: Ty të ka bërë nëna jo vec për libra, por dhe për punë të rënda, ti na kurajon ne të tjerave.

- Sonte do ta gëzojmë Vitin e Ri më mirë se vjet, tha Mjaftimja. Kam lënë goxha miell dhe ca sheqer prej ushqimeve që më dërguan motrat nga fshati.

- Unë, shtoi Pavlina, kam ruajtur ca arra. Do të bëjmë kurabie të mira, baklavanë dihet që nuk mund ta bëjmë. Do të kënaqemi të gjithë bashkë, sidomos fëmijët, do të pijmë dhe caj erëmirë nga mali i Cajupit.

- Unë, tha Elena do t’iu tregoj disa tregime nga të Bokacios, do të shkuleni së qeshuri. Pali, besoj se do të këndojë me lahutë këngë kreshnikësh, kurse ti Pavlina do t’ia marrësh këngëve korcare, do t’i mësojmë të gjitha ato këngët e tua.

Pavlina shtoi: Sonte komanda nuk na ndalon, do të këndojmë se s’bën. Pastaj duke parë nga perëndimi, vijoi: Muzgu në netët e Krishtlindjeve dhe të Vitit të Ri sikur merr nur tjetër, i shtohet ngjyra e kuqremtë.

- Fillon të zgjatet dita, shtoi Elena dhe duke parë me kujdes ku shkelte, po kujtonte netët e Krishtlindjeve në Latina kur ishte vajzë e vogël dhe mezi priste të gdhihej që të shihte dhuratat që do t’i kishte sjellë Babo Natale tek koka e krevatit. Pastaj psherëtiu lehtë duke menduar se fëmijët e kampit nuk kishin provuar gëzimin e dhuratave, shumë prej tyre si dhe të rriturit kishin vetëm nga një palë rroba, laj e thaj, ato për punë, ato për festa.

Kur arritën në kamp i shkarkuan drutë prapa kuzhinës, pastaj shkuan tek tubat e ujit dhe filluan të lanin fytyrat e djersitura. Kalamajtë u turrën menjëherë dhe i rrethuan, por kur ato ende po fshinin fytyrat, u afrua roja, i cili duke shtrënguar pushkën thirri:

- Hej, gra duhet të shkoni edhe një herë për dru sa pa u errur. Ka familje në qytet që nuk kanë dru për t’u ngrohur e gatuar. Edhe ata duhet ta festojnë natën e Vitit të Ri. Kësaj radhe do t’ju shoqërojë Xhelali, se ai i di shtëpitë ku duhet t’i shkarkoni barrët.

Xhelali hodhi pushkën krahut dhe u nis, ato nuk e zgjatën, u nisën pas tij. Fëmijët shkuan tek barraka. Tek e përpjeta e parë, Pavlina iu afrua Elenës dhe donte t’i pëshpëriste dicka, por Elena filloi të fliste e para me zë të lartë:

- Në dimër drutë e zjarrit janë më të nevojshëm se buka. Mendo familje me fëmijë të vegjël që nuk kanë zjarr. Ato do të na urojnë duke festuar Vitin e Ri.

Xhelali nxitoi përpara, kurse Pavlina iu afrua Elenës edhe më dhe i pëshpëriti:

            - Beson ti se ka vërtet familje në Tepelenë që nuk kanë sonte dru zjarri? Unë jam e bindur se komanda e dha këtë urdhër për të na munduar, që të mos kemi as kohë as fuqi të festojmë. Këta duan që ne të raskapitemi e të mos festojmë, po të shkojmë drejt e në dyshek. Na urrejnë o motër, ndaj nuk duan të na shohin asnjë minutë të gëzuar.

Xhelali ecte herë para herë anash tyre. Ai ishte roja që sillej më keq me të dënuarit. Tani ai po bëhej nervoz që ato pëshpërisnin midis tyre. Një herë ai ishte tallur me dy vajza të kampit. Kishte parë që ato ishin kthyer të lagura nga shiu dhe Prenda pasi ua kishte shtrydhur rrobat ua kishte nderë tek gardhi. Xhelali kishte hyrë tek barraka e tyre, i kishte gjetur shtrirë, mbuluar me batanie duke lexuar libra. Duke e ditur se ato ishin lakuriq, ua kishte tërhequr batanien për t’i turpëruar dhe për t’u treguar i plotfuqishëm. Ato kishin mbledhur trupat e tyre të bardhë kuspull dhe ishin përlotur. Elena, që ndodhej brenda në barrakë kishte thirrur: C’bën kështu o Xhelal, a ke motra ti? A je shqiptar, apo c’je? Ku është komandanti?

Xhelali ishte zhdukur sa kaq. Vajzave u kishte ardhur turp të ankoheshin në komandë edhe pse Elena u kishte thënë se nuk duhej të heshtnin, duhej mbrojtur dinjiteti, se pastaj Xhelali ose dikush tjetër mund të bënte dhe gjëra të tjera më te rënda. Por vajzat  kishin heshtur dhe i ishin lutur Elenës të mos e bënte për fjalë. Kishin frikë se komanda pasi ta largonte Xhelalin, mund të gjente pretekst për të marrë ndonjë masë dhe do t’ua rëndonte dënimin. Edhe Pavlina u kishte dalë në krah vajzave duke thënë: komunistët kur gabojnë nuk dijnë të thonë më fal, po ecin si kali qorr dhe në vend të gabimeve bëjnë krime.

Xhelali i druhej Elenës dhe në prani të saj sillej me kujdes, sepse kishin vënë re se ajo ishte burrneshë dhe nuk druhej nga askush kur kishte të drejtë. Prandaj edhe gjatë kësaj rruge ai përpiqej të mos ndodhej pranë saj, largohej duke ecur mjaft përpara. Xhelali e ndjente se Elena dhe Prenda ishin aq të forta sa mund ta carmatosnin dhe rihnin paq, prandaj sillej disi me kujdes e nuk ngacmonte.

Elena duke menduar për ankesën e Pavlinës, iu afrua dhe duke ia hedhur dorën e djathtë në qafë i tha me zë të ulët afër veshit:

- Duke menduar keq për komandën e burgut, ne do të mbushemi me urrejtje dhe revoltë, do të na ndizet këtu brenda një zjarr që do të na djegë e konsumojë energjitë dhe do të na lodhë. Është më mirë për ne të besojmë se vërtet ka në Tepelenë familje që kanë nevojë për drutë tona. Duke menduar se ka njerëz nevojtarë, se ka fëmijë që ne mund t’i bëjmë të gëzohen sonte, ne mbushim zemrat tona me gëzim dhe i shtojmë fuqitë. Jo urrejtja, por besimi se po bëjmë mirë na i shton fuqitë. Në kushtet tona na duhet të forcojmë besimin dhe të largojmë urrejtjen.

Pavlina nuk foli, por kujtoi fjalët që kishte thënë Mjaftimja një muaj më pare: Elena prodhon energji edhe nga gurët e malit, pa këtë ëngjëll jeta jonë në kamp do të ishte ferr i vërtetë. Më duket se vetë Zoti na flet me gojën e këtij ëngjëlli!

- Të faleminderit o motër, tha Pavlina dhe iu mbështet si për ta përqafuar, por roja kish kthyer kokën dhe po i vështronte. Atëhere Pavlina pa një shkarpë ahu dhe u përkul për ta marrë. Më tej Elena i tregoi shkurt një predikim të padre Markut për forcën e madhe transormuese që ka dashuria. Si përfundim Elena shtoi: vetëm me dashuri mund t’i zbutin zemrat e komunistëve dhe të oficerëve të kampit, me të keq nuk ia dalim dot.

Natyra e Elenës ishte e butë dhe ndonëse ishte forcuar gjatë viteve të jetës në kamp, nuk ishte ashpërsuar, ajo shpërndante urtesi e dashuri që me përshëndetjet e saj. Kur punonte, punonte me rritëm, dukej sikur bënte ushtrime fiskulturore. Nuk trembej nga asnjë lloj pune, nga asnjë urdhër, madje vitin e kaluar, supet e saj kishin mbajtur një pllakë guri që peshonte 64 kg.

Duke qene se po errej, Xhelali dha urdhër t’i mblidhnin druatë aty pranë lumit shpejt e shpejt. Pasi ngarkuan u nisën me Xhelalin përpara. Arritën në qytet në të errur. Rrugët i ndriconte më tepër një hënë gjysmake sesa llampat e dobëta të vendosura në shtyllat elektrike, disa prej të cilave i kishin thyer kalamajtë me gurë. Xhelali trokiti në porta e Kryetarit të Komitetit Egzekutiv. Derën e hapi një djalë 10-12 vjec, ai buzeqeshi. Aty hyri Pavlina. Tek shtëpia e Komandantit të burgut portën e hapi një plakë, e cila kur pa Mjaftimen ngarkuar, tregoi vendin ku të shkarkonte dhe duke thënë faleminderit, u kthye e shkoi brenda prej ku solli pesë kokra mollë. Ua dha sejcilit duke uruar: Gëzuar Vitin e Ri moj bija dhe ti o ushtar i popullit.

Elena dhe Prenda shkarkuan të fundit para derës së shtëpisë së sekretarit të partisë.. Aty s’kishte njeri. Kishin shkuar për të festuar gjetkë. Kater  gratë dhe roja nisën rrugën e kthimit duke nxituar. Fjalët e mira që dëgjuan dhe dëshira për të arritur sa më parë në kamp tek fëmijët e miqtë, ua kishin shpëlarë lodhjen e ditës.

- Do ta festojmë darken e Vitit të Ri me më shumë gjëra, tha Elena duke qeshur: morëm një buzëqeshje fëmije, urimin e një nëne dhe katër mollë.

Të gjitha ndjeheshin të gëzuara. Xhelali ecte kokëulur, kryenecësia e tij ishte mposhtur. Kishte marrë një mësim si të sillej nga ajo nëna plakë dhe ai labi i vogël.

            Në mes të sheshit të kampit ndriconte një llampë e vetme elektrike majë shtyllës dhe disa kandile nëpër barrakat. Katër orë i ndanin nga këmbimi i viteve. Të katër grate shkuan tek barraka e tyre. Fëmijët po prisnin në qetësi. Filloi gumëzhitja, zëra, lëvizje, derdhje uji, përplasje tenxheresh e pjatash alumini.

Ato u lane si zakonisht me pak ujë e sapun rrobash tek tubi i ujit aty jashtë pranë nevojtores kolektive. Pastaj në barrakë filloi puna për përgatitjen e darkës.

            U shtrua darka mbi një picetë të madhe për tokë: disa qepë, disa patate të pjekura, pak gjizë, pilaf, një pulë e ndarë në nëntë thela, kurabiet dhe degët jeshile të pishës që ishin shpërndarë me kujdes. Njerëzit të ulur këmbëkryq rreth e rrotull.  Në mur qëndronte varrur një pikturë e Skënderbeut që kishte bërë Leka, djali i vogël i Prendës, më tej lahuta e Palit dhe dy kandile vajguri anash tyre. Kandilet sonte ndriconin më shumë se zakonisht, Leka ua kishte ngritur fitilin si për ditë feste.

Elena bëri lutjen e zakonshme duke falenderuar Zotin që i kishte ndihmuar ta kalonin vitin pa sherre, pa sëmundje të rrënda dhe pastaj kërkoi që Ai t’u falte njerëzve për Vitin e Ri më shumë dashuri e mëshirë…



(Vota: 1)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora