E premte, 29.03.2024, 02:06 AM (GMT)

Kulturë

Gjon Keka: Gjergj Kastrioti - Balli i kombit

E marte, 22.08.2017, 11:50 AM


Koha është ta vendosim në ballin e kombit emrin e Gjergj Kastriotit

Nga Gjon KEKA

Sot në shekullin XXI duke parë lëvizjet e ndryshme të politikës botërore dhe lëkundjet e mëdha diplomatike brenda sferave të interesave, një njeri bëhet edhe më aktual,një personalitet dhe strateg që i dha përgjigje jo vetëm kohës së tij, situatës dhe politikës globale duke krijuar mekanizmat mbrojtës dhe duke njohur edhe udhën e shpëtimit jo vetëm të kombit të tij nga rreziku u një perandorie famëkeqe ,por edhe të tërë kontinentit europian, ky njeri ,ky emër është Gjergj Kastrioti. Ai nuk përdori talentin e tij, virtytet dhe urtësinë për të realizuar ambiciet personale, as për të arritë më tepër në karrierën e tij ,por ai i përdori dhuratat që mbante në vete për të mirën jo vetëm të kombit të tij ,por edhe për të mirën e përgjigthshme. Gjergj Kastrioti i cili në analet e historisë është pjesë integrale e zemrës së historisë së përgjithshme europiane,po bëhet dita ditës i preferuari i Europës edhe për kohën aktuale, sepse politika e tij, diplomacia dhe strategjia e tij janë arsyet që kombet europiane dhe vetë kombi shqiptar duhet t'i njoh e të mësoj nga to edhe për ditët e sotme dhe për të ardhmen. Politika e Gjergj Kastriotit ishte e përsosur për kohën dhe rrethanat e asaj kohe, pasi ai përdori atë si instrument të luftës dhe si arsye e mbrojtjes ,lirisë dhe ndërtimit të shtetit të arbërit.Arsyeja e lulëzimit të shtetit të Arbërit në kohën e tij është se ai bëri politik të urtë,vizionare dhe për të mirën e përgjithshme. Ndërsa arsyeja pse ai korri fitore në betejat e gjata dhe të vështira me turqit është se ai e njihte artin e luftës në themel, dhe plus kësaj ai e njihte tërë skeletin e Perandorisë otomane ,prandaj si askush tjetër ai ishte i përgatitur dhe i gatshëm për ta shembur dhe dërguar mbrapa në stepat e azisë këtë perandori famqëkeqe po të kishte ndihmën e duhur nga perandorët dhe princët tjerë europian.Në mungesë të kësaj ndihme sot Konstantinopoja është e pushtuar nga turqit,trojet shqiptare janë të mbushura me simbole të pushtuesit dhe një masë e madhe ende mbajnë idelogjinë e sulltanit që la gjatë kohës së pushtimit të këtyre trojeve.

Gjergj Kastrioti u rikthye në vendin e tij për ta çliruar atë si nga brenda ashtu edhe nga jashtë, ai donte një Arbëri pa simbole të pushtuesit ,por një arbëri të paraardhësve të vetë dhe jo rastësisht i merrte modelet e ecjes së vendit të tij dhe traditave nga paraardhësit dhe i bënte pjesë të jetës së re dhe të lirisë.Sepse pushtuesi turk e kishte mbajtur në zingjirë të skllavërisë vendin dhe në mjerim ,duke shkaktuar gjenocid dhe masakra në popullin arbnor. Ai e përgatiti popullin për një udhë të re, pa simbole të pushtuesit, për një jetë të re ,duke i kthyer dinjitetin dhe vlerat vendit të tij , kështu ai përmbushi testamentin e etërve dhe u njoh si një lider e mbret i përmasave europiane.Ai ishte makabeu i Arbërisë që tregoj përkushtimin e madh për ta bërë atdheun e tij ,një atdhe të vlerave dhe me identitet e faktor në marrëdhëniet ndërkombëtare.Koha e tregoj se Arbëria ishte e etur për urtësinë e tij, për vizionin ,për lirinë ,dhe vetëm ai diti se si t'i relizoj këto në rrethana tepër komplekse, i rrethuar jo vetëm nga armiqtë ,por edhe nga intrigantët, tradhëtarët dhe mohuesit ,megjithkëtë ai doli fitimtar në të gjitha.

Sot kombi ynë ka nevoj si asnjëherë më parë për vizionin e tij, për praninë e frymës së tij dhe për t'i pasur ato në ballë të shumë proceseve të kombit në mënyrë që të arrihet jo vetëm bashkimi natyror brenda vetë kombit tonë,por edhe rikthimi në familjen europiane. Kombi ynë nuk mund të arrij në mënyrë të suksesshme qëllimin e tij të natyrshëm të bashkimit, dhe rikthimit në familjen europiane pa vizionin dhe parimet kombëtare europiane të Gjergj Kastriotit.Koha është ta vendosim në ballin e kombit këtë emër të madh të historisë së kombit tonë arbnor me të cilën na e njeh e tërë europa dhe bota e civilizuar.



(Vota: 5 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora