E premte, 19.04.2024, 03:28 AM (GMT+1)

Udhëpërshkrim

Kadri Tarelli: 'Thesar Kombëtar' vjen në Tropojë

E marte, 22.08.2017, 12:48 PM


“THESAR KOMBËTAR” VJEN NË TROPOJË

Kuvend në paraqitjen e volumeve 7 dhe 8.

Nga Kadri Tarelli

Një telefonatë dhe një ftesë nga Z. Viron Kona: “Thesari Kombëtar i mërgatës shqiptare në Suedi”, vjen në Tropojë”. Nuk u habita, më më shumë u mrekullova nga ky lajm i lakmuar, pasi do të takoj miqt e mi, shkrimtarë e veprimtarë shqiptar, mërgimtarë që banojnë në Suedi, me të cilët jam njohur në Durrës, katër vite më parë, në nëntor 2013, kur u përuruan volumet 1 dhe 2. Aty unë pata nderin të përshëndes tubimin e athershëm. Me shpresë, madje më shumë me bindje, thashë këto fjalë: - “Volumet e “Thesarit Kombëtar”, janë një enciklopedi e jetës dhe e punës 40–50 vjeçare, duke filluar që me mërgimtarët e parë e deri në ditët e sotme. Pikërisht këtu do t’i gjeni të gjitha dhe do të bindeni, se si e kanë filluar ata, që nga hiçi.….. Suedezët ju dhanë “tokën”, ju dhanë edhe klimën e lirisë, që e kanë me bollëk, ndërsa ju mbollët dhe rritët “Pemën e lirisë”. Me shpirt urova: “Ju lumtë! Vazhdoni kështu se jeni në rrugë të mbarë. Koha dhe historia do ju vlerësojë, kombi do ju nderojë!”. Me lajmin që më erdhi, u ndjeva i përkëdhelur. Paskam patur të drejtë! Ata e mbajtën fjalën, vazhduan udhën e krijimtarisë atdhetare. Unë përsëri jam mes tyre, bashkë me intelektualët tropojan, në kuvendin më të ri, në përurimin e dy vëllimeve, 7 dhe 8, të këtij “Thesari” me gurë të çmuar e të rendë, në historinë dhe kulturën shqiptare.

E pranova ftesën dhe ujdisëm takimin, pasi unë do të nisesha nga Durrësi, ndërsa Viron Kona, Nuri Dragoj dhe Bashkim Saliasi më prisnin në Tiranë. Rruga kaloi bukur, mes kolegësh shkrimtarë dhe studjues, që nuk reshtën së rrëfyeri për ç’janë duke shkruar dhe ç’kanë ndërmend të botojnë së shpejti. I çuditshëm, madje i pëlqyeshëm ky soji i shkrimtarëve dhe krijuesve, që e nderojnë njëri – tjetrin dhe shpesh bëjnë vërejtje dashamirë, duke nxitur mendimin për studime, akiva, gjetje materiali dhe ndërtimin estetik të librave për botim.

Më 27 korrik, ditën e enjte, në ora 11.30 ishim në qytetin e bukur Bajram Curri, kryeqendër e Tropojës trime, ku u takuam me organizatorët dhe miqt e ardhur nga Suedia. Ora 12.00, Klubi i Shkrimtarëve dhe Artistëve Tropojë, i drejtuar nga z. Lulzim Logu, në bashkëpunim me Lidhjen e Shkrimtarëve dhe Artistëve shqiptar “Papa klementi XI. Albani”, mbështetur nga Bashkia Tropojë, organizuan në mjediset e Muzeut Historik Tropojë, një takim kulturor.

Është për t’u vlerësuar pritja dhe qëndrimi i ngrohtë në mesin e komunitetit artdashës tropojas, të cilët vazhdimisht mbështesin aktivitetet e organizuara nga “Klubi i Shkrimtarëve dhe Artistëve, Tropojë”. Të gjithë bënë çmos, për të mirëpritur e kënaqur “dasmorët” e ardhur nga larg. Kjo kuptohet lehtë edhe nga një fakt i thjeshtë, që në krye të mikpritësve është edhe nënkryetari i Bashkisë të qytetit Bajram Curri, z. Astrit Margjekaj, si dhe punonjësi kulturor i kësaj bashkie z. Can Tahiri.

Si fillim një befasi! Një spektakël muzikor. Në hollin e muzeut, të mahnisin ritmet e gjalla të valles tropojane, kërcyer nga valltaret e ansamblit “Dardania”. Të them të drejtën, si sot, asnjëherë nuk e kam ndjerë kaq pranë magjinë e valles tropojane. Në këtë kuvend letrarësh dhe artistësh, përfshiheshin përurimet e librave “Thesar Kombëtar i Mërgatës shqiptare në Suedi”, vëllimi 7 – 8. Bashkë me to edhe vepra “Arsimi shqip në Suedi”, botuar nga z. Hysen Ibrahimi, si dhe libri poetik me titull, ”Në endrra digjet nata”, i autorit Hasan Qyqalla, nga Lidhja e Shkrimtarëve shqiptar në Gjermani.

Në takim kishte krijues shqiptar nga Gjermania, Austria, Zvicra, Maqedonia, Kosova dhe Mali I Zi, të cilët e begatuan takimin me ndjesi atdhetarie e shqiptarie. Ata përcollën copëza jete dhe frymëzim malli, në interpretimet poetike me vargje të tyre, por edhe nga autorë të njohur shqiptar, si Mjeda, Fishta, Migjeni, etj. Takimin e parapriu një kuvendim i ngrohtë i të gjithë krijuesve shqiptar mesveti, njëkohësisht edhe këmbimi i librave, si pjesë e krijimtarisë më të re të tyre.

Kryetari i Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve shqiptar “Papa klementi XI. Albani”, z. Hysen Ibrahimi përshëndeti të pranishmit e shumtë që kishin mbushur sallën. Në fillim falënderoi organizatorët mikpritës, si nikoqirë të shtëpisë, njëkohësisht edhe të gjithë të mirëseardhurit në këtë kuvend letrarësh. Ai, me pak fjalë, parashtroi të gjithë veprimtarinë atdhetare të lidhjes, në këtë gjashtë-vjetor të themelimit, (26 Nëntor 2011). Më pas theksoi: E gjithë puna jonë si kryesi e lidhjes, ka synuar që, të gjithë shkrimtarët, artistët dhe krijuesit shqiptarë që jetojnë dhe veprojnë në Suedi, t’i organizojmë e t’i bashkojmë nën një ombrellë të përbashkët, në mënyrë që, puna dhe veprimtaria e tyre të jetë më e lehtë, më institucionale, më e dobishme dhe më e suksesshme. Qëllimi madhor i lidhjes është që, publikimi i veprave letrare, artistike, publicistike dhe shkencore, t’i shërbejë, në radhë të parë atdheut e kombit, historisë, letërsisë e artit me ngjyra kombëtare. Të gjitha përbëjnë këtë “Thesar kombëtar”, ku kemi futur edhe krijime nga diaspora e shpërndarë nëpër botë, por edhe nga trojet etnike e shteti amë Shqiparia. E gjithë kjo punë përmblidhet në pak fjalë: T’i mbajmë mërgimtarët sa më të lidhur me mëmëdheun, të rrisim kapacitetet intelektuale e krijuese, duke i treguar botës se kush jemi dhe çfarw dimë të bëjmë. Vetëm me artin, kulturën dhe traditat tonë të vyera, ne rrokim dinjitet për t’u pranuar në botën e madhe”.

I dëgjoja këto fjalë dhe mendoja: Sa shumë do të bënin shqiptarët po të vepronin kështu si bashkëatdhetarët tanë në Suedi. Sa emër të mirë dhe nder, do të kidhte atdheu ynë, Shqipëria, Kosova dhe trojet tona etnike. Kam përshtypjen, (këtu dua të jem i gabuar), se organizimi i Lidhjes së shkrimtarëve dhe artistëve “Papa Klementi XI. Albani”, është model për t’u njohur dhe ndjekur nga shumë shoqata si motra, të shpërndara nëpër botë, kudo ku ka shqiptarë. Unë nuk di të ketë të dytë, për nga veprimtaritë e shumta nëpër qytete të Shqipërisë, Kosovës dhe Maqedonisë dhe në Suedi, ku shpalosin vlerat e “Thesarit tonë kombëtar”. A nuk meritojnë admirim këta “heronj” të letarve, kwta idealistw që, arrijnë të punojnë, të mbijetojnë, dhe të krijojnë!? Këtyre veprimtarëve punë shumë e gjumë pak i shkojnë përshtat fjalët e të diturit Jakov Milaj, ku te “Raca shqiptare”, shprehet: “Thesari më i çmuar i një vendi nuk përbëhet prej pasurisë së tokës e të nëntokës së tij dhe prej mundësive të zhvillimit ekonomik, por prej njerëzve, prej gjakut që qarkullon nëpër venat e tyre”.

Më pas, fjalën e mori pedagogu dhe krijuesi Bedri Paci me origjinë nga Bujani i Tropojës, tani pedagog shumëvjeçar, me shumë emër, në disa Universitete të Suedisë. Kjo ishte një gjetje interesante dhe e bukur për të gjithë pjesmarrësit, sepse ai i njohu të ardhurit dhe bashkëvendorët, me aktivitetin e tij shkencor dhe krijues. Ndërsa referuan me punimet e tyre profesoresha nga Gjakova Migena Arllati, poeti Dan Kosumi, profesor Mehmet Rukiqi etj. Në takim kishte edhe vlerësime dhe mirënjohje mes krijuesve dhe aktivisteve të kulturës, pjesë e pandarë e bashkëpunimit mes shqiptarwve nga diaspora dhe Tropoja.

Takimin e përshëndeti edhe shkrimtari ynw i shumënjohur ne mesin e bashkëatdhetarëve tanë në Suedi, por edhe në Tropojë z. Viron Kona, i cili mes të tjershë, theksoi: “Të dashur motra dhe vëllezër! Ju na sillni përherë vlera lirie dhe atdhetarie! Ndihem i nderuar që, edhe në emër të miqve të mi të ardhur nga Tirana dhe Durrësi, të përshëndes sot këtë tubim të bukur dhe plotë vlera. Kam kënaqësi të përqafoj vëllezërit tanë shqiptarë të Suedisë, por dhe ata të Gjermanisë e të Kosovës, të cilët enkas, kanë ardhur sot këtu në qytetin “Bajram Curi” (Tropojë), në vendlindjen e trimërisë dhe të  heroizmit.

Mërgata shqiptare e Suedisë, ndriçon dukshëm rrugën për ruajtjen dhe përhapjen e gjuhës shqipe dhe të identitetit kombëtar. Është ky një grup përfaqësues i bashkëkombësve tanë, që si zogjtë shtegtar, kanë ardhur dhe vijnë vazhdimisht, nga Europa veriore, nga Suedia, për t`i ngritur e ndritur edhe më shumë vlerat e lirisë në atdheun e tyre, herë në Tiranë e Prishtinë, herë në Durrës e Kurbin, në Pejë e Mitrovicë, në Therandë e Rugovë, në Gjakovë, Drenicë e Vushtrri dhe sot në Tropojë”.

Të pranishmit e mirëpritën dhe vlerësuan vendimin dhe veprimin, që Lidhja e Shkrimtarëve dhe Artistëve shqiptar “Papa klementi XI. Albani”, pranoi “Anëtar nderi”, studjuesin e njohur z. Nuri Dragoj dhe Profesorin e shkencave sociale z. Zydi Dervishi, të cilët i’u bashkuan listës së gjatë të emrave të pranuar më parë, ku mes të tjerëve janë edhe Murat Gecaj e Viron Kona nga Tirana dhe Flora Dervishi nga Durrësi.

Po kështu me duartrokitje u përcoll nderimi me medalje, për poetin dhe gazetarin tropojas Gjon Neçaj, kompozitorin e njohur Skënder Doshlani, poetin e njohur nga Kosova Tahir Bezhani, si dhe poetin Lulzim Logu, për kontribut në shërbim të kulturës, traditës, krijimtarisë letrare dhe publicistike.

Pas këtij kuvendi të nisur e të bitisur kaq mirë e bukur, dreka në restorant “Krasniqe” në Bujan, kurorëzoi një ditë të këndëshme e të ngarkuar me shumë ndjesi atdhetarie. Një ditë e shumëlakmuar, artistike, kulturore, ditë afrimi e miqësie, mes krijuesve shqiptar, ku gjalloi kënga, vallja dhe humori i thekur, nga valltarët, artistët dhe krijuesit nikoqirë të Tropojës e Kosovës. E gjithë veprimtaria është një nismë e bekuar, është një ngjarje me vlera kombëtare, për t’u përshëndetur dhe përgjithësuar.

Urime organizatorëve! U mirëtakofshim në tubime të tjera, po kaq të mirëpritura dhe të arrira, në dobi të kulturës dhe çështjes sonë kombëtare!

Kadri Tarelli

Durrës më: 28, të Korrikut, 2017.



(Vota: 2 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora