Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Shpëtim Nazarko: Vlora shpëton prapë Shqipërinë!

| E merkure, 03.09.2008, 05:57 PM |


Vlora
Vlora shpëton prapë Shqipërinë!

Nga Shpëtim Nazarko

Në 4 shtator në  “Sheraton” një grup investitorësh anglezë paraqisnin projektin më të madh në historinë e Shqipërisë. Në vlera monetare (1,2 miliardë euro) ai mund të paraqitet prapë në një të ardhme të afërt apo të largët, por rëndësia e këtij projekti në pikëpamje ekonomike, politike apo gjeopolitike është i papërsëritshëm. Duke perifrazuar diktatorin Hoxha, mund të themi ...se me ndërtimin e portit 60 milionë tonësh në Vlorë arrijmë çlirimin e dytë të Shqipërisë. Dhe për një konçidiencë të habitshme historike, ky çlirim vjen përsëri prej qytetit që  njoftoi pavarësinë e Atdheut. A mundet vërtet të perifrazojmë diktatorin, apo jemi në prag të ndërtimit të një kombinati tjetër metalurgjik si ai që Hoxha e quante çlirim të dytë të Shqipërisë e që dihet si përfundoi?

Rëndësia ekonomike e një projekti

Në një pamje direkte të problemit, do të mjaftonte shifra prej 1,2 miliardë eurosh për të kuptuar rëndësinë e projektit. Akoma edhe shifra e fitimit të drejtpërdrejtë prej taksave 200 milionë euro në vit. Po investimi mund të quhet fillestar dhe shuma e mësipërme duket menjëherë që do të shumëfishohet në vitet e ardhshme. Një port i tillë gjigand bashkë me zonën e lirë lejon përpunimin e një sasie kolosale mallrash, që të ardhur edhe prej Azisë së largët shpërndahen në tërë Ballkanin dhe Europën kësaj radhe në skemën “Made in Albania”. Ndërkaq është lehtësisht e përfytyrueshme që një port i tillë gjigant është e pamundur të funksionojë pa rrugët lidhëse që hyjnë e dalin nga Shqipëria. Në këtë sens, “Korridori i Tetë” dhe sikur të mos ishte në llogaritë fillestare të Qeverisë apo shtetit shqiptar, bëhet një domosdoshmëri që realizohet vetëm prej ekzistencës së Portit të Vlorës. E njëjta gjë mund të thuhet dhe për rrjetin hekurudhor, për të cilin që tani po interesohen kompani europiane për ta marrë me koncesion.
Ky zhvillim natyrisht është e vështirë të përfytyrohej nga e kundërta. Pra, duket i pamundur ndërtimi i rrugëve të mëdha pa llogaritur më parë Portin e Madh të Shqipërisë. Po në këtë pikëpamje ndërtimi i tij fut realisht në eficensë rrugën Durrës –Kukës, e cila natyrisht do të kishte efektivitet shumë më të vogël nëse do të mjaftohej vetëm me Portin e Durrësit, që është larg kërkesave për të quajtur realitet idenë e Korridorit të Tetë.

Rëndësia gjeopolitike

Straboni e quante Vlorën një nga portet më të mëdha të antikitetit. Prej saj si dhe prej Durrësit vinin dy degëzimet e mëdha që lidhnin me rrugën “Egnatia” dy perandoritë më të mëdha të botës së vjetër. Me ndërtimin e Portit të Vlorës vëmë prapë në skemën natyrale të zhvillimit të Shqipërisë si një vend tranzit. Duke vendosur njëherë e përgjithmonë njërën prej shtyllave themelore të zhvillimit të saj që lidhet me pozicionin gjeografik. Një pozicion që e humbi vlerën nga rënia e dy perandorive të mësipërme, e që humbi prej pushtimit turk gati përfundimisht rëndësinë.
Pushteti i Hoxhës e nxori përfundimisht Shqipërinë nga pozicioni i një vendi tranzit, duke i thyer vendit njërën prej shtyllave më të rëndësishme të ekzistencës së tij. Hoxha në të vërtetë e quante Vlorën një pikë të rëndësishme për të kontrolluar Otranton dhe natyrisht edhe Mesdheun. Në të vërtetë pozicioni i Vlorës është shumë herë më i rëndësishëm se sa ai që shihet në kohë lufte apo paqe. Natyrisht konsiderata të tilla agresive nuk kanë vlerë normale në kohën e sotme. Megjithëse një pjesë e Portit të Vlorës mund t’i shërbejë sigurisë kombëtare, duke pasur edhe NATO një pjesë të tij, (siç dhe parashikohet në projekt) ai shihet vetëm për qëllime paqësore. Profecia e Hoxhës ka vlerë e parë vetëm në këndin paqësor. Dhe kjo duket thjesht. Vlora nuk kontrollon vetëm Otranton. Po të heqësh një vijë të drejtë, rruga e filluar prej saj shkon deri në Ederne (Bullgari) duke shërbyer kështu realisht si porta e Ballkanit. Atje ku mund të duket vërtet si një portë e tillë, pasi vijnë e kryqëzohen korridoret e rëndësishme që lidhin Lindjen me Perëndimin. Me vendosjen e Vlorës në hartën reale të ngjarjeve dhe kalimin prej saj në Shkup, shqiptarët janë jo vetëm porta hyrëse e Ballkanit, por shërbejnë edhe në rolin e një pozicioni central të kryqëzimit të korridoreve të mëdha bashkë me Maqedoninë. Kjo në kohë paqeje e lufte.
Por pa ekzistencën e kësaj dhurate natyrore siç është Vlora, Shqipëria nuk do ta kishte kurrë këtë funksion të një vendi tranzit. Dhe në këtë sens, Korridori i Tetë do të kishte vetëm funksionin e një korridori lokal.
Me ndërtimin e Portit të Vlorës, Shqipëria zë një pozicion kyç në Ballkan dhe i afrohet Greqisë në pikëpamjen e fuqisë portuale me një lëvizje të vetme. Vendi fqinj i njohur për fuqinë detare dhe portuale nuk mund ta ketë pozicionin e Vlorës. Pra, për të pasur porte të tilla kontenierësh, e kjo për shkak të ishujve të shumtë që pengojnë manovrueshmërinë e anijeve të mëdha që bëjnë transporte të kësaj natyre. Po me një lëvizje të vetme Shqipëria kalon vendin më të begatë që ka pozicion tranzit po si ajo, Sllovenisë, e cila nuk ka mundësinë e ndërtimit të porteve të kësaj natyre dhe për shkak të brigjeve të vogla detare.
Është fare e thjeshtë të kuptohet se Porti i Vlorës fut brenda tij një pjesë të transporteve të vendeve të Ballkanit, duke e shumëfishuar me këtë rast edhe rëndësinë e tij.
Po pse papritur Vlora e fiton këtë rëndësi të jashtëzakonshme? Kjo pyetje fare normale në një vend të varfër si yni që nuk bën dot as lobingje të karakterit të rëndësishëm, e që me këtë mundësi cenon favoret e vendeve fqinjë në pikëpamje ekonomike?
Projektet e ngjashme mund të zhvillohen dhe gjetkë dhe nuk është ndonjë gjë e madhe të të nxjerrin të tjerët nga loja. Greqia e zëvendësoi artificialisht Korridorin e Tetë me rrugën “Egnatia të Re” dhe Vlorën me Portin e Igumenicës. Po natyrisht histori të tilla nuk mund të vazhdojnë gjatë. Lojën e fitojnë në fund interesat reale që lidhen me përfitime reale. Transporti i mallrave nëpërmjet Europës ka shumë mundësi zhvillimi dhe në projektet e disa viteve më parë u pa dhe ndërtimi në Alpet edhe të disa veprave të tjera. Po përsëri kjo duket e pamjaftueshme. Vlora ashtu si Giro Tauro në Itali plotëson nevoja të mëdha dhe në këto nevoja shihen jo vetëm ato ekonomike, por dhe më gjerë. Ndërkaq siç u theksua dhe më sipër, mundësitë duken të vështira për përfitime, nëse Shqipëria do të kishte në dispozicion vetëm Durrësin.

Pse e shpëton Vlora Shqipërinë?

Përsëritur njëqind herë deri në bezdi. Ndërtimi i një vendi i përngjet ndërtimit të teorive fondamentale shkencore, të cilat vendosin në krye të tyre Principin natyror. Shoqëruar nga një Aparat matematik, i cili pasqyron domethënien e Principit besnikërisht në pikëpamje kuantitative. Në analogji; rolin e Principit natyror kur ndërtohet një vend e luajnë dy shtylla. Së pari, modernizimi i resurseve natyrore që trashëgohen prej të parëve dhe pozicioni gjeografik ndaj të tjerëve. Shqipëria e vjetër ishte vend tranzit dhe blegtoral. Shqipëria e kohës së Turqisë ishte vetëm vend blegtoral, pasi pozicioni i saj u shndërrua nga tranzit në periferik. Shqipëria deri në kohën e Hoxhës ishte e detyruar të ishte vetëm vend blegtoral. Pra rronte vetëm brenda një shtylle zhvillimi. Në vitin 1936, sipas Institutit të Statistikave të Romës ajo zinte vendin e parë për 1000 banorë me diferencë të madhe nga çdo vend i Europës për numrin e bagëtisë së imët. Dhe ndante vendin e parë bashkë me Zvicrën që është dhe sot kampion në numrin e lopëve.
Shqipëria e Hoxhës i theu dy shtyllat natyrale të zhvillimit. Ajo humbi pozicionin tranzit të saj duke u izoluar. Ajo humbi aftësinë e të qenit vend blegtoral, duke çuar fshatarin të blinte qumësht në qytet dhe shkatërrimit të marrëdhënieve me pronën.
Një vend i tillë që thyen rrugën natyrale të zhvillimit, pavarësisht përpjekjeve titanike të popullit të vet e ka të sigurt mjerimin dhe duhet të ushqehet me miell hua nga jashtë.
E njëjta gjë ndodh dhe sot. Ne nuk jemi një vend tranzit. Nuk kemi as porte, as rrugë për këtë strategji zhvillimi. Ne nuk mund të avancojmë blegtorinë dhe ato që lidhen me të pasi nuk kemi ende marrëdhënie të qarta pronësie. Andaj vendi është i mjerë dhe ashtu si në kohën e Hoxhës, pavarësisht përpjekjeve tona mbahet me miell hua nga jashtë. Po sot jo nga rusë e kinezë, por nga emigracioni.
Me Portin e Vlorës, Shqipëria vendos shtyllën e parë, atë të qenies së një vendi tranzit. Me vendosjen e marrëdhënieve të pronësisë në formë të qartë, Shqipëria lejon vendosjen e shtyllës së dytë natyrale të zhvillimit të saj, të blegtorisë dhe gjithë infrastrukturës industriale që vjen prej saj.
Pa këto dy shtylla natyrale zhvillimi nuk mund të shkojmë gjëkundi. Do të përpëlitemi si në kohën e Hoxhës apo të sotme, duke zhvilluar apo eksperimentuar histori aventurierësh. Që në fundin e tyre bien mjerimin e njohur.
Andaj Vlora e shpëton prapë Shqipërinë. Po e shpëton njëherë e përgjithmonë. Pa të nuk bëjmë dot asgjë, nuk vemë dot asgjëkund! 

Panorama