E premte, 29.03.2024, 02:24 AM (GMT)

Speciale

Stiv Boboshtica: Kurorë e mbretit te Arbërit

E merkure, 16.08.2017, 07:20 PM


Kurorë e mbretit te Arbërit apo epitafi i kreshnikut Skanderbe

Nga Phd Stiv Boboshtica

Deri më sot  askush nuk ka  mundur  ta ndajë  Figurën e Skënderbeut nga Përkrenarja (kurora mbretëtore ), pse ato së bashku përcjellin një mesazh, atë të prijësit mbret, q? udhëhoqi  një popull  që bëri një histori te veçantë ,surprizë, në mesin e shekujve të mesjetës në Europë.

Ndryshe në shumë raste historia është  zbuluar nga njerëz “aventurierë’, që kanë guxuar t’u afrohen mistereve të ngjarjeve, si një metodë që përjashtohet nga akademikët mjekërthinjur,  të cilët  nuk kanë besuar asnjëherë që imagjinata e fshehur në mistere mund të trasmetojë mesazhe të dobishme edhe për ta. Kujtojmë Shlimanin, i cili me 1778 ,duke i besuar fantazisë së Homerit te dy kryeveprat botërore Iliada dhe Odiseja zbuloi Trojën, apo Mikail Ventris, arkitekt dhe kriptograf nga profesioni, mundi të kuptojë e të transkriptojë  i pari  pllakat e lashta mikenase.

Misteri që fshihej në pllakat e lashta    ishte dije e përcjellë në kode pikërisht që kureshtarët e sotëm të mos i  profanizonin e t’i deformonin.

Sekreti qëndronte te mënyra skriptore apo ndërtimore  që ato komumtojnë  një të vërtetë, e cila për kohën pati qënë pronë e njerëzve me koeficent  inteligjence shumë të lartë, atë që në konceptin e sotëm,  e zotërojnë vetëm individë me koeficent  inteligjence mbi 160.

Në këtë kuptim, nuk është e mjaftueshme që të kesh në dorë një artefakt , se e vërteta që fshihet në to, nuk është për opinionin e gjërë publik,  në mjaft raste ato u  krijuan me qëllim që ta devijojnë e ta gënjejnë çdo njeri të rastësishëm, që i bie në dorë një thesar historik . Nga historia shpesh  mbetet vetëm pluhuri i ngjarjeve, hiri i tyre dhe nuk është e mjaftë t’i besosh historisë zyrtare, sidomos asaj pozitiviste sinkronike. Sa mjerane duket arroganca e historianit materialist    nuk është ndalur  në misterin e artefaktit  historik si në rastin e kurorës mbretërore  të Gjergj Kastriotit,  por i kushtëzuar nga rrethanat  e kohëve të reja, pranon ta metaforizojë atë  në përshtatje  për teoritë e tij ideologjike.

Profesori Oliver Schmidt  i historisë së Europës Juglindore në Universitetin e Vjenës shprehet se ajo që kërkoi Skënderbeu ishte Kurora. Kurorëzimi si Mbret i Shqipërisë dhe i Epirit, ndërsa Pal Engjëlli do të bëhej Kardinali i shqiptarëve. Profesor Schmidt  thotë  se ishte ky i fundit ai që porositi, krijoi dhe ideoi imazhin e helmetës së Skënderbeut, si imazhin e Aleksandrit të ri, të një principate të pavarur.

Ishte surprizë ky lajm  studiuesit zviceran Shmidt  se Përkrenarja ishte  një kurorë ceremoniale,  që Papa Piu II  ia kishte dhuruar Skenderbeut më 25 Dhjetor 1466, ditën e Krishtlindjes, ku në një shirit pergameni, që qarkonte helmetën e derdhur në një  metal të bardhë,  e ndarë në gjashtë  rozeta bakri që zbukurohen me me gjashtë sumbulla rubini të kuq, ku  janë të shënuar gjashtë  thirrma rrokjore me gërma kapitale * IN * PE * RA * TO * RE * BT *, që do të thotë: Jhezus Nazarenus * Principi Emathie * Regi Albaniae * Terrori Osmanorum * Regi Epirotarum * Benedictat Te Nazareni, që sipas studiuesve,  Papa Piu  II  e bekonte Gjergj Kastriotin  për të gjitha atributet  e trashëguara ose të fituara me meritë,  si , Princi i Emathias (Matit), Mbreti i Arbërit ,Tmerri i Osmanëve, Mbreti i Epirit.

Kështu me mbishkrimet në përkrenare studjuesit  mund t'i referohen  çështjes së emrit të pazgjidhur, me të cilin Shqipëria njihej në atë kohë,dhe  si një mjet për të identifikuar rendin  udhëheqës të Skënderbeut mbi të gjithë shqiptarët përmes identifikimet të  hierakisë  së pushtetit  nëpërmjet emërimit të tyre.

Burimet  e kohës  tregojnë se shqiptarët e shekullit të 14-të janë  identifikuar pabesisht si popuj fisnorë, e të paqytetëruar.Por, në varësi të ngulimeve të tyre  njiheshin si : Arnaut,   Arbanitas, Arbanezi,  Epirotas, Albanas,   Arbër,   Arbëresh etj.

Duke e vlerësuar këtë kurorë dhe si  Akt Papnor, çdo studiues i sotëm do ta konsideronte Helmetën e Skënderbeut  si një kurorë  që legjitimonte disa tituj , si një të vërtetë të pa diskutueshme.

Në një  akti të mëparshëm të kohës së  rinisë Gjergj Kastriotit, i është  dhënë nga Padishau i Madh, Sulltan Murati II, për aftësi të spikatura ushtarake dhe diplomatike grada më e lartë e një Kalorsi të mesjetës, por dhe si titulli  më i lartë ushtarak perandorok, ISKANDER  që shqiptohet në shqip SKANDERBEG.

Pra si artefakt, Përkrenarja është,vërtetë unike, me vlera të patjetërsueshme  historike .

Pas vdekjes së Skënderbeut, armorja u dërguan në Itali nga gruaja e Skënderbeut, Donika dhe djali i tij, Gjoni. Është e panjohur se kush i trashëgoi armoren  pas vdekjes së tyre . Armorja u rishfaq në dekadën e fundit të shekullit të 16-të. Deri në 1590, përkrenarja dhe një shpatë ishin nën pronësinë e Numnit Eolfang të Sturnbergut ndërsa shpata tjetër ishte në inventarin e Muzeut të Armëve të Kryepeshkopit Karl të Styrianit, birit të Perandorit të Shenjtë Romak në Graz, Austri (ato shfaqen në inventar të 30 tetorit 1590). Personi që solli armët së bashku ishte bir i Perandorit dhe vëllai i Karlit, kryeqyteti Ferdinand i Tirolit, i cili, duke vepruar sipas këshillës së Kancelarit të tij Jacob Schrenk von Gotzing, bleu armët dhe i solli nën të njëjtën çati. Më vonë, ky princ ngriti Muzeun e Ambras, pranë Tirolit, të cilin e mbushi me të gjitha llojet e armoreve  të luftës, si dhe piktura e portrete të famshëm të asaj kohe. Në vitin 1806, armët u transferuan në Muzeun Perandorak në Vjenë, ende larg njëri-tjetrit. Përkrenarja dhe shpata e drejtë u vendosën në sallën Maximilian (sallë XXV, nr 71 & 92 përkatësisht), ndërsa shpata e lakuar gjeti rrugën e saj për në sallën e Karlit  V (sallë XXVII, nr 345). Armët u ndanë nga kuratorët e muzeut, të cilët ishin të pasigurt  nëse shpatat, vërtet i përkisnin Skënderbeut.

Pas Luftës së Dytë Botërore, dyshimet u zhdukën. Në prag të përvjetorit të 500-të të Skënderbeut, armët u ribashkuan, jo vetëm në të njëjtën sallë, por në të njëjtën dritare të ekranit të Koleksionit të Armëve dhe Armoreve në  NewBerg në Vjenë.

Ide dhe mendime të tjera të Barletit dalin në dritë, po të shikohet qëndrimi  i tij ndaj Skënderbeut. Barleti nuk flet në një vend të caktuar të veprës së tij për tiparet  e Skënderbeut, por në shumë, atje ku e do dhe si e do rasti. Prandaj diku ai flet për karakteristikat trupore dhe vizaton, si të thuash, portretin fizik të Skënderbeut, dikur për cilësitë e mendjes dhe të zemrës, gjetkë për sjelljet e tij ndaj ushtarëve ose kundërshtarëve e kështu me radhë.

Ja si e pëmbledh figurën e Skënderbeut, Profesor Stefan I. Prifti, me referenca të vjela  nga Romani”Skënderbeu” i Marin Barleletit, i përkthyer mjeshtërisht prej tij nga latinishtja.

_”Skënderbeu së pari shquhej dhe admirohej për tiparet e tij trupore. Këtë admirim dhe dashuri ai e pati që kur ishte peng në oborr të sulltanit, siç na e përshkruan Barleti në ndeshjen me skithasin. Bukuria e trupit   dhe hijeshia e gjymtyrëve, shtati i lartë dhe qafa e fuqishme, «këto, - thotë Barleti, - ia rritnin shumë virtytet e tjera dhe dukeshin se ia shtonin mirësitë e shpirtit» (I, 8/9). Sipas knoceptit klasik të grekëve të vjetër, trupi i bukur dhe i fuqishëm është pasqyrë e bukurisë dhe e fuqisë së shpirtit, të mendjes, të ndjenjës dhe të vullnetit. Skënderbeu mishëron çdo gjë të lartë, të bukur, të fuqishme, të madhërishme.

Që në moshë të vogël Skënderbeu digjej dhe bluante në mendje plane për

gjera të mëdha. Së pari ai u dallua në mësime e pastaj në të tjerat. Barleti na thotë: «Kështu, brenda një kohe të shkurtër, mendja e tij, e gatshme për çdo gjë, mësoi gjuhën dhe letërsinë turke, arabe, greke, italike dhe sllave, e ndërsa bashkë me moshën po i shtoheshin pak nga pak dhe fuqitë, djaloshin e pushtoi vetëm një deshirë: të mos i shpëtonte asgjë pa provuar në trimëritë luftarake dhe të jepte për çdo gjë prova gati të pabesueshme të gatishmërisë trupore, herë me shpatë, herë me hark e shigjetë, herë si kalorës e herë si këmbësor, të bënte gjithmonë me guxim, diçka më të madhe se mosha e tij» (I, 5/7). Dhe me trimëritë që bëri, fitoi famë botërore që në fushatat e tij të para (I, 7/8).

Skënderbeu kishte fuqi të pamposhtur,  shpirtërore, po aq sa edhe trupore dhe vepronte shpejt e s’përkulej përpara asnjë vështirësie, s’donte t’ia dinte as nga të ftohtit, as nga të nxehtët. Që nga dita e parë që erdhi në Epir e gjersa çliroi mbretërinë, «mezi i bënte dy orë gjumë çdo natë, mrekulli kjo veçanërisht e një trupi hyjnor dhe e një trimërie të pashterur» (I, 30/25).

Ndër idetë e larta morale, që karakterizojnë figurën e Skënderbeut, është edhe  ajo që, për të qenë të pathyer, shqiptarët duhet të vënë mbi interesin personal të mirën e përgjithshme. Në kohën që po jepte shpirt, ai u thotë bashkëluftëtarëve të tij : «Dhe me të vërtetë, s’ka asnjë shtet aq të fuqishëm e aq të shëndoshë saqë   mos shembet dikur e të mos rrënohet, kur u lëshon vend mërive dhe grindjeve përbashkëta, kur vë përpara së mirës së përgjithshme dobinë dhe përfitimin vetjak» (XIII, 486). Dhe Skënderbeu e jep vetë shembullin personal si në çdo gjë «edhe   në këtë pikë (po aty).

Skënderbeu ishte i dashur për karakterin e tij popullor. Ai i donte ushtarët me gjithë zemër, ai u shkonte kokë më kokë kur plagoseshin dhe kujdesej për ta si ndonjë shok i thjeshtë i tyre (V, 174/130). Ai s’bënte asgjë pa u këshilluar me ta (XI, 423/316) dhe lutjet e tyre ia zbutnin zemrën edhe në rastet më të vështira (III, 120/91). Prandaj edhe ushtarët e donin sa qanin për të (VI, 225/169).

Karakteri popullor i Skënderbeut u pëlqente edhe armiqve: «Turqve u pëlqente fort karakteri popullor i këtij burri, prandaj secili e priti me gëzim sundimin e tij.» (I, 20/18).

Skënderbeu është mendjelartë dhe mendjehollë, me shpirt të madh e të fortë, i urtë e i përmbajtur sa s’ka. Përshtypje të thellë të lënë për maturinë dhe forcën e përmbajtjes letrat që u dërgon Muratit (III, 89/69) dhe Mehmetit (XI, 418/312). Skënderbeu e përmban veten edhe në zemërimin më të madh (VIII, 308/231). I lartë për urtësinë e tij është dhe qëndrimi kundrejt Vrana Kontit qortues (V, 160/120). E madhërishme gjithashtu është sjellja e Skënderbeut për butësinë e shpirtit të tij edhe kundrejt armikut të mundur. Kështu ai i fal jetën, me buzën në gaz, Hasan Beut, i cili i thotë: «Kështu... do të kesh më tepër lavdi nga triumfet e butësisë sate, sesa nga triumfet e ushtrive dhe të fitoreve armike» (XI, 412/ 308). Shpirtbutësinë e Skënderbeut Barleti e quan hyjnore me rastin e faljes së Moisiut: «Unë nuk çuditem shumë që Skënderbeu e pranoi aq shpejt pendimin e Moisiut, megjithëse edhe kjo duhet shikuar me admirimin më të madh, gjersa ky kishte vjellë kundër tij gjithë atë vrer urrejtjeje, gjersa kishte thurur kundër kokës së tij, kundër lirisë së atdheut, gjithë ato komplote; por çuditem që ai, me bujarinë e tij të pazakontë dhe me njëfarë shpirtbutësie hyjnore, më fort sesa njerëzore, e fali aq shpejt, saqë u miqësua me të vetëm me ta parë dhe me ta dëgjuar... » (VIII, 333/251). Skënderbeu veproi kështu sidomos për hir të interesit të përgjithshëm të atdheut.

Por Skënderbeu rrallë edhe rrëmbehet dhe Barleti e qorton për gabimin e tij të tepruar (V, 171/128).

Skënderbeu ishte njeri që s’mund të rrinte pa vepruar «impatientissimus otii», siç thotë latinisht Barleti, i shpejtë si rrufeja dhe vetëtima, që mbron atdheun edhe vetëm me emrin e tij (II, 53/43).    7

Zotësinë luftarake Skënderbeu e tregoi në tërë taktikën e luftës, taktikë e re, për të cilën e admironin edhe armiqtë. Skënderbeu u flet me pasion ushtarëve për taktikën para çdo ndeshjeje dhe do që ushtarët të jenë të bindur për të* Kështu vepron ai në fjalimin që u mban sfetigradasve (IV, 142/107) dhe gjetkë. Skënderbeu e parashtron, siç thamë, rëndësinë e taktikës së tij që në Mbledhjen e Lezhës, duke e konsideruar si një nga kushtet themelore, që do të sigurojë fitoren kundër turqve. Si momente kryesore të kësaj taktike mund të shënohen:

1) Në luftë vlen që armikun ta godasësh në befasi, atëherë dhe atje ku s’e pret. Befasia është një nga tiparet themelore, që spikat më fort dhe që e tregon Skënderbeun mjeshtër të pashoq të pusive. Skënderbeu i jepte kësaj rëndësi të veçantë (IX, 345/259).

2) Shpejtësia në luftë ishte gjithashtu me vlerë të madhe. «Shpesh ajo i përmbys planet dhe i shpërndan e ngatërron radhët» (X, 401/300).

3) Në çdo rast, mënyra se si duhet vepruar do të përcaktohet nga situata konkrete e çastit. Kështu, në një rast, Skënderbeu thotë: «Ky mendim do të na shkrepë në kohën dhe ditën, kur ta kemi armikun para syve».

4) Mospërbuzja e kundërshtarit (V, 170/127).

5) Ka gjithashtu rëndësi të madhe që armiku të mos të të gjejë të papërgatitur; dhe Skënderbeu këtë anë e ka konsideruar si një anë kryesore të taktitës së tij.

6) Barleti thekson edhe se dy janë sidomos rastet për sukses në luftë: «kur armikun e shikon ose të zënë me të tjerë, ose të dërrmuar» (VII, 269/202).

7) Njohja e vendit dhe shfrytëzimi i kohës. Por taktika e Skënderbeut e ka forcën e saj dhe bazën e suksesit sidomos në karakterin e vetëdijshmërisë në të gjithë masën e ushtarëve, në faktin se ajo, para se të vihej në praktikë, u bëhej e njohur ushtarëve, shoshitej e pranohej me bindje prej tyre, sepse Skënderbeu nuk vepronte kurrë, siç thamë, pa u këshilluar me shokët e me ushtarët. «Unë s’jam nga ata, - u thotë ai ushtarëve, - që të tërheq njerëzit në rreziqe, pa ditur se ç’bëjnë.» (III, 105/80).

Dhe: «Unë kam dashur që, përpara se të vë në zbatim ndonjë mënyrë të re në këtë luftë, të flas më parë me ju dhe të di mirë vullnetin e secilit, kështu që ose unë të vij pas mendjes suaj, ose ju pas simes (siç ka ndodhur gjithmonë me ne)» (IX, 343/257). Këtë karakter të taktikës së Skënderbeut dhe miratimin e saj në përgjithësi nga masat e popullit e shpreh edhe gojëdhëna popullore, e cila na tregon, p.sh., se Skënderbeu kërkonte këshilla nga një plak i krahinës, si të vepronte kundër Ballabanit.3)[1]

Për sa i përket numrit të forcave, Skënderbeu mendonte dhe thoshte se «komandanti apo kapedani që s’di ta thyejë armikun me  8 000 ushtarë ose me 12 000 e shumta, ai s’ka se si t’ia arrijë, në asnjë mënyrë, fitores me forca më të mëdha», sepse «mizëria e ushtarëve», vazhdon Barleti, ka qenë «shkak rrëmuje dhe pengesë për fitore» (XI, 446/334).

Sa për mënyrën e veprimit në përleshje e sipër, Skënderbeu tërë kujdesin dhe përpjekjen e tij e drejtonte në goditjen kundër komandantëve që drejtonin ushtritë. Ai thoshte se më parë duhet prerë koka, se pastaj trupi rrëzohet vetë (VII, 282/211).

Këtë taktikë Barleti e quan «një taktikë tjetër më të dobishme luftarake» (II, 54/42), me të cilën Skënderbeu do t’i thyente hundët Muratit dhe do ta bënte që t’i shkonte mundi kot Këtë taktikë e admirojnë njerëzia (IX, 363/273). Fryt i kësaj taktike janë trimëritë  e pashoqe të Skënderbeut, që njerëzit i këndojnë nëpër gostitë (po aty).

Një rëndësi të veçantë për të gatitur veten dhe ushtrinë, në mënyrë që të përballojnë çdo rrethanë rreziku dhe të mbrojnë me sukses atdheun, i jepte Skënderbeu kalitjes fizike. Ai udhëhiqej nga mendimi se ushtria, që të mos vyshket e të mos kalbet në plogështi, duhet të mos rrijë në një vend, por të kalitet me udhëtime të gjata e me forma të tjera (II, 43).

Duke qortuar me takt mendimin e disa burrave të ushtrisë së tij, të rrahur në punët e luftës, por që ngurronin të sulmonin Sfetigradin, u thotë me buzë në gaz:- «Epirotët paskan vënë fort dhjamë nga fitoret e shumta dhe qenkan bërë delikatë. Vitin e kaluar i pengonte të ftohtit, tani vapa e madhe. Është nevoja, e Zoti mos e dhëntë, për ndonjë fatkeqësi, që t’i shkundë nga kjo plogështi dhe nga ky gjumë që i ka zënë» (VII, 300/225). Skënderbeu e qorton shpesh plogështinë dhe rehatinë si një shkak zburnimi e demobilizimi dhe në kohën që po jep shpirt në shtrat, një ndër porositë e tjera që i lë të birit është edhe kujdesi që duhej të tregonte ai për kalitjen e ushtarëve. «Mos e duro qetësinë qulle dhe plogështinë e zhburmuar», i thotë, «sepse prej tyre vijnë gjithë të këqijat... ushtarët e tu... ushtroi me punë, mund e pagjumësi të paprerë» (XIII, 489). Këtë porosi kryetrimi e ka zbatuar vetë në jetën e tij më mirë se kushdo tjetër. «Mua s’më teproi asnjëherë koha, në gjithë jetën time, për pushim, as për qetësi», u thotë kapedanëve në kohën që po ndahej nga kjo jetë, «s’pata vend të caktuar, as kohë për të ngrënë apo për fjetur; unë rrija si ditën, si natën pa gjumë» (XIII, 487). Dhe Barleti kalitjen fizike bashkë me disiplinën dhe pastërtinë morale të saj i quan si faktorë me rëndësi të madhe dhe thotë: «Me këto mënyra ndoshta u ruajt dhe u rrit për vite me radhë me aq lavdi e fatbardhësi mbretëria» (IX, 336).

Zotësinë dhe trimërinë e Skënderbeut e njohin edhe turqit. Murati e quan «luan të pazbutur», kur e sheh se s’ka ç’t’i bëjë (VI, 240/180). Barbarët e pranojnë se kundër numrit të madh të forcave të Muratit qëndron trimëria e paepur e Skënderbeut dhe e ushtarëve të tij (VI, 246/185). Ata e quajnë Skënderbeun «mjeshtrin më të madh të pritavë» (Xk 414/309), luftëtarin më të madh të botës, që s’ka kush t’ia heqë fitoren nga duart. «Çdo përleshje me praninë e Skënderbeut përfimdonte mbarë, çdo furi dhe stuhi rreziku pushonte, kështu që arbrit, barbarët dhe gjithë të krishterët e thoshin njëzëri dhe e pohonin një goje se Skënderbeun e kishte nxjerrë zoti luftëtarin më të madh në botë» (XI, 451/339). Ballabani, kundërshtari më i madh i tij, detyrohet të thotë, ndër të tjera, për të: «Ai zbret në betejë dhe përleshet me armikun si ndonjë  rrufe  e vetëtimë» (XI, 453/341). Dhe, duke u shfajësuar përpara Mehmetit për disfatën që pati nga Skënderbeu, i thotë: «Shumë gjëra dëgjoj të thonë, o prijës i ndritur, për Skënderbeun, gjëra, për Herkulin,[2], mbinjerëzore, se ai është i pathyeshëm në luftë, i pamposhtur në armë, që s’merr plagë nga hekuri» (XI, 453/340).

Dhe trupi i Skënderbeut s’merr plagë sepse ai është «hyjnor» ose «gati hyjnor» (VIII, 312/235 dhe VIII, 320/281) se Zoti s’lejon të shembet Skënderbeu (XI, 455/343), prandaj edhe ushtarët e shfajësojnë Moisiun përpara Mehmetit me trimërinë  e pathyeshme të Skënderbeut dhe me «thyeshmërinë njerëzore» (VIII, 332250). Dhe bashkë me admirimin turqit ia kanë Skënderbeut edhe frikën dhe dridhen prej tij, madje edhe vetë Mehmeti (XII, 468/351); ndërsa pas vdekjes së tij kërkojnë «një grimë asht të burrit » [3]për hajmali, që të mos i zërë plumbi dhe t’u ecë fati si atij (XIII, 491-492/371).[4]

Skënderbeu është «mrekulli e shekullit» të tij për ta admiruar njerëzit (II, 59/46). Dhe njerëzit te Skënderbeu admirojnë sidomos «besimin e pashoq dhe  të admirueshëm të këtij njeriu» (po aty). Por, Skënderbeu është jo më pak i admirueshëm edhe për fatin e tij: «Sikurse në punët e tjera më të shumta, ashtu edhe këtu mua më del jo më pak i admirueshëm fati i kapedanit, sesa trimëria dhe urtësia e tij» (I, 29/24).

Skënderbeu krahasohet edhe me Huniadin, mrekullinë tjetër të shekullit (II,133/45) dhe nga krahasimi del në disa anë më i lartë dhe më me fat. «Të fortë « s'ka, me një fuqi shpirtërore të barabartë. Më fatbardhë qe ky luftëtari ynë, që, «ç’ u duk pastaj nga gjithë jeta e tij, e pati gjithmonë më të madhe përkrahjen e fatin… Që të dy u kishin hyrë fort në zemër ushtarëve por Skënderbeu ishte më i fisnik e më i qeshur për nga karakteri. Huniadi pothuajse nuk e ndërroi kurrë ushtrinë hungareze dhe vllahjane. Skënderbeu e shfrytëzoi shpesh ndihmën e italianëve në punët e veta dhe mbeti i kënaqur nga zbatimi i këshillave dhe përdorimi i armëve të tyre. Huniadi nuk provoi ndonjë armik tjetër përveç barbarit; Kastrioti nuk fitoi më pak pothuaj emër e lavdi nga lufta në Itali dhe nga çlirimi i Mbretërisë së Napolit, sesa nga triumfet kundër barbarëve.» (II, 82/63).

Skënderbeu, pra, ishte trimi i pashoq i kohës, që admirohej nga gjithë bota dhe që i dha emër e shkëlqim, si askujt  tjetër, atdheut të vet. Populli kishte besim të patronditur te Skënderbeu si ndaj një perëndie. «Qyteti ishte derdhur nga çdo anë dhe kishte dalë kudo për t’i pritur, sepse... besonin që, me praninë e Skënderbeut, mund të ngjalleshin edhe të vdekurit e t’u ktheheshin prapë» (VIII, 315-316/237). Besimin në fuqinë mbinjerëzore të Skënderbeut populli e ka ruajtur dhe e rrëfen edhe sot e kësaj dite.[5]

Bindjen dhe besimin te Skënderbeu i kishin të mëdha jo vetëm ushtarët e thjeshtë dhe populli, por edhe shokët e tij më të zotë. «Ne do të të ndjekim me gjithë zemër kudo që të na shpiesh. Fjalët, veprat, vetë kohën do t’ia përshtatim vullnetit tënd» (VII, 272/204), i thotë Vrana Konti. Po bindja ndaj Skënderbeut nuk është një bindje e verbër, por e ndërgjegjshme. Prandaj atij, kur se ka drejt, edhe s’i binden, si p.sh. në rastin kur i këshillon të mos e vazhdojnë më tutje sulmin kundër Ballabanit: «Pastaj ia dhanë një klithme e britme nga çdo anë dhe u bë një zhurmë e madhe e kampi i tërë buçiti: duhet marshuar pa frikë kundër armikut, që po merr arratinë dhe që tanimë është dërrmuar, dhe duhet lëshuar me rreptësinë më të madhe mbi të. Nuk duhet t’i bindemi në këtë rast kapedanit Skënderbej, që na mëson ta kemi frikë armikun...» (XII, 480/361).

Po aq i madh ishte dhe besimi i Skënderbeut në populL besim që i zhdukte atij çdo frikë e dyshim  në zemër dhe e bënte të kishte  bindje të plotë, se me mbështetjen e fuqinë e popullit mund të kapërcehet çdo pengesë. Duke iu përgjigjur të deleguarit të Muratit, Isuf Beut, i cili i propozonte paqen   më kusht që të kthehej në tributar të sulltanit dhe e trembte me humbjen e qytetit të Sfetigradit e me rrënime të tjera, i thotë, ndër të tjera: «Të jenë gjallë këta kapedanë, të jenë shëndoshë e mirë ushtria jonë dhe populli ynë, gjithçka tjetër, që na ka humbur ne do ta kemi, me ndihmën e perëndive, përsëri, besomë mua”(VI, 249/187). Këtij besimi reciprok ia ka frikën edhe vetë Murati, i cili edhe kërkon të pajtohet me Sënderbeun pikërisht, sepse «... i trembej besimit që kishin gjithë popullsitë e Epirit tek ai dhe dashurisë që gëzonte nga princërit e krishterë, e cila shtohej dita-ditës» (III, 87). Por edhe Mehmeti i egër e i tmerruar nuk mbeti pa e provuar fuqinë e Skënderbeut, sepse edhe ai, pas kërdisë së Hamzës, «e pranoi fitoren epirote duke e pohuar pas pak me shumë turp frikën e vet» (IX, 364).

Lidhjen e ngushtë me popullin, besimin reciprok dhe mbështetjen në masat e tregojnë edhe disa fakte të tjera me rëndësi edukative edhe për kohën e sotme. Ushtria e Skënderbeut nuk e mbron atdheun vetëm duke luftuar, por, kur e do rasti, edhe duke punuar e duke ndihmuar popullin në punë bujqësore. Kështu, kur lajmi për ardhjen e armikut po merrte dhenë dhe kur gruri rrezikohej të shkonte dëm në fushë, meqë s’ishte mbledhur ende i gjithë, «u hodhën në atë punë, - thotë Barleti, - fshatarë e ushtarë së bashku dhe, pasi e korrën, e shpunë të gjithë brenda mureve, një pjesë të pastruar, një pjesë me byk e kashtë bashkë» (IX, 347). Por edhe vetë populli i gjithë, i bashkuar me mish e shpirt me Skënderbeun për mbrojtjen e atdheut dhe lirisë, të kësaj vetie natyrore të njeriut (VII, 284), pa të cilën shqiptari s’e do jetën (VII, 291-292 etj.), është njëkohësisht bujk e ushtar, punëtor e luftëtar, që me njërën dorë lëron arat e me tjetrën mban shpatën (II, 56 e gjetkë). Kështu populli  zbatonte si jo më mirë parullën e Skënderbeut se shpëtimi varej vetëm prej tyre, prej bashkimit të të gjitha forcave e popullsive shqiptare në luftë kundër robërisë: «Shpëtimi është vetëm në duart tona, tjetër shpëtim s’ka» (II, 60).

Dhe në këtë besim reciprok, në këtë bazë e mbështetje të fuqjishme popullore, qëndron gjithë madhështia e veprës së madhërishme të Skënderbeut dhe popullit te tij.

Skënderbeu  përsërit të kaluarën  e lavdishme (VII, 270/202)kohën e Pirros e të Aleksandrit(VI, 257/194 dhe X,395/296)por ai ua kalon atyre , aq sa ngjal edhe zilinë:”Edhe miqtë e vjetër  ndoshta e kishin zili lavdinë e burrit dhe s’e donin dot ngjitjen  e tij , që I kalonte kufijtë e të pareve”(VIII,305/230)

Fati i keq veç, me pushtetin e vet të pamëshirshëm, e goditi me një sëmundje të rëndë dhe e largoi nga ajo fushatë. Në kohën, d.m.th., kur ai e kishte shëtitur me kalë tërë krahinën për të shikuar ushtritë dhe kishte arritur më në fund në Lisos, për të thirrur atje në mbledhje shokët dhe të konfederuarit, - sepse qytetin e Lisosit, që i bindej pushtetit venedikas, Skënderbeu e donte me një mënyrë të veçantë, - e zunë një palë ethe të rënda. Prandaj, duke i pasur përherë e më tepër frikë vetes, ngaqë sëmundja po rëndohej dita-ditës dhe duke menduar se kishte ardhur dita e fundit e jetës, dha urdhër që të mblidheshin gjithë shokët dhe princërit që kishin ardhur tek ai, te delëguarit e venedikasve, me të cilët ishte i lidhur me një miqësi dhe dashuri shumë të madhe, si dhe kapedanët e krerët e kampit  të tij[6], dhe të gjithëve u foli me mirësi kështu:

Virtyti më i lartë dhe besa e vërtetë, o princër fort bujarë dhe ju o bashkëluftëtarë të mi shumë të dashur, kujtoj se është së pari të adhurosh, të kesh kujdes dhe të nderosh si duhet, me shpirt të pastër e me frikë perëndie në zemër, Zotin e madh e të vërtetë. Së dyti, jo vetëm ta duash dhe ta kesh gjithmonë para syve atdheun dhe shtetin, ku secili ka lindur e është edukuar, por edhe ta mbrosh e ta shpëtosh edhe me gjak. Të gjithë këtyre  që e bëjnë këtë  s ’ka dyshim se të diturit u kanë caktuar një vend të veçantë në qiell.

b) Këto  pa dyshim të gjitha, kurdoherë unë i kam pasur për zemër dhe për to kam derdhur tërë zotësinë e jam përpjekur me mish e me shpirt. Dëshmitarët më të mirë për këtë unë kam së pari perëndinë dhe ju.[7]

Janë mbushur tridhjetë vjet tani o bashkëluftëtarë të mi qëkurse unë shpëtova nga duart mizore e të ndyra të prijësit të turqve, Murat dhe gjeta shpëtim në mbretërinë e të parëve dhe të prindërve të mi. Që atëherë unë kam bërë  gjithmonë dhe kam mbajtur mbi shpatulla si për mbrojtjen e gjithë interesave  tona, si për nderin e Republikës së Krishterë, luftëra të paprera kundër gjindjes së pabesë dhe tërbimit otoman. Dhe të gjitha, me ndihmën e Zotit, na kanë shkuar mbarë, na kanë dalë me sukses e siç na e ka dashur zemra; dhe mua kapedanin dhe bashkëluftëtarin tuaj, s’më keni pritur ndonjëherë të mundur apo të dërrmuar në luftë të vërtetë, por gjithmonë, le të më lejohet edhe mua ta them, fitimtar mbi armikun.

Mua s’më kujtohet të jem goditur ndonjëherë  vetëm se në një rast me shigjetë në këmbë të djathtë nga njëfarë barbari, të cilin e bëra aty për aty copë  e fërtele para syve të të gjithë ushtrisë dhe ia flaka kokën e gjakosur ndër këmbët tuaja. Tjetër herë kurrë, sigurisht siç e dini këto gjymtyrë dhe ky trupi im i hedhur në gjithë ato luftëra dhe rreziqe, nuk e ndjeu shpatën armike apo dhembjenj e ndonjë plage. Por tani që e kam rrokullisur, siç ndodh zakonisht me jetën njerëzore, vitin gjashtëdhjetë e tre të.moshës sime dhe kam marrë tatëpjetën e pleqërisë tani o shokë, o bashkëluftëtarë të mi, shikoni, po mbaroj i mbërthyer nga sëmundja e rëndë që më ka rënë dhe i këputur krejt pa pikë fuqie natyrore në veten time.[8]

Unë po e ndjej tanimë o bashkëluftëtarë të mi po e ndjej them se sipas përcaktimit të providencës hyjnore, nga e cila me plot të drejtë ne e pohojmë se varet e drejtohet gjithçka, mua më duhet që pasi ta flak këtë barrë të përkohshme e të mortshme, të shkoj në vende të tjera  dhe t'i këmbej këtë jetë të shkurtër dhe vuajtet e saj me atë jetën e vërtetë.

c) Dhe ju betohem, ky mendim ose më mirë kjo domosdoshmëri, nuk më trondit mua në asnjë mënyrë. Unë nuk i shtrohem me pahir kësaj zgjedhe që na e vënë qysh kur lindim, fatijet.

Nuk duhet të na vijë keq aspak, nuk duhet të vajtojmë asnjë çikë sepse nuk pësojmë kundër ligjit përkundrazi në bazë të ligjit, ne kemi lindur që të vdesim të gjithë dhe kësaj domosdoshmërie s’ka kush i shpëton.

Më anë tjetër unë e di se, ç’ka është e domosdoshme për të gjithë s ’mund të jetë e vajtueshme për njeriun.

Më në fundy balta duhet ti kthehet baltës ne duhet t’i bindemi natyrës; ky shpirt i përjetshëm[9]

Në një vështrim psikologjik historia e bëmave të Skënderbeut është më tepër surprizuese, kur si  sot, para 550 vjetëve, ai me luftëtarët e breznisë së re të Arbërve dhe Epiriotëve të  Kont Urani,Vrana Kontit siç njihet ndryshe,    udhëhoqi e turpëroi  për here të dytë Mehmet Fatiun (të tëmerrshmin, siç e njeh vetëdija popullore arbërore)dhe e detyroi të largohej nga Arbëria, por duke  mbjellë një vale terrori të pashembullt, thonë se ushtria osmane sharroi 150000 burra, gra e fëmijë te vendi që quhet Kasharrë.

Janë dy ndjenja mbizotëruese  sot,  ajo e lumturisë së  Shqiptareve për heroin e tyre kombëtar Gjergj Kastrioti Skënderbeut,  dhe një  tjetër që kur s’rreshti duke  bulëzuar ajo e xhelozisë të pseudoakademikëve, sidomos ata të huaj, që kërkojnë ta denigrojnë dhe ta përbaltin Atë, një nga dhjetë ushtarakët më të mëdhenj të të gjithë kohëve që shkëlqeu si meteori i Paqes për të gjithë brezat e kohëve modern.

Ka dhe nga ato akademi të huaja që i kanë ofruar “pasaportën e tyre” Skënderbeut vetën se u mungon një i tillë në kombin e  tyre, por zot na ruajtë nga ndonjë prapshtan pseudoakademik vendas  .

Pas këtyre referencave të vjela në vreshtin hyjnor mbjellë enkas për përjetësinë e figurës dhe bëmave të Heroit tonë Kombëtar Gjergj Kastrioti -Skënderbeut prej Humanistit  të madh dhe bashkëkohësit, Marin Barleti, duam të ndalemi te një fakt që e hasëm  në faqen 484 të romanit   ”Skënderbeu’    të përkërthyer mjeshtërisht nga latinishtja nga profesor STEFAN I. PRIFTI ku thuhet se pas një vizite inspektuese për në Lisos ,Skënderbeun e zunë një pale ethe të rënda që e detyruan të zinte shtratin e vdekjes.

Natyrshëm lind pyetja nga se vdiq Skënderbeu?   A ka një konspiracion të pazbuluar deri me sot për këtë vdekje nga ethet?

Deri tani historiografia  nuk i është “përgjigjur” saktë kësaj pyetjeje. Vdekja e Heroit Kombëtar Gjergj Kastrioti  është trajtuar në mënyrë “tangentiale”, pa u specifikuar saktë dhe në mënyrë të hollësishme nga ekspertët mjeko-ligjorë. Pjesa  më e madhe e  të gjithë studiuesve që kanë shkruar, theksojnë se Skënderbeu vdiq nga ethet. Por cilat ethe i shkaktuan vdekjen Skënderbeut?

Imagjinoni Skënderbeun të shoqëruar nga garda e tij besnike ,i veshur me armoren ceremoniale ku shkëlqente mbi të  gjitha kjo Perkrenare , pas një udhëtimi mberesëlënës një një ditë vere për rreth 6 orë , sapo ka mbritur në Lisos  e  zënë një pale ethe të rënda , që sipas dijes popullore njihen si ethet e diellit të gushtit.

Lind   pyetja,  pse nuk e mbrojti nga këto rreze Përkrenarja e tij? Pse ndodhi gjëma e madhe në një ditë të bukur me diell gushti?  Mendojmë se pëgjigja e kësaj enigme do të na zbulonte misterin  dhe lidhjen që ka kjo vdekje edhe me vdekjen  te Aleksandrit  të Madh.

Shëbimet e fshehta të kohës  duhet të kishin rënë në gjurmët e një kurore të një tempulli në Qafiristanin e largët, ku pat ndodhur gjëma e Aleksandrit të Madh.Pa hyrë në diakroni po i  referohemi të dhënave  të një ngjarjeje mistike  qe i kishte ndodhur Aleksandrit të Madh diku në Indi kur ai kishte vizituar një tempull  Sanskrit,   në Qafiristan, fakt  që i bën përshtypje  më 1722 një fizikani  francez , studiues i energjisë së  kuanteve. Mbështetur në shënimet e udhëtarëve të huaj europianë, ndoshta misionarë, fizikani mori me qirra gurë Rubini të kuq,të cilët   i vizoi me pres diamanti dhe i  vendosi si në pozicionin e kurorës mistike, me shpresën që të kthente  tufën e rrezeve të diellit   në tufën e rrezeve te drejtuara, paralel. Mrekullia ndodhi jo se ai vizoi gurët e rubin por se ishte cilësia e Gurit të  Rubinit që e bënte këtë shndërim.Fizikani francez pati fatin të ishte zbuluesi i parë  i rrezeve  që sot  quhen  LAZER ALEKSANDËR .

Po t’i kthehemi misterit të vdekjes së Aleksandrit të Madh prej asaj kurore, që përdori si model për punën e tij kërkuese  fizikani francez,  edhe pse pastori sanskrit e pati  keshilluar Aleksandrin e Madh   që të mos ta përdorte atë kurorë  si përkrenore, Ai  jo vetëm që nuk ia pati  vënë  veshin këshillës së pastorit , por krenisht doli dhe i foli, për disa orë, polemit te tij besnik iliro-epiriot, me kurorën vrasëse mbi krye, një ditë të bukur gushti. Pas asaj dite ndodhi gjëma. Ethet u bënë zot të fatit dhe të jetës së Aleksandrit të Madh.

Mendojmë se edhe  për  ekspertin  neuro-fizio-psikiatër e shekullit të 21-të nuk do të kishte asnjë hezitim për të konstatur  nëse rrezet e qëndërzuar te talamusi i Aleksandrit të Madh shkatuan plagën nekrotike, të pashërueshme, dhe qenë pikërisht ato, që ia morën dhe jetën.

A mos ka një  përkim të rastësishëm midis vdekjes së dy gjeneraleve të mëdhenj, të cilët  sipas gojëdhanave i lidh vendi i lindjes dhe emri Aleksandër , njëri i  Madh dhe tjetri  i Ri?

Këtë enigmë mundet  ta zgjidhin   shkencëtarët   e fushave përkatëse,vetëm thjeshtë  duke ekspertimentuar si fizikani francezë mbi  sumbullat zbukuruese  që janë  të vendosura mbi rozetat  e Përkrenares së Skënderbeut , që profesor Kristo Frashëri thoshte  se ishin prej Rubini të kuq.

 

Fotoja nga Roland Tasho 10 qershor 2017 ora 22.5


[1] «Këngë popullore historike», Tiranë, 1956, f. 47, nr. 4/10.

[2] Për Zotin

[3] Filip Shiroka “Zani I zemrës”,Tiranë, 1958,f.64.

4.Barleti mund të thoshtekëtu:”edhe kundër  Venedikasve”të cilët I mundi në Luftën e Dejes ;por këtë ai ia pohon Skënderbeut më poshtë(III,207/76)

[5] “Këngë popullore  historike ”,vëll.I.Tiranë.1956,f.45-47

[6] Marin Barleti” Historia E Skënderbeut “f.484 ,INFBOTUESE ,Tirane 2005

[7] Po aty

[8] Marin Barleti” Historia E Skënderbeut “f.485 ,INFBOTUESE ,Tirane 2005

 

[9] Po aty.



(Vota: 2 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora