E premte, 19.04.2024, 06:29 PM (GMT+1)

Mendime

Ardian Ndreca: Rusia: prej te shkolla e Beslanit deri te sulmi kundër Gjeorgjisë

E merkure, 03.09.2008, 06:02 PM


Ardian Ndreca
Rusia: prej te shkolla e Beslanit deri te sulmi kundër Gjeorgjisë

Nga Ardian Ndreca
 
Ishte ora 9.30 e 1 shtatorit 2004, kur tek rruga e Kominternit, nji grup prej 32 islamikësh fondamentalista të armatosun deri në dhambë hyni në shkollën numër 1 tue marrë peng ma shumë se 900 vetë, shumica fëmijë. Qyteti ku zhvillohej ngjarja ishte Beslani, në Osetinë e Veriut, në Kaukaz.
Terroristat vranë menjiherë rreth 20 pengje, të gjithë burra që ndodheshin në palestrën e shkollës, e trupat e tyne u hodhën prej dritarjet jashtë.
Qeveria ruse u mundue fillimisht me e minimizue ngjarjen, tue ul shifrat e pengjeve e tue thanë se nuk donte me ndërhye me forcë por vetëm me traktativa. Mbas nji dite islamikët liruen 26 vetë, gra e fëmijë, ndërsa pjesa ma e madhe vuenin nga etja dhe nga mungesa e ushqimit.
Me datën 3 shtator terroristat lejojnë hymjen në shkollë të 4 mjekëve, sapo mjekët hyjnë mbrendë, ndihen 2 shpërthime, 2 mjekë vriten dhe nji pjesë e murit të palestrës ku strehoheshin fëmijët çahet tue lejue ikjen e nji pjese të pengjeve.
Forca speciale ruse, me urdhën të Putinit, sulmojnë me granata shkollën, tue vra shumicën e pengjeve që drejtoheshin me dalë jashtë.
Bilanci i ndërhymjes së forcave speciale ruse qe tepër i randë: 31 terrorista të vramë, nji i kapun gjallë. U vranë edhe 11 ushtarakë të forcave speciale, mes tyne edhe vetë komandanti i grupit Alpha, 30 të tjerë mbetën të plagosun.
Në shkollë kishin qenë të marrun peng 1127 vetë, dhe jo 300 siç pohonte fillimisht qeveria ruse apo 900 siç pohonte shtypi. Fillimisht viktimat e shkollës qenë 331 vetë, prej të cilëve 186 të mitun. Numri i të plagosunve ishte mjaft i madh, disa prej të cilëve vdiqën në muejt që pasuen.
Nji numër i madh fëmijësh pati nevojë jo vetëm për kurim mjeksor por edhe për rehabilitim dhe asistencë psikologjike.
Me nji fjalë ndërhymja e forca ruse kishte qenë vendimtare në vdekjen e nji numri tepër të madh pengjesh.
Duket se për presidentin Putin, kishte randësi jo jeta e qytetarëve rusë por thjesht mbyllja e nji kapitulli të pakandshëm që hidhte në faqet e para të gazetave të botës problemin çeçen.
Pak ditë mbas plojës terroristi çeçen Shamil Basajev pohoi se sulmi ishte vepër e njerzve të tij, ndërsa, simbas rusëve në organizimin e planit kishin marrë pjesë edhe 2 arabë e 2 dy ingushetë, të gjithë të vramë ma vonë prej forcave të Moskës.
Sigurisht që me terrorizmin islamik nuk mund të ketë asnji lloj dialogu, por jeta e qytetarë rusë ka nji vlerë të atillë që s’mund të nëpërkambet e të trajtohet si të ishte asgja. Kjo ishte nji prej akuzave kryesore që shtypi indipendent rus dhe ai i huej i bani presidentit Putin.
Katër vjet mbas asaj ploje ushtria ruse gjen pretekst për me mbrojtë jetën e qytetarëve të saj dhe pushton Osetinë e Jugut dhe pjesë të Gjeorgjisë.
Po ai president rus, sot në karrigen e kryeministrit, ideon ketë sulm ndaj nji vendi sovran i shtymë prej dëshirës së fortë me mbrojtë bashkatdhetarët e vet!
Ai që shkaktoi 331 viktima ruse në pak orë në Beslan, si pasojë e nji sulmi diletant të nisun prej urdhnave të tija të preme, sot preokupohet për rusët e nëpërkambun të Osetisë së Jugut.
Kush do ta dëshironte nji mbrojtës të tillë, që shkakton viktima të panumërta ndër miq e ndër anmiq!
* * *
Ndërkaq Bashkimi Europian i mbedhun urgjentisht para dy ditësh në Bruksel këshillon me forcë Moskën për nji ndryshim në politikën e saj në Kaukaz, pse prej saj mvaret e ardhmja e raporteve të ndërsjellta.
BE-ja kërkon tërheqjen e trupave ruse në pozicionet e para-konfliktit të gushtit, por në anën tjetër ka frikë se mos nji seri sanksionesh ekonomike ndaj Rusisë, do ta çonte Moskën në mbylljen e rubinetave të gazit e të naftës me të cilën ajo furnizon Europën.
Në anën tjetër BE-ja nën trysninë e Britanisë dhe Francës dënon njohjen e pamvarsisë së Osetisë së Jugut dhe të Abkazisë prej parlamentit rus.
Pak para mbledhjes ministri i jashtëm Lavrov deklaronte se ndërhymja ruse në Kaukaz përcaktoi nji standard të ri të masave që do të marrin tash e mbrapa Moska për me mbrojt interesat e veta kudo.
Me çka shihet Rusia nuk pranon idenë që naftësjellësi gjigand i mbiquejtun Nabuko do të transportojë karburantin azerbajxhanas nepërmjet Gjeorgjisë në Turqi, tue anashkalue Rusinë.
Britania dhe Franca janë të vendosuna mos me i lëshue ma shumë se kaq pe Rusisë, Gjermania për shkak të kontratave që ka me Gazpromin ka frikë me u shty ma andej, ndërsa Italia që mvaret prej gazit rus, flet me zanin e Berluskonit (i cili i drejtohet shtypit tue thanë «miku im Putin») – me retorikën e atij që s’ka asnji peshë reale në arenën ndërkombtare.
BE-ja nuk vendosi kështu asnji veto ndaj Rusisë, asnji sanksion (siç pritej), ndonji “lehje” jashtë korit nuk e damton Moskën, por substancialisht Europa me ketë mbledhje doli e lame: dënoi me fjalë Rusinë që vijon me pushtue nji shtet sovran dhe shprehu përkrahje ndaj Gjeorgjisë.
Me nji fjalë, edhe kësaj here gjithçka mvaret prej SHBA-së, prandaj le të presim me durim zgjedhjen e presidentit të ri e mandej Gjeorgjia do të ketë shpresë për ndonji gja pozitive, pse stani i Europës edhe kësaj here doli se na ishte i përbamë me lepuj racet.
E kur thonë mandej se komisionet e BE-së merren me gjana qesharake siç asht caktimi i standardeve të kastravecave!
Edhe Shqipnija duhet të ndërmarrin nji reformë në prodhimin e kastravecave në qoftë se don me hy në BE. Katundarët duhet ta kenë të qartë se nuk mund të eksportojnë kastraveca që kanë nji shtrembnim apo kurbaturë ma të madhe se 10 mm për çdo 10 cm gjatësi. Kështu shkruente dje, pa tallje, «Frankfurter Allgemeine Zeitung», tue tregue nji prej rezultateve konkrete të nji prej komisioneve të panumërta të BE-së.
Ndërsa Europa vendosë për punë kastravecash, Rusia ka marrë në dorë gjysmën e Kaukazit, ec e thuej se s’asht nana mandej!



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:

Video

Qazim Menxhiqi: Niset trimi për kurbet


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora