E premte, 29.03.2024, 01:41 AM (GMT)

Mendime

Ndue Dedaj: Famullia e Gomsiqes, selia e 'Kanunit'

E hene, 14.08.2017, 07:19 PM


FAMULLIA E GOMSIQES, SELIA E “KANUNIT” TË GJEÇOVIT

NGA NDUE DEDAJ

Gjeçovi ishte modeli i dijetarit shqiptar që rroi e veproi në provincë. Nëse shumë nga dijetarët e kohës merreshin me punë shkencore në Shkodër e Tiranë, pranë arkivave, bibliotekave dhe bërthamave shkencore, At Shtjefni e ndërtoi aty ku shkoi qendrën e tij kërkimore - shkencore, duke filluar nga skedat, gjetjet arkeologjike, eksponatet etnografike etj., ku ishin dhe librat në shqip e gjuhë të huaj. Famullia mes malesh ishte dhe objekt kulti i formimit shpirtëror të banorëve, edhe vatër e dijes shkencore.

Në të vërtetë asgjë e re nuk kishte ndodhur, po të kemi parasysh historinë e murgjëve në botën Perëndimore, të cilët luteshin, studionin dhe punonin tokën. Por lajmi është se kjo nuk bëhet në abacitë e manastiret e Francës, Anglisë, Spanjës, Italisë, Austrisë, Polonisë, Portugalisë etj., me traditë në këtë lëmë, por në Shqipërinë e varfër të Veriut, ku doket, këngët, përrallat e sendet e vjetra të visarit kulturor kombëtar po bjerreshin dita - ditës e po të mos mblidheshin e dokumentoheshin me hyrjen e shekullit XX, brezat që do të vinin nuk do t’i kishin më ato. Në kontekstin shqiptar, famullia si metaforë kulturologjike është shumë më tepër se gjurmimi dhe arkivimi i së vjetrës. Autori shqiptar, shkrimtari, ka dalë nga një kishë, nga famullia e përndritur e Buzukut. E para qe Fjala… e Mesharit, “tue klenë ma e para vepër’ e fort e fështirë për të vepruom mbë gluhët tanë.”

Që nga ajo ditë kur ky libër parak doli për së pari në vitrinë, autori shqiptar ka nënshkruar sipas stilit të patjetërsueshëm: “U Don Gjoni, biri i Bdek Buzukut…” A mund të kuptohen pa famullinë shkrimtarët e tjerë të vjetër: Pjetër Bogdani, Pjetër Budi, Frang Bardhi, Gjon Nikollë Kazazi, Pali i Hasit? Apo ipeshkvi i Arbënisë Mark Skura, i Durrësit Rafaele D’Ambrozio, prelati i Pavarësisë Dom Nikollë Kaçorri etj? Nga një famulli malesh matjane kemi dhe dokumentin e parë të shqipes, “Formulën e Pagëzimit” të Pal Engjëllit. Ka një vazhdë shkrimore që nga lashtësia. Shën Hieronimi (340-420), autori romak me origjinë ilire është dhe prijëtari i kësaj race të ndritur diturakësh. Janë këta punëtorë të urtë të letrave që i konfiguruan si qendra studimore famullitë nëpër malshejte, kryekrejet Kuvendet Benediktine, ku punonin tokat e vreshtat, shkruanin, transkriptonin e arkivonin. Ndërkohë që rapsodët popullorë nxitonin të shqiptonin epet, këngët e kreshnikëve, të motmotit, të historisë, këngët e lindjes dhe të vdekjes, të cilat do t’i regjistronin në letër famullitarët kulturologë Bernardin Palaj, Donat Kurti, Aleksandër Sirdani etj. Famullia (mungada, abacia, ipeshkvnia) nuk do të rreshtte së krijuari dhe nënshkruari shqip thelbet e identitetit shqiptar.

*

Gjeçovi e ridimensionoi kuptimin e famullisë si qendër kërkimi e studimi. Ai kishte shkopin prej druri bushi si dëshmitar të adresave nga i shkeli këmba, nga Malësia e Madhe në Labëri, Mirditë, Pejë, Gjakovë, Elbasan, Berat etj., i cili niste me fjalët e skalitura “Rrnoftë Shqypnia”. Rreth 30 vite më atë shkop në dorë si një “plak” i dijes, arkeologu dhe etnologu i parë shqiptar. Shkopi emblematik i Gjeçovit, të cilit poeti Xhevahir Spahiu i ka kushtuar një poezi, ruhet në muzeun e Shkodrës, duke qenë udhërrëfyesi i çuditshëm i shtegtimeve të dijetarit heroik.

Harta misionare e Gjeçovit dhe e veprës së tij të jetës, “Kanuni i Lekë Dukagjinit”, rrok mbarë trojet dukagjinase e më gjerë trevat shqiptare: Kryezi, Janjevë, Troshan, Lezhë, Shkodër, Bogë, Pejë, Gomsiqe, Orosh, Kashnjet, Rubik, Laç (Sebaste), Vlorë, Zllakuqan, Zym etj. Në të gjitha këto, në rend të parë është famullia e Gomsiqes në Mirditë, urëlidhëse me Shkodrën, Pukën e Dukagjinin. Është Faik Konica, aristokrati i metropolit shqiptar-amerikan, që e skicon më pak radhë famullinë e Gjeçovit, i mahnitur prej asaj, si studio kërkimore dhe muze i eksponateve arkeologjike, etnografike etj., duke e quajtur Gjeçovin “një nga njerëzit më të lartë të Shqipërisë”, që asokohe “merrej me institutet e vjetra të Shqipërisë, nga të cilat një që arrin deri në ditët t’ona është Kanuni i Lekë Dukagjinit. Askush nuk mund t’i afrohej At Gjeçovit në diturin e këtij Kanuni… Në kat të sipërm të famullisë, përmi një tryezë të madhe, ishin shtruar një tok vjetërirash greko-romane, të zbuluara e të mbledhura një nga një, me një fatbardhësi të rrallë dhe me një shie të mbaruar, nga dora e vetë At Gjeçovit”.

Kjo ishte famullia shqiptare e gjysmës së parë të shekullit XX jo vetëm në Gomsiqe, por kudo. Shoqëria “Bashkimi” e Shkodrës e udhëhequr nga Abati Prend Doçi ishte një akademi kërkimore me filialet gjithkund nëpër famullitë e veta. Pas elitës kishtare të mesjetës, u përvijua një vazhdë e re prelatësh të penës e dijes në kohën e Rilindjes, si At Leonardo De Martino në Troshan, Dom Mikel Tarabolluzi në Stubëll të Epërme të Karadakut, Pjetër Zarishi në Orosh, Dom Ndoc Nikaj në Shkrel, Dom Ndre Mjeda në Kukël, At Gjon Karma në Pukë, Imzot Luigj Bumçi në Kallmet, At Bernardin Palaj në Dukagjin, Dom Nikollë Kimza në Kalivare, Dom Dodë Koleci në Ndërfanë, At Pal Dodaj në Rubik, At Pashk Bardhi në Vig, Dom Prend Suli në Kashnjet, Dom Nikollë Gazulli në Shkrel, Dom Nikollë Mazreku në Kryezi, Dom Zef Oroshi në Ungrej etj., famullitë e të cilëve ishin dhe çerdhe krijuese e studimore. Misioni kombëtar i famullisë shtrihet deri në Vlorë ku Dom Mark Vasa stilizonte flamurin kombëtar që do të ngrihej në qytetin historik më 1912. Fishta dhe Gjeçovi ishin dy nga majat e elitës françeskane që krijuan kulmet e korpusit kulturologjik, me “Kanunin e Lekës” dhe “Lahutën e Malcis”, duke mundësuar: i pari kalimin nga rapsodi anonim te autori i mirëfilltë letrar, që nuk shkëputet mënjëherë nga filli i traditës krijuese dhe i dyti - duke marrë mbi vete “autorësinë” e Kanunit, që deri atëherë e kishte populli. Prandaj janë dhe dy fretërit më të popullarizuar në gjysmën e parë të shekullit XX, me njohje dhe jashtë vendit.

Gjeçovi i bëri kullat e maleve pjesë të studios së vet. Dy nga bardët e shquar nga të cilët mblodhi lëndë të shumtë e të vyer kanunore ishin: Çup Kolë Skana i Oroshit dhe Palucë Prengë Gjoni i Kashnjetit, ashtu si dhe ndonjë kapidan nga Gjomarkajt. Këta bashkë me Ndue Prengë Nikollë Lleshin e Simonit, Pleqtë e Fanit e të tjerë ishin pleqnarë kanuni dhe Plak Kanuni ishte titull fisnikërie, i ndryshëm nga titujt e parisë së krahinës, flamurit apo fshatit, që ishin të trashëguar. Titullin plak kanuni e fitoje falë aftësive individuale në zgjidhjen e konflikteve dhe nuk e trashëgoje. Plaku i Kanunit ishte mishërimi i drejtësisë në sytë e publikut. Pleqtë kanunarë të dëgjuar merreshin dhe në krahinat fqinje për të pleqëruar. Askush më mirë se Gjeçovi nuk e ka njohur këtë racë siperane, prej së cilës ai “voli” Kanunin ditë pas dite e javë pas jave. Famullia e tij e Gomsiqes, ku qëndroi mbi dhjetë vite, dalëngadalë vjen e merr atributet e një instituti kulturologjik. Kishte ardhur një kohë kur famullitarët e maleve ishin njëherësh bashkëpunëtorë të organeve të shtypit kulturor - fetar, si Hylli i Dritës, LEKA, Kumbonma e së Dielles etj.

*

Në këtë kundrojë, shqiptari i sotëm një ndalesë duhet ta bëjë me doemos në Kuvendin e Arbnit (1703) në Mërçi (Lezhë), pasi ai tempull bekoi një kuvend historik shqiptar të përmasave kombëtare, për të ngritur aty një obelisk. Ashtu siç do t’i duhej ta zbulonte Prend Doçin, në të dy “abacitë” e tij, atë të Oroshit dhe shoqërinë “Bashkimi” (Shkodër), që i dha këtij kombi alfabetin e vet me shkronja latine, me të cilin shkruajnë dhe nënshkruajnë sot e gjithë ditën shqiptarët kudo janë. Ravës për tek autori shqiptar kemi për ta takuar patjetër Dom Ndoc Nikajn (në Dajç të Bregut të Bunës etj.), duke u marrë me Historinë e Shqipërisë (të parën histori të saj), Shkodrën e Rrethueme, Bukurushën (të parat romane shqipe), apo gjuhëtarin e përvutë me emrin pak të dëgjuar, Dom Dodë Koleci, që i ngulur në famullinë e Ndërfanës (Mirditë) hartoi Fjaluer i Ri i Shqipes (1908). Famullia kulturologjike ishte dhe në“Andrrën e jetës” të Ndre Mjedës, lirikat e qytetit të vet të Vinçens Prenushit, melodramat e Ndre Zadejës, muzikimet e At Martin Gjokës e Dom Mikel Koliqit, i pari kardinal shqiptar. Në një nga famullitë më të vjetra shqiptare, atë të Shën Demetrit të Kalivares (1154) të Dheut të Spaçit historiani Dom Nikollë Kimza shkroi artikuj të vlefshëm sidomos për historinë e Mirditës, por dhe të Tiranës, apo në famullitë e shumta ku shërbeu Dom Prend Suli mblidhte “kokrrat e vjetra mirditore”, folklor dhe doke të trevës, si dhe plot famullitarë të tjerë shkrimtarë, gjuhëtarë, etnologë, piktorë, muzeologë, arkeologë etj.

Një meritim të madh kulturor kanë famullitarët e vonë, dijetarë të shquar, Dom Simon Filipaj në rrethinat e Ulqinit, përkthyesi i Biblës në shqip dhe At Vinçens Malaj që u shkri si qiriri në bibliotekën e tij albanologjike në famullinë e Tuzit për të na sjellë përmes dëshmive arkivore të Vatikanit Kuvendin e Arbnit. Në një famulli të shuar mund të jetë dhe “monumenti më i rëndësishëm i Shqipërisë Veriore”, na thotë gjeografi i njohur Armao, për manastirin Benediktin të Shirqit në bregun e Bunës Shkodër, i ndërtuar nga ilirët në shekullin VI. Në famulli arbnore Shkodre, Mirdite, Stublle, Dhërmiu, Kurbini, Vele, Pllane, Blinishti, Oroshi, Gjakove, Prizreni, Shkupi, Zllakuqani kemi shkollat e para shqipe; misonarët shëtitës të pajtimit të gjaqeve Jungu e Passi në gjysmën e dytë të shekullit XIX, albanologët e shquar Zef Valentini, Fulvio Cordignano etj., parlamentarët e parë At Gjergj Fishta, At Ambroz Marlaskaj, Dom Ndre Mjeda etj.

Na duhet ta pohojmë e dëshmojmë me studime e publikime rolin kulturor të famullisë shqiptare veçanërisht në kapërcyell të shekullit XX e gjysmën e parë të tij pa u tutur se po shkasim në ndonjëfarë “religjionizmi” kulturor, ngaqë vijmë nga një botë ideologjike e paqëruar nga ateizmi komunist, nga një laicitet me deformime dhe shkojmë drejt një bote “vigjilente” ndaj qasjes dhe spektrit të besimeve etj.

Në stilin e meshtarëve të vjetër, veçanërisht françeskanëve, janë marrë një jetë me letërsi, gjurmime, shkrime e përkthime edhe intelektualë të tjerë larg metropolit, si Lasgush Poradeci në Pogradec, Jakov Xoxa në Apolloni, Ndoc Gjetja në Lezhë, Dom Frano Illiaj në Kurbin, Dom Simon Filipaj në Shëngjergj & Kllezë të Ulqinit, Dilaver Kurti në Mat, Fatos Mero Rrapaj në Myzeqe, Xhemal Meçi në Pukë, Shtjefën Ivezaj në Tuz, Prend Buzhala në Klinë, Gjon Gjergji në Krushë të Vogël, Agim Faja në Shijak, Gjergj Vlashi në Durrës etj.

Së fundi, në Gomsiqe, fshat mirditor i skajit perëndimor, do të ishte me vend të kishte një muze të Kanunit, ku të përjetësohej vepra e pashoqe kërkimore-shkencore e At Gjeçovit. Mjafton të shohim se si e ka ngjallë në Kukël të Zadrimës tempullin e Ndre Mjedës famullitari dhe historiani bashkëkohës Dom Nikë Ukgjini. Madje është bërë vonë për një muze të Gjeçovit në Gomsiqe, për më tepër në kohën e turizmit kulturor.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora