Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Kaltrina Hoti: Konaku i atdheut

| E marte, 08.08.2017, 08:13 PM |


KONAKU I AT’DHEUT

-Mirëmëngjesi Bashkimi Kombëtar (8)-

- Njeriun e bënë të përmendur vepra, Organizatën veprimet në kohë të caktuar, por veprimtaria e përhershme e rrit, e nderon dhe e fut në arkivin kombëtar...  E pra, si duhet të duket një organizatë atdhetare?! Ajo organizatë a i ka dyert e hapura për të hyrë brenda dhe dritaret e çela për të marr frymë-

Nga Kaltrina Hoti, NY

Njeriu është qenie me vetëdije. Çdo qenie ka një qëllim që i lëvizë si ëndërr nëpër shpirt dhe mundohet me të gjithë forcën për ta realizua. E ushqen çdo ditë me punë dhe mësime të ndryshme, qoftë nga përvoja e vete apo nga dështimet e të tjerëve. Nganjëherë nga dështimet e veta dhe përvoja e të tjerëve, por me këmbëngulje se ai qëllim e udhëheq në jetë.

Çdo atdhetar sado i zgjuar, i përkushtuar apo i kalitur që të jetë pa rreth ku të veproj mbetet një zë i vetëm pa jehonë. Andaj ai është në kërkim të një Organizate e cila ka po të njëjtat bindje atdhetare, po të njëjtin qëllim. Por si duhet të duket një Organizatë Atdhetare?!

Të gjithë e dimë se guri më shumë peshon në vend të vetë. Kjo thënie është përsëritur në mënyra të ndryshme, por është edhe thënia tjetër shumë domethënëse dhe që mban në vete një simbolikë tejet të çmuar për historinë tonë kombëtare. Nuk do e citoj se kush e ka thënë pasi që e dinë të gjithë; “Mbahu nënë mos ki frikë, se ke djemtë në Amerikë”!

Por vetvetiu bije pyetja këto djem e vajza që kanë Atdheun në zemër e dashurinë për atdhe në shpirt ku duhet të marrin frymë, kush i ushqen, ku duhet të marrin këshilla e detyra?! Patjetër që atyre iu duhet një mësues i mirë ku është shtruar “Tryeza e Kuvendit”. Kjo tryezë duhet të udhëhiqet nga dashuria për Atdhe, nga fuqia e fjalës. Po a kemi në një Organizatë të tillë me program e platformë, që do i mbledh atdhetarët e vërtetë, që çdo ditë të japin kontributin e tyre?! Unë vetëm e bëra pyetjen se çështjet duhet të marrin një drejtim të duhur dhe jo të iu lihen stuhive të momentit. Sot nëpër botë kahdo që jemi të shpërndarë kemi shumë Organizata që veten e kanë shpallë si konak i At’dheut. Por çfarë kanë shtruar në sofrën e tyre që të joshin atdhetarët? Disave u është tharë aq shumë buka sa të mbetet në fyt! Dhe nëse janë atdhetare përse i kemi aq shumë, për bindjen, udhën apo e bëmë Shqipërinë... Njeriu i ditur e din udhën që shpije ka qëllimi ynë i përbashkët, udha është synimi ynë, e i dituri këtë e di, sepse ai di të lexoj programe e platforma, madje ai sheh edhe me sy të mbyllur. Duket se nëpër këto Organizata ka një egoizëm të theksuar, dhe nuk bëjnë dallim shumë nga njëra tjetra andaj dhe nuk ka vepra që do t’i nderonin në një periudhë të kohës. Unë mendoj se një Organizatë atdhetare duhej që të ketë një program atdhetar me një synim të caktuar atë të bashkimit tonë shpirtëror dhe fizikë dhe për të arrit deri te kjo platforma duhet të jetë shumë e pasur që të afron  familjen, rininë, studentët, intelektualët, artistët, shkrimtarët... thjeshtë, ajo me programin e saj t’iu bëjë ftesë të gjitha kategorive intelektuale e njerëzore, se punë ka për çdo njërin. Atdheu ka nevojë për çdo njërin që i rreh zemra për te, atdheu është një Kështjellë e madhe që do mbrojtjen e çdo njërit. Organizata atdhetare duhet të ketë një zë, korin dhe muzikën. Të gjitha këto bëhen nëse ajo Organizatë i ka dyert e hapura për të hyrë brenda dhe dritaret e çela për të marr frymë.

Cila Organizatë atdhetare sot ka tryezën ku ka shtruar gjuhën, kulturën, traditën, historinë, artin, autoktoninë... cila është ajo ku në muret e sajë ka Shqipërinë tonë që nuk kufizohet me shqiptarë?! Të bësh luftë sot për karrige kur nuk ke fron është një histori pa histori, është emër që nuk do shënohet askund. Njeriun e bënë të përmendur vepra, Organizatën veprimet në kohë të caktuar, por veprimtaria e përhershme e rrit, e nderon dhe e fut në arkivin kombëtar. Nuk mund të themi se nuk kemi atdhetarë, as edhe Organizata atdhetare por krijohet përshtypja se ne sikur i kemi punët aq mirë sa nuk duhet të veprojmë dhe e kemi vënë në gjumë elementin atdhetar duke mos i hap udhë, duke mos e frymëzuar të riun, studentin... të gjitha këto Organizata a thua nuk kanë ndonjë pikë të përbashkët që të bëjnë një punë të përbashkët, apo dirigjohen gabim.

Nëse e themi sërish:  “Mbahu nënë mos ki frikë, se ke djemtë në Amerikë” me çka në luftën e fundit e dëshmoj edhe Batalioni “Atlantiku”, përse të mos e kemi një Qendër Kulturore ku çdo njëri do gjejë veten, do shpreh talentin e vetë, do dëshmojë Shqipërinë e vete që ka në zemër dhe do mundet të thotë:

-Mirëmëngjesi Bashkimi Kombëtar!

 

-Eksluzivisht per ZemraShqiptare, nga NY, USA, Gusht 2017-