E merkure, 24.04.2024, 09:06 AM (GMT+1)

Shtesë » Lajme

Historia e vrasjes së Leon Trotskij

E marte, 02.09.2008, 09:29 PM


Në vëllimin e kujtimeve të shkruar nga vëllai i Ramon Mercader, njeriut që në vitin 1940 vrau në Meksikë rivalin e Stalinit, edhe një sfond i veçantë familjeje

Ishte një qysqi, instrument i varfër dhe kryesisht fshatar, arma që në gushtin e vitit 1940 u lëshua mbi kafkën e Lev Trotskij duke e vrarë. Kështu, me një goditje të dhunshme të dhënë nga prapa, teksa po lexonte në skrivani bocën e një artikulli shumë të keq lidhur me fatet e trockizmit në botë, vdiq ish-presidenti i Sovjetëve të Petrogradit i tetorit të vitit 1917, ish-komisari i Popullit për Punët e Jashtme i tiranisë së sapolindur sovjetike, themeluesi i Ushtrisë së Kuqe dhe fitimtari i luftës civile kundër të "bardhëve", teoricieni i hegjemonisë së klasës punëtore ndaj fshatarësisë dhe propaganduesi i "revolucionit permanent", por edhe njeriu më i urryer nga Stalini dhe nga i gjithë komunizmi botëror.

Historia e fundit të tij në Meksikë, por sidomos historia e njeriut që e vrau, është përmbledhur në një vëllim interesant të titulluar "Vëllai im vrasës i Trotskij", i kqyrur në mënyrë të shkëlqyer nga një njohës ekspert i sistemit të pushtetit sovjetik që është Fernando Mezzetti dhe i shkruar, siç e thotë kopertina, nga vëllai i atij Ramon Mercader, që u shua mbi tridhjetë vjet më parë pa lënë as edhe një lajm të vetëm mbi motivet e atentatit dhe mbi mbështetjet e siguruara nga shërbimet sekrete sovjetike, duke shkuar kështu në një dorëzim të përjetshëm të heshtjes që vetëm nëpërmjet këtij kujtimi familjar prishet. "Vëllai im nuk ishte një vrasës vullgar, por një njeri që besonte në kauzën e komunizmit dhe në atë moment komunistët e të gjithë botës e konsideronin Trockij si një rrezik për të gjithë lëvizjen komuniste dhe për Bashkimin Sovjetik". Përpara se të rindërtohet epilogu tragjik i themeluesit kryesor të shtetit të sovjetëve, duhet zbritur në tensionin ideologjik të viteve '30të dhe në kontekstin në të cilat u maturua ndodhia, duke u zhytur në skenarin e krizës së madhe të gjysmës së dytë të atij dhjetëvjeçari dhe që Spanja, me luftën civile të saj, pati një vatër dhe një shtytës të revolucionarizimit, efektet e të cilit do të manifestoheshin përtej oqeanit, në vilën vetmitare të Trotskij në portat e Qytetit të Meksikos, por le të ecim me rregull.

Në vitin 1927, pasi është mundur nga Stalini në luftën për pushtetin dhe pasimin e Leninit, Trotskij përjashtohet nga partia dhe depërtohet në Kazakistan me të shoqen. Në fillim të vitit 1929 i vendoset detyrimi i braktisjes së vendit, por asnjë qeveri nuk është e gatshme që t'i ofrojë strehim: emri i tij sjell ndër mend subversione të rrezikshme, prania e tij mund të ngjallë instinkte të reja revolucionare në një Evropë në kërkim të stabilitetit dhe mbi të cilën grumbullohen retë e krizës ekonomike të gjeneruar nga rënia e Wall Street. Është një njeri i vetmuar, i ndjekur dy herë: i përzënë nga vendi i tij dhe i urryer nga komunistët e të gjithë botës si një tradhtar i rrezikshëm i Bashkimit Sovjetik dhe kreu suprem i saj, i paraqitur si një spiun në shërbim të kapitalistëve, Trotskij akoma ia kanë frikën në vendet perëndimore prej revolucionarizmit asnjëherë të shuar të tij. Fakti që tani ndodhet në përplasje me Stalinin nuk deponon në favor të tij: mund të bëhet fjalë për një vënie në skenë që të fitojë mikpritjen tjetërkund dhe të ndërtojë një celulë bolshevike jashtë vendit. I vetmi vend i gatshëm që t'i japë azil është Turqia, e cila i vë në dispozicion një banesë në Ishullin Prinkipo në Bosfor. Këtu shkruan "Historinë e revolucionit rus", autobiografinë e tij dhe artikuj të shumtë polemizues kundër tiranisë staliniste (por kurrë kundër sistemit sovjetik, që i kësaj tiranie nuk ishte pasoja, por shkaku kryesor). Në vitin 1935 siguron një leje të përkohshme azili në Francë, por komunistët dhe e djathta do të donin ta shikonin të vdekur. Personazhi është jokomod dhe askush nuk do ta marrë në dorëzim duke i armiqësuar me Bashkimin Sovjetik: në fakt, lufta kundër trockizmit nga kufijtë sovjetikë është shtrirë në kuadrot drejtuese të partive simotra, sidomos asaj gjermane dhe polake. Akuza për deviacionizëm trockist është akuza më e hidhur për një komunist dhe mbi bazën e kësaj akuze shpërthejnë proceset farsë kundër niveleve më të larta drejtuese të partisë. Kështu, Trotskij transferohet për disa muaj në Norvegji, pikërisht kur në Moskë fillojnë proceset e mëdha kundër gardës së vjetër. Nga vendi skandinav merr akuzat e drejtuara atij dhe bashkëpunëtorëve të tij (të paktët e mbetur, pasi shumë prej tyre kanë vdekur në rrethana misterioze, ashtu si pjesa më e madhe e familjarëve të tij të mbetur në atdhe).

Qeveria norvegjeze është në dilemë, u frikësohet zemërimeve sovjetike. Arrin kështu si një ajër i freskët lajmi se presidenti meksikan Lazaro Cardenas është i gatshëm t'i ofrojë strehim personazhit të pakëndshëm. I hipur fshehurazi në bordin e një naftëmbajtëseje sëbashku me të shoqen, Trotskij zbarkon në Meksikë në janar të vitit 1937, i pritur në mënyrë të hareshme nga autoritetet vendore. Është në këtë klimë fanatizmi ideologjik, mërie të dhunshme kundrejt çdo devijimi nga vija staliniane, gjuetie shtrigash dhe ekzekutimesh masive të realizuara nga shërbimet sekrete sovjetike që futet historia e vrasësit të ardhur nga Spanja.

I lindur në Barcelonë më 7 shkurt të vitit 1913, Ramon Mercader ishte diplomuar në shkollën e hotelerisë dhe përpara luftës civile kishte gjetur punë në hotelin Ritz të qytetit. Rridhte nga një familje e kamur. I ati, Pablo Mercader, ishte një industrialist i pasur dhe i fuqishëm me formim katolik që posedonte stabilimente të ndryshëm tekstilesh të përhapur në të gjithë Spanjën. Por, nuk qe ai që e mbikëqyri edukimin politik të të birit. Në fakt, është e ëma figura qendrore e kësaj familjeje të çuditshme, që nga faqet e librit shfaqet si fryt i helmuar i një sezoni të barsur me urrejtje të pamëshirshme politike. E ëma, Caridad del

Rio, ishte në fakt e edukuar në shkollat më të mira katolike të vendit, ishte një kalorëse e shkëlqyer dhe argëtohej me shoqërinë e mirë të Barcelonës. Por, ai i saji ishte një qëndrim fasadë, një mbulesë prapa së cilës fshihej një heroinomane e parakohshme që frekuentonte qarqet anarkiste të Barcelonës dhe ndihmonte shokët e saj të ideve për të centruar atentate në kompaninë e të shoqit. Harmonia familjare në shtëpinë Mercader nuk ishte ndër më të mirat, por pavarësisht kësaj, përveç Ramon, Cardidad lindi edhe katër fëmijë të tjerë. Në vitin 1925 familja Mercader u shpërbë dhe e ëma u arratis në Francë me fëmijët. Dy prej tyre u rikthyen me të atin pas pak vjetësh, kurse dy më të mëdhenjtë, Ramon e Jorge, qëndruan me të ëmën dhe u kthyen në Barcelonë në fillimin e viteve Tridhjetë. Me shpërthimin e luftës civile, e shpërthyer nga kryengritja e Franco në Afrikën Veriore, familja Mercader, megjithëse e shpërbërë, është e gjitha në Barcelonë. Ramon tashmë jeton në simbiozë me të ëmën. Është drejtues i rinisë komuniste vendore dhe me shpërthimin e luftimeve e braktis vendin e punës në Hotel Ritz për t'u rreshtuar midis radhëve të ushtrisë republikane. Caridad emërohet shefe e grupimit të grave antifashiste dhe fillon një aktivitet intensiv politik, ushtarak dhe organizativ në favor të republikës. Shkruan i biri Luis: "E di me siguri se kur u fillua të qëllohej nëpër rrugë, ajo po merrte pjesë në sulmin kundër Capitanià General. Më tregoi pastaj se kishin arritur të shtinin në dorë një top, të cilin milicët nuk dinin ta përdornin. Më së fundi, falë një fshatari që kish bërë shërbimin ushtarak si artiljer, arritën që ta manovronin. Filluan të qëllonin kundër Capitanià, e cila në fund u dorëzua. Komandanti i saj u mor si i burgosur dhe në makinën me të cilën po çohej në vendin e arrestimit në një kështjellë jashtë qytetit, midis të tjerëve ishte dhe nëna ime. Më pas ajo shkoi të luftojë në frontin e Aragonës. Atje mbeti e plagosur pas një bombardimi artilierie".

Në vjeshtën e vitit 1936 Caridad kaloi disa kohë në Meksikë për të mbledhur para dhe armë në favor të republikës. Kurse Ramon merr pjesë në vijën e parë në beteja dhe fiton gradën e oficerit. Pablo, një vëlla tjetër, vdiq në luftime në afërsi të Albacetes. Paralelisht, e ëma dhe i biri hyjnë në kontakt më shërbimet sekrete sovjetike, NKVD-në, e cila në Spanjë kishte njerëz të shumtë të dërguar si këshilltarë ushtarakë dhe si "normalizues" politikë. Në fund të pranverës të vitit 1937 agjentët e NKVD-së do të bëhen përgjegjës të gjuetisë ndaj anarkistëve dhe i vrasjes së "deviacionistëve" armiqësore ndaj kontrollit të Kominternit, lidhur me kryerjen e luftës kundër Frankos dhe nazifashistëve. Në mënyrë të veçantë, Caridad hyn në kontakt të ngushtë me Leonid Eytington, numrin dy të shërbimeve sovjetike në Spanjë. Me të mbetet në kontakt të ngushtë edhe pas mbarimit të luftës civile, kur me djemtë dhe falë mbështetjes themelore të Moskës, arrin të arratiset në Paris dhe të gjejë shtëpi. Por, pjesa më konsistente e drejtuesve komunistë spanjollë arratiset në Rusi, ku do të vihet nën proces nga ana e Kominternit dhe pjesërisht, "spastrohet". Ndërkohë, rrethi përreth Trockij shtrëngohet gjithmonë e më shumë. Humbja në Spanjë ka ekzaltuar akoma më shumë paranojën staliniane: përgjegjësia e dështimit është e trockistëve, pretendon që është nga e majta, por jo nën urdhrat e Kominternit dhe në mars të vitit 1939 vjen urdhri definitiv nga Kremlini. Kështu e përshkruan takimin Fernando Mezzetti në parathënien e vëllimit: "Një ditë marsi të vitit 1939 në Moskë, Pavel Sudoplatov, në atë kohë drejtues i lartë i Departamentit të Jashtëm të NKVD-së, pasi i ka shpëtuar një vale spastrimesh, është thirrur sëbashku me Beria, kreun e ri të vetë NKVD-së, nga Stalini në Kremlin. Merr njoftimin për promovimin si zëvendësshef i Departamentit me urdhër për të eleminuar Trotskij në Meksikë. Unë shpjegova se nuk ndjehesha plotësisht i përshtatshëm për misionin në Meksikë, pasi nuk flisja asnjë fjalë spanjisht. Kërkova lejen që të zëvendësohesha me veteranë operacione gueriljesh në Spanjë. Stalini u përgjigj: "Është detyrë dhe detyrim i partisë që të gjejë dhe të seleksionojë personelin për të përfunduar me sukses detyrën. Do t'ju vihet në dispozicion çdo mjet dhe mbështetje për të cilat do të keni nevojë. Do t'i referoni drejtpërsëdrejti shokut Beria dhe askujt tjetër, por përgjegjësia e plotë për të kryer misionin mbetet mbi ju. Ju duhet ta organizoni personalisht dërgimin e një force speciale në Meksikë nga Evropa dhe të referoni vetëm me raporte të shkruara me dorë nga vetë ju". Zarat janë hedhur.

U konceptuan plane të ndryshme dhe u krijuan të paktën dy grupe dorazish, por që do të vepronin pa pasur dijeni për njëri tjetrin. I pari do të strukturohej si një grup zjarri, në kuptimin e vërtetë të fjalës, do të merrte me sulm banesën e Trotskij. I dyti parashikonte në fakt, një infiltrim më të imët në rrethin e ngushtë të të njohurve dhe të bashkëpunëtorëve të mërgimtarit rus, duke përdorur kontaktet në Partinë Komuniste meksikane. Kush arrinte i pari ta përfundonte misionin, fitonte të gjithë atë që ishte në lojë dhe nderimet. Ramon Mercader, që ndërkohë në Paris është agjent i NKVD-së në të gjitha aspektet, arrin që të infiltrojë në ambientet trockiste. Mbi të dhe mbi nënën e tij hedh sytë Sudoplatov për misionin "dy". Ndërsa vëllezërit e tjerë Mercader bashkëpunojnë në mënyra të ndryshme me shërbimet sekrete sovjetike dhe më i vogli (autor i këtij vëllimi) dërgohet në Bashkimin Sovjetik për formimin e nevojshëm ideologjiko-kulturor, Ramon dhe e ëma largohen për në Meksikë. Është gushti i vitit 1939. Grupit i bashkohen edhe Leonid Eytington me një shpurë të tërë të mbijetuarish nga Spanja nën urdhrat e Moskës, përfshi italianin nga Trieste, Vittorio Vidali, funksionar i Kominternit dhe komisar politik në brigadat ndërkombëtare. Këtij rrethi të ngushtë njerëzish i është kryesuese struktura për eliminimin e Trotskij. Në tentativën e parë shkon bosh në maj të vitit 1940. Në ditët e mëparshme terreni kish qenë përgatitur për manifestime të dhunshme antitrockiste të organizuar nga komunistët spanjollë në Meksikë. Natën midis 23 dhe 24 majit, një komando speciale e drejtuar nga piktori komunist David Alfaro Siqueiros sulmon vilën e Trotskij, duke qëlluar disa qindra të shtëna, por pa arritur ta përfundojnë me sukses operacionin. Funksionarët sovjetikë duhet të nxitojnë kështu që të marrin masa. Hyn kështu në fuqi plani "dy", ai që parashikonte përdorimin e Ramon Mercader, i cili ndërkohë ka infiltruar me sukses në rrethin e ngushtë të Trotskij, duke i rënë prapa sekretares së tij të re, naive dhe pak të zgjuar. Me dështimin e operacionit Siqueiros, ish-portieri i hotelit Ritz është i vetmi që mund të kryejë vrasjen, i vetmi që mund të ketë akses në vilë, ku tashmë njihet nga badigardët e Trotskij si i "fejuari" i sekretares. Plani përfundohet më 20 gusht të vitit 1940.

Mercader i paraqitet Trotskij me pretekstin që t'i korrigjojë një artikull lidhur me fatet e revolucionit botëror. E ëma, së bashku me agjentin Eytington, e presin në makinë. Kështu e përshkroi vrasësi agresionin në ditët e procesit: "Me qysqi, duke mbyllur sytë, i lëshova një goditje të tmerrshme në kokë. Ai lëshoi një ulërimë që nuk do ta harroj kurrë. Qe një "aaaa" e gjatë, e gjatë pa fund, e dëgjoj akoma në kokën time. U çua në këmbë, u soll për nga unë dhe më kafshoi dorën, këtu janë akoma shenjat e dhëmbëve. E përplasa përtokë, por ai u ngrit sërish dhe u rrëzua në dhomën tjetër". Trotskij vdiq të nesërmen. Ramon Mercader u kap nga badigardët, ndërsa e ëma dhe agjenti sovjetik u larguan, duke arritur të shkonin pas peripecish të gjata në Bashkimin Sovjetik. Deri këtu kronika, që megjithatë lejon të sqarohen pas më shumë se gjysmëshekulli largësi, disa dyshime lidhur me rolin e NKVD-së në procesin vendimmarrës që çoi në vrasjen e Trotskij dhe mbi kompozimin e strukturës organizative të ngritur në Meksikë për misionin, por vëllimi i mundëson lexuesit që të shikojë një plan, po të duam, dytësor, por po aq interesant: atë të periudhës pas, domethënë të peripecive të kësaj familjeje komuniste spanjolle të prirur me mish e me shpirt ndaj një përkushtimi fanatik ndaj Bashkimit Sovjetik, të përfshirjes së vështirë në shoqërinë sovjetike dhe zhgënjimet progresive në vitet '60-të dhe '70-të. E ëma, Caridad Mercader del Rio, shpjegon autori i librit, do të dekorohet në vitin 1941 me Urdhërin e Leninit dhe përdoret për misione të tjera spiunazhi në Evropë. Por pas luftës, në vend të atdheut të socializmit real do të preferojë një pleqëri të qetë në Paris. "Jam e dobishme vetëm për të mundur kapitalizmin, jo për të ndërtuar komunizmin", do të justifikohet vite më pas me djalin më të vogël që e kritikonte pse kish braktisur Bashkimin Sovjetik. Nga ana e tij, Ramon do të vuajë 20 vjet burg në Meksikë pa mundur që identiteti i tij i vërtetë të dalë në dritë. Pasaporta belge që mbante me vete në momentin e atentatit, u konsiderua si e mirë. Fotot e tij bënë xhiron e botës dhe shumë shokë në Spanjë njohën ish-portierin e hotelit Ritz dhe sekretarin e rinisë komuniste të Barcelonës, por nga frika apo nga solidariteti askush nuk deshi t'ia nxirrte emrin. KGB-ja do të tentojë në shumë raste që t'i favorizojë lirimin nga burgu dhe t'i organizojë një arrati, por më kot. Shpjegon akoma Luis që funksionarët sovjetikë nuk ia braktisën kurrë vëllain: "Kanë shpenzuar për të të paktën 5 milion dollarë. I siguruan avokatët më të mirë dhe mbajtën për 20 vjet në Meksikë një organizatë të tërë për të vigjiluar mbi të. Duke qenë burgjet meksikane shumë të hapura, ia përgatiste vaktet e ushqimit një grua, Roquelia, e cila ia dërgonte çdo ditë në burg dhe që më pas u bë bashkëshortja e tij". Do të lirohet nga burgu në maj të vitit 1960. Ata që e pritën jashtë burgut qenë dy diplomatë çekosllovakë, që me një pasaportë fallse e dërguan fillimisht në Kubë dhe më pas në Moskë. Këtu, nën emrin e rremë Ramon Ivanovich Lopez, u prit me nderime të mëdha, i trajtuar si një hero kombëtar dhe i dekoruar me nderimin më prestigjioz të Heroit të Bashkimit Sovjetik. Emri i tij duket akoma sot në hyrjen e asaj që qe selia e KGB-së në Moskë. Sipas vëllait Luis, Ramon nuk ndjeu asnjëherë vrasje ndërgjegjeje për xhestin e tij, por ndoshta filloi të mendojë për hendekun e thellë që ndante konceptimin ideal të komunizmit që ishte ndërtuar në gjithë ato vite dhe mundësinë efektive të tij të realizimit në botë. Në vitin 1974, i lodhur nga socializmi i ftohtë real i markës sovjetikë, Ramon do të transferohet në Kubë, ku dhe do të vdesë në vitin 1978.

Mbi fundin e tij, prapaskena e fundit.

Sipas të vëllait, mbi të do të rëndonte një komplot i KGB-së. Duket në fakt se kohët e fundit Ramon Mercader kishte marrë pozicione lehtësisht kritike kundrejt Bashkimit Sovjetik dhe braktisja e atdheut të komunizmit nga ana e tij për Kubën duket se e demostron. Një shuplakë për vendin që për shumë vjet kish vigjiluar mbi të dhe mbi familjarët e tij. Nga këtu, gjithmonë sipas hipotezës së përcjellë nga libri, vendimi për të eleminuar një dëshmitar të pakëndshëm që ndoshta po vendoste të tregonte të gjithë historinë e vërtetë të tij.

Përgatiti

ARMIN TIRANA - RD



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora