E premte, 29.03.2024, 12:16 PM (GMT)

Kulturë

Kadri Kadiu: Mexhiti

E enjte, 03.08.2017, 06:08 PM


Kadri Kadiu

MEXHITI

( Marrë nga Libri "Mall e dashuri")

Ishte një e djelë e marsit 1984. Në shkallë Rrethi ishte shpallur ditë aksioni për hapje tokash të reja. Për Kooperativën e Bërzhitës së Tiranës, si Kryetar që isha, kisha ngritur Shtabin e Aksionit dhe kishim përcaktuar tre fronte pune në fshatrat Dobresh, Pëllumbas dhe Mushqeta. Për secilin front pune kisha ndarë dhe anëtarët e Shtabit. Në Dobresh përgjegjës kisha lënë Kryeagronomin e Kooperativës Tom Tuholli, në Pëllumbas Shefin e Furnizimit Shefik Bana dhe në Mushqeta Zooteknikun Bekim Çumani. Unë me Shefin e Kuadrit, Naim Meta, do të lëviznim në të tre frontet. Sekretarit të Byrosë së Kooperativës, Mexhitit, meqenëse nuk e kisha nën yqmën time, i thashë se mund të shkonte ku të dëshironte por i rekomandova që të rrinte në Dobresh pasi e kishte më afër dhe gjithashtu kisha parasysh se me Kryeagronomin kombinonin mirë pasi të dy ishin goxha pijetarë.

Jo, më tha Mexhiti, Partia nuk e lë vetëm Kryetarin e Kooperativës, unë do të vij me ty.

Mirë hajde, i thashë, por me mua nuk të del gjë.

Po çke o ti, drekën e gjej vetë unë, tha ai.

Hypëm në veturën BÇ dhe shkuam fillimisht në Dobresh. U përshëndetëm me kooperativistët që punonin aty dhe për tu shkrirë me masat, siç thoshte Mexhiti, morëm edhe ne nga një kazmë dhe punuam nja një orë aty. Pastaj shkuam në Pëllumbas dhe kryem të njëjtin ritual. Më tej u nisëm për të shkuar edhe në frontin e tretë në Mushqeta. Kur kishim arritur në Fshatin Ibë dhe do të merrnim kthesën majtas për në Mushqeta Mexhiti na propozoi që të ndalonim pak në Ibë pasi do të takonte magazinierin e Kooperativës Sul Hasa.

Po mos na vono o Mexhit, i thashë, ora po shkon njëmbëdhjetë dhe ne nuk do të shkojmë në Mushqeta kur të ketë përfunduar aksioni.

Po aty e kam hallin edhe unë, tha Mexhiti, se ora po shkon njëmbëdhjetë dhe duhet menduar ku do të hamë drekën.

E ç`lidhje ka Sula me drekën tonë? i a ktheva unë.

Ka lidhje ka, tha Mexhiti, se ai Sula që thua ti Kryetar, është kushëriri im, është burrë i  mirë dhe më ka thënë mua se “kam qejf të ma sjellësh një herë atë Kryetarin për drekë”, kështu që ne e njoftojmë Sulën dhe kur të mbarojmë punën tonë, drekën e kemi gati. Ndërkohë, pa pritur përgjigjen time, zbriti nga makina dhe u drejtua për nga magazina. Aty i thanë se Sulës i kishte dalë një punë dhe kishte ikur në Tiranë.

I doli huq ky plan Mexhitit dhe hyri shpejt në makinë.

Shoku Sekretar, thashë unë, drekën do ta hamë në restorant ne “Kafja e Xhafës”.

Po jo or burrë i dheut se s’na le Populli pa bukë neve, tha Sekretari.

Morëm xhaden përpjetë për në Mushqeta. Në anën e majtë të rrugës, në Stacionin e Autobusëve, Mexhiti kish vënë re se po priste një fshatar nga Mushqetaja, Xhafa, kështu që i foli shofer Zydiut, që ta ndalonte makinën.

Po pse na ndalon mo shoku Sekretar i tha Naimi, Shefi i Kuadrit.

Po mirë Kryetari, po edhe ti mo Naim nuk po më kupton? tha Mexhiti. Ja po ua shpjegoj të dyve: Ky Xhafa është dora jonë, neve po e marrim në veturë për në Mushqeta, ai do të kënaqet që Udhëheqja e Kooperativës e respektoi kaq shumë dhe patjetër që kur të zbresë nga vetura do të na falenderojë dhe do ta thotë atë fjalën magjike “urdhëroni për drekë nga shtëpia”.

Mexhiti hapi derën e veturës dhe e thirri Xhafën duke ia bërë me dorë që të afrohej.

Urdhëro shoku Sekretar,tha Xhafa dhe u afrua.

Për ty ndaluam, i tha Mexhiti, eja hypë në veturën e Kryetarit, mos prit autobusin se të çojmë ne në Mushqeta.

Shumë, shumë faleminderit shoku Sekretar por unë po pres autobusin për në Tiranë, u përgjigj Xhafa, i gëzuar për respektin që i bëri Sekretari.

Nisu Zyhdi shpejt, i tha Mexhiti shoferit dhe e mbylli derën e veturës me inat.

Unë fillova të qeshja me Mexhitin se i dështoi edhe kjo përpjekje e dytë.

Duro o shoku Kryetar duro, më tha, se komunistët janë të vendosur që objektivat që i venë vetes t’i realizojnë deri në fund.

Mbërritëm në Qendrën e Sektorit Mushqeta. Zbritëm nga makina dhe po bëheshim gati për tu nisur më këmbë për tek vendi ku bëhej aksioni. “Hani i Keçit” i thoshin vendit ku do të shkonim dhe ishte nja treçerek ore larg. Kishte filluar një vesë shiu dhe Mexhiti po shikonte nga këpucët gjysma që kishte veshur. Ishte në hall se si do t’i çante ato baltra por ja që në atë moment ja befi aty Veterineri i Sektorit, Ramiz Lika.Të parën gjë që pa Mexhiti tek Ramizi ishin çizmet e gomës që kish veshur ai.

Po ti Ramiz, iu turr Mexhiti me zë qortues, pse sillesh këtej, pse nuk ke shkuar në aksion?

Po..po..unë shoku Se..sekretar ii..isha në aksion por më la..lajmëruan që të vij këtu në ma..magazinë pasi ba..barinjtë kanë sje..sjellë dy keca të therur dhe unë duhet të lë..lëshoj ra..raportin ve..veterinar për ko..konsumin e miiishit…dhe Ramizit të shkretë po i merrej goja pasi Sekretari dukej i inatosur.

Pa t’i shikojmë njëherë ku janë ato kecat, tha Mexhiti dhe hyri bashkë me Ramizin në magazinë. Nuk i pëlqeu aq mishi dhe i u drejtua Ramizit përsëri me inat: Po mirë, pse kanë ngordhur këto keca, kush e ka përgjegjësinë?

Po.. po jo shoku Sekretar nu..nuk kanë ngordhur, ato ka..kanë dalë pak të do..dobët nga dimri dhe u..unë e dha..dhashë u..urdhërin për t’i therur.

Domethënë se ky mish është i mirë thua ti, ë..?

I mirë është shoku Sekretar, u përgjigj Ramizi, ne do ta peshojmë tani dhe do ta çojmë për shitje në Dyqanin e Kooperativës.

Po ti e merr për shtëpinë tënde?

Po shoku Sekretar, u përgjigj Ramizi, i cili tani ishte më i qetë pasi edhe Sekretari ishte zbutur.

Po mirë atëhere bli në dyqan nja dy-tre kile dhe çoje në shtëpi pasi pas dy orësh do të vij unë me Kryetarin dhe Shefin e Kuadrit për drekë dhe ta provojmë konkretisht se sa të drejtë ke për këto që thua.

Në këtë kohë, me që Mexhiti po na vononte, hyra dhe unë me Naimin në magazinë.

Po hë mo Mexhit, i thashë, do të nisemi apo jo?

Po do të nisemi o Kryetar por ja po na vonon ky Ramizi se kërkon që pas aksionit ne t’i shkojmë për drekë, se thotë që ka një raki të mirë.

Ramizi i gjorë u vu para faktit të kryer, s’kishte nga ja mbante, shikonte njëherë nga Mexhiti njëherë nga unë dhe vetëm qeshte.

E mo Kryetar, të thashë unë që Populli na pret me gëzim neve, tha Mexhiti, dhe iu drejtua përsëri Ramizit:

O Ramiz; s’të kam pyetur ndonjëherë, ç’numër e ke këmbën ti?

Ku ta dinte Ramizi i shkretë se ku i rrifte Mexhitit, prandaj i habitur  ja dha përgjigjen:

E po, dyzet e kam o Sekretar.

Të lumtë, tamam këmbën e Sekretarit paske. Tani hiqi ato çizmet dhe ke nderin dhe fatin që të veshësh këpucët e Sekretarit.

Në moment u bë këmbimi, Mexhiti i veshi çizmet dhe tha: Tani nisemi o Kryetar se jemi në rregull, shikoi orën dhe përsëri iu drejtua Ramizit: Dëgjo Ramiz; ora është dymbëdhjetë, nga ora dy e gjysëm ne do të jemi tek shtëpia jote që të të kthejmë çizmet. Burri lidhet me fjalë, unë jam korrekt, nuk t’i mbaj asnjë minutë më tepër çizmet, hajt mirë u pafshim.

Mirëardhshi shoku Sekretar, u përgjigj Ramizi me zë të ulur, tani nuk po qeshte më pasi kish filluar t’i vinte mendja vërdallë se si të përgatiste drekën.

Dale mo dale, i tha Mexhiti, neve jemi tre tani por kur të kthehemi nuk e dijmë sa do të bëhemi prandaj mendohu mirë, që ta nderosh veten prejua kokën edhe nja dy pulave.

Ne “Hani i Keçit” punuam nja një orë bashkë me aksionistët. Në orën dy përfundoi aksioni dhe u nisëm për në fshat. Rrugës së kthimit na shoqëronte Brigadieri i Mushqetasë, Xhemal Lika. Kur arritëm afër shtëpisë së tij ai na ftoi megjithë zemër t’i shkonim në shtëpi.

Jo, i tha Mexhiti, këtë radhë do të të çojmë ne për drekë në një vend.

Ku? Pyeti Xhemali.

Në shtëpinë e t’yt vëllai, Ramizit, tha Mexhiti dhe filloi t’ia shpjegonte historinë.

A ç’ja paski bërë mirë atij byrazerit tim se është një çikë koprac ai, tha Xhemali dhe duke qeshur u drejtuam të katër për nga Shtëpia e Ramizit.

....

Thesi i historive, shakarave e qyfyreve të Mexhitit nuk ka të sosur, por po tregoj edhe nja dy-tre episode të vogla: Një ditë dimri, mua me Mexhitin na zuri nata në fshatin më të thellë të Kooperativës, në Shalqizë. Na mori për darkë e fjetëm atë natë tek shtëpia e Lutfi Nasufit. Na pritën e na sajdisën si jo më mirë, ashtu siç e ka traditën e mikpritjes fshatari i urtë e zemërgjërë tirons. Për të na respektuar më shumë, shërbimin në sofër e mori përsipër ta bënte vetë plaku i shtëpisë, xha Iljazi. Mirëpo xha Iljazit, si plak që ishte, edhe sytë nuk i shihnin aq mirë por edhe dora i dridhej pak, kështu që kur na i mbushte gotat e rakisë neve, dmth mua, Mexhitit dhe Lutfiut, mundohej ta tereziste dorën dhe shtinte vetëm disa pika raki ose e shumta i mbushte gotat përgjysmë. Kur shtinte në gotën e vet, xha Iljazi tregohej më i shpenguar kështu që gota i mbushej me grumbull dhe vazhdimisht i derdhej. E sa herë që i derdhej gota, xha Iljazi e shoqëronte me një "ah qifja t'ëmën". Vazhdonte muhabeti kështu, mirëpo gotat tona thaheshin shpejt e xha Iljazi sa herë na i mbushte, nga një çurkë raki na shtinte neve, kurse gotën e vet e mbushte me "ah qifja t'ëmën". Më në fund Mexhiti nuk duroi më, ia zgjati gotën xha Iljazit dhe i tha: " O xha Iljaz; a ma mbush edhe mua një herë me qifja t'ëmën"?

Po jo mo shoku Mexhit,- tha xha Iljazi-, për ideal të Partisë që nuk e bëj me qëllim por nuk më shohin mirë sytë.

E , ee, i tha Mexhiti, për gotën tënde që e mbush me grumbull të shihkan mirë sytë ty ndërsa për gotat tona që na i le bosh, nuk të shihkan.

.....

Një ditë korriku Mexhiti po shkonte në Fshatin Lugë të Kooperativës tonë. Rruga ishte malore, me të përpjeta e tatëpjeta, ishte dhe nxehtë kështu që Mexhiti, pasi ishte djersitur, pushoi pak pranë një përroi me ujë për tu freskuar. Aty takoi edhe Policin e Zonës Lulzim Shima, i cili edhe ai po udhëtonte për në Lugë. Pjesën e rrugës që u kish mbetur e bënë të dy sëbashku. Rastësisht Mexhiti atë ditë kishte veshur një këmishë ngjyrë blu, të ngjashme me atë të Policit, kështu që kur e konstatoi këtë gjë, si për qejf, ia mori kapelen Lul Policit dhe e vuri në kokën e vet. Kur iu afruan Fshatit, të parët që takuan ishin dy pleq që po kullosnin lopët e tyre. Këta, sa e panë Mexhitin iu afruan, e përshëndetën, i uruan mirëseardhjen dhe të çuditur e pyetën: " Po si kështu shoku Mexhit, qënke bërë Polic ti"?

"Po, i tha Mexhiti, unë jam bërë Polic ndërsa ky djali këtu, duke i treguar Lulin, është bërë Sekretar i Byrosë së Kooperativës".

"Bravo të qoftë shoku Mexhit, të lumtë shoku Mexhit, po sa të shkoka roba e policit o shoku Mexhit, e po gëzohemi shumë dhe nalt e ma nalt shoku Mexhit, nalt e ma nalt shkofsh, se ti e meriton"; i gëzoheshin dhe e uronin Mexhitin të dy pleqtë pasi për ata Polici ishte më i madh se Sekretari i Partisë.

.....

Një ditë i erdhi në Zyrë Mexhitit një kooperativist dhe i tha: Shoku Sekretar; kam një hall, por hall shumë të madh dhe dua që të më dëgjosh ti por edhe Kryetari i Kooperativës, pasi vetëm juve të dy mund të ma zgjidhni.

Ou mor Bexhet, - i tha Mexhiti-, po kur qenka kaq hall i madh hajt futemi në Zyrën e Kryetarit e na i shpjego atje hallin.

U fut Mexhiti megjithë Hallexhiun në Zyrën time.

Hë, i tha Mexhiti, folë tani, si është puna, qaja hallin Kryetarit.

Po juve, shoku Sekretar e shoku Kryetar, e dini që ajo nusja ime punon mjelëse në blegtori. Mirëpo asaj i është vardisur ai Normisti i Sektorit kështu që ajo shkon me të, po ma dredh.

Po mirë, -i thotë Mexhiti-; të është ankuar gruaja ty për këtë punë?

Jo jo, ajo nuk më është ankuar fare mua, por unë i jam ankuar asaj pasi e kam parë shpesh që shkon me atë, kohë e pa kohë.

Po mirë, -i thotë Mexhiti prapë-, po ke fakte ti për këto që po na thua?

Po çfar fakte të kem o shoku Mexhit; ata e bëjnë fshehur atë punë. Po ama edhe pse më fshihen mua, nuk mund t'i fshihen syrit të botës, kështu që njerëzit flasin e mua më vjen rëndë.

Po pse, çfar thonë njerëzia?

Po ja, qeshin e më hedhin romuze mua, më thonë e ke gruan e bukur.

Po mirë, ata mund ta kenë nga haseti.

Po jo o shoku Mexhit se me nja dy veta që jam zënë, më kanë thënë se ti je burrë koti, me një grua kurvë.

Ama për këtë je mërzitur ti o Bexhet? Hiç mos e çaj kokën se të gjitha gratë kurva janë. Vetëm nënat janë të ndershme ndërsa gratë, edhe kur nuk shkojnë me të tjerë, me burrat e tyre me siguri që shkojnë.

Ashtu është mo shoku Mexhit, -tha Hallexhiu-, po ja sikur ta hiqnit atë Normistin juve, do të më shpëtonit mua.

Mos ki merak, - i tha Mexhiti-, ne me Kryetarin do të bëjmë punën tonë, do të marrim masa e do t'ia bëjmë tetë me dy atij Normistit.

Rrofshi juve,-tha Hallexhiu-, dhe iku i lehtësuar.

Unë, që s'kisha marrë pjesë fare në këtë bashkëbisedim, i thashë Mexhitit:

Po sikur ta transferojmë në një Sektor tjetër këtë Normistin o Mexhit?

O Kadri; -më tha Mexhiti-, ajo mjelësja e lopëve do vetë pa e mjel këtë  Normistin. Edhe po ta transferojmë neve Normistin, ajo do të gjejë një "normist" tjetër. Po edhe ky Normisti që kërkon ta transferosh ti, atje ku do të shkojë do të gjejë një "mjelëse" tjetër. Ti Kadri, i gjykon njerëzit sikur të jenë të gjithë të prerë me modelin si unë e si ti; po ne jemi tjetër soj bre Kadri, ne nuk na ngrihet nga frika.

.....

(Duke shkruar këtë tregim modest e të sinqertë, kujtoj me mall shokun e mikun tim të mirë, të ndjerin Mexhit Kullolli. Ishte gojëëmbël, ishte gazmor e shakator, ishte një Tirons Babaxhan që, me shokë e me miq, i pëlqente dhe rakia, por rob më të drejtë e të ndershëm s'mund të bënte Perëndia).



(Vota: 2 . Mesatare: 1.5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora