E enjte, 18.04.2024, 01:27 PM (GMT+1)

Mendime

Ernest Tushe: Kush nuk pranon hapjen e dosjeve, refuzon të ardhmen

E marte, 02.09.2008, 07:13 PM


Kush nuk pranon hapjen e dosjeve, refuzon të ardhmen

Nga Ernest Tushe

Në vigjilje të sesionit të ri parlamentar është ndezur debati politik për korrupsionin, Kodin e ri Zgjedhor, për ligjin e hapjes së dosjeve. E djathta, sipas deklaratave në media, bën me dije se me apo pa pëlqimin e së majtës shqiptare, ky ligj do të kalojë në votim dhe do të aprovohet. Kështu, do t’i hapet drita jeshile heqjes së mundësisë së ish-komunistëve, ish-sigurimsave, ish-spiunëve dhe dëshmitarëve të gjyqeve politike për t’u zgjedhur dhe punësuar në administratën shtetërore. Gjithashtu, ky ligj, sipas të djathtëve, do t’iu heqë mundësinë e zgjedhjes dhe punësimit ish-gjyqtareve, prokurorëve dhe hetuesve të ish-regjimit komunist, të cilët kanë hetuar dhe dënuar qytetarët për bindjet e tyre politike kundër regjimit, në shumë raste duke tejkaluar edhe ligjet e diktaturës.

Nga ana tjetër, e majta është hedhur në bllok kundër këtij projektligji. Ende pa rifilluar bisedimet ndërmjet përfaqësuesve të të dyja kaheve politike, të majtët e kanë deklaruar votën e tyre kundër. Nëpërmjet Fatmir Xhafës, Partia Socialiste, duke dhënë arsye absurde se përse ky projektligj nuk duhet të kalojë në votim, deklaroi se do të votojë kundër.

E kam thënë edhe në një shkrim të mëhershëm: “E majta nuk do ta japë kurrë konsensusin për hapjen e dosjeve, sepse për ta do të ishte një vetëshkatërrim. Në selitë e së majtës shqiptare kanë gjetur strehë këto personazhe të neveritshme të historisë së Shqipërisë”. Dy muaj më vonë, ky opinion po vërtetohet. Të strukur në selitë e majta, këto personazhe arrijnë deri atje, sa të kërcënojnë se, po u hapën dosjet, do të ndodhë një katrahurë në vend, vëllavrasje. Por ata e dinë mirë se kjo gjë nuk do të ndodhë kurrë. Nuk ndodhi dhe në vitet ‘92-‘93, kur këta njerëz pa moral ose u strukën bodrumeve, ose morën arratinë jashtë territorit shqiptar nga frika se mbi ta do të binte hakmarrja e drejtë e atyre njerëzve që u torturuan, burgosën dhe vranë prej tyre. Por kjo nuk ndodhi, sepse klasa e ish-të përndjekurve politikë ishte një klasë e edukuar me të ardhmen perëndimore dhe jo me mësimet e stalinizmit. Asgjë nuk ndodhi, qoftë dhe një vrasje apo ofendim. Sepse nëpër burgje dhe internime diktatura dhe shërbëtorët e saj futën elitën e popullit shqiptar. Futën intelektualin dhe të riun që shihnin shumë më tej se diktatura komuniste. Shihnin pasojat e kësaj diktature dhe për këtë e kundërshtuan. Sepse nuk deshën që vëllai të tradhtonte vëllain, shoku-shokun e ku e di unë sesa poshtërsi përgatiteshin në mendjet e fëlliqura të këtyre personazheve famëkeqe që sot strehohen në selitë e majta. Klasa e ish-të përndjekurve politikë nuk kërkon hakmarrje. Ajo kërkon që këta njerëz të paskrupullt e pa moral të largohen nga jeta politike e vendit tonë. Mos të jenë prapë ata që të drejtojnë jetën politike dhe ekonomike të vendit.

Pastrimi i politikës nga atavizmat e komunizmit stalinist është një domosdoshmëri, dhe aprovimi dhe votimi i projektligjit për hapjen e dosjeve patjetër do ta çlirojë vendin dhe politikën tonë nga tentakulat komuniste që po i zënë frymën demokracisë së brishtë shqiptare. Këta oktapodë të fuqizuar politikisht dhe ekonomikisht nuk duan t’i heqin vetes së tyre privilegjin që ata ia hoqën në mënyrën më mizore dhe barbare asaj shtrese intelektuale që i vranë dhe i burgosën. Me mosvotimin e projektligjit për dosjet ata duan të vënë në përjetësi prepotencën dhe paturpësinë e sundimit të tyre, pasi ata e dinë mirë se aprovimi i këtij ligji do t’i çojë ata përpara drejtësisë për krime ndaj popullit. Dhe krimet, kudo dhe në çdo kohë që ndodhin, marrin dënimin që iu takon një ditë. Së bashku me krimet do të dënohen dhe kriminelët, kushdo qofshin ata. “Drejtësia vonon, por nuk harron”, kjo është një thënie e lashtë sa bota.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora