Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Entela Binjaku: Risia dhe problematikat e Radios 'Tirana Klasik'

| E shtune, 29.07.2017, 06:55 PM |


Risia dhe problematikat e Radios “Tirana Klasik”

Nga Entela Binjaku, Sociologe

Përhapja e mjeteve të komunikimit masiv ndikon mjaft zgjedhjet dhe mendimet tona. Media e shkruar, e dëgjuar dhe e parë kontribuojnë në formimin tonë dhe përmes tyre ndjehemi pjesë e fakteve dhe informacioneve, jashtë të cilave do të ndjeheshim të shkëputur. “Ne jemi çfarë shohim” pohon filozofi i njohur Stefano Zecchi dhe ndikimi i medias televizive mbi ne është i padiskutueshëm. Megjithatë ndodh që në radhët tona, ka edhe ndër ata që ndjehen të lidhur me mediat e tjera, ndër të cilat është edhe ajo e dëgjuar, radioja. Çdo ditë e më shumë dëgjuesi i radios po shndërrohet në individin që dëgjon aq sa udhëton me një automjet. Ose dhe në një tjetër që ka në zotërim një dispozitiv. Nëse je vetëm dhe dëshiron të udhëtosh, ose nëse udhëton por nuk dëshiron të dëgjosh tjetrin apo të tjerë, nëse kërkon të ndjehesh vetëm në shoqërinë e mendjes tënde, kur mendon se ke nevojë të harrohesh, por edhe kur je kurioz të dish çfarë bëhet, kur ke nevojë të ndjesh ndjeshmërinë tënde, në të gjitha këto raste, radioja është një dritare. Por nëse je duke udhëtuar në rrethinat e Tiranës apo në segmentin Tiranë-Durrës, ndërsa je në kërkim të një kanali radiofonik, qëllon të dëgjosh disa tinguj që sheh se vijnë nga 101.2 Mhz. Kjo është Radioja “Tirana Klasik”.  Kjo radio ka lindur zyrtarisht në 18 maj 2017. Bashkë me të Radio Tiranës i bëhen katër kanale. Themeluesit e saj e kanë cilësuar këtë radio si “një nismë dinjitoze dhe emancipuese, si një iniciativë të guximshme për t’i dhënë jetë së pari një arkive unike, fonotekës së RTSH-së, që ka për mision të kënaqë shijet e publikut, por edhe për t’i kultivuar ato. Me një audiencë specifike programi përfshin: Muzikë dhome, simfonike operistike të huaj dhe shqiptare.

Nisma për një radio të tillë është për t'u përgëzuar dhe falënderuar për disa arsye, por edhe që më në fund, radiot e ngjashme në shoqëritë e kulturuara, kanë një simotër edhe në Shqipëri. Por kjo nismë e tillë duhet të jetë më e gjerë, gjithëpërfshirëse sepse në radhë të parë ajo duhet të synojë përmbushjen e misionin të saj informues mbi zhvillimet muzikore, edukues mbi çeljen e horizonteve të reja të qendrave të trurit përgjegjëse për ne, si dhe atë argëtues për ta bërë më të bukur kohën tonë.

Por themeluesit e radios duhet të dinë se në një segment kaq të vogël të vendit bëhet e vështirë të ndjekësh një seri veprash që zgjaten e zgjaten, pa krijuar asnjë pushim në mes, të tipit informativ, pa i dhënë mundësinë dëgjuesit që shkëputja t'i krijojë  trurit një frymëmarrje. Veprat kanë nevojë te komentohen, cilat janë idetë, mendimet a emocionet e tyre, të shpjegohen si kanë lindur, nga janë frymëzuar, cilës gjini apo formë i përkasin. Në dallim me këtë, ndjesia që të krijon është se mjaftojnë titrat që tregojnë autorin dhe interpretuesit dhe krijojnë bindjen se CD është vendosur dhe komentuesi ka shkuar me siguri në kafe.

Një element tjetër të ndjesisë që krijon është ajo e ankthit kur në mes hyn befas një reklamë. Është e vërtetë që marketingu sa është i nevojshëm aq është i pamëshirshëm, por i takon medias të gjejë një formë të atillë ndërthurjeje, që të krijojë një  shkëputje natyrale të gjendjes mendore dhe shpirtërore në të cilën, vetë e ka vendosur dëgjuesin. Kur këtij ankthi i shtohet edhe vetë cilësia e dobët e reklamave, ti mezi pret të rifillojë vepra nga e para!

Në faqen zyrtare radioja premton zgjerimin e shtrirjes gjeografike, por do të kishte qenë më mirë që ajo të shndërrohej në një bashkëshoqëruese përmes tingujve, përmes informacioneve, ftesave në studio, komenteve, të jetë një partnere për të rinjtë instrumentistë, t'u japë mundësinë të gjithëve të njohin muzikën, të përfshijë të gjithë në një oaz të atillë  shpirtëror ku mund të të çojë vetëm muzika klasike, simfonike, opera, apo muzika e dhomës.

Por, do të ishte e udhës që në strategjinë e programeve të këtij oazi të mrekullueshëm të vendosej kërkesa, që sëbashku me dëgjuesin e kultivuar, të shkolluar në muzikë, të synohej lundrimi edhe i dashamirësve të muzikës të cilët mund dhe duhet të shtohen dita-ditës!

opusalb.com