Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Ilir Kalemaj: Kriza e rinisë

| E marte, 02.09.2008, 07:08 PM |


Kriza e rinisë

Nga Ilir Kalemaj

Shpesh është ngritur me shqetësim në media, por edhe në biseda të përditshme, kriza që po përjeton një pjesë e mirë e rinisë shqiptare. Kjo krizë manifestohet në kohëzgjatjet e kafeve, ku shpesh rrotullohen paketa cigaresh, ku lozet me celularë, apo në biseda të stërzgjatura që shpesh vijnë rreth të njëjtave fraza, apo të njëjtit subjekt, a thua se çdo gjë shkon vaj në drejtimet e tjera.

Një mik i imi më tregonte ditë më parë se në institutin kërkimor-shkencor ku ai punonte dhe ku pa përjashtim kolegët kishin mbaruar minimalisht një shkollë të lartë, brenda apo jashtë vendit, bisedat kryesore mes meshkujve rrotulloheshin rreth modeleve të makinave të fundit, ndërsa femrat për shopping dhe veshje, ndërkohë që emëruesi i përbashkët i të dyja palëve ishin bisedat rreth futbollit italian dhe futbollistëve yje që luajnë në të. Dhe ky nuk është aspak një rast i veçuar, pasi vanitete të këtij lloji i gjejmë akoma më me shumicë në administratën shtetërore, ku edhe ritmi i punës është shumë i ngadaltë dhe mundësia për biseda të “lehta”.

Nga ana tjetër, mungesa e modeleve pozitive, prirja për t`u bërë i pasur apo i famshëm për një kohë të shkurtër, pa punuar dhe ku gjithçka vjen lehtë, janë kthyer fatkeqësisht në burime frymëzimi ndoshta për pjesën më të madhe të të rinjve tanë të sotëm.

Ndoshta pakkush e di që modelet që shohim nëpër ekrane, shumë shpesh janë joreale. Sa 18-vjeçarë shqiptarë e dinë që një i ri amerikan del në jetë në moshën 18-vjeçare dhe i duhet njëkohësisht të punojë dhe të vazhdojë shkollën? (Dhe kështu ndodh edhe në shumicën e vendeve perëndimore, ku nuk mungojnë edhe aktivitetet e shumta ekstra-kurrikulare ndërmjet të rinjve).

Modelet që sendërtohen dhe që shërbejnë si pika reference për të rinjtë tanë janë shqetësuese. Jo më larg se disa ditë më parë, një bisedë e shkurtër në një prej bareve të Tiranës, më bëri të reflektoj disi në lidhje me këtë pikë. Pas një përpjekjeje të pashpresë për të gjetur një karrige të lirë në një lokal thuajse bosh (për shkak të rezervimeve), i kërkoj me politesë kamerierit njërën nga karriget e tavolinës fqinjë. Më thotë (thuajse i ngazëllyer) që është e pamundur se sidomos ajo tavolinë ishte e rezervuar nga VIP-a. I çuditur pyes kush janë këta vip-a dhe befasohem kur më përmend emrat e nja dy big brotheristave të cilët në momentin që mbërritën u pritën gati si star kinemaje.

Ndonëse big brothera, Paris Hilton-s, apo njerëz që bëhen të famshëm brenda natës pa asnjë meritë të veçantë ka kudo dhe gjithandej, ajo që të habit në Shqipëri është se këta kthehen në rol-modele me masivitet absolut. (Ashtu sikundër qenë dikur skafistët e famshëm me varëse floriri të trashë në qafë dhe makina luksoze). Ajo që më habiti më tepër te rasti i mësipërm nuk ishte ngazëllimi i vështrimit të kamerierit, pasi ky mund të ishte një rast i veçuar, por më së tepërmi, entuziazmi i turmës apo reagimi i shoqërisë me të cilën isha ulur të cilët u çuditën kur morën vesh se nuk i njihja këta “vipa”. Një prej tyre me takt më “justifikoi”, duke thënë se nuk jetoja pjesën më të madhe të vitit në Shqipëri dhe kjo ndoshta kishte ndikuar në këtë “injorancë” timen.

Dikur nën komunizëm, pavarësisht njëmijë e një të zezave dhe defekteve të regjimit, shpesh modelet që ndiqeshin nga të rinjtë, ishin të tillë si ai i personazhit kryesor te libri “Si u kalit çeliku” i Nikolla Ostrovskit, që bënte fjalë për një punëtor të Bashkimit Sovjetik që punonte në emër të idealizmit deri edhe 17 orë në ditë në tunele, apo raste ku qindra të rinj studentë shkonin në aksione dhe sfiliteshin vetëm për të marrë një “S” (Sulmues).

Një gjë që sot në ekonominë e tregut, ku çdo gjë, duke filluar nga koha, matet me dollarë, kjo mund të duket fare absurditet, por pavarësisht kësaj, ajo që të bën përshtypje është se kemi kaluar vrullshëm në ekstremin tjetër të ekuacionit, duke kaluar në nihilizëm të modeleve pozitive dhe duke stimuluar apo shpikur rol-modele që veç të tillë nuk mund të quhen. Justifikimi se kështu i ka edhe “bota jashtë” duket i pavlerë në këtë kontekst se si shumë gjëra të tjera priremi të marrim prej kësaj bote zakonisht elementët më problematikë (nëse do zgjidhnim një term deri diku neutral).

Bota ofron shumë e shumë gjëra të tjera të cilat duhen marrë shabllon apo me përshtatjet e duhura me realitetin e vendit. Përpara importimit të çdo lloj loje kompjuterike (duke përfshirë ato me seks dhe violencë) që po i kthen shumë fëmijë në rob të qëndrimit përpara ekranit të tyre me orë të tëra, duke i de-socializuar ata, apo reality shou-t që nxjerrin stare nga asgjëja, promovimit të ngjyrave të brekëve të plazhit të iks këngëtareje ose formave të kumarit televiziv, si Telebingoja e njëherë e një kohe, janë me dhjetëra aspekte të tjera mjaft më pozitive dhe stimuluese të cilat duhen “importuar” sa më parë dhe kthyer në norma të jetës së përditshme.

Në vend të kafeneve të mbushura me tym duhani, nxënësit dhe studentët fare mirë mund të aktivizohen me ngarkesë ekstra-kurrikulare shtesë, si sporte të ndryshëm apo pjesëmarrje në klube të ndryshme (debati, muzike etj.), si pjesë e kurrikulave mësimore. Në këtë mënyrë koha për të parazituar reduktohet dhe gara e vërtetë stimulon ata që janë më aktivë dhe marrin pjesë në sa më shumë aktivitete të ndryshme. Promovimi edhe më i madh i sportistëve të talentuar, muzikantëve të mirëfilltë, politikanëve apo studiuesve të rinj, do nxirrte njëkohësisht në pah rol-modele të reja për t`u imituar dhe nxiste një debat edhe familjar mbi prirjet e fëmijëve, stimulimin e tyre, por edhe ndërgjegjësimin e këtyre të fundit, se vetëm puna është ajo që të nxjerrë në selamet, siç thotë një fjalë e urtë popullore.

Shekulli