Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Sejdi Berisha: No entry, closed...!

| E marte, 25.07.2017, 06:32 PM |


Poezinë që kurrë nuk kam menduar dhe as që kam dashur ta shkruaj ndonjëherë

 

Sejdi BERISHA

 

NO ENTRY, CLOSED...!

 

(Ndijim me derë të mbyllur)

 

Duhet të biesh në gjunjë

Ta puthësh tokën e plasaritur

Qiellin që nuk preket

Për gabimet

Për mëkatet sa toka e pamatur

Për kohërat që vazhdimisht i dogje

I dhunove  e i përdhunove

Pluhur i bëre

Që kurrë dhe askush

Deri me tash këtë nuk e ka bërë

 

Këto vargje

Nëse di t’i lexosh e t’i kuptosh

Kanë për të djegur

Jo në furrë hekurinash

As në krematori kampesh përqendrimi

As në furra me gaz

Se janë rrjedha kujtimesh

Që të ndrydhin e brejnë

Si minjtë e kanalizimeve të vjetra

Të metropoleve të mëdha

 

Duhet të biesh në gjunjë

Ta puthesh tokën e plasaritur

Por kot

Sepse të mungon njerëzorja

Që ndoshta kurrë as nuk e ke pasur

 

Ti, ti...

Duhet të biesh në gjunjë

Ta puthesh zjarrin

Dhe kështu të rrish përgjithmonë...

 

(Këtë poezi kurrë nuk kam menduar dhe as që kam dashur ta shkruaj ndonjëherë. Por, gjithnjë muza më rrinte pranë, më hynte në vetveten time, lëvizte diku nëpër damarët e gjakut, derisa më detyroi t’i shkruaj këto vargje deri në pikë.

Atëherë, muza, sikur gjatë më shikoi me sy të përlotur. Është dashur kaherë t’i shkruash këto vargje, sikur belbëzoi dhe më mall ma ledhatoi zemrën e shpirtin... Nuk di gjë tjetër...!)