E enjte, 01.10.2020, 08:16 AM (GMT+1)

Komente

Ndriçim Kulla: Mbi pellazgjizmin, një debat i mirëfilltë shkencor që po na mungon

E marte, 02.09.2008, 06:23 PM


Mbi pellazgjizmin, një debat i mirëfilltë shkencor që po na mungon

Nga Ndriçim Kulla
 
Amicus Socrates sed magis amica veritas. E kam mik Sokratin, por më shumë mik kam të vërtetën, thotë sentenca e famshme helenike. Kjo ka qenë busulla udhërrëfyese e te gjitha botimeve të mia, për të pranuar më pas hapur një diskutim të gjerë dhe shkencor nga studiuesit dhe specialistët e fushave përkatëse, për vërtetësinë e tezave të hedhura në to. Magjepsja nga bestynitë pa dyshim që të shpie të strehohesh tek autoritarizmi. Magjepsja nga dituria të shpie tek pluralizmi. E këto janë mesazhe të vyera që na vijnë po nga kultura e madhe helene e lashtësisë. Por habia, që është fillimi i rrugës së çdo diturie ,nuk duhet të na ngatërroj nga udha e saj, që s’ka se si të jetë pronë e një individi ose e disave. Edhe ky është një mësim i kësaj kulture. Veçanërisht tema e pellazgjizmit, e ekzistencës, shtrirjes, gjuhës së këtyre banorëve dhe lidhjet me historinë dhe gjuhën shqipe, janë rrokur në disa nga veprat e botuara në këto vitet e fundit, duke përbërë një risi dhe një pritje për debat në trajtimin e historisë sonë. Por në shumicën e rasteve, edhe pse kishim të bënim me punime historianësh dhe shkencëtarësh të vërtetë, heshtja nuk i ka lënë forcë diskutimit,por heshtjes dhe belbëzimeve nëpër kafene duke i emërtuar si përralla. Ndoshta pikat e errëta, të pakonsoliduara dhe mjaft të diskutueshme të kësaj teze të rizgjuar për diskutim duhej të kishin orientimin e përgjegjshëm të një debati shkencor, aq te mirepritur, por qe ende mungon. Shkenca, në rradhë të parë, nuk pranon kurrësesi qëndrime kategorike të tipit: kjo bën, kjo s’bën. Apo dhe më keq, tabela rreziku te llojit: kujdes me kulturën e aksh vendi, kujdes këtu me kete autor e kujdes atje me kete teori. Dihet se shkenca ka vetëm një rrugë, atë të së vërtetës e për të arritur deri aty, përveç dijes e përkushtimit, ajo do jo vetem guxim, por edhe shumë liri, pasi në thelb shkencëtari është për të trazuar mendjen e në publik e vërteta gjithmonë trondit. E vërteta nuk ka të bëjë me konsensuse politike a të gjithfarë forme, ndaj unë do të të dëshiroja të hapej një diskutim shkencor mbi nje teze te tille, që padyshim është një tezë revolucionarizuese për këndvështrimin se si e kemi parë historinë tonë deri më sot, por nuk mund të thuhet kurrësesi e pabazuar shkencërisht, romantike, mitike a kushedi çfarë epitetesh gjejnë ata që nuk iu pëlqejnë përpjekjet për gjetjen e rrënjëve të vërteta të historisë. Tek e fundit të gjitha zanafillat e popujve, e kanë një mit brenda. Edhe vetë themelet e Romës së lashtë nisin me një histori mitike, ashtu siç mund të thuhet për Greqinë apo rajonin ballkanik. Kështu që rendja pas dënimit të mitit nuk duhet të bëhet mburoja mbrojtëse e ndonjë qëllimi apo dëshirimi për të ruajtur ”llogoren” e statuskuo-së së ndërtuar historike. Aq më tepër që sot në botë ka një gjallim të paparë teorish të reja e mëse të argumentuara, qoftë nga pikëpamja historike ashtu dhe nga ana linguistike e arkeologjike. Vizioni apo ndershmëria intelektuale dhe profesionale, jo vetëm e shtëpive botuese, por parësisht e akademikëve dhe studiuesve tanë, është t’i njohin, propagandojnë e të japin mendim, nëpërmjet kumtesash, studimesh, librash për vërtetësinë apo jo të hamendësimeve apo arsyetimeve të tyre. Mirëpo duket se një punë e tillë është e lodhshme dhe jashtë kapacitetit të shkencëtarëve tanë, përderisa përgjigjjen pa përgjegjësi, në mënyrë aspak shkencore dhe me sa po duket fare pa i lexuar librat per te cilet flasin. Në vend të punëve konkrete të shkruara ata kanë zgjedhur intervistat dhe bisedat televizive që mbeten gjithsesi plotësuese dhe skajore, por nuk janë baza e argumentimeve shkencore. Është mëse e kuptueshme se këtu nuk jemi në caqet e një diskutimi, madje as të një debati, aq të nevojshëm për probleme dhe dilema të tilla historike që ka kultura dhe historia jonë, sepse të debatosh do të thotë të japësh argumentime shkencore. Ja, një lloj i tillë debati, ndoshta më i thelluar, argumentuar e gjithplanësh duhet bërë mbi libra të një niveli të tillë, jo të ”llogorizohesh” në qëndrime të caktuara e jo konkuruese. Nuk është në ndershmërinë intelektuale, as në traditën e një mendjeje të hapur, një metodë e tillë trajtimi për një teme kaq delikate për ndërgjegjjen e një kombi. Përballë saj ndërgjegjja e një shkencëtari duhet të ndalojë dy herë përpara se të flasë e jo të bazohet në përgjigjje që të japin idenë se janë të urdhëruara. Është në detyrën dhe të drejtën e shkencëtarëve që këto teza në diskutim, ndoshta të futen në fondin e teorive “përralla”. Por me debat dhe arsyetime shkencore, dhe jo me mohime kategorike. Vetëm përgjigjia shkencore e analizave të këtyre problemeve sjell përfundime të sakta, se në të kundërt, siç thotë edhe filozofi i madh (Ludvig Witgenshtajn), nëse ndokush nuk ka ndonjë gjë për të thënë, mirë bën të heshtë. Historia nuk duhet të vuajë kurrë nga mediokriteti. Përballë analizave subjektive, të udhëhequra nga bindje dogmatike, paragjykime, pikëpamje tendencioze ose shoviniste, historiani duhet të qëndrojë asnjëanës, serioz, strikt, e mbi të gjitha mbi mish-mashet e krijuar nga dykuptimësitë, gabimet, pavërtetësitë, analizat apo interpretimet e mangëta. Vetëm në bazë të këtyre kushteve shkon përpara historiografia dhe gjuhësia, e për rrjedhojë edhe njohja e së vërtetës. Po nëse tabela e njohjes të së vërtetës do të nënkuptonte një pikësynim të trefishtë: sqarimet historike, një informacion didaktik dhe rivendoja e disa të vërtetave përsa u takon gabimeve të kryera kundrejt historiografisë së Greqisë së lashtë dhe mbulimit të së vërtetës historike të Pellazgëve, Frigjianëve, Thrakëve dhe etnive të tjera parahelene, të cilat mendohet të rrjedhin nga i njejti trung, atëherë përgjigjja do të qe e tillë: qysh prej njëzet e pesë shekujsh një kapak i plumbtë i ka zënë frymën historisë së popujve të parë, të cilët janë në zanafillë të dy qytetërimeve tona më të shquara : qytetërimi grek (nëpërmjet Pellazgëve) dhe qytetërimi romak (nëpëmjet Etruskëve). Në pamje të parë kjo mund të duket edhe si diçka ikonoklaste, por nuk mungojnë pararendës të shquar të rivënies në diskutim të vizionit të zakonshëm të helenizmit, që nga K.O. Müller deri te M.I.Finley, nga Hani, Benlou dhe deri te Ferdinand Brodel. E gjitha kjo nismë, që duhet të kthehet në shteg-shënjuese për albanologjinë tonë, duhet të konsiderohet thjesht një akt i rikthimit të të drejtave një populli të lashtë si dhe rivendosja e një të vërtete të shpërfillur, të harruar apo të fshehur për një kohë të gjatë. Një popull, i cili nis e shfaqet në një qoshk të parahistorisë dhe në kohët më të kahershme të antikitetit parahelen, nuk mund të shpërfillet në të tillë mënyrë apo të hidhet poshtë, pavarësisht se këto studime paraqesin një aspekt krejt të ri të asaj epoke dhe mbi të gjitha tregojnë një fytyrë të Greqisë, e pakta, e kundërt me atë që na kanë mësuar qysh prej shumë kohësh në librat shkollorë, universitarë apo librat shkencore me karakter popullor. Përse nuk është menduar se ky popull nuk mund të rridhte nga Pellazgët (popull autokton dhe me fise të ndryshme) dhe se mund të vinte nga diku tjetër ? Përse janë fshehur pohimet e atyrëve autorëve antikë, të cilët saktësojnë se Pellazgët, popull barbar (d.m.th nuk flisnin greqisht), kishin pushtuar Ballkanin, Egjeun dhe Azinë e Vogël përpara mbërritjes së grekëve ? Pra, pushtuesit helenë nuk mund të ishin trashëgimtarë të një qyetërimi autokon dhe të mëparshëm në kohë ndaj qytetërimit të tyre! Ka një mori të tërë pyetjesh të sjellja nga prurjet e reja, ato që mund të jenë goxha shkencërisht stimuluese për debat. Por ajo çka është më kryesorja: pavarësisht mosekzistencës së një «gjurme të shkruar», a nuk ka tashmë një «gjurmë gojore», të qartë dhe të prekshme, e cila na jep mundësinë të zbulojmë (falë Iliadës dhe Odiseas, poemat pellazge, të cilat rrjedhin nga një traditë gojore) gjuhën, të cilën flisnin Pellazgët, ky popull i madh «parahelen»? A nuk është vallë gjuha shqipe, kjo fosile e gjallë, trashëgimtarja e saj e denjë e dalë nga mugëtirat e kohëve dhe e ringjallur, pothuajse e paprekur falë maleve të paarritshme të Alpeve shqiptare, të cilat do të bëhen strehë për një popull guximtar, të pavarur, këmbëngulës dhe jashtëzakonisht krenar për vendin, gjuhën dhe kulturën e tij. Gabimi i shpikësve të gjuhësisë dhe të etnikës indo-europiane, ka qenë se u bazuan nga njera anë në greqishten dhe latinishten, si burimi parësor i gjuhëve europiane, nismëtare të qytetërimit perëndimor dhe nga ana tjetër në sanskritishten si bazë zanafillore për studimet e tyre krahasuese. Ndërkohë që sanskritishtja e shkruar është një gjuhë bashkëkohore me greqishten, e shkruajtur shumë më pas pellazgjishtes së lashtë apo nëse pranohet, gjuha parahelene e popullsive të mbiquajtura “mikene”. Për fat të keq, asnjë përqasje gjuhësore dhe akoma më pak etno-gjuhësore nuk është bërë midis gjuhës parahelene të Pellazgëve dhe gjuhëve që kanë mbijetuar, të tilla si gjuha frigjiane, etruske, mesapiane, thrako-ilire dhe më në fund gjuha shqipe. Në të vërtetë pjesa më e madhe e specialistëve të historiografisë parahelene dhe të gjuhësisë moderne janë fshehur pas kësaj thënieje lapidare dhe gjithsesi kategorike: “popullsi dhe gjuhë e zhdukur”. Kësisoj i është mbyllur porta për një kohë të gjatë të gjitha hulumtimeve të tjera të mundshme, mos vallë në një qerthull çoroditës dhe në mënyrë të mrekullueshme pa dalje! Aspak. Sot në shumë qarqe akademike është kuptuar që gjuhësia moderne ka mbetur në qorrsokak për shkak të një ideologjie kokëforte, siç është dogma indo-evropiane e përpunuar që prej fundit të shekullit XIX, e që vazhdon të ngrihet mbi themele që kanë mbetur të pandryshuara qysh në fillesat e kësaj disipline relativisht të vonë, të cilët bazohen në hollësi të mirëfillta gjuhësore apo shpesh të rastësishme dhe nuk pasurohen nga njohja e historisë dhe zanafillës së popujve që e flasin apo kanë folur atë gjuhë. Ndaj është shtruar nevoja e ritrajtimit të disa tezave dhe rishikimit të themeleve kryesore të kësaj disipline, me qëllim spastrimin e hulumtimeve të saj mbi “Gjenezën e gjuhës së folur”. Edhe me ndihmën e disiplinave të tjera, kërkohet të arrihet qëllimi që një gjuhë, një dialekt, një nënshtresë apo thjesht një fjalë të vendoset në kontekstin e saj historik dhe mbi të gjitha atë kronologjik. Aq më tepër që ky rishikim është i domosdoshëm duke patur parasysh studimet e fundit dhe hulumtimet e realizuara në fusha të lidhura ngushtë me të, të tilla si historia e lashtë, arkeologjia, etnologjia, antropologjia ose paleontologjia. Ja përse ka ardhur koha që t`i rishikojmë njohuritë tona mbi gjuhësinë moderne. Po cilat janë mangësitë kryesore? Studimet gjuhësore, janë kufizuar në thelb nga ana e specialistëve në shqyrtimin “teknik” të secilës prej gjuhëve të përafërta; Këto studime janë mjaftuar në shënimin e një tërësie faktesh, ndër të cilat shënohen përputhjet pa shpjeguar shkakun. Ato i kushtohen epifenomeneve pa i prekur kurrë në thellësi realitetet e gjuhës. Ato bien në një kurth të formës, për të hulumtuar dallime të vogla të hollësisë pa dhënë një kuptim të vërtetë gjuhësor. Ato përpiqen që të ngrenë një unitet abstrakt duke vendosur një teori të tillë vijimësie, ashtu si e hamendëson “komparatizmi”, etj. Së fundi, e gjitha kjo ndodh në një mjedis të mbyllur pa komunikuar me jashtë si dhe “jashtë kontekstit historik apo zanafillor dhe mbi të gjitha kronologjik, thelbësor për çdo gjuhë të studiuar. Nisur nga pohimi i të gjitha këtyre mangësive, ajo çka propozohet është saktësimi i shkallës së huazimit të një gjuhe në raport me një tjetër, i identifikimit të vërtetësisë historike dhe kronologjisë së elementëve gjuhësorë që kanë luzmuar në këtë apo atë rajon dhe sesi një gjuhë e ardhur, që ka asimiluar një nënshtresë më të lashtë, është zëvendësuar apo mbivendosur ndaj gjuhës autoktone, etj. Kjo është rruga që na hap edhe rivlerësimi në skenën perendimore i shkencës së gjuhësisë, përsa i përket karakterit dhe metodave të studimit të gjuhëve indo-evropioane. Në këtë udhë edhe gjuhëtarët tanë duhet t`i rishikojnë bazat themelore të zanafillës së gjuhëve të mbiquajtura indo-europiane dhe të mos i parcelizojnë te sanskritishtja, greqishtja (gjuhë pothuajse bashkëkohore) apo latinishtja, gjuha më e vonë, e cila u bë gjuhë e folur mbizotëruese dhe e shkruajtur vetëm në shekullin III para Krishtit. Ky gabim vlerësimi e ka çuar gjuhësinë në qorrsokakun ku ajo gjendet në ditët e sotme. Në të vërtetë gjuha pellazge e lashtë, nga e cila shqipja e sotme është një lloj fosile e gjallë, e ka paraprirë të paktën dy apo tri mijë vjet sanskritishten dhe greqishten. Historia sot nuk mund të ribëhet, por të paktën ta rishkruajmë, duke sjellë aty korrigjimet dhe modifikimet e nevojshme. Nuk ka pse rëndësia dhe të ekzistuarit më parë në kohë të Pellazgëve të maskojë apo të fshijë atë që u krijua pas tyre dhe falë tyre. Qytetërimi grek ka patur periudhën e tij të lavdisë, meritat dhe dobësitë e tij, po kështu edhe qytetërimi romak. Këtë askush nuk mund ta mohojë. Për fat të keq në Ballkan, secili ka dashur të shkruajë historinë e tij, d.m.th. ajo që i vjen më përshtat.Janë të shumtë ata që gjithmonë kanë dashur t`i japin vetes stërgjyshër të nderuar, të lashtë, madje autoktonë (në kurriz të popullsive të asimiluara apo të nënshtruara). Por faktet, historia, gjeografia, arkeologjia, antropologjia, gjuhësia dhe Mitologjia ja ku janë ndoshta dhe per për ta përgënjeshtruar këtë. Ndaj duhet të quhet vetëm drejtësi që këtyre popullsive të vjetra parahelene, madje parahistorike, t’u rijapësh të drejtat. ...



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora