E premte, 19.04.2024, 10:39 PM (GMT+1)

Kulturë

Shahu: Skënderbeu në oborrin e Mensur Ismailit

E diele, 23.07.2017, 06:56 PM


BUSTI I SKËNDERBEUT NË OBORRIN E MENSUR ISMAILIT NË BELICË

NGA REXHEP SHAHU

Dikush hedh gurë e baltë kundër Skënderbeut, si qentë që lehin hënën. Thotë i biri i botës, sikur ka jetuar me të atë kohë, se Vojsava, nëna e Skënderbeut ka qenë serbe. Ky mavria që thirret si i ditur, të japë mend, medet ku ka rënë shqiptari i sotëm (!!!), kujton se dhjet flori sa herë dhjet nga goja. Në fakt, sa herë harrohet e behet anonim, ky mavri a malukat hedh shashka të tilla për me përzie pazarin e me dalë në sipërfaqe të pellgut.

Dikush tjetër, shqiptar krejt i zakonshëm, që nuk shtiret si mendimtar, si dijetar, si intelektual e as si zagar me ia kujtue të zotit se unë lehi për ty, pra shqiptari i zakonshëm i kësaj toke i ndërton bust Skënderbeut në oborr të shtëpisë së tij. Kështu ka ndodhë para dy vitesh në Belicë të Strugës në Maqedoni. Kam qenë aty dhe e kam parë me sytë e mi. Mensur Ismaili ka vendosur bustin e Skënderbeut me përmasa reale në oborrin e vilës së tij. Ai nuk ka ditur asgjë se çfarë mund të ketë folur keq ndokush për Skënderbeun. Shqiptari shqiptar vendi nuk dëgjon nga ai vesh. E ndonjë mercenar që paguhet herë andej e herë këndej, leh për të zotin e vet.

Qentë nuk e lehin hënën se duan apo mund ta hanë, por lehin hënën që të thonë me të lehurën e tyre se ne jemi këtu, ja ku jemi dhe mos na lini pa ndonjë kockë që të kemi çfarë të lëpijmë.

Dikush, i braktisur edhe prej vetes së tij, rreket të kapet te bishti i kalit të Skënderbeut për tu ngjitë tek lavdia e ëndërruar.

Dikush i bashkohet korit antishqiptar antiSkënderbe dhe mjaullin për të gjetë një deriçkë për tek lavdia e fama e munguar.

Ndonjë mut i trusur, i thatë, që s’e hanë as pulat, që rri i mrroltë e shtiret si filozof i thuktë, që bën ca rrudha në ballë, e mezi e mban të qeshurën prej qendrimit të vet fallco teksa fotografohet që mendon edhe të kape bolet e kalit të Skënderbeut e veç të flitet për të, të thuhet se është dikush në këtë botë ku nuk e përfill askush dhe nuk e merr askush seriozisht, artikulon teza armiqsh dhe bëhet altoporlant i armiqve të shqiptarëve në emër të kozmopolitizmit dhe të koridoreve të reja fije të holla me Beogradin e vjetër nga katundet më skerka të Shqipërisë, duke rivalizuar shtetarët që hapin koridore legale Tiranë – Beograd.

Këta magarë gërdalla që venë shalla në vend të kërpeshave, harrojnë se u duhen 1200 vjet me përmbysë atë që është ngritë prej Skënderbeut.

Këto magarë gërdalla mbushin ndoshta xhepat nga duar të padukshme që kanë synuar e synojnë ta ndalojnë udhëtimin e Shqipërisë drejt Europës. Udhëtimi i shqiptarëve drejt Europës bëhet vetem me Skënderbeun e askënd tjetër. Ata që nuk duan, paguajnë magarët që të pëllasin kundër Skënderbeut e të na e bëjnë Skënderbeun me nënë serbe a kineze a pakistaneze…

Harrojnë gjithashtu më kryesoren. Se shqiptarët reagojnë ndryshe. E harrojnë këtë reagim popullor që bëhet pa urdhër të askujt dhe nuk e ndalon urdhëri i askujt.

Shqiptarët vazhdojnë ta nderojnë Skënderbeun si zotin e tyre. Jo për inat të ndokujt. Në të gjitha kohërat, edhe në diktaturë, bustet e vogla të Skënderbeut gjendeshin gjithkund me krenari merreshin jepeshin si dhurata dhe ishte në prag të çdo oxhaku busti i Skënderbeut. Shqiptarët që janë shqiptarë rrace reagojnë ndryshe kur vjen puna për heroin e tyre kombëtar. Ata i ngrenë Skënderbeut bust në përmasa reale në oborrin e shtëpisë së tyre dhe kjo gjë u duket krejt, krejt e zakonshme. Rastësisht, dy vjet pasi ka ndodhë ngritja e një busti, rastësisht e mësova dhe po e rrëfej sot, kur i zoti i shtëpisë as e ka ndërmend.

Skënderbeu është mbreti ynë më i madhi, më thotë krejt natyrshëm Mensur Ismaili, një shqiptar patriot, pa leje të askujt, nga fshati Belicë në rrethinat e Strugës të Maqedonisë. Mensuri që i ruan me fanatizëm të rrallë rrënjët e veta, i ka ngritë bust Skënderbeut në oborr të vilës së tij. Skënderbeu është burri ynë i kombit, heroi ynë i vetëm rreth të cilit mblidhemi të gjithë shqiptarët kudo ku jetojmë e punojmë. Skënderbeu është babai ynë, babai i kombit tonë, vijon Mensuri i Belicës, i cili jeton prej 30 vitesh në Zvicër pa i ikë asnjëherë Belices.

Në vitin 2015 Mensuri me familjen e tij, kanë ndërtuar në Belice një bust të Skënderbeut. E kanë vu bustin në oborr të vilës. Që nga aty në 1900 metër lartësi mbidetare Skënderbeu derdh vështrimin mbi Strugë e tej e tej Pollogut. Busti prej 1 metër i lartë, është i gdhendur në gur, në gur të shkulur prej aty. Është i vendosur në një fron guri mbi 1.5 metër të lartë, gur i nxjerrë aty në themelet e kullës apo vilës së tij në Belicë.

Kam plotësuar një ëndërr timen të hershme, më thotë Mensur Ismaili dhe kam plotësuar amanetin e babës për të mos e lëshuar kurrë Belicen. Tani kemi edhe Skënderbeun këtu në Belicë dhe jemi lidhë më shumë me rrënjët tona.

Në mënyrën më të thjeshtë, të pabesueshme, Mensur Ismaili, emigrant prej 30 vitesh në Zvicër, që nuk e lëshon dot Belicën e as ajo atë, më thotë se Skënderbeu na ka mbrojtë, ai na ka ruajtë dhe prandaj jemi shqiptarë.

Unë e përgëzoj i entusiazmuar Mensurin, kur ndjej e shoh zagarhane që lehin në hënë ndaj Skëndebeut. E Mensuri natyrshëm, duke u skuqë si djalë i ri, më thotë, nuk kam ba ndonjë çudi, na i besojmë Skenderbeut, ai na ruan ne shqiptarëve. Na nuk kemi hero ma të madh.

Belica është një fshat shqiptar, me namë e famë në rrethina të Strugës, 1900 metër mbi nivelin e detit, rreth 20 kilometër larg Strugës, në prehër të Malit të Jabllanicës, në kufi me Qartishten e Malin e Kuq në kufirin administrativ mes Shqipërisë e Maqedonisë, por fshat i njohur, me histori të pazbuluar, të pashkruar, të paregjistruar, por me banorë si Mensuri me të tijtë e bashkëfshatrët që janë zgjuar si kurrë më parë për ta mbrojtë e dashtë vendlindjen e tyre dhe për ta nxjerrë në dritë historinë e dikurshme të bujshme vendlindjes dhe historinë e banorëve të saj që janë derdhë gjithandej Europës.

Belica, tashmë fshat vilash hijerënda prej guri, fshat me histori të bujshme njerzish punëtorë e atdhetarë, ka tri kisha një xhami dhe një teqe.

Kishat flasin shqip në themele e çati, në rrënjë e degë në derë e në prag, në votër e oxhak.

Teksa shoh bustin e Skënderbeut në oborrin e vilës së Mensur Ismailit në Belicë të Strugës, teksa shoh të zotët e vilës dhe fëmijët që rrinë me Skënderbeun, harroj e nuk dëgjoj daullet e atyre që shesin baballarët, nënat e motrat e tyre për pak famë, emër e lavdi dhe janë gati të bëjnë gjithçka, ta shesin edhe Skënderbeun, ta bëjnë serb kur s’kishte ende serbë, vetëm e vetëm që të përziejnë ndonjë herë pazarin e të dalin në ndonjë kronikë të blerë televizive apo të sponsorizuar nga antishqiptarët që janë gjithmonë mes nesh.




(Vota: 6 . Mesatare: 3.5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora