Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Viron Kona: Mijëra herë Shqipërinë do t`zgjidhja

| E diele, 23.07.2017, 11:56 AM |


Cikël me epigrame nga Viron Kona

Mijëra herë Shqipërinë do t`zgjidhja

Sikur të më ofronin,

të zgjidhja tjetër atdhe,

mijëra herë Shqipërinë do t`zgjidhja,

më të bukurën mbi Dhe`.

Miqtë e mi

I kam zgjedhur n`dritë të diellit,

n`vështirësi, brenga, gëzime,

s`ka, or s`ka, them, si ata,

bashkë ndajmë edhe thërrime.

Heshtja

Qëndrimi në heshtje,

më shumë se çdo fjalim.

Në heshtje nderohet flamuri,

dëshmorët dhe himni i vendit tim.

Për shokët udhës

Merri  këto kokrra mollë, o bir,

një nga një i kam këputur,

ke edhe për vete,

por edhe për shokët udhës...!

S`ishte dardhë por gorricë

E lëvduan, e ngritën në qiell,

“të zotë” si ai gjeje vetëm në Olimp,

kur erdhi koha të shiheshin frutat,

doli se dardha na qenkej gorricë!

Kur të zhveshën nga pushteti

Kur të zhveshën nga pushteti,

u shfaqe siç të kishte bërë nëna,

veprat me të cilat mburreshe,

qenë  kallinj pa kokrra brenda.

Mjafton një kockë

Zagari që humbi të zotin,

gjeti tjetër zotëri,

ai që në hundë i tundi një kockë,

u bë menjëherë zoti i tij i ri.

Për vete s `gjen dot rrip

I thua barkboshit.

rripin të  shtrëngojë,

për vete s`gjen dot rrip,

barkun e madh të ta rrethojë!

Sheh qimen te fukarai

Sheh qimen te fukarai,

por jo traun te zengjini,

fukarait i tregon Drakonin 1),

zengjinit i ofron mbretërimin.

1).Drakoni (Ligjet drakoniane): Në shekullin e VII para erës së re, në Greqi u bënë ligje që caktonin dënime të rënda edhe për faje të vogla. P.sh ai njëri që vidhte një vilë rrushi në një kopsht të huaj, dënohej me vdekje. Për këto ligje, thoshin se ishin shkruar me gjak dhe jo me bojë. Qeveritari që u  mor me përgatitjen e këtyre ligjeve quhej Drakon, prandaj ato u quajtën drakoniane.

Pamja të  gënjen

E shikon ajsbergun,

një pjesë të vetes tregon,

provo të zhytesh poshtë tij,

të fshehtën ia zbulon1).

Ajsbergu: copë emadhe akulli, që pjesën më të madhe të tij e fsheh nën ujë.

Provoje te vetja

Provoje te vetja,

të keqen që  bëre,

atëherë do kuptosh,

çdo të thotë dhembje.