E premte, 29.03.2024, 12:43 AM (GMT)

Editorial » Sidheri

Elvi Sidheri: Shpëtoni Vojsavën

E shtune, 22.07.2017, 07:11 PM


Shpëtoni Vojsavën

Nga Elvi Sidheri

Kur vihemi të mendojmë për të ëmën e heroit tonë kombëtar Gjergj Kastriotit, mënjanë mirënjohjes që kemi për këtë grua që na dhuroi figurën tonë më të spikatur të gjithë historisë, më pas ndoca kureshtje gjithmonë na e ngjall emri i saj “ekzotik”.

Ekzotik pra, sepse të quheshe “Vojsava” në mesjetë padyshim që nuk pati qenë gjë e rrallë e as e habitshme, ndërsa të këndvështrohet nga ditët e sotme ky emër fisnik, nga kushtet dhe rrethanat e pesë shekujve më pas, do të thotë të thuren sa e sa hipoteza, të ngrihen pikëpyetje e të mitizohen të paqenat duke u (rrekur) të çmitizohen të qenësishmet e së shkuarës sonë historike.

Gjithësesi pra, pa dashur të mbytemi në gotën e zakonshme të ujit ku historikisht shqiptari nuk shuan etjen, por rregullisht është mbytur si pa të keq, e çfarë rëndësi na paskërka kombësia e Vojsavës sidoqoftë?

Kë nuk e zë gjumi sot në 2017-ën për origjinën etnike të mëmës së heroit dhe kryetrimit tonë të vetëm të historisë?

Ne (shqiptarët) që akoma, pavarësisht qindra e mijëra të dhënave, nuk e luajmë thojin e vogël të gishtit të vogël të këmbës, për të përmendur nënën iliro-epirote të Aleksandrit të Madh (Olimbinë-Myrtalin), gruan e bukur, krenare e të fisme, (jo rastësisht të interpretuar mjeshtërisht nga e hijshmja Angelina Jolie në “Colossal-in” hollivudian ALEXANDER, që shquhej në film për përçmimin e saj në kufijtë e racizmit për maqedonasit e lashtë të burrit të saj iliro-maqedonas Filipit II, nga të cilët e dallonte në çdo komunikim të saj me të, të birin Aleksandrin, duke i thënë tekstualisht “Ti nuk je si këta bir, ti je si ne të Epirit, ti je nipi i Alikit mitik”, duke nënkuptuar kështu një rrugë e dy punë në filmin e paharrueshëm, se as Akili ndopak helen nuk ishte, por edhe ay ilir dhe pikë... Të mençur këta regjisorët e Hollivudit pra, ndonëse jashtë vëmendjes tonë ndaj këtyre “detajeve” kaq të rëndësishme e të veçanta).

Se mos këputemi gjë duke kujtuar të ëmën e shenjtë (nga të gjitha kishat e mëdha të denominacioneve të krishtera) Shën Elenën e Kostandinit të Madh, perandorit ilir që i dha dhjetë shekuj jetë të mëtejshme Perandorisë Romake, themeluesit të Bizantit e Kostandinopojës, legalizuesit të Krishtërimit dhe kanonizuesit të tij të parë?

Ncuq, edhe për të pikën e vëmendjes historike.

Prandaj fort e çuditshme tingëllon që të shpërfaqim një kërshëri të tillë kaq morboze prej “voyeur-istësh” që i aviten vërrës së çelësit të intimiteteve të tjetrës, për gjakun arbëror apo të dyshimtë sllav të Vojsavës nga Pollogu, që sot qëllon të gjendet në IRJ Maqedoni.

Dhe këtë e bëjmë duke harruar se në mesjetë veçanërisht, koncepti i kombësisë dhe ai i fisnikërisë qenë dy gjëra që kryqëzoheshin herë pas here, duke mbetur prapëseprapë përgjithësisht të ndara sipas kateve të ndryshme të shkallës sociale e cila rrallëherë pyeste për origjinë etnike, duke privilegjuar të qenët “gjak blu” i pastër, përpara gjithçkaje tjetër.

Fisnikët mesjetarë martoheshin për interesa dinastike, për prona, troje, shpesh edhe për shtete e principata të tëra, pa e vrarë as largësisht mendjen për gjindjen që sundohej nga princi apo mbreti që martohej me princesën, dukeshën apo mbretëreshën përkatëse.

Kështu që mendjengushtësia e sotme shqiptare lidhur me prejardhjen e Vojsavës, përbën konfirmimin e rregullit të dritëshkurtësisë tonë tipike sa i përket historisë sonë në veçanti, diçka e paimagjinueshme për të gjithë popujt e tjerë europianë dhe gjithaq edhe fqinjët tanë.

Të gjesh dikë në Greqi apo Bullgari që të merret me origjinën e ish mbretërve të këtyre vendeve (gjermanë të dyja palët), është krejt e pamundur, pasi rëndësi i jepet fare normalisht punës dhe përkushtimit të tyre për të mirën e shtetformimit të këtyre vendeve nga zeroja.

Së fundi, edhe anëtarësimi i Bullgarisë në BE dhjetë vite më parë, ishte meritë e plotë e ish kryeministrit Simeon Saksoburgotski, pinjoll i ish familjes mbretërore të këtij vendi jo të largët nga ne, që ndejti në pushtet mjaftueshëm sa për ta anëtarësuar vendin e tij në Bashkimin Europian, duke i bërë kështu shërbimin e fundit shtetit ku patën mbretëruar gjyshërit e vet.

Vështirë që ndonjë bullgar të ankohet për origjinën e huaj të tij.

Po aq nuk ankohen italianët nga një mbretëreshë malazeze që kanë patur një shekull më parë. As spanjollët sot e kësaj dite nuk ankohen për familjen e tyre mbretërore (Burbonët) me origjinë frënge. Aq më pak belgët për një mbretëreshë me origjinë italiane, rusët për Ekaterinën e Madhe prusiane, etj pafund.

Vetëm neve dimë ta gjejmë qimen në vezë përherë në një mëtim të pandalshëm drejt (vetë)rrënimit të miteve tona të vetme historike, duke e mishëruar gjithnjë një tjetër mit tonin të lashtë, atë të Rozafës që ndërtohet ditën dhe rrënohet natën... nga vetë ne pra. Gjithçka që kemi ndërtuar apo vijojmë të ndërtojmë në historinë tonë, vetë shkojmë ta rrënojmë entuziazmueshëm natën.

Nuk e di çfarë sindromi është ky, por mund ta cilësojmë thjesht si “Budallallikus pashërueshmensis kurrensis albanensis” dhe pikë.

Për ta mbyllur, mos ankohet ndonjë serb gjë për origjinën shqiptare të Shën Angjelinës (Angjelina Arianit Komnenit), kunatës së Gjergj Kastriotit pra, të cilës i gjunjëzohen të gjithë pavarësisht prejardhjes arbërore të saj?

Nuk e bëjnë dhe as që u shkon mendja ta bëjnë, pasi ia vlerësojnë tërë pjesën e jetës së saj të kaluar pranë Stefan Brankoviçit.

Të gjitha këto nuk duan të thonë se Vojsava ishte arbërore apo sllave për nga origjina përfundimisht, por thjesht të vënë në dukje faktin se në mesjetë kufijtë etnikë, aq më tepër në Ballkan, aq më shumë në periudhën e hordhive turke, qenë një nocion tepër fluid, i papërcaktueshëm dhe i ngatërruar sesa ç’do të mund të ishte në ditët e sotme.

Por ne besojmë fuqishëm se ajo ishte gjaku ynë, nëna vigane e gjigantit të historisë sonë, njeriut që me shpatë e mendje na e çau udhën mes territ turk gjer në ditët e sotme.

Dhe një gruaje të tillë, sidoqoftë nevojtet t’ia kursejmë hamendësimet tona të cekta dhe cinike për gjakun e saj, që mund të cilësohet veç si fisnik, padyshim blu dhe i kuq, ashtu si flamuri i të birit të saj legjendar!



(Vota: 14 . Mesatare: 4.5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora