Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Partizani, jo i denjë për Dhëmbin e Vllazninë

| E hene, 01.09.2008, 12:00 PM |


Autori: Ilir Cara

Dje të kuqtë kanë zhvilluar një lojë me dy fytyra, ku në të parën nuk ekzistonin, në të dytën përpiqen disi

Partizani - Vllaznia 1-2
Shënues: Karapici 62?/ Sinani 23?, Dhëmbi 52?

Partizani: Shehi, Hallaçi, Pinari, Mallota, Tafaj, Kalari, Capo Babamusta (Përlleshi 58?), Gjyla, Karapici, Ngjela (Bakaj 46?) (Karabeci 70?). Trajner: H. Lika

Vllaznia: Grima, Smajli, Lici, Bashiç, Beqiri, Belisha (Doçi 58?), Boadu, Nallbani, Dhëmbi, Kaçi (Osja 41?), Sinani (Hoti 81?)
Trajner: A. Canaj
Gjyqtarë: B. Pashaj, S. Avdo (Tiranë), F. Lamaj (Durrës)
Kartonë të verdhë: Mallota, Gjyla, Belisha, Beqiri, Nallbani

“Radiografia”

3?- Smajli nga e djathta lëshon një kros në zonën e të kuqve dhe është Sinani, që e shfrytëzon pasin, por topi i gjuajtur nga shkodrani përfundon mbi traversë.
4?- Përsëri Sinani mundohet të shënojë, por gjuajtja e tij pritet nga portieri Shehi.
10?- Dhëmbi provon nga larg, por jashtë.
21?- Kaçi për një moment përfiton nga një gabim i të kuqve dhe në kohën që do të godiste është Pinari që e largon rrezikun.
23?- Kaçi nga e majta lëshon një top në zonën e Partizanit, mbrojtësit e kuq zihen në “gjumë” dhe është Sinani që afër portës arrin të shënojë dhe 0-1 për kuqeblutë.
30?- Goditje dënimi për shkodranët dhe është Sinani, që gjuan tokas dhe pret Shehi në dy kohë.
36?- Mosmarrëveshje në mbrojtjen e Partizanit, përfiton Kaçi që godet, por topi përplaset te Hallaçi dhe jashtë.
39?- Goditje dënimi për të kuqtë. Gjuan Capo dhe pret Grima.
47?- Hallaçi nga e majta lëshon një kros në zonën mike, por topi kontrollohet nga portieri Grima.
48?- Boadu vërshon drejt portës së Shehit dhe në fund lëshon një pasim për Dhëmbin, i cili i lirë brenda zonës gjuan jashtë.
50?- Sulm i të kuqve nga e majta dhe është Karapici që ka hapësirë, hyn në zonën mike, por gabon në fund, pasi gjuajtja e tij përfundon jashtë.
52?- Dhëmbi rikuperon një top në mesfushë më pas kombinon me Sinanin, që ecën drejt portës së Partizanit dhe në fund shërben përsëri për Dhëmbin, i cili hyn në zonë, gjuan bukur dhe shënon gol dhe rezultati shkon në 0-2.
57?- Goditje dënimi për të kuqtë. Bakaj godet topin dhe është Grima që grushton.
58?- Boadu lëviz bukur me topin dhe në kufinjtë e zonës së kuqe lëshon një pasim goli për Sinanin, i cili nuk ka forcën e duhur për të konkretizuar.
62?- Goditje dënimi për Partizanin. Është Bakaj që godet nga një distancë e largët dhe largon mbrojtja mike, por topi përfundon te Karapici, që nga një largësi rreth 20 metra gjuan fort dhe shënon një gol vërtet të bukur, 1-2.
65?- Provon Kalari, por topi përfundon jashtë kuadratit të mbrojtuar nga Grima.
69- Përlleshi pason për Capon, që godet nga larg, por përsëri jashtë.
88?- Goditje dënimi për Partizanin. Gjuan Karapici, por topi përfundon mbi traun e portës së Grimës.

Komenti

Pas nisjes pozitive që Partizani i bëri kampionatit në fushën e Lushnjës, pritej që të dielën të kuqtë të merrnin një tjetër rezultat pozitiv, pasi luanin në fushën e tyre ndaj një Vllaznie të dërrmuar nga dendësia e ndeshjeve. Por pasditja e djeshme nuk e ka dërguar ujin në mullirin e të kuqve, pasi shkodranët u treguan të aftë që në “Qemal Stafa” të arrinin një fitore me vlera. Pra, takimi i javës së dytë midis Partizanit dhe Vllaznisë u fitua nga miqtë me rezultatin 1-2. Megjithëse mendohej se Partizani do të ishte më i freskët se shkodranët që të enjten u shkatërruan në Napoli, përsëri pjesa e parë foli për kuqeblutë e Agim Canajt. Edhe dje trajneri Lika nuk e kishte të plotë grupin, pasi Elis Bakaj nuk ndihej i rikuperuar plotësisht, në të njëjtën pozitë ndodhej edhe mbrojtësi Shala. Gjithashtu tri përforcimet e reja, Roma, Bruno dhe Rrudho nuk mund të përdoreshin, pasi nuk kanë kondicionin e duhur. Kështu që pak a shumë mendohej se çfarë fati do të kishte Partizani, pasi momentalisht te të kuqtë më shumë peshon fanella sesa skuadra. Në pjesën e parë “demat” ishin hija e vetvetes. Asnjë repart nuk funksiononte, në mbrojtje shikohej një mefshtësi, që shkodranët arritën ta shfrytëzojnë në minutën e 23-të me anë të Sinanit. Mesfusha e të kuqve pothuajse nuk ekzistonte, gjithashtu edhe sulmi nuk dukej asnjëherë në zonën e shkodranëve. Në këtë pjesë vendosi eksperienca e lojtarëve të Vllaznisë, pasi te kuqeblutë dukeshin qartë pasojet e ndeshjes me Napolin. Por Partizani nuk kishte forcën e duhur për të shfrytëzuar hendekun e miqëve. Në pjesën e dytë trajneri Lika, i kushtëzuar nga disavantazhi, rrezikon me aktivizimin e Bakajt, i cili pas 23 minutash rezulton fatal, pasi sulmuesi dëmtohet përsëri dhe lë fushën e lojës. Megjithatë, gjatë kësaj kohe, veprimet e Bakajt sikur i dhanë më shumë dinamizëm lojës së Partizanit, i cili në minutën e shtatë të pjesës së dytë ndëshkohet nga ish-mesfushori i tyre Paulin Dhëmbi. Me kalimin e minutave dukej qartë lodhja e shkodranëve dhe rritja e rrezikshmërisë së të kuqve, por përsëri Partizani nuk shënon më shumë se një gol. Dukej qartë se Partizani i sezonit të ri ka ndryshuar shumë, pasi elementi eksperiencë dhe cilësi mungon në radhët e “demave të kuq”. Gjithashtu në takimin e djeshëm midis Partizanit dhe Vllaznisë gjykimi i Pashajt nuk ishte në shkallën e duhur, megjithatë nuk ndikoi në rezultatin e takimit. Këtë mendim pati edhe trajneri Lika në përfundim të ndeshjes. Me atë që ka treguar Partizani në pjesën e parë, mesi i tabelës do të ishte arritje e madhe, por gjithsesi jetohet me shpresë, pasi janë afruar disa futbollistë që mendohet se janë cilësorë dhe në javët në vazhdim do të marrin “për dore” fatet e të kuqve. Askush nuk mund ta parashikojë të ardhmen e Partizanit, por nëse ecet si dje me Vllazninë, pa dyshim që te të kuqtë nuk ka të ardhme.

Deklaruan:

Hasan Lika, trajner i Partizanit: “Ishim përgatitur të jepnim maksimumin ndaj një kundërshtari të fortë si Vllaznia. Për momentin shkodranët kanë një kontigjent më cilësor se ne dhe në pjesën e parë luajtën me mirë, ndërsa Partizani në njëfarë mënyre në këtë pjesë pati mangësi. Në pjesën e dytë, ku po largohej dita dhe afrohej nata, edhe ne ndryshuam. Në pjesën e dytë luajtëm më mirë dhe ishim afër barazimit. Gjithsesi, golat e miqëve ndikuan shumë në ecurinë e lojës sonë. Lojtarët e rinj dhe pa eksperiencën e duhur krijojnë ato boshllëqe të cilësisë që mund të na çonin të paktën te një barazim. Gjithsesi, e uroj Vllazninë për lojën që zhvilloi. Mendoj se gjyqtari duhej të ishte treguar shumë më i saktë në vendimet e tij. Gjykimi nuk ndikoi në rezultat, por nuk ndihmoi as në zhvillim normal të lojës.”
Agim Canaj, trajner i Vllaznisë: “E kishim vlerësuar shumë ndeshjen, pavarësisht se në dy javët e fundit kemi pasur një dendësi, sepse nga 14 gushti deri me 31 gusht kemi luajtur gjashtë takime të forta. Gjithashtu, me ikjen e disa lojtarëve, kontigjenti u cungua, megjithatë sot (dje) vendosi karakteri i futbollistëve, pasi pavarësisht humbjes së thellë me Napolin dhe udhëtimit të vështirë, mendoj se arritëm një rezultat të merituar. Jam i pakënaqur për pjesën e dytë, pasi Partizani mund të na barazonte, kjo për faktin se rënia fizike ishte evidente.”

Të veçanta

- Takimin e djeshëm e kanë ndjekur rreth 200-300 tifozë dhe vihej re se tifozëria e kuqe nuk kishte shpalosur asnjë banderolë.
- Ndryshe nga shkallët e stadiumit, tribuna “VIP” ishte plot, ku ndodheshin presidentët e të dy klube si dhe binte në sy prania e stafit drejtues të kombëtares, me në krye trajnerin holandez Ari Han.
- Në fillin të ndeshjes tifozët e kuq vërshëllenin çdo prekje të topit nga ana e mesfushorit Dhëmbi, që prej ditësh ka kaluar nga Partizani te Vllaznia. Megjithatë, kjo nuk ka ndikuar, por e ka frymëzuar korçarin, pasi shënon ndaj ish-skuadrës së tij që në përballjen e parë.
- Në këtë takim gjyqtari Pashaj ka nxjerrë me të kuqe dy trajnerët e Partizanit, të cilët kanë protestuar për nivelin e gjykimit. Trajneri Gëzdari është larguar nga pankina në minutën e 70-të, ndërsa Lika në minutën e 89-të. Ky e fundit nuk e ka kapërdirë lehtë vendimin e Pashajt.

Rezultatet e javes se dyte

Dinamo Tirana 3-1 Shkumbini
Petricevic 7, Plaku 58, Xhyra 75(o)
Gjata 90

Bylis 2-3 Besa
Kapaj 8, Dalipi 34
Kuli 69(p), 75, Bardhi 80

Teuta 0-1 Tirana
Memelli 42

Flamurtari 0-1 Elbasan
Merxha 90

Apolonia 2-0 Lushnja
Asllani 13, 67
 
Partizani 1-2 Vllaznia
Karapici 62
Sinani 23, Dhembi 52

Renditja               N  P

1 KS Dinamo Tirana 2 4
2 KS Apolonia 2 4
3 KS Vllaznia 2 4
4 KS Elbasani 2 4
5 KF Tirana 2 4
6 KS Shkumbini 2 3
7 KS Besa 2 3
8 FK Partizani 2 3
9 KS Flamurtari 2 3
10 KS Teuta 2 1
11 KS Lushnja 2 0
12 KS Bylis 2 0

Sporti Shqiptar