E premte, 19.04.2024, 11:36 PM (GMT+1)

Kulturë

Ukshin Morina: Mos shko!

E merkure, 19.07.2017, 06:30 PM


Ukshin Morina

MOS SHKO …!!!

Mos shko, jepma dorën dhe ulu pranë hijes së magjishme

të manit, rri këtu pranë meje dhe mbushu me mirazhin

e këtij peizazhi të harlisur, ku era e butë përkund gjethet e hirta …

Mos bëj zë, afrohu dhe hesht, ndryshe shiko,

kjo natyrë e qetë bëhet e egër dhe jep shpirt si një dimër i vjetër.

Mos ik, ndryshe s’do të ndeshesh asnjë qenie të gjallë që të thotë,

se buzëqeshja më është rrënuar si një pemë që vuan në djerrinë.

Zëri yt si një erë qanë fushave të hapura pa anë shkon si një flutur

që s’rron dotë më shumë se një natë vere.

Mos shko, jepma dorën tënde të dridhur e ndalo, këtu tek jam

edhe një herë si një kohë i lidhur pas trupit tënd të hajthshëm

kur mora me vete gëzimin tënd të shfrenuar.

Më thuaj, a s’i more dhe ti të gjitha në agim, kur dielli solli në

praninë tënde  këngën e ëmbël të zogjve të humbur? A s’ishim ne

si lumenjë që shkonim tutje nëpër trungjet e çelura të luleve?

Ik pra, ç’ke, pse nuk shkon?

… askush s’më sheh këtu nën ritmin e zemrës që rënd më rreh,

shko s’të mbaj dot me lutje a përgjërime ndaj ik me natën që po bie.

Unë do të jem këtu, në k’të qytet të vjetër

dhe s’do të shkoj askund për të kërkuar melhem për shpirtin e vrarë,

ndaj  shko, zhvishu nga e shkuara dhe bëje qindra copash imazhin tim.

Të lutem shko,

trishtimi im i ngjanë detit dhe fjalët e mia janë të thyera si valët!

As që më duhet më një qiell i pastër, a drita e hënës verdhamore,

hapma zemrën dhe vështro, mizorisht i lënduar jam,

si një i vdekur që këndon për hijen e vetmisë.

Shko tani udhës tënde dhe mos thuaj se isha i huaj për aq kohë,

sa jehona e dhembjes sime rron me ty si një yll i zvetnuar.

 

 

IKJET E BARDHA TË HIJEVE

 

Sa dhembje ndërsa perëndimi  i gjatë po fiket atje tek shoh madhështinë

e detit tek përkundet butazi në gjumin e rëndë të mbrëmjës.

Sa heshtje, asnjë zhurmë a zë, thuajse valët të kenë përqafuar të

fundem frymë të shpirtit dhe hëna të qe mbytur në detin e thellë.

Ç’natë e venitur këtu, ku prej flokrash të tua bie shi dhe nata mbanë

aromën e lisit të vdekur!

Sa ftohtë nën hijen e gjetheve të njoma, ato bien ashtu siç bien

yjet nga vetmia e gjatë, ku fanitej zëri yt i tretur nga brengosja e diellit

të vjeshtës.

Nata ime, ti e di, mbi ty dremit dhembja dhe gjumi ëmbël ndaj fli,

shpirti im që prej kaq shumë kohësh mbanë vështrimin e syve të njomur.

Zot i erës. ti e din’ se me ç’forcë të shpirtit e fshehi atë zjarr të praruar

të diellit në zemër, ndaj çoftë përherë i lehtë ajri për fluturimin e zogjve të

vegjël, që s’janë tjetër veçse këngët e mia të mbetura në shtërngatën e ftohtë

të dimrit!

Çoftë përherë e hapur udha e tyre përmbi natë, kjo erë e ngrohtë e luleve të

bardha, kjo ditë e magjishme e gushtit që mbushë shkretinë me dritë,

kjo heshtje solemne  e trishtimit tim!

Këngët e mia u ngritën për ty që nga errësira në hymne, si valë koncentrike për

të prekur hijet e bardha të ikjeve, pëshpërimën e ditës  që po nis  dhe kodrat e

zhveshura midis detit.

Ti mbete një regëtimë e rrëzuar, pa zjarrin e ngrohtë të qërshorit dhe shkove

përgjithmonë larg prej këtu, ku ëndrrat vdesin

dhe dritë e ëmbël fashitet nga zhurmat e trishta të mirazhit tënd.

Ti larg përpara syve të lodhur nën rreflektimin e prushit të ndezur në qiell,

o frymë e ëmbël, e pamundur me duket vdekja jote, gjersa trupi i pakallur,

ka ende frymën e shpirtit tim në jetë.

 

 

ËNDRRA IME PA KTHIM

 

Dhe era më e ftohtë e natës ndër rrënoja,

errësirën se le të bie më në gjumë.

që nga heshtja e detit të zemruar,

Dhembja zemrën pa reshtur ma lëkund.

 

Mbi ty arnohen gjithë gjethet e stineve,

të arta si dielli në prarim.

I shoh që mbi floknajën tënde rriten,

Si hëna e ndritshme plot shkëlqim.

 

Qielli sa i shkretë pa dritë e pa yje,

Pa zë e pa shpresë si kurrë më par’ në jetë.

I thinjur, i plakur i zhytur në dremitje,

me rrënjët e thara si një lis pa degë.

 

Dhe vjeshta mërgimtare pa lule, pa aromë,

ç’hidhërim i mbetur u shua si një zjarr?

Ca tingujt që larg  i binte era vrullshëm,

nën zë një këngë kuiste si në vaj.

 

Nëpër shtegun e pyllzuar ti vjen si një stuhi,

e mbi mua shembesh me uri e tërbim.

Me gjokset e ngritura zhveshur e çliruar,

dhe mbete ti ëndrra ime pa kthim.

 

Dhe unë tretem nga dëshira,

për ty virgjëreshë e mbështjellë me kaltërsi.

Mes pishnajash të qeshur të qërshorit,

me dritën e hënës në sy.

 

E zhveshur mes krahësh të gjetheve shtruar,

në tingujt e stuhisë ashtu si një përrallë.

Erdhe me tërbimin e saj të shfrenuar,

si dihatja e valës së qeshur mbi dallgë.

 

Për ty luaj për çdo mbrëmje në kitarë,

kur ëmbël më puth prush’ i buzëve  tua.

I veshur me gëzim e më mall si asnjëherë,

ti mbushë shpirtin tim të mërguar.

 

 

LERMA SHPIRTIN TË LIRË PERËNDESHË!

 

Në ecjen time je ti bashkë me kohën që rrjedh në udhët e mia

dhe shtrohesh mbi lëkurë,

ku nën timen këmishë të grisur ndihet gulçima e përgjakur e zemrës.

Kjo zemër, që prej njëmijë vjetësh e shkuar dëshifron mallin për ty

e përgjithmonshmja ime, dashuria s’mund të pres e vetme përgjitmonë

dhe vjen një ditë kur vdes, ndaj më prit të jetojmë për kohën e mbetur.

Unë do të vij, si një shtjell’ e bardhë reje në çdo lindje të diellit,bashkë me

këngët e mia, që i këndoja për ty, kur shpirti të binte në dhembje.

Koha ime brenda meje i shtrinë krahët, si një degë dhe gjethet e njoma

flasin në gjumin tim me pëshpëritjen e beftë të erës.

Ti je këtu pranë varrit e ulur mbi një gurë të zi, duke pritur, që mbi udhën

e shkretë të bie hëna.

Kjo ikonë e shenjtë, dritë për ty që pret në varre, përtej jehonës së qetë

të natës, ku thekrat e lagështa prekin mollëzat e tua të ngrira.

Unë të shohë ty dashuria ime, që mbi ty rigon dhe rrjedh çurgu i ftohtë i

shiut.

Që atëherë nata ime u vesh me mjergull dhe prej trupit tim m’u shkoqën

krahët si një kalli.

E tash, që kur ti je lag me duar të zgjatura, do kuptosh se vet jeta është

një mekat, ku nëpër çdo stinë të vitit do ta kesh një tragjedi të re.

Ky zjarr që djeg, kjo flakë mbi të cilën shpirtin e lash të ndizet, si një dritë

për zogjtë e natës që rëmojnë në vramendjen time.

Mos i trazo ato! … leri që prej trupit tim të marrin lirinë tënde të shpirtit,

gjithçka të mbetur aty, që kur u largova si një shtërngatë.

Zogjtë vdesin gjithmonë në fluturim, ato jan’ shpirtra të shenjtë që çukitin

të parët në dritën e bekuar të agut.

Lerma shpirtin  të lirë, për zemrën time, më mjafton veç pak të di për ty,

që jeton në stuhitë e pasionit tim, lermi duart e mia të vërshojnë 

harlisjen e zhveshur nudo, lermë të  t’i puth buzët e ndezura si prushi i një

natë të ftotë dimri, të  prek gjokset e shpënguara që më shpojnë thithkat

në trup.

Lermë të bie në paqe mbretëreshë, kur ti shfaqesh, uragane të fuqishme

zgjohen brenda meje dhe qiellin e shkund nga dremitja.

Lermë të të dua, a të kujtoj dhe pse gjithë gëzimet e tua u përmbysën në

vaj, që kur për ty nuk pata më tepër orë dhe çaste.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora