Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Vullnet Mato: Po të ishte Migjeni gjallë

| E hene, 17.07.2017, 07:10 PM |


Vullnet Mato

 

PO TË ISHTE MIGJENI GJALLË...

 

Qytetet tona nga Jugu në Veri,

për ujin veror vuajnë shumë,

kur kushdo, shikon me sy,

se çdo qytet, ka pranë një lumë.

 

Po t’i mbledhim lumenjtë bashkë,

me ujin që derdhet në dy dete,

Shqipëria noton me gjithë kafshë,

mbi varkë, si e Noes, në fillim jete.

 

Por ne na mungon Noja i largët,

apo Berluskoni fqinj i Shqipërisë,

që deshi mbi det, syrin e kaltër,

të kalonte, për sofrat e Italisë...

 

Durrësi, Vlora Saranda, bregdeti,

ftojnë turistë nga çdo anë e botës,

Po kur vijnë, u shkërmoqet qejfi,

se shpesh u mungon dhe uji i gotës.

 

Çdo kryetar i ri, kur vjen në Tiranë,

premton ujin për njëzetekatër orë,

por me premtime, buzët na u thanë,

dhe ata ikin si dashi me këmborë!...

 

Shtetet e tjerë, ngrenë ujin përpjetë,

në pishina e shatërvanë e lartojnë,

të freskohen nga vapa ajri dhe retë.

Ne ngremë pallate ku çezmat s’pikojnë.

 

Në vend të tubave, që ujin të sjellin,

shtrojmë pllaka, duke hequr të parat,

vëmë fondet klloçka, gjethe të pjellin,

nëpër trungjet e palmave të thara...

 

Blejmë ujë më bidonë, në autobotë,

mbushur diku përrenjve, të dyshimtë,

por me rrogë, nuk ia dalim dot,

se na mbeten pa bukë çiliminjtë...

 

Dhe duke pritur, me trupin të palarë,

çezmat bashkiake të pikojnë gjer vonë,

dëgjojmë në televizion, zotin kryetar:

“Kemi ujë të bollshëm, por na mungon!...”

 

 

LOTI PËR NJË SPIUN

 

Ai që më përndoqi, si askush më parë,

qe spiun që shkruante poema politike.

Ishte caktuar nga partia, si kryetar,

në celulën tonë të lidhjes artistike.

 

Ishte një tinëzar i heshtur e i pabesë,

shkelte pas çdo gjurmë të penës tënde.

Ulej paftuar në karrigen bosh të kafenesë,

vilte frutat e papjekura që kishe në mëndje.

 

Dy poetë të rinj, me talent të vërtetë,

denoncoi me shkrim në sigurimin e shtetit.

Vjershat e tyre shkuan në gjyq të rreptë,

ata u pushkatuan, për nxirje të realitetit.

 

Ndonëse me disa romane konkurruese,

më denigroi, me smirën e tij të tërbuar,

më linte jashtë listave, për leje krijuese,

gërmonte të më gjente mendim të gabuar.

 

Së fundi, më denoncoi, diellin qiellor,

sikur ishte partia, që digjte në vjershë.

Pas diskutimeve, inkuizicioni hetimor,

më ndaloi botimin për pesë vjet.

 

Ai bëri ç’mundi, me të tëra ligësitë,

duke njoftuar redaksitë, se isha goditur.

Ndoshta, për gjynahet e tij një ditë,

zoti e hoqi para kohe, krejt papritur.

 

Nuk u gëzova, që iku nga kjo botë,

se për asnjë s’kam pasur shpirt katili,

po nëse për të, duhej derdhur një pikë lot,

atë ia vodha fshehtas, një krokodili...

 

 

GABEL GURALIU

 

Gabeli me mustaqet dy pëllëmbë e ca,

ka një bark të rrumbullt, si fuçi birrash,

ka pranë dy dashnore me sisë të mëdha,

ka xhepa të ënjtur, me para vjetërsirash.

 

Gabeli bllokon klubin, ku këndon tallava,

dhe vë përpara qengjin e pjekur në tavë.

Hedh për kamerierin bakshish në tabaka,

aq sa i paguan pronari punën një javë.

 

Kur më pikasi mua, që më ka komshi,

ai u gajas së qeshuri, me zë të çjerrë:

“Çoi nga unë një birrë, atij robit aty!”...

urdhëroi kamerierin me ton të prerë;

 

Dhe tha: ”Kam gjynah për atë rob zoti,

se mban dritën ndezur, deri në saba,

bën libra në vapë, e kur të than i ftohti,

dhe e paguajnë të hajë supë, si kalama!”

 

U ndjeva aq keq, sa desha ta lë klubin...

Por dashnorja e dehur, më ktheu si zuzare:

-Pije birrën për mua, o Aga, se ta heq turpin,

po ta shtypa kokën mes sisëve, si kokërr arre!

 

Më ngeci në fyt birra e gabelit milioner,

dhe u betova, për gjithë profetët e shenjtëruar,

në klubin e lagjes, nuk do hy më tjetër herë,

ta kem dhe kokën aq mizorisht të rrezikuar!...

 

 

GJARPRI I SHTËPISË

 

Gjarpri i shtëpisë bashkëjeton me njerëzit

dhe i ka frikë ata, më shumë nga sa e kanë.

Por nuk i pickon, nëse nuk i prekin brezin,

që zgjat natën, të kapë minj në çdo anë.

 

Kohët tregojnë se edhe njerëzve të shtëpisë,

u fle brenda vetes një gjarpër kutullaç, i zi.

Ndryshe si shpjegohet kur në familje e në fis,

dikujt i zgjohet gjarpri, të vrasë njeriun e tij?

 

E tmerrshme të mendosh, nëna rrit gjarpër në gji

dhe vëllai puth e përqafon gjarprin e vet binjak.

Nuk ka humnerë më të thellë, ku bie ai njeri,

që bëhet gjarpër, pasi ka dalë nga i njëjti bark!...

 

Kur nusja bëhet gjarpër helmues për vjehrrën,

apo burri që fle në një dyshek me nënën e fëmisë,

bën gati tinëz helmin e pickimit të tmerrshëm,

duke u bërë më i rrezikshëm se gjarpri i shtëpisë!...

 

Thirrni mendjes, o të kapluar nga instinkti vrasës,

ju të pashpirt, pa ndjenja e gjakësor tmerrësisht,

që e bëni njeriun, më egërsirë nga gjithë kafshët,

kur në këtë planet njerëzor, keni lindur gabimisht!...

 

 

HATSHEPSUTA DHE TEUTA

 

A nuk ishte faraonesha Hatshepsuta,

me Kleopatrën e brigjeve egjiptjane,

më pas mbretëresha jonë Teuta,

me sokoleshën malore, Shotën Dardane,

 

Që u prinë mugëtirave të historisë,

me shpatat e tyre dyfish burrërore,

me jataganin dhe harkun e dashurisë,

ndritën kohërat me bëma femërore?

 

A nuk ka treguar peshorja e barazisë,

se gratë e kanë njësoj peshën gjinore?

Pse s’e kuptojnë, ca burrecë të burrërisë,

që vrasin gratë me forcën muskulore?

 

Këtë bëmë të saj, nga më kryesoret bëmë,

fare të qartë, për çdo mendje të vonuar,

se femra krijon dhe ngre njeriun në këmbë,

vetëm nga një qelizë e fekonduar;

 

Se gruaja në jetën njerëzore universale,

është një qenie e formuar, me atë veçanti,

që i tejkalon nga burri, dallimet seksuale,

si mrekulli e natyrës, me mjaft përsosmëri.

 

Ku jetoni, o fanatikë të patriarkalizmit,

nuk jeni në egërsinë e lashtë prehistorike,

por në shekujt, kur mendja e njerëzimit,

po vrapon drejt botëve të tjera kozmike!...

 

 

TË PRES TË VISH PËRSËRI!...

(Pritja nostalgjike e të vetmuarit Nako)

 

Eja e dashur, të pres të vish nga largësitë e tua!

Pa ty, kam përjetuar vetëm dimërime trishtimi.

Stina e dëfrimeve verore, ke qenë veç ti, për mua,

besoj, e ke kuptuar, pas asaj kotësie zemërimi...

 

Mos kujto se do bëj për ty, ndonjë orgji të madhe,

ato i harxhuam kur vije me këmishë prej reje pupëlore,

kur dielli lindte në buzët e tua, me agime ngjyrë alle,

e perëndonte te këmbët, me muzgjet e mia frymore.

 

Gjatë asaj kohe, unë bëhesha për ty burim qiellor,

ku thithje me etje nektarin e djalërisë së ëmbël

dhe trupi yt i magnetizuar, me gravitet vajzëror,

më paralizonte tërësisht, nga koka deri te këmbët...

 

Ti nuk kishe në trup shenjat, si çdo gjallesë femërore,

por çelje petale edhe në poret aromatike të djersës,

në frutat e gjinjve kishe glukozën e gjithë pemëve frutore

dhe në luleshtrydhet sipër tyre, kishe drithërimin dehës.

 

Në prehrin tënd intim, ti kishe pasur qiellin e shtatë,

ku më çoje përtej yjeve, nëpër hapësira të pamata

dhe ndjehesha, si kozmonauti tokësor, më me fat,

mbi atë raketë mishtore, ku s’doja të kthehesha prapa...

 

Eja!... se tani s’kam ndërmend të rikthej vitet e rinisë,

pasi trupat tanë, i kemi çmendur me dashuri të çdo stili,

dua të shoh veç nurin, që të ka dhënë koha e pjekurisë,

të çmallem me zërin tënd, që ia kalon çdo kënge bilbili...

 

Eja, mos u druaj aspak, se je e lirë të kthehesh sërish,

në folenë tënde, ku gjatë viteve të fundit je strukur,

me shpirt të ripërtërirë, pasi të çmallesh prej nostalgjisë,

më e mirë nga ç’ke qenë dhe shumë herë më e bukur!...