Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Fahri Xharra: Shaban Murati, për fantazmën që rrezikon

| E enjte, 13.07.2017, 07:48 PM |


Shaban Murati, për fantazmën që rrezikon

Nga Fahri Xharra

“Një fantazmë e rrezikshme sillet korridoreve të zyrave të BE-së në Bruksel. Kjo është fantazma e jugosllavizmit, e cila ëndërron të krijojë ish-Jugosllavinë, me pesë shtete, që dolën prej saj, pa Slloveninë dhe plus Shqipërinë”. (“Profile të diplomacisë europiane në Ballkan”, 2010, fq.54). … Ja kështu na paralajmëronte Shaban Murati , diplomat karriere dhe gazetar. ( Autor i shume librave , shkrimeve dhe komenteve mbi marredheniet nderkombetare dhe rolin e Shqipërise ne to. )

Nuk mundem të kuptoj se një popull i vjetër si ne,  ende nuk e lindëm një politikan kombëtar , një strateg  i të ardhmes së kombit dhe një bashkërendues të fatit tonë.

Kur , ato vite flitej që po qarkullon një fantazmë e rrezikshme zyrave të BE-së në Bruksel, ne me atë guximin tonë prej përralloje  bazoheshim vetëm në shkrimet e gazetarucëve  dhe talleshim ndër veti. E mendonim se ne jemi ata , ku bota sillet  vetëm rreth boshtit tonë.

Europa ,( vaj për ne që ende nuk e mësuam politikën afatgjate ,të strategëve të mëdhenj ) nuk e thotë sot për sot ; ajo e përgatitë terrenin me vite të tërë, së pari për opinionin e vet e pastaj kur e thotë të madhen ajo kryhet.

Sa vjet iu deshtën Europës t` bindë së pari vetveten e pastaj edhe neve për domosdonë e bombardimit të Serbisë ,më 1999 ? Dhe e bëri .

Zoti Shaban Murati shkruante  : “Ka një presion të vazhdueshëm 17-vjeçar mbi diplomacinë shqiptare për të pranuar pa u menduar çdo lloj projekti apo grupimi ballkaniko-perëndimor, të cilat bien të gjitha era jugosllavizëm. Që nga konceptet e “integrimit rajonal ballkanik përpara integrimit europian”, krijimi i një tregu të përbashkët ballkanik, i një bashkimi doganor ballkanik, i një parlamenti ballkanik apo i policisë ballkanike, e deri te projekti efemer i quajtur “Ballkan 6”, janë hartuar mbi arketipin e Jugosllavisë së vjetër. Në një analizë me titull “Një Jugosllavi e re me dy shtete shqiptare”, kur u shpall nisma “Ballkan 6” katër vjet më parë, kam shkruar se ”Unoni ballkaniko-perëndimor shfaqet si një reminishencë e ideve dhe përpjekjeve jugonostalgjike të rikrijimit të Jugosllavisë. Shqipëria dhe Kosova nuk mund të kenë asnjë interes diplomatik, politik, kombëtar dhe strategjik, të futen nën ombrellën e ndonjë Jugosllavie te re”. (“Diplomacia shqiptare në kërkim të identitetit”, 2013, fq.148). “

Të ndalemi pak dhe të pyesim veten se a e arsyetuam veten si shtete të menaxhuara nga vet ne në këto 25  vjet të Shqipërisë dhe këto 17 vjet të Kosovës ?

Shaban Murati në paraqitjen e sotme të tij publike shkruan:  “Duke qenë se shumë analistë dhe politikanë me rastin e Samitit të Triestes për Ballkanin Perëndimor po paraqiten sikur po zbulojnë tani që Serbia tenton të krijojë Jugosllavinë e re me Shqipërinë brenda, po ribotoj këtu për respekt të lexuesve të mij dhe për freskim kujtese, artikulim tim botuar me rastin e deklarimit publik të presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiç, në datën 6 prill 2017 se ai planifikon ringjalljen e "Jugosllavisë së vjetër, plus Shqipërinë. Artikulli im është botuar në 10 prill 2017.”

Pra vërejtja serioze për politikanët tonë është tërhequr që moti .

Si duket që testi evropian se a jemi në gjendje të vetëqeverisim  po kalon anën ma pesimiste ; jo !

Mos të shajmë Europë e Amerikë se çka të ndodhë zjarrvënësi i vetvetes jemi vet ne. Neve vetëm kur të na del tymi , atëherë e kuptojmë që diçka po ndizet.

“Me keqardhje më duhet të them se nuk kam konstatuar ndonjë lëvizje shtetërore përballë këtij rreziku para portave, siç do të duhej të vepronin shteti, diplomacia dhe partitë politike shqiptare, të cilët duhet të shqetësohen si senatorët romakë, kur panë Hanibalin para portave të Romës.” shkruante Shaban Murati në Prillin e këtij viti.

“Nëpër Europë, poltika udhëhiqet nga të dashuruarit në politikë ,të bindur në të mirën e përbashkët duke e pasur një qëllim për të ndërgjegjësuar  popullatën drejt një qëllimi të caktuar politik. Ata , jetojnë në politikë me një qellim fisnik për të mirat e përbashkëta dhe bërjes për vetveten së emrit për histori. Shumica e tyre ,jetojnë për politikë për të krijuar famë  e jo për të udhëhequr me pasurinë ,të cilën e kishin edhe para sa të hynin në politikë. Në këtë grup janë mirënjohur të gjithë ata ,që jo për ambicje vetjake  por për humanizëm, për kombin,për shtetin ,për prestigjin e shtetit ia përkushtojnë një pjesë të jëtës së tyre ,politikës. (F.Xharra: Politika dhe egoistët e politikës, 11.12.2011 )”

Nëse politika është vetëm një mjet i thjesht për të jetuar shumë mirë personalisht dhe kasta përkrahëse gjithashtu, atëherë politika është një « zanat «  që i mundëson  politikanit se si të stërfitohet jeta. Ai duhet të bëjë çdo gjë vetëm e vetë të mbet në politikë, të notoj në të gjithë ujërat të turbullta,të përdorë dorën e pa dukshme.,të mbyell sytë para aferave mashtruese ,korruptive ,jashtligjore të vartësve të tij.Kur politikani egoist i  varur jetësisht vetëm nga politika(se ndyshe s`kishte për të qenë askund) nuk e ka guximin të futë dorën  e të pengon mashtrimet ,vjedhjet e keqpërdorimet ai me këtë e zgjatë jetën e tij prej « politikani ». Ku jemi ?

Kujdes pra  “ Jugosllavia është para portave të Shqipërisë dhe ato porta nuk duhet t’ia hapim vetë me duart e neglizhencës dhe të indiferentizmit shtetëror dhe kombëtar.

Gjakovë, 13.07.17