E premte, 29.03.2024, 12:39 PM (GMT)

Mendime

Ledian Droboniku: Pse nuk e ka fajin korrupsioni

E enjte, 13.07.2017, 07:18 PM


Pse nuk e ka fajin korrupsioni

Nga Dr. Ledian Droboniku - Bashkëthemelues i ShqipON

Ky artikull niset i shfavorizuar sepse drejtohet kundër një dogme që iu induktohet shqiptarëve në mënyrë sistemike prej 27 vitesh, se: “fajin e ka korrupsioni”

Në shkrimet e mia i jam kundërvënë çdo dogme vendi apo importi duke preferuar analizën ndaj slloganeve. Karakteristikë e kësaj kaste nuk është fshehja e problemeve, por përmbysja e tyre, prandaj dhe beteja në radhë të parë është semantike, mbi kuptimin e vërtetë të fenomeneve. Kështu që dogmës së korrupsionit i duhet kundërvënë një karakteristikë e shteteve të botës së tretë si është ajo që në doktrinë njihet si “kapja e shtetit dhe ekonomisë”. Dy diagnoza të ndryshme që kërkojnë edhe dy receta të ndryshme.

Pavarsisht refuzimit instiktiv të lexuesve, dua të kujtoj se idetë nuk maten me numra dhe kile kurse liria e vërtetë, ngrihet aty ku duhet të thuash edhe atë atë që të tjerët nuk duan ta dëgjojnë. Besoj se kjo nuk aplikohet vetëm në filozofi, por kudo sepse asnjëri nuk do dëshironte të shkonte tek një mjek, që të thotë se çfarë ke qejf të dëgjosh dhe jo diagnozën e patologjisë. Për të kënaqur egon njerëzit shkojnë tek fallxhoret. Nëse jeni duke vazhduar leximin e këtij artikulli mendoj se nuk bëni pjesë tek këta të fundit.

Korrupsioni ka qenë një ndër flamujt e rremë të kastës së tranzicionit. Ai ka shërbyer si antitezë, si pjesa komplementare e tezës mbi integrimin e Shqipërisë. Dy entitete metafizike sepse nuk mund të kontrollohen, maten, gjetur përgjegjësit apo rezultatet. Metoda shkencore zëvendësohet me shprehjen kamomil “keni shënuar hapa pozitivë”. Nuk është as proçes, sepse fjala proçes në etimologjinë e saj latine do të thotë sekuencë të qartë aktesh e subjektesh të periodizuar në kohë.

Të gozhduar pas dogmës së korrupsionit, turrmat vijnë përqark duke pedaluar një biçikletë pa zinxhir. Qindra miliona euro, mijëra konferenca, qindra OJF, deklarata ndërkombëtare dhe kombëtare për luftën ndaj korrupsionit. Por sa më shumë flitet e mallkohet, aq më shumë ai shtohet. Pas 27 vitesh “betejash” pa sukses, të lind dyshimi legjitim se ndoshta po luftojmë me mullinjtë e erës, se ndoshta po na fshehin armikun e vërtetë?

Dyshimi metodik, është shtysa e zhvillimit të Perëndimit nisur prej Sokratit deri tek Kartezio dhe tek revolucionet moderne. Njerëzimi i fitoi sfidat duke u ndarë prej dogmave, duke mos u mjaftuar me njohurinë sensoriale por duke zhvilluar arsyen dhe analizën. Nga ana tjetër, thoshte Herakliti, të gjithë janë të pajisur me logosin edhe pse jo të gjithë arrijnë ta ndezin atë. Shumica e njerëzve dashurohen pas dogmave, sepse janë të thjeshta dhe shpjegojnë gjithçka pa u lodhur së menduari. Kjo tendencë përforcohet akoma më shumë kur një sistem i tërë e promovon, në dëm të së vërtetës dhe lirisë së popujve.

Nëse pyet sot një qytetar shqiptar, në çdo cep të vendit, se përse nuk zhvillohet Shqipëria, ai të përgjigjet rrufeshëm se “fajin e ka korrupsioni”. Pas kësaj aksiome, rrjedhin natyrshëm të gjitha të tjerat: se fajin e ka vetë populli, se nuk bëhet Shqipëria me shqiptarë, se ne meritojmë qeverinë që kemi, se vetë i votojmë e kështu me radhë.

Shpjegimi është i thjeshtë dhe qarkor. Ai të çliron nga makthi i së panjohurës dhe detyrimi për ndryshim. Nëse do vazhdoje bisedën dhe pyesje, se vërtet vetëm shqiptarët janë të korruptuar, se përse shqiptarët në Europë prosperojnë, se përse të huajt që vijnë në Shqipëri korruptohen ose përse vende të korruptuara si Turqia zhvillohen, rrezikon ta çosh bashkëbiseduesin në tilt. Ai mbetet pa dogmën e tij, ai nuk arrin të kuptojë më botën përqark tij sepse nuk disponon instumenta analitikë. Kështu u shokuan popujt pas rënies së dogmës obskurantiste fetare, se gjithë të mirat vinin nga Zoti e gjithë të këqijat dhe sëmundjet nga djalli. U desh mundi, djersa dhe shpesh herë edhe gjaku i mendimtarëve dhe shkencarëve për të shpjeguar të kundërtën.

Korrupsioni është një istancë metafizike sepse ka shoqëruar shoqërinë në sfidat e saj për progres dhe zhvillim. Ai ka qenë kurdoherë dhe kudo pra dhe asgjëkundi, do thoshte Gorxha kur replikonte absolutizmin ekzistencial parmenidian. Duke qenë pjesë e natyrës humane ajo çfarë mund të bëhej, ishte ndërtimi i asaj arkitekture sociale dhe ekonomike që minimizonte veset dhe promovonte virtytet. Grekët shpikën etikën dhe romakët institutiones, pikërisht për të formuar një shoqëri të drejtë për të gjithë.

Këtu ndahen vizionet.

Ai liberal, që mendon se individi vetëbëhet dhe ai komunitarist që mbështet idenë se njeriu lind e zhvillohet vetëm në komunitet. Është cilësia e këtij komuniteti që farkëton një njeri të shëndetshëm e me virtyte apo një njeri të korruptuar e pre të veseve. Ky i fundit është dhe mendimi shkencor mbështetura nga sociologjia, psikologjia, antropologjia kulturore etj.

Pas rënies së regjimit komunist, në vend që të kalonim në një shoqëri iluminste, kaluam nga dogma komuniste në dogmën neoliberiste. Këtu duhet kërkuar dhe origjina e së keqes. Struktura ekonomike neoliberiste duhet të përputhet me sovratrukturën kulturore që anatemon çdo formë komuniteti (familje, shkollë, shtet, atdhe etj) duke projektuar vetëm vizionin individualist. Në të mirë apo në të keqe, është vetë individi përgjegjës për gjithçka ndodh përqark.

Nuk ka shoqëri por vetëm individë, do deklaronte Thatcher nën mësimet e teologut të saj, Hayekut. Njerëzit janë kafshë hobsiane dhe ata veç duhen drejtuar nga elitat. Kapitalizmi klasik u ngjiz  mbi një mëkat origjinal, sepe u ngrit mbi grykësinë e individit dhe përfitimin me çdo kusht. Është interesante se si në fillim, teologët e kapitalizmit në fillim me Rikardon apo Maltues, akuzonin të mjerët për padrejtësitë e sistemit. Në këtë drejtim, shkojnë dhe tezat e Spencer apo Darvinit, deri tek “fabula e bletëve” të Mandeville, që justifikonte korrupsionin si një e keqe e domosdoshme, sepse sistemi nuk funksionon me virtyre por me vese. U deshën dy luftra botërore, për të bindur qytetarët se kështu nuk ishte. Se një sistem nuk mund të ngrihet mbi padrejtësi, mbi themele vesesh, abuzime e privilegje. U desh largimi nga kapitalizmi klasik që solli si reagim fashizmin dhe komunizmin, për të instaluar një kapitalizëm keynesian human e social, ku kapitali nuk mund të dilte mbi punën dhe tregu mbi demokracinë.

Fatkeqësisht nga ky kurs, që i solli Perëndimit mirëqënie, një shtet social, shtresën e mesme, sindikata e të drejta sociale, do të largohej në vitet “70, për të risjellë në pushtet kapitalizmin kanibalesk mesjetar e bashkë me të dogmat e vjetra kundër qytetarit e pro elitave.

Nën këtë vizion, korrupsioni nuk shihet më si një dështim i arkitekturës institucionale qeveritare, por ves origjinal i individit i cili projektohet në çdo segment. Nëse ti indukton mbi një popull të tërë fajësimin për dështimet e sistemit, si efekt të menjëhershëm do kesh dizinteresimin dhe distancimin e tij prej pjesëmarrjes në vendimet e komunitetit. Ky është në fakt misioni i neoliberizmit: të largojë qytetarët nga pjesëmarrja dhe kontrolli i institucioneve politike-ekonomike sepse vendimmarrja e vërtetë duhet ti rezervohet “elitave” apolide e kozmopolite, pa fe e pa atdhe. Që ky sundim të bëhet i qetë dhe pa rezistencën e të sunduarëve, këta të fundit duhet të përpunohen për të kërkuar vetë, atë që elitat kishin paravendosur.

Historia e tranzicionit (jo vetëm shqiptar) është pikërisht kalimi nga një elitë e nomeklaturës komuniste në një elitë neoliberiste, ku vendimet ishin dhe mbeten përsëri pronë e një pakice autoreferenciale. Si pasojë kemi pezullimin e demokracisë, si pushtet i popullit mbi fatet e vendit dhe kapjen e shtetit dhe ekonomisë nga pak duar. Nëse formatimi i shoqërisë nuk do bëhej nga poshtë (si kërkon demokracia) sigurisht ajo do vazhdohej të bëhej nga sipër, nga “demijurgët” e rinj me rrënjë të vjetra. Këta do sundonin në ortakëri me lobe ndërkombëtare me të cilët do ndanin pasuritë publike e lumenjtë financiarë, falë fabrikës së konsensusit masiv.

Një mendje naive do të besojë që “modelet” mund ti krijojë gjithkush, si petullat me ujë. Fakti është që një sjellje bëhet model, vetëm nëse ajo futet dhe shpërndahet nga kanalet e komunikimit masiv. Nëse këto kanale janë në duart e kastës edhe modelet do ti shëmbëllejnë natyrës së kastës.  Kjo do të thotë që modelet (të shëndetshëm apo korruptivë) do krijoheshin me forcën e autoritetit si kishim eksperimentuar për 45 vjet. Shqiptarët ishin dhe mbetën spektatorë të fateve që i vendoste dikush tjetër për ta. Edhe pse rituali i votës vijonte si në komunizëm, populli nuk arrinte të kontrollonte dot shtetin e tij, partitë, sindikatat, pasuritë publike, reformat ekonomike, territoriale, shoqatat etj. E gjithë jeta ekonomike, politike, akademike, mediatike e kulturore ishte dhe mbeti pronë e partisë, si i vetmi subjekt real në vend. Të gjitha vendimet merreshin nga një grusht njerëzish jo për interes publik por atë klientelar. Të ndodhur përballë dështimeve të pamohueshme, kasta ka nevojë eminente që t’ia faturojë këto dështime vetë viktimave si një popull i korruptuar, injorant e dembel.

Këtu teoria e korrupsionit kthehet në funksionale ndaj vazhdimit të status quos-s sepse korrupsioni është kudo dhe asgjëkundi, ai perceptohet si ves i shoqërisë dhe jo ADN e një pushteti autarkik që vetëgjenerohet mes barbarisë dhe babëzisë. Beteja sot është kryesisht semantike, pasi neoliberizmi nuk fsheh problemet por përmbys vizionin dhe kuptimin e fjalëve. Nëse situatës në Shqipëri do i vinim emrin e duhur, pra kapje shteti, kjo nuk do linte indiferent askënd sepse 99% e qytetarëve do ngrihej, 97% e biznesit do reagonte e bashkë me ta studentët, punëtorët apo intelektualët e pakooptuar. Zaptimi i vendit do mbaronte e qytetarët shqiptarë do kontrollin shtetin dhe pasuritë e tyre kombëtare. Kjo do të përbënte vërtet rrezik për vijimin e marrëveshjes mes kastës shqiptare dhe lobeve transnacionale.  Në vend të kësaj, kasta dhe qarku mediatik apo ojf e huaja dhe ambasadorët, trumbetojnë vetëm “korrupsionin” duke relativizuar çdo problem me një term amorf, e bashkë me të duke neutralizuar opinionin publik pas një dogme. Ashtu si shprehej, Alain Badiou, sistemi flet për korrupsionin duke segmentizuar problemet si lokale për të shpëtuar totalitetin e tij ngritur mbi themele autarkie e antidemokratike.

Problemet e Shqipërisë vijnë nga kapja e shtetit dhe vënia e tij në funksion jo të mirëqënies së përgjithshme por të privilegjeve të një oligarkie. Njësoj si në diktaturën enveriste, për të mbrojtur figurën e diktatorit, përdorej shprehja se “uji lart buron qelibar por turbullohet poshtë”. Në këtë mënyrë, krijohej iluzioni sikur sistemi ishte në rregull atje “lart”, kurse e keqja qëndronte  gjithmonë “poshtë”. Koha provoi të kundërtën. Që ai sistem ishte i kompromentuar në thelb dhe nuk mund të arrnohej por vetëm rrëzohej. Përdorimi i të njëjtës frymë me metoda të reja është dhe retorika mbi korrupsionin sot. Ai krijon iluzionin se faji është përsëri poshtë dhe përsëri masat i besojnë ashtu si kishin besuar për 45 vjet. Vetëm fshehja e problemit prej analizave shkencore, politike, ekonomike dhe trasformimi i tij drejt dogmave antropologjike, arrin të mbajnë nën narkozë popullin më të varfër të Europës. Trasferimi i përgjegjësisë nga një kastë që kontrollon gjithçka drejt qytetarëve që nuk kanë në dorë asgjë, është kryevepra e propagandës së tranzicionit.

Kjo propagandë arriti të bindte popullin televiziv:

Se është faji i vetë qytetarit, që për të shpëtuar një të afërm, i jep rryshfet mjekut. Propaganda fajëson qytetarin sikur ky të kishte një alternativë (ashtu si pushtetarët mjekohen jashtë vendit), sikur këtë model ta kishte shpikur ai dhe jo vetë sistemi i kalbur i mjekësisë, sikur njeriu ka qejf të paguajë diçka që mund ta marrë si një e drejtë si në vendet normale. Fakti është se modelet krijohen nga ai që ka pushtet dhe korrupsioni u ngrit në model nga mjeku tek shefi i repartit deri tek ministri dhe lobet sepse është nevojë strukturore e kësaj kaste parazitare. Sigurisht qytetari mund edhe të bëhet stoik mos të japë rryshfet por rrezikon të humbasë nënën apo fëmijën, mund edhe të denoncojë apo të rrahë mjekun. Eksperienca ka treguar se kjo e fundit ka qenë zgjidhja më frekuente edhe pse jo shumë e suksesshme. Nga ana tjetër në burg nuk përfundon kurrë një mjek por gjithmonë të varfërit e të pambrojturit.

Duke kaluar tek drejtësia dhe parodia që po luhet me reformën në Drejtësi, krijohet përshtypja sikur faji të ishte përsëri i korrupsionit dhe jo një modeli barbar që vendosi kasta e tranzicionit. Kjo kastë nuk do kishte krijuar privilegjet nëse do zbatohej ligji ashtu si Kushtetuta kishte sanksionuar formalisht. Kaosi me pronën u dha mundësi njerëzve të kastës që të përfitonin mijëra hektarë, fabrika e pasuri të shqiptarëve në mënyrë të padrejtë. Të mjerëve iu kërkohet përsëri durim se këtë herë do vendoset drejtësia prej vërteti dhe hienat do bëhen vegjetariane.

Të njëjtën gjë mund ta thonim për vendet e punës, tenderat, studimin etj. Këtu nuk bëhet fjalë thjesht për korrupsion sepse ai duhet të ishte sporadik dhe jo rregull. Këtu bëhet fjalë për kapje të shtetit sepse vendet e punës i jepen vetëm besnikëve të partisë. Vetëm në këtë mënyrë sistemi riciklohet me privilegje dhe skllevër militantë e injorantë. Sot do të ishte çudi sikur një tender të bëhej pa rryshfete për vajisjen e makinerisë së sistemit. Bizneset afër kastës prosperojnë kurse të ndershmit janë të detyruara të dështojnë nëse nuk “përshtaten”. E njëjta propagandë e fëlliqur bëhet duke anatemuar studentët për rrënimin e shkollës. Sikur të ishin studentët që emëruan docentët injorantë  e militantë, sikur të ishin ata dhe jo kasta që mbushi vendin me fabrika çertifikatash, sikur të ishin ata dhe jo kasta që dhjetfishoi tarifat e rrëzoi cilësinë, që fut forumet partiake brenda shkollës, ku privilegjohen injorantët dhe goditet meritokracia.

Propaganda arrit të bindte popullin se faji qëndron përsëri poshtë, tek këta shqiptarë hajdutë e dembelë. Lufta duhej spostuar pra tek mikrokriminaliteti dhe jo bandat politiko-ekonomike-kriminale. Është kjo arsyeja se përse turrmat u ndërsyen kundër njëra tjetrës se kush paguante dritat e kush jo. Narkoza bënte të harronte që çuditërisht nuk goditeshin ata që kishin vjedhur hidrocentrale por vetëm të mjerët që vidhnin një llambë në errësirë, nuk goditeshin mediat, qendrat tregtare e bizneset e kastës që nuk kishin paguar kurrë dritat. Kasta shpiku komisarin digital për të denoncuar parkimet e paligjshme por që nuk mund të denoncoheshin ata që vodhën CEZ, konçesionet nëpër spitale, porte e aeroporte, banka e pasuri publike. Edhe kompromentimi i të vetmit institucion demokratik si është vota, i faturohet popullit sepse ai shet votën. Por kush e ble votën? Por mbi të gjitha çkuptim ka ajo ku listat dhe parlamenti mbushet me besnikë dhe eunukë të liderrrit? E Vërteta është se dhe vota është neutralizuar e ajo nuk shërben më as për te kontrolluar demokratikisht shtetin dhe as realizuar vullnetin dhe nevojat e popullit sovran. Ajo shërben vetëm për të legjitimuar sundimin e kësaj kaste barbare antikombëtare.

Kulmin arriti deri aty sa kasta rekrutoi kompani të huaja për t’iu konfirmuar shqiptarëve se “nuk bëhej Shqipëria me shqiptarë”. Kjo tezë fabrikuar në akademitë shoviniste serbe, iu propagandohet sot shqiptarëve me një efikasitet të parezistueshëm. Por realiteti i fakteve tregoi se etero-legjitimiteti i kastës nuk do e shpëtonte atë nga dështimet e paevitueshme. Ardhja e croën agents për doganat shqiptare, agjencisë angleze për arsimin shqiptar, studiove arkitekte të huaja për masakrën urbane, “ekspertë” diplomatikë e ekonomikë të huaj, diskredituan këtë tezë të fëlliqur antikombëtare. Sistemi është ngjizur mbi një ADN shkatërrimi e denigrimi për Shqipërinë dhe shqiptarët. Asnjë rekrut i brendshëm dhe i jashtëm që punon për llogari të kësaj kaste nuk do i shpëtojë shqiptarët. Popujt shpëtojnë vetë nëse marrin në kontroll shtetin, ekonominë dhe pasuritë e tyre kombëtare.

Rivendosja e kontrollit demokratik mbi shtetin, institucionet, ekonominë e financën është sot beteja e vërtetë kundër neoliberizmit, globalizmit dhe rendit të ri botëror që po instalohet sot me konsensusin pasiv të popujve. Trumbetuar sistematikisht prej 27 vitesh nga qarku politik, mediatik nga çdo pseudo intelektual e artist se fajin e ka vetë populli, në fund dhe budallai beson se është vërtet budalla dhe fajtor. Të sëmurë me sindromën e vetëfajësimit, të gjithë mendojnë në kor se jemi specie inferiore dhe prandaj duhet të qeverisemi nga të huajt.

Ky autoracizëm nuk ushqehet vetëm nga kanalet e brendshme por dhe ato të huaja.

Tashmë është instaluar një propagandë dhe brenda BE-së për të eklispuar kritikën ndaj modelit të saj neoliberist e antidemokratik, një propagandë për të diferencuar popujt nordikë si punëtorë e të zgjuar dhe ata të jugut, si dembelë, si të korruptuar, me vese etj (grupi PIGS). Teknika e manipulimit të masave bën që individi ti japë shpjegim botës duke u nisur nga vizioni i tij në mikro, se çfarë i thonë shqisat përqark tij e jo si funksionon sistemi. Duhen njohuri dhe të dhëna ekonomike, financiare, statistikore për të kuptuar që produktiviteti i një ekonomie nuk varet nga zelli për punë, por nga struktura ekonomike, nga niveli i saj teknologjik, nga fluski financiar, nga institucionet në mbrojtje të interesit publik etj. Pasi disponon këtë të dhëna arrin të kuptosh psh që punëtorët e Europës jugore bëjnë më shumë orë pune, arrin të kuptosh që borxhi i dhënë me “bujari” nga bankat gjermane-franceze shkonte për importet e mallrave të këtyre vendeve duke shkatërruar ekonominë e prodhimit të vendeve të prapambetura, arrin të kuptosh që pasuria e kombit u përqendrua në pak duar dhe depozituar përsëri në bankat e Europës veriore. Kurse popujt e jugut duhet të paguajnë interesat, duhet të rriten taksat, privatizohet pasuria publike dhe ulen rrogat. Vende të tilla shkojnë drejt kolonizimi ekonomik dhe për pasojë dhe humbjes së sovranitetit politik. Ky nuk është komplot, por realizim i një ideje ekonomike-politike njohur si neoliberizëm ku tregu dhe kapitali global zëvendëson shtetet dhe aksionin publik. Gjithçka që është publike duhet të privatizohet duke kushtëzuar me lek çdo shërbim që deri dje ishte i aksesueshëm për publikun. Shqipëria nuk është e izoluar por pjesë e këtij projekti antidemokratik që përqendron pushtetin politik-ekomomik e mediatik në pak duar. Vijimi i këtij projekti mundësohet falë makinës së propagandës dhe blerjes së intelektualëve që preferojnë ti shërbejnë sistemit duke mbjellë vrer kundër popullit si i korruptuar, dembel, injorant, pabuks e kokëpalarë.

Dalim nga ky kurth pskologjik, që na mban të burgosur në atdheun tonë. Shqiptarët nuk janë as inferiorë dhe as superiorë ndaj “rracave” të tjera. Jemi si çdo popull tjetër me të mirat e këqijat tona, që arrijmë të punojmë, studjojmë e prosperojmë atje ku sistemi është i lirë dhe promovon ndershmërinë dhe gjenialitetin.

Por si këta popuj, edhe ne duhet të bëjmë betejat tona për marrë në kontroll shtetin dhe ekonominë tonë prej duarve të një kaste barbare e antikombëtare. Çrrënjosja e një sistemi ngritur mbi partitë drejt  një shoqërie ngritur mbi demokracinë pjesëmarrëse që mundëson vendimin dhe kontributin e çdo shqiptari për atdheun dhe shtetin e vet – është beteja e vërtetë. Vetëm një shtet i tillë i tokëzuar me qytetarët do arrijë të mbrojë interesat e qytetarëve, vetëm kështu do realizojmë dhe ato politika ekonomike që na kthejnë nga një koloni importi në një ekonomi prodhimi e punësimi, vetëm kështu do nuk do lejojmë më as oligarki politike e as monopole ekonomike, as parti dhe as lobe e masoneri.

Vetëm kur të luftojmë betejat e duhura, do arrijmë të krijojmë një Shqipëri Normale, që nuk duhet më ta braktisim por ta jetojmë e shijojmë ashtu si kemi bërë ndër shekuj në këto troje autoktone.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora