E premte, 19.04.2024, 04:13 PM (GMT+1)

Editorial » Mehmetaj

Gani Mehmetaj: Lufta në Kosovë dhe shpërbërja e Jugosllavisë

E merkure, 12.07.2017, 09:48 PM


Parashikimet: lufta në Kosovë dhe shpërbërja e Jugosllavisë

Nga Gani Mehmetaj

Derisa në prill të vitit 1980 zhvillohej Festivali Ballkanik i Filmit në Lubjanë, ku mori pjesë edhe Shqipëria me filmin e Saimir Kumbaros “Koncert në vitin 1936”, ku ishin mysafirë Saimir kumbaro e Piro Milkani, Todi Bozo, regjisor nga Tirana, udhëheqës i delegacionit, më luti të përktheja në një takim me organizatorët e festivalit. Drejtori slloven i festivalit u kërkonte falje pjesëmarrësve që s’mund ta bënin manifestimin më madhështor, sepse presidenti i RSFJ-së ishte në gjendje të rëndë, në spital, këtu pranë nesh. Mua më shkoi mendja se Tito ka vdekur, ashtu mendonin edhe të tjerët. Por zyrtarët jugosllavë e mbanin të fshehtë vdekjen e tij, u druanin trazirave.

Pas disa javësh e shpallën në mënyrë dramatike vdekjen e Josip Broz Titos, kryetarit të Jugosllavisë. Për vdekjen e tij u shkruan mijëra shkrime vajtuese, si “biri më i madh i Jugosllavisë”, “gjeniu i kohës sonë”, “pishtari i socializmit” etj. Në mesin e atyre që u përgjëruan në gazetën “Rilindja” qe edhe një akademik yni (R. Q.) Nuk e kuptova pse e bëri një gjë të tillë, kur e dinte kush ishte Tito dhe sa rëndonte në boshtin kurrizor të shqiptarëve. Shumë intelektualë nuk ia falën përgjërimin titist akademikut të Institutit Albanologjik. Disa u gëzuan për vdekjen e diktatorit jugosllav, por emocionet e tyre i ndrydhnin. Ata nuk e patën privilegjin e të parëve, të shprehnin emocionet publikisht.

Shumëkush priste shpërbërjen e Jugosllavisë.

Në qytetin Bilbao (Spanjë), ku mbahej Festivali Ndërkombëtar i Filmi, thuhej se u shfaq një film dokumentar, i cili parashikonte shpërbërjen e Jugosllavisë, ndërsa do të niste me pakënaqësinë e shqiptarëve.

Në Kosovë, në dimrin e vitit 1980-81, pati shtrëngesa të shumta ekonomike, kontrolle policore e mungesa të mëdha të gjërave elementare. Për vështirësitë ekonomike, për skamjen, nuk shkruhej asnjë fjalë. Tek-tuk bëhej ndonjë takim në komitete nga dilte ndonjë fjali e mburrjeve shterpe: do ta luftojmë ngritjen e pakontrolluar të çmimeve. Socializmi jugosllav shënonte vetëm suksese, kështu shkruanin gazetat, kështu raportonin mediat elektronike.

Një lloj frike se mund të niste zia e gjërave ushqimore hetohej në sytë e secilit, si dikur zia e bukës. Baballarët tanë e mbanin në mend këtë fatkeqësi. Pakënaqësia ndaj Jugosllavisë shprehej edhe te kombet e tjera. Sllovenët konsideronin se po i shfrytëzojnë ekonomikisht, kroatët ankoheshin në mungesat e të drejtave kombëtare, arrogancën e serbëve e të pushtetit qendror të Beogradit. Po ua zinte frymën Jugosllavia, të thoshin nëpër ndeja të mbyllura. Por secili priste që t’ia niste tjetri turbullirave, që të mos binte mllefi i Jugosllavisë mbi të. Kroatët e kishin filluar më parë revoltën me “Maspokun”, sikurse e quanin lëvizjen e gjerë kundër pushtetit qendror, por i goditën ashpër policia e shërbimi i fshehtë, u bënë shkarkime në kreu e udhëheqjes republikane e federative. Shqiptarët kishin arsye më shumë se të gjithë të shprehnin pakënaqësinë. Krahasuar me republikat e tjera e me krahinën e Vojvodinës, shqiptarët e Kosovës e të Maqedonisë ishin në fund të pusit, kombe të dorës së dytë, me të drejta tejet të kufizuara.

Serbia ishte e pakënaqur me autonominë e Kosovës e të Vojvodinës, kërkonte qendërzim më të madh të pushtetit ekonomik e politik. Në Bosnjë e Hercegovinë fasada e vëllazërim-bashkimit mashtronte, brenda ziente mllefi e urrejtja.

Secili ishte i pakënaqur me secilin. Pritej shpërthimi, porse kush do t’ia linte këmbët e arushës tjetrit në dorë, duhej të pritej. Arusha ishte Serbia. Ajo ishte republika më e madhe në Jugosllavi, e pati armatën pas vetes.

Kur u fërfëlluan pjatat në Mensën e Studentëve

Shpërthimi i demonstratave të vitit 1981 nuk ishte krejtësisht i papritur. Pakënaqësitë ishin të vazhdueshme, ndërsa mungesat e gjërave për konsum, sidomos nga fundi i vitit 1980 ishin të dukshme. Debatet për shfrytëzimin e Kosovës nga Serbia, pakënaqësia që minierat tona shfrytëzoheshin për ta ndërtuar Beogradin, apo lënda e parë e xeheve i shitej Bashkimit Sovjetik me këmbim mallrash, në vend se të shitej në Perëndim me dollarë, bëheshin gati në të gjitha nivelet, herë zëshëm, herë nëpër ambiente të mbyllura.

Demonstratat filluan më 11 mars, u përshkallëzuan më 26 mars, kurse më 1 e 2 prill e arritën kulmin me shumë të vrarë e të plagosur.

Më 11 mars thanë se pati pakënaqësi me ushqimin në Mensën e Studentëve, ku u ushqeva disa vjet, derisa isha student. Nuk e kuptova pse duhej të ishin të pakënaqur me këtë mensë, sepse në kohën time pati standarde të pranueshme për kushtet tona. Qe ndërtuar para disa vjetësh dhe ende kishte pajime të mbajtura mirë me ushqimet që ishin më të mira sesa në restorantet e papastra të qytetit, tip kuzhine popullore. Pakënaqësia me ushqimin qe shkas, shkaku ishte më i thellë.

Askujt, nga ata që nuk merrnin pjesë në organizim, apo që e ndiqnin nga afër zhvillimin e ngjarjeve, nuk i shkonte nëpër mend se 11 marsi i vitit 1981 ishte vetëm fillimi i një shpërthimi të madh, zinxhir, që s’do të pushonte derisa nuk do të shpartallohej Jugosllavia, shtet mujshar, i padrejtë e mizor ndaj shqiptarëve. Nisi me pakënaqësinë e çastit, të paktën ashtu menduan pjesa më e madhe e qytetarëve, mbase edhe e studentëve, por ai ishte vetëm mashtrim, sepse hedhja e pjatave në Mensën e Studentëve ishte nisma për diçka që do ta trondiste Kosovën, do ta tërbonte Jugosllavinë, ndërsa gjithë tërbimin do ta zbrazte mbi shqiptarët e Kosovës. Mediet evropiane e në SHBA nisën të gumëzhinin për gjendjen në Jugosllavi, ku nuk po lulëzonte çdo gjë, siç dukej në pamjen e parë të të huajit, krahasuar me shtetet e tjera komuniste.

Më 26 mars si për sherr do të vinte stafeta e Titos, një simbol i Jugosllavisë, që bridhte nëpër gjithë territorin e shtetit për t’iu dorëzuar Titos. Mirëpo, meqë ai kishte vdekur, sivjet do ta merrte kryetari i Kryesisë së shtetit jugosllav. Një grup studentësh, shumë më i madh se herën e parë, u organizuan para konvikteve dhe në rrugën kryesore, me përpjekjen për të dalë në qendrën e qytetit, ku mbahej ceremonia e fjalimeve, ndërsa pritej ardhja e stafetës. Përleshja ishte e pashmangshme...

Fragment nga libri: Ëndrra e madhe (fletë të shkëputura ditari 1981-2006 me portretin e Rugovës në dritëhijen e ngjarjeve dramatike).



(Vota: 2 . Mesatare: 1/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora