Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Shefqet Sulmina: Shtatë dhe tetë

| E hene, 10.07.2017, 08:00 PM |


Shtatë dhe tetë

Nga Shefqet Sulmina

Ke kaluar kufirin?

-Jo, - u tha ai.

-Betohu! - i qenë xhindosur ata.

-Betohem që nuk e kam kaluar kufirin, - qe betuar ai.

Çdo njeri betohet për të vërtetën dhe ajo që ai thoshte, ishte e vërtetë.

-Mirë, - u thanë tre burrat, - nesër do të paraqiteni në polici dhe kishin çimentos e bërë gjemb me tela prapë kufirin.

Të nesërmen ata nuk u panë më, kaluan rrugë e male dhe prapë përshkuan kufirin.

-Po tani janë brenda ligjit?

-Besoj se po.

-Më bëhet qejfi, - thashë unë.

-Dëgjo më tha mamaja, - pas dy ditësh, është dita e verës dhe nëse e sheh atë vajzën e shtëpisë shtatë dhe tetë...

-E di, - i thashë, - i kam borxh një trëndafil, - dhe mu kujtua trëndafili i vjedhur nga vazoja e saj, - duhet ta uroj, - duke u kujtuar se duhej të uroja edhe Verën për ditën e Verës me ndonjë dhuratë të vogël dhe jo vetëm me ndonjë vezë.

-Jo, - tha nëna.

-Ta puth?

-Jo.

-Po çfarë?

-Duhet ta pyesësh?

-Për çfarë?

-Po ti pyete se çfarë po bën? Dhe mbaje mend se duhet ta pyesësh tre herë me këtë pyetje. Nëna qeshte.

-Po pse tre herë?

-Të thash pyete! - nguli këmbë nëna.

Fjalët e nënës u bënë si këshillë dhe urdhër, pastaj u lëshuan në buzëqeshje këmbëngulëse.

Bëhet në muajin mars, në çdo katërmbëdhjetë të çdo viti festa e Ditës së Verës, një javë më pas, se të bëhet festa e mësuesit dhe nënës. Dita e verës në qytetin tonë të lë në shpirt një fill veror të ëmbël dhe të çuditshëm, si para ardhjes dhe pas ikjes së saj. Disa këtij filli i japin ngjyra të ndryshme. Ngjyra të ndryshme i japin edhe vezëve. Qyteti ndriçon me ngjyra të bardha, të kuqe, të verdha, të jeshile..., si ti mbushet mendja njerëzve. Njerëzit lustrojnë qafat me këmisha të pastra dhe të reja, dhe bëjnë gati këpucët për rrugë dhe pyll. Është koha kur njerëzit heqin rrobat e trasha dhe pemët vishen me lule e gjethe. Për mua ky është filli dhe ngjyra e fillit. Dielli ndriçon më fort, dita bëhet më e gjatë, njerëzit buzëqeshin më shumë. Dimri largohet, ndërsa pranvera vjen, lind shpresa për më më shume shëndet, mbarësi dhe bereqet. Nëse zemërohesh në këtë ditë, zemërohesh me vetën tërë vitin, sepse ngrihesh vonë, nuk lahesh, nuk dashuron të lëvizësh, moti zemërohet dhe keqësohet. Për tërë vitin bën ftohtë, fryn erë, bie borë dhe shi... Kështu thonë dhe nuk thuhet kurrë kot. Një ditë para se të vij Dita e Verës, në para darkën e saj, në të katër anët e çatisë së shtëpisë vihen plisa me barë të gjelbër, ku ngulën bisqe pemësh, lule vere, manushaqe, hisëll dhe porse. Gjethet e porseve hidhen në zjarre dhe ato digjen me një zhurmë plasje. Sikur ta kishin aty origjinën fishekzjarrët...! Të nesërmen në çdo shtëpi trokasin fëmijët me hithra në dorë që u kërkojnë të rriturve tu dorëzojnë duart...kush e di pse? Dhe jua flakërojnë me ndonjë hisëll. Ndahen vezë të ngjyrosura, pala fiku, arra, ftonj, shegë... dhe qyteti drejtohet për nga pylli, për të ngrënë e festuar në natyrë. Duket sikur është krye festa e dy festave që janë bërë para dy mijë vjetësh, ose një jave; ajo e mësuesit dhe e nënës. Në vende të ndryshëm dita e verës bëhet në ditë të ndryshme, dhe kjo lidhet me gjeografinë dhe temperaturat. Histori për to ka shumë, por mua më pëlqen Dita e Verës së qytetit tim, jo vetëm për ballo kumet, por sepse është krye festa e ndërlidhjes së njeriut me natyrën dhe tregon se po vjen behari. Ballo kumet përdorën kohët e fundit, pasi në lashtësi, në antikitet, në vend të tyre për këtë ditë gatuheshin gurabije. Ndërsa mendoja për Ditën e Verës, për fillin e hollë të ndërlidhjes së kësaj feste, pikërisht në rrugicën time, si në një orë zvicerane, shoh vajzën e shtëpisë me numrat shtatë dhe tetë. Në kokë më rrinte karafili i vjedhur nga vazoja e saj dhe pyetja që më kishte këshilluar mamaja ti bëja, pikërisht kësaj vajzë, nga tërë ato vajza dhe gra të tjera në Ditën e festës Së Verës. E dija që do të më pyeste kur të kthehesha, me pyetjen se çfarë bënte ajo vajzë? Ishte e pamundur ta gënjeja, sepse do të më duhej të gënjeja tërë verën. Por, nuk doja edhe ta pyesja vajzën, sepse më duhej të pyesja tërë verën. Nuk e dija se çfarë të bëja! Nuk vendosa për të gënjyerit, por për pyetjen, dhe pse do të më kalonte vera duke pyetur. Nganjëherë të kalon tërë jeta duke pyetur, qetësova vetën. Vajza ishte midis vazove të luleve dhe kishte në dorë një copë basme, një gjilpërë me fije dhe qepte. Qepte apo qëndiste? Dukej qartë që ajo po qepte një basme dhe nuk e dija pse duhej ta pyesja, se a po qëndiste një basmë? Mu duk banale dhe e trashë pyetja ime, kur ajo dukej hapur se po qëndiste? Desha ti thosha vetëm një mirëmëngjesi, duke e lënë me kaq. Por, duke e njohur nënën time, që shpesh më vinte para surprizave, vendosa prapë dhe prerë për pyetjen. Dua të theksoj një gjë tjetër për nënën time, që gjithmonë, mi jepte këshillat në një formë të tërthortë dhe jo drejt-për-drejtë, siç bënte babai. Të them të drejtën shumë gjëra të saj me kanë mbetur në mendje edhe sot, sepse kanë pas një fill veror, si të asaj dite, që i lidhte si këshillën..., si të menduarit dhe si të vepruarit në formë gërshetë.

E pyeta vajzën:

-Çfarë po bën?

-Po qesëndis, - më tha ajo më një zë të pastër e të këndshëm. -Nuk e sheh?

-Çfarë po qesëndis?

-Po qesëndis buzën e Ismjel K(f)ushës,

Do ta qesëndis e do ta m'shelë,

Po qëndis rrënjë,

Po qëndis xhet, farë e fis,

Po qesëndis bishta për kurriz.

Shpejtësia me të cilën ajo ju përgjigj pyetjes sime tuhafe më la një shije të shurdhur. Sidomos në fjalën Ismjel, të cilën jo vetëm që nuk e kisha dëgjuar ndonjëherë më parë, por ngjante me fjalët: mil, miell, mbjell. U zgjova nga trullosja që më dha përgjigja e vajzës, sepse mu kujtua se nëna më kishte porositur ta pyesja tre herë, ndaj duhej ta pyesja prapë, së pari për arsye se nuk kuptova gjë se çfarë? Çfarë po luante vajza, duke e parë mirë se çfarë po bënte me gjilpërën dhe fijen? Së dyti, duhet ta pyesja për forcë tre herë, po pse? Plus që ajo më kapi mat me fjalët “Nuk e sheh?”. Pse e bënte këtë lojë?

-Çfarë po bën? - e pyeta për së dyti, pa e pasur mendjen tek përsëritja e kësaj pyetje, por tek turbullimi i tekstit të fjalëve që më tha pa pikë qartësie. Mos donte të dinte se cilit shteg do ti merrja unë kuptimin që më tepër se pyetës të isha pyetur?

Vajza ngriti gishtin drejtues në qiell dhe vazhdoi duke e ulur ritmin e rrokjeve:

-Po qep buzën e Is,mjel fu,shës,

Do ta qep e do ta m'shelë,

Po qep rrënjë,

Po qëndis xhet(jetë), farë e fis,

Po qesëndis bishta për kurriz.

...Dhe vazhdonte qepjen. Copa e basmës ishte e bardhë, filli ishte i kuq, gjilpëra prej çeliku e ndritshme si borë e bardhë dhe sytë e saj që binin herë mbi mua e herë mbi gjilpërë që lakonte dhe tërhiqte fillin e kuq nga pas.

Më duhej ta pyesja edhe një herë.

Dhe bëra pyetjen prapë:

-Çfarë po bënë ashtu?

Vajza ngriti dy gishtat lartë në formë v-je dhe vazhdoi pa parë në sytë e mi, duke shtuar jo me gishta, por me fjalë të tjera:

-Po qëndisë shaminë e tij,

Po e qëndisë e po e çel,

Po qëndis, po mbjellë rrënjë,

Po qëndis jetë, farë e plisa,

Po qëndis lule mbi murriza.

Ishte e qartë. Ishte një komedi midis fillit dhe basmës. Midis njeriut dhe traditës. Mesazhi ishte i qartë. Më erdhi ndërmend një poezi e një poeti, duke pritur që vajza të bënte tre gishta për pyetjen time të tretë, por ajo vazhdonte të qëndiste në një mënyrë indiferente, sa për mua, më tepër se topat që haja në atë rrugicë, po ndjeja shpimin e gjilpërës prej çeliku me fije të kuqe dhe të pakuptueshme mbi copën e bardhë, ku edhe ajo shkruante me forcë, siç kisha shkruar unë në këputjen e një karafili. Nxjerr nga xhepi një stilolaps dhe zgjas duart drejt vajzës me basmën në dorë që ajo qëndiste dhe shkruaj:

Mos këput ti karafila,

Kur karafila ti s’dhuron.

Mos shqetëso një preh shpirti,

Kur një sy nuk i këndon...

Ajo pasi e lexoi, u ngrit në këmbë dhe më puthi. Për një vajzë ishte mbarësi të puthte një djalë. Ishte dita e Ditës së Verës dhe më erdhi frikë kur mendove, se Vera priste ta uroja për festën e Ditës së Verës, ose ti falja ndofta ndonjë karafil të vjedhur... ndërsa mua sapo më kishte puthur një vajzë tjetër. Nuk e di se çfarë do të më ndodhte tërë verën që kisha përpara. Ndofta, do të më binte rasti që të pyesja, e të pyesja pa marrë përgjigje, ose të pyesja e të pyesja dhe të më nderonin si për pyetjen edhe për kurajën dhe të merrja puthje. Një gjë ishte e qartë, si për pyetjet dhe puthjen që më bëri vajza e rrugicës sime midis numrave shtatë dhe tetë, si dhe për pyetjen që do të më bënte nëna, kur të kthehesha në shtëpi. Nëna. Dita e Verës dhe qëndisja e shpirtrave me dashurinë për të mirën dhe të bukurën midis tyre, ishte bashkim i dy festave të shtatë dhe tetë.

nga romani "kulloshter joantike!