E marte, 22.09.2020, 04:53 PM (GMT+1)

Komente

Ramush Haradinaj: Të flasim me Beogradin

E hene, 01.09.2008, 07:13 PM


Ramush Haradinaj
Të flasim me Beogradin

Ramush Haradinaj, ish-komandant i UÇK-së dhe ish-kryeministër, nuk u trembet bisedimeve të Kosovës me Serbinë. Si dy shtete sovrane

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, i tha BBC-së se Prishtina dhe Beogradi do të duhej të bisedonin drejtpërdrejt me njëra tjetrën, mbi bazën e temave të dakorduara në mënyrë të ndërsjellë. Ai tha se kryeadministratori i UNMIK-ut nuk duhet të marrë rolin e lehtësuesit të bisedimeve, meqë Kosova është një vend i pavarur dhe ajo mund të identifikojë vetë temat për biseda të ndërsjella me Serbinë dhe në rast nevoje edhe ta identifikojë lehtësuesin në këtë proces. Zoti Haradinaj ka vlerësuar se Kosova nuk ka qenë e suksesshme në politikën e jashtme dhe ka humbur disa mundësi deri tani që të jetë anëtare e OKB-së. Ai e ka kritikuar qeverinë aktuale të zotit Hashim Thaçi për ngecje në dinamikat qeverisëse dhe në veçanti për ngecjen e procesit të njohjes së pavarësisë së Kosovës. Sipas tij situata në veriun e Kosovës ka degraduar në krahasim me gjendjen e para 17 shkurtit, kur Kosova ka shpallur pavarësinë e saj, mirëpo ka shtuar se ka shumë mundësi që të gjendet një zgjidhje e duhur për këtë pjesë. Kreu i AAK-së ka takuar të dielën udhëheqësin e njërës prej partive politike në opozitë, AKR, Bexhet Pacollin për të kërkuar mënyra për aktivizimin e opozitës në vend.

Zoti Haradinaj, çfarë synimesh ka patur takimi me udhëheqësin e një partie tjetër politike opozitare në Kosovë?

Haradinaj: Analiza jonë veç e veç e partive opozitare në Kuvendin e Kosovës, është se ka ngecje në dinamikat qeverisëse dhe në disa prej temave me rëndësi për Kosovën duhet të mobilizohemi bashkarisht. Vlerësojmë se ka ngecje në marrjen e njohjeve, pastaj në zotësinë tonë për të gjetur një zgjidhje adekuate për pakicat dhe për veriun, dhe rreth qeverisjes në vend. Ne po kërkojmë se si të vijë në shprehje roli ynë në mënyrën e duhur.

Por, shumica qeverisëse e ka ndarë opozitën në atë demokratike dhe në tjetrën që e ka quajtur më problematike?

Sipas bindjes sime këto janë qëndrime jo parimore, në fakt, nuk janë të drejta dhe reflektojnë, në një mënyrë, po ato që themi ne si opozitë për qeverinë se nuk është një lajm i mirë për vendin, qasja e tyre ndaj përgjegjësive që kanë në vend.

Zoti Haradinaj, Kosova ka gjasa që të mos jetë pjesë e OKB-së. Cila është rruga e saj drejt këtyre zhvillimeve?

Ne në fakt deri më tani kemi konstatuar se kemi marrë besimin e disa vendeve të cilat e njohin Kosovën dhe besojnë në Kosovë. Ne kërkojmë një ndihmë nga të gjitha vendet që së bashku të sqarojmë dhe të shpjegojmë rastin e Kosovës edhe tek vendet e tjera për të marr besimin. Pra e ruajmë besimin në vetvete dhe në proceset që i kemi para vetes. Por, për të marrë njohje dhe përkrahje të vendeve kërkohet një diplomaci aktive dhe një mobilizim yni në këtë drejtim, gjë që nuk ka ndodhur deri tani.

Ju i keni ofruar në këtë rrafsh bashkëpunim qeverisë së Kosovës, por cilat janë hapat konkret që ju keni paraparë?

Unë kam konstatuar se diplomacia jonë, ministria e jashtme dhe në këtë rrafsh institucionet e Kosovës duhet ta marrin ndihmën e secilit prej nesh dhe të veprojmë në mënyrë të koordinuar. Por poashtu duhet të marrim ndihmën e personaliteteve të njohura ndërkombëtare që besojnë në Kosovën, në rastin e Kosovës dhe të mekanizmave të tjerë të specializuar. Në rast se do të mobilizoheshim në këtë mënyrë, jam i bindur se momentumi do të krijohet në favor të Kosovës edhe tek shumë qeveri dhe vende të tjera.

Pra Kosova do të duhet të presë edhe pak kohë deri sa të bëhet anëtare e OKB-së?

Fatkeqësisht ne kemi humbur disa hapa. Nuk kemi qenë të suksesshëm në disa aspekte deri më tani, por duhet që në veprime të mëtejme të jemi të saktë. E them se kemi humbur disa mundësi deri më tani.

Zoti Haradinaj, ka patur zëra që kanë thënë se Kosova po ecën drejt një konflikti të ngrirë. Madje është thënë se veriu i Kosovës gjason shumë me konfliktet e ngrira në botë. Cili është vlerësimi juaj?

Gjendja në veri nuk është e mirë. Në fakt ka ndodhur një degradim në krahasim me gjendjen e para 17 shkurtit. Kemi mosfunksionimin e doganave, të sistemit gjyqësor, të mekanizmave të rendit. Ndërsa kemi një punë të suksesshme që bëjnë forcat e sigurisë, të KFOR-it, në Kosovë, në veri. Por, në bazë të pamjes që kemi ne, ka shumë parametra dhe ka mundësi që Kosova të gjejë zgjidhjen e duhur për veriun dhe në këtë mënyrë së bashku qytetarët e Kosovës, edhe pakica serbe, të ndërtojnë një jetë në përputhje me deklarimet tona dhe me vlerat që janë përcaktuar, e që janë vlera të kontinetit të cilit i takojmë.

Nëse keni qenë shumë kritik deri tash, a do të thotë kjo se Kosova rrezikon të bëhet konflikt i ngrirë?

Ne duhet të punojmë që kjo mos të ndodhë. Gjendja nuk është e mirë, por ne duhet të punojmë që kjo të mos ndodhë.

Por zoti Haradinaj, ka patur shumë krahasime të Kosovës me dy krahinat e Gjeorgjisë dhe konfliktin e atjshëm. Cilat, sipas jush, janë dallimet apo edhe të përbashkëtat e tyre?

Nuk mendoj se ka ngjashmëri në situatat tona. Rasti i Kosovës dhe vetë Kosova është një situatë krejtësisht origjinale. Ne jemi nëntë vite të administruar nga OKB-ja. Ka patur një process ndërkombëtar dhe një zgjidhje, që është propozuar nga i ngarkuari i sekretarit të përgjithshëm të OKB-së dhe aspekte të tjera duke përfshirë edhe origjinën e vetë cështjes së Kosovës, dallojnë. Ne në Kosovë presim që të gjitha qeveritë dhe vendet që nuk na kanë njohur, të vërtetojnë se Kosova dhe zgjidhja për Kosovën, e këtillë çfarë është, në bazë të paketës së Ahtisaarit, është zgjidhja më e mirë për të gjithë qytetarët e Kosovës dhe presim të marrim një përkrahje të tillë.

Ju thoni se ka patur një process negociator, por pritet të ketë një tjetër process gjithashtu për çështjet që kanë të bëjnë me interesin e përbashkët me Serbinë. Çfarë mendimi ndani ju në këtë mes?

Besoj se ne në Kosovë tani duhet të identifikojmë temat vetë, që janë me interes të përbashkët, të ndërsjellë, për qytetarët e të dyja vendeve fqinje. Dhe në bazë të temave të identifikuar atë propzojmë vendosjen e një dialogu me Serbinë, që është një dialog mes të dy vendeve fqinje. Gjithashtu nëse ne vlerësojmë se kemi nevojë për ndihmën e një lehtësuesi për këto biseda ne vetë ta identifikojmë lehtësuesin. Unë nuk mendoj se ka situatë ose nevojë që kryeadministratori i Kosovës të marrë një rol të lehtësuesit të bisedave. Zhvillimet kanë shkuar më tej, Kosova është vend i pavarur dhe ajo mund t'i identifikojë vetë temat për biseda të ndërsjella me Serbinë fqinje dhe në rast se e vlerësojmë se ka nevojë ne do të kërkojmë një lehtësues.

Pra nëse e kuptoj drejt, ju jeni për bisedime të drejtpërdrejta mes Prishtinës dhe Beogradit?

Po, në bazë të temave të identifikuara ndërsjellë dhe gjithsesi në bazë të axhendave të dakorduara ndërsjellë si dy vende fqinje.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:

Video

Entela Binjaku: Denonconi dhunen kunder gruas


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora