E premte, 29.03.2024, 11:22 AM (GMT)

Kulturë » Mërkuri

Timo Mërkuri: Lisi me rrënjë të thella

E hene, 10.07.2017, 07:07 PM


Lisi me rrënjë të thella

Mikut tim Kristo Çipa

Nga Timo Mërkuri

Sa herë që kemi folur dhe shkruar për këngën iso-polifonike himarjote me emërtimin “Himarë” kemi nënkuptuar teritorin që zënë shtatë fshatrat e Bregut të Detit dhe jo      thjeshtë qyteti Himarë. Kjo jo vetëm për arsye të grupimit  administrativ të këtyre fshatrave nën emërtimin Himarë, ( “Krahina Autonome e Himarës” etj). por edhe për faktin e afërisë të botës shpirtërore dhe materiale të banorëve të këtyre fshatrave. Për këtë arsye në shkrimin tim  “Lisat e këngës” në disa raste, në ilustrimin e karakteristikave të këngës himarjote në rraport me këngën labe kam përdorur vargje të këngëve pilurjote.

1-Por pikërisht ky moment ishte dhe fillesa e këtij shkrimi. Vërtet që këngët e Pilurit dhe këngët e Himarës janë pasuri shpirtërore e trevës himarjote, por specifikisht këngët e  fshatit Pilur si janë në raport me këngët e qytetit Himarë?

Afëria e këtyre dy tipeve të këngëve është e madhe dhe diskutimet për ‘to janë shpeshtuar sidomos pas  daljes në skenë të grupit  të Pilurit. Piluri dhe Himara janë larg  nga njeri tjetri 5 kilometra rrugë malore ndërsa  distanca ajrore midis tyre është afërsisht 1 kilometër. Janë  të vendosur pranë e pranë, Himara në breg të detit, Piluri në majë të malit.

Ngjashmëria mes Himarës dhe Pilurit është shumë e madhe, në zakone, në veshje, në kë -ngë, etj. Të parë në  këndvështrimin folklorik duken si dy lisa të mbirë pranë e pranë, kurorat e të cilëve mpleksen mes tyre sa që nga lart, nuk i dallon dot ku mbaron njeri e ku fillon tjetri. Por pavarësisht nga kjo afëri dhe fakti që janë të dy lisa, ata janë dy lisa të ndryshëm.

2-Në qoftë se do bëjmë krahasimin muzikalisht të dy tipeve të këngëve, kënga himarjote është këngë klasike me katër zëra që janë: marrësi, kthyesi, hedhësi dhe iso-ja.. Kënga është brenda notave muzikore me zëra koke dhe këndohet në gjysëm note.

Kënga e Pilurit ka gjashtë zëra që janë: marrës, kthyes me zë gryke, hedhës, prerës, kthyes me zë koke dhe iso. Është këngë me lirizëm të brendshëm, këndohet me zë gryke dhe ka harmoni të shkallës së lartë. Është këngë me shumë vargje dhe forca e refrenit është si e marrësit. Kemi këngë lirike, elegjike,epike dhe dramatike. Te kënga lirike mbizotëron alegria…

Mund të vazhdojmë edhe më tejë shpjegimet muzikalisht, por meqënëse jo të gjithë lexuesit  e kuptojnë termilogjinë muzikore dhe teknikat e funksionimin e këngëve iso-polifonike, le të rikthehemi në stilin tonë letrar të shpjegimit.

2.1-Kemi shpjeguar në  shkrimet tona të mëparëshme se në Himarë, në Pilur dhe në gjithë

trevën iso-polifonike labe tipi i këngës shumëzërëshe  ardhur nga hershmëria ishte i tipit …O shokë more…Evolucioni solli  variantin himarjot, vepër e grupit të Neço Mukos. Ky variant ishte shprehja më e saktë e botës shpirtërore himarjote prandaj mbijetoi dhe vijon të lulëzojë edhe sot.

Varianti pilurjot u çfaq disa vite me von. Pavarësisht nga kjo duhet të theksojmë se ky variant nuk është një shartim mbi këngën hiamrjote, por është një lis me rrënjë të thella  që e mer ushqimin nga bota shpirtërore pilurjote. Dy filiza të një lloj fare nuk shpërthejnë njëkohësisht kronometrikisht koren e tokës. Ato shpërthejnë në të njëjtën stinë, por jo në të njëjtin moment. Dhe diferenca kohore midis tipit himarjot dhe atij pilurjot të këngës iso-polifonike e regjistruar në më pak sepesë dhjetvjeçarë është faktikisht një kohë shumë e shkurtër, gati një moment në procesin e mbrujtjes dhe formimit të këngës popullore.

3-Varianti pilurjot  u çfaq pas variantit himarjot. Në qoftë se varianti himarjot i këngës ka si datëlindje  vitin 1929 me inçizimet e Neço Mukos në firmën PATHE në Paris, varianti pilurjot u prezantua në Festivalin Folklorik Gjirokastër në vitin 1973 (a)  me këngën “Bejk’ e bardhë”. Dalja në skenën e artit popullor e këngës pilurjote mund të krahasohet me rrënien e një tërmeti nëntë ballë diku në mes të detit, tërmet që jo vetëm vithisi malet dhe kodrat në brigjet e detit, por ngriti dhe male dallgësh në mes të detit, dallgë që u përplasën me furi në brigje. Temat e bisedës mbi këngën pilurjote u ngjanin shkëmbinjve të zjarrtë që forca e vullkanit në shpërthim i hidhte nga krateri i tij sa lart aqë edhe larg. Kudo që binin ndiznin zjarre debatesh dhe më entusiaztët ja nisnin këngës “Bejk’ e bardhë” kudo që të ishin. Kjo këngë  këndohej nga udhëtarët nëpër autobuze, nga klientët nëpër klube, tifozët me këtë këngë nxisnin skuadrën e tyre për fitore, me këtë këngë priteshin nuset në shtëpinë e dhëndërit etj etj... Bejka e bardhë e eklipsoi për shumë kohë këngën meritashumë “Vajz’ e valeve” . Marrësen e këngës Vasillo Lapa  populli e ripagëzoi Vasillo Bejka.

Pastaj…kënga e Pilurit njohu vetëm ngjitje, ngjitje cilësore dhe rritje vlerash.

3.1-. Këngën himarjote e dëgjon ulur në karike, magjepses dhe loton nga mrekullia që përjeton, kënga pilurjote të rrëmben ashtu siç të rrëmben një dallgë e fuqishme deti kur ecën shkujdesur në rërën e bregut, të merr në gjirin e saj, të bën pjesë të saj. Do këndosh se s’bën kur je pranë saj, pavarësisht se me zë të ulët apo të lartë.

3.2- Në qoftë se zërin e hedhësit himarjot do ta perifrazonim me një rufe në një fllad, hedhësin pilurjot do ta perifrazonim me një rrufe shoqëruar nga bubullima. Në qoftë se marrësin himarjot do ta krahasonim me një valë të ëmbël deti, marrësi pilurjot është një dallgë e fuqishme që përplaset në shkëmb, stërkalat e të cilit të stërpikin edhe kur je larg bregut.

4-Por ne le të ndalemi te disa elementë vendimtarë në krijimin e fizionomisë  të botës shpirtërore të cilat prodhuan këto këngë.Grupi himarjot është një grup burrash i konsoliduar me një numër të caktuar 5-7 veta. Qënia e Katina Belerit , madje në rolin e marrëses te grupi aktual himarjot, është përja -shtimi që përforcon rregullin. Qysh nga grupi i Neço Mukos  e në vijim grupi himarjot ka qënë një grup burrash në të cilin nuk bënte pjesë asnjë femër. Madje teksti dhe melodia e këngëve të këtij grupi të krijon përshtypjen se  nuk i përshtatej interpretimit nga këngëta -rja femër. Kënga i kushtohej femrës, por e kënduar nga burrat.

 

Interpretimi i këtyre këngëve nga Katina Beleri rrëzoi një tabu dhe rolin e marësit të këngës himarjote e fitoi falë talentit të saj.

4.1-Krejt ndryshe është përbërja e grupit të Pilurit. Madje ai nuk mund të quhet “grup”, ai është një asambël i tërë që e “zapton” gjithë skenën me praninë e tij. Por ajo që është më e rëndësishme, krahasimisht me grupin himarjot, në grupin pilurjot elementi femër është  jo vetëm i pranishëm por edhe në numër është gati i barabartë me elementin  mashkull. Bile elementi femër është dominues në zërat marrës dhe hedhës, dy zërat që i japin tonin dhe natyrën këngës.

4.2-Duke patur parasysh faktin se Himara është konsideruar qytet bregdetar, me  admini -stratë dhe shkolla, ka qënë qëndër e rëndësishme administrative dhe fetare e njohur dhe e kontaktuar nëpër kancelaritë dhe mbretëritë e kohës, nyje e rëndësishme komunikimi tokësore dhe detare në një kohë që  Piluri ka qënë dhe mbeti një fshat malor me një nu -mër maksimal banorësh prej 500 frymë, pa kontakte me botën perëndimore apo lindore, pra duke patur parasysh  se ballafaqohet një qytet (i vogël, por gjithsesi qytet) me një fshat malor dhe të izoluar, është e natyrëshme që elementët më të emacipuar të jenë pjesë e qytetit dhe jo e fshatit.

4.3-Por në këtë rast ndodh e kundërta, civilizimi i femrës, dëshmuar te pjesmarja e saj në grupet folklorike është evidente në grupin e Pilurit dhe mungon te grupi i Himarës.

Por nuk është fjala vetëm te pjesmarja në grupin e këngës.

4.4-Në Pilur edhe vallet  janë mikse, meshkuj e femra bashkë, ndërsa në Himarë vallet janë të ndara, veçë burrat e veçë gratë, veçë vajzat e veçë djemtë. (Vallja e rrëndë e burrave është kategori më vete).

4.5-Unë mund tju dëshmoj dhe dokumentoj  faktin se në Pilur, kur loznin të rinjtë futboll ishte gjë e zakonëshme pjesmarja e femrës në përbërjen e skuadrave të futbollit. Dhe e kam fjalën për para viteve pesëdhjetë-gjashtëdhjetë, jo për vitet dymijë e gjashtëmbëdhje -të.

4.6-Por le të vazhdojmë më tejë.  Edhe Himara edhe Piluri bazë jetese kanë patur blegto -rinë. Por vetëm pilurjotët mirnin gratë me vete në stane (si stopane) për të punuar bulme -tin. Pilurjotët shtegëtonin familjarisht, duke marë me vete gjithë familjen, bura, gra e fëmijë gjë që nuk e bënin himarjotët dhe lebërit. Në familjet pilurjote administrimi i bulmetrave (djathë, gjizë, gjalpë etj) ishte detyrë dhe e drejtë e grave. Himarjotët, por edhe lebërit e quanin për “turp” të mirnin gratë në punë stani.

4.7-Fakti që blegtoria ka qënë bazë e jetës diktoi në këngë shoqërimin e saj me

mjete muzikore të botës baritore.Mjetet më të dashura për pilurjotët janë cula dhe dyjarja të cilat janë pjesë e inventarit muzikor të çdo familjeje. Edhe grupi folkloric pilurjot shumë këngë i shoqëron me culë dhe dyjare, duke muzikuar në këtë mënyrë elementin baritor të jetës. Më lejoni që tju tregoj edhe një kuriozitet për këto vegla muzikore.

Kur kënga “Bejk’ e bardhë” u prezantua në Festivalin Folklorik Gjirokastër në vitin 1973 me marrëse Vasillo Lapa kishte  shoqërues me culë Milto Gjiçalin dhe, në dyjare Margarit Kongjinin. Pas mbarimit të këtij Festivali,  grupet më të suksesëshme u ftuan në Tiranë të jipnin një koncert para udhëheqjes së kohës. U ftua sigurisht dhe grupi i Pilurit, por ju kërkua që të mos e shoqëronin këngën me culë dhe dyjare sepse “kënga popullore nuk shoqërohej me vegla muzikore”. Pilurjotët refuzuan argumentin  e paraqitur por urdhëri ishte i prerë. Atëherë pilurjotët i fshehën veglat  në veshjen e tyre dhe kur dolën në skenë i nxorën triumfalisht, me një gjest kalorsiak siç nxiret koburja nga brezi në dyluftim, gjest që u shoqërua me duartrokitje nga publiku.

4.8-Historia e rebelimit antiturk njeh edhe komiten (kaçaken) pilurjote Zogë Muçja ndër -sa nuk përmëndet ndonjë rast himarjoteje, pa nënvlerësuar kontributin e grave dhe vajza -ve himarjote në histori. Ne e kemi fjalën për cilësim individi (si psh Maro Konde në Ço -rraj).

Natyrshëm lind pyetja: Ku e ka burimin ky ndryshim dhe avancim pilurjot në rraport me Himarën?

5-Përmëndëm më sipër faktin se pilurjotët shtegëtonin me bagëti familjarisht. Vendet e

shtegëtimit (verimit) të tyre ishin kryesisht  Zagoria, Lunxhëria dhe Korça. Por këto krahina ishin gjithashtu edhe vende të njohura të emigacionit ekonomik.  Burrat e fami -ljeve zagorite, lunxhiote dhe korçare ishin emigrantë ekonomikë . Duke punuar nëpër vendet europiane dhe në amerikë, veç të ardhurave financiare ata sillnin edhe kulturën europiane apo amerikane, mënyrën e jetesës së këtyre vendeve dhe për pasojë edhe civili -zimin e femrës.

5.1-Me këtë kulture dhe me këtë civilizim binin në kontakt pilurjotët gjatë “emigrimit” të tyre të brendshëm. Thotë një këngë pilurjote…Leskovik vajta njëherë/ vajta për të blerë verë/ gjezdisa derë më derë /me para s’gjeçë të blejë/ Leskovik o gur i thatë/sa  të bukura i ke gratë/ të voglat dhe të mëdhatë…Duke qënë se pilurjotët kishin  gratë dhe fëmijët me vete në shtegëtime, thithja e kësaj kulture perëndimore bëhej më e shpejtë dhe kultivohej menjëherë në jetën e tyre. Vërtet që varfëria ekonomike i pengonte pilurjotët të visheshin “allafrënga”, por aktivizimi i grave dhe vajzave në jetën kulturore ishte pa shpenzime fina -nciare. Fakti që finesa femërore i bënte më të pëlqyeshme dhe më të bukura këngët dhe vallet ishte “çelësi“ që u hapi portën e pjesmarjes në jetën kulturore grave dhe vajzave pilurjote. Festat fetare në Pilur ishin edhe një demostrim i pjesmarjes aktive të femrave në këngë e valle në shesh të fshatit.

5.2-Dalëngadalë kjo pjesmarje femërore u bë  domosdoshmëri organike për tu kënduar kënga apo për tu kërcyer vallja. Kënga kërkonte zërin e ëmbël dhe vallja kërkonte hapin e lehtë të femrës.

5.3-Por duke hyrë femra si pjestare e grupit të këngës, ajo filloi të ndikojë cilësisht te teksti dhe melodia, duke i dhënë finesë, elegancë dhe ëmbëlsi këngës.

5.4-Pilurjotët kishin avantazhin e përthithjes së kësaj kulture perëndimore nëpër vendet ku shtegëtonin për vetë faktin se ata e mirnin këtë kulturë nga vendasit zagoriotë, lunxhi -otë dhe korçarë të “shqipëruar” më parë prej tyre dhe jo duke u ballafaquar me vështirësi -të gjuhësore të kombeve prej nga vinte.

6-Por edhe himarjotët emigronin do thotë dikush, madje edhe lebërit nuk emigronin më pak.

Është e vërtetë që dhe himarjotët emigronin, kryesisht në Venedik. Por ky ishte kryesisht emigracion ushtarak. Himarjotët shkonin ushtarë në ushtrinë e Venedikut, luftonin e fito -nin pasuri e grada, por kultura që mirnin ishte kryesisht ushtarake. Kjo kulturë ushtarake i shërbente forcimit të autonomisë së Himarës por jo civilizimit dhe përparimit kulturor  të saj. Pra, ky emigracion ushtarak nuk i hapi ndonjë portë civilizimit të femrës himarjote dhe aktivizimit të saj në jetën kulturore.

6.1-Fillimi i emigracionit ekonomik në vitet njëzetë ishte si “ardhja e pranverës ”për jetën civile himarjote.. Lindja e grupit të Neço Mukos dhe këngës  së tij “avazi “ himarjot është edhe produkt i  ndikimit europian në jetën shqiptare, ardhur nga emigrantët himarjotë në përgjithësi dhe Neço Muko në veçanti. Le të kujtojmë faktin se Neço Muko emigroi në Francë gati një pesëvjeçar para se të krijonte dhe inçizonte këngët himarjote. Ardhja e “avazit” të Neço Mukos ishte si …erdhi prilli, shkriu bora/ majave…

6.2-Edhe  lebërit shkonin nizamë nëpër viset sulltanore. Por edhe ky ishte një emigracion ushtarak, madje shumë i ashpër. Nizamët shqiptarë bëheshin më të zymtë gjatë shërbimit ushtarak turk sepse edhe vetë ky shërbim ushtarak ishte shumë i vrazhdë. Ata s’kishin çfarë gjëje të bukur e fine të mësonin te ushtria turke. Ata do ishin të fituar në qoftë se do ruanin kujtimet e shtëpisë dhe të vendit të tyre, kujtime që mjegulloheshin me kalimin e viteve. Për mos t’u haruar, kujtimet i shkruanin nëpër këngë, ku bënte roje një iso e ashpër. E ashpër që të mos futej fshehtazi nëpër këngë  ndonjë “aman-amane” turke.

6.3-Në këngët pilurjote, fryn një fllad i lehtë i  ëmbëlsisë së këngës  himarjote si dhe një rrymë e  epizmit lab dhe  kjo jo rastësisht. Piluri ndodhet në kufirin midis labërisë dhe Himarës, dhe po të analizojmë edhe emrin Pilur që ka kuptimin e vendrojes, mund të themi se Piluri ka qënë vendroja e Himarës në kufi me labërinë. Madje edhe vala e mysli -manizimit të labërisë  dhe ecja e besimit islam drejt Himarës u ndal në Pilur, i cili u dogj e u masakrua mbi dy herë nga ushtria  turke.

Por le të vazhdojmë me analizën e këngës.

7-Mendojmë të theksojmë edhe faktin që Piluri ka patur një numër të madh rapsodësh me aftësi dhe nivel të lartë krijimi. Vetëm në 200 vitet e fundit numërohen mbi 80 rapsodë me krijime të arira. Krijimet e këtyre rapsodëve, këngët dhe bejtet  ishin një revolucion më vete në civilizzimin e jetës shoqërore. Ata kuptuan se të qesëndisësh me bejte veset e bashkëfshatarëve nuk ishte “ftesë për duel” apo ofendim publik, por ishte një mënyrë  fine e të kritikuarit dhe një ftesë për korigjim. Po të lexosh bejtet e Pilurit mahnitesh nga larmia tematike e tyre dhe mrekullohesh nga mënyra fine e qortimit apo kritikës e cila, jo vetëm që nuk shkaktonte qefmbetje por pritej me humor dhe natyrisht lindte dëshirën për korigjim.

7.1-Në këtë korpus popullor këngët e dashurisë ndrinin nga ëmbëlsia si diamante. Ato ishin dhe mbetën në moshën e rinisë, në stinën e dashurisë. Ata propoganduan në krijimet e tyre faktin që dashuria  të mba të ri e të bukur. Urejtja është ajo që të mpak e të plak. Prandaj Piluri ka kaq shumë këngë dashurie. Pothuaj se të gjitha vajzave u është ngritur këngë nga rapsodët apo djemtë e dashuruar. Këto këngë  dhe bejte të rapsodëve pilurjotë  ndikuan në zbutjen e ashpërsisë të jetën shoqërore dhe shpirtërore të bashkëfshatarëve të tyre ashtu siç ndikon si dielli i pranverës mbi dëborën e mbetur nga dimri i kaluar.

8-Duhet të specifikojmë faktin që në Pilur të gjithë banorët janë rrënjës, pra nuk ka të ardhur, në një kohë që në fshatrat e tjera të Bregut ka banorë të ardhur nga veriu (Thopajt - Topiaj në Dhërmi etj) pas vdekjes së Skënderbeut në tentativë për të kaluar në Itali apo të mbetur pas zbarkimit të Gjon Kastriotit të Ri.

8.1-Kështu që, duke mos pasur të ardhur nuk ka ndikime kulturore jashtë fshatit. Ndiki -met e vetme janë ato që kanë përzgjedhur vetë banorët në zonat e shtegëtimeve. Në Pilur ende përdoren fjalë të vjetra si çeço për babai, dade për nëna, toto për kushëririn e burrit, bulla për kushërira e burrit etj. Pra duhet të theksojmë se kultura është rrënjëse, e vendit dhe jo e huazuar.

9- Pjesmarja aktive e femrës pilurjote në këngë, ashpërsia e një jete malore, vendbanimi   në një vend të konsideruar si vijë kufiri midis dy besimeve fetare, pozicion ky që ka sjellë jo pak përplasje të armatosura  (flëmë me dyfek nën kukë- thotë një këngë e vjetër pilurjo- te), një traditë shpirtërore shumëshekullore e patrazuar nga ndikime të jashtëme dhe sidomos një jetë folklorike aktive plot këngë e bejte të kënduara publikisht në shesh të fshatit apo te rrapi qenë “përenjtë” që  rritnin  nivelin e ujit në  “ujëmbledhësin” shpirtë -ror. Përenjtë janë malorë dhe uji është  i pastër.

Kjo pasuri shpirtërore (në kontrast me varfërinë materiale)  shumë e madhe për një fshat të vogël do kërkonte dhe do gjente terenin ku të shpërthente digat tradicionale.

10-Kënga pilurjote lindi si një fidan lisi dhe u rrit si një lis me rrënjë të thella, i ushqyer nga shpirti i një  populli të rritur në furtunat e jetës. Ky popull, që jeta e privoi nga shumë privilegje materiale por që gjithnjë ruajti në shpirtin dhe buzët e tij fjalët më të ngrohta përkëdhelëse, ëndrat dhe shpresat më të mëdha për jetën, të cilat si flori të shkrirë i derdhi në format e këngës. Pilurjotët nuk prodhuan nëpër shekuj ndonjë monedhë ari apo argjendi, por ata i dhanë kombit këngën e tyre me vargje dhe tinguj prej diamanti.



(Vota: 2 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora