Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Adil Fetahu: Marrimi i vetes dhe katundit

| E diele, 09.07.2017, 11:24 AM |


AI QË BËNË KËSHTU, MARRON VETEN DHE TANË KATUNIN

Nga Adil FETAHU

Tahir Sheremeti i Shëngjergjit, të Nikaj-Merturit (Malësia e Gjakovës), njihet në atë krahinë si mahitar (shakaxhi), i cili ka lënë fjalë e mahi, të cilat edhe sot e kësaj dite fliten e përsëritën, në situata të ndryshme. Në një mbrëmje të ftohtë vjeshte, Tahiri ishte vonuar në qendër të rrethit, për disa dokumenta. Duke u kthye për në shtëpi të vet, rrugës duke kaluar pranë një shtëpie (kulle) trekatëshe, vërenë se i zoti i shtëpisë në oborr po çante dru për të ndezë zjarrin e mbrëmjes. Tahiri ndalet dhe i drejtohet:

“T’u ngjatë jeta, o i zoti i shpisë”.

I zoti i shpisë i përgjigjet por me pritesë, dhe vazhdon punën e vet.

Tahiri, kembëngulës, vazhdon:“Si po e sheh, me ka zanë vonja, shpinë e kam larg, a kam ku me fjetë sonte”?

I zoti i shpisë: “Jo, nuk kam ku me të shti, se jam me rob me një vend”!

Tahiri: “Për me rob e pata fjalën, se pa rob pata me hy në xhami që i nxe 200 vetë”.

I zoti i shpisë, i zemëruar, ia kthen: “A po shko në punë tënde, more shok, se po të nxe pika e sherrit?!

Tahiri: “Jo, për sherr beriqatëvers, nuk kam nevojë”, dhe vazhdon rrugën. Arrinë te shtëpia e kumbarës, Sadik Selmani i Grisë*, shtëpi e njohur në tërë Malësinë e Gjakovës për bujari e mikpritje shqiptare. Sadiku, përveç pritjes së çdo mysafiri me fjalë të mirëseardhjes, në gurin mbi derën e hyrjes i kishte gdhendur fjalët: “Hajde bujrum”. Përveç mikpritës i dalluar, Sadiku ishte edhe vet një mahitar, që bënte pjesë në grupin e “të fortëve” ndër mahitarët. Kur Tahiri i tregon për bisedën që kishte bërë me atë të zotin e shpisë ku kishte kërkuar konak, Sadiku i revoltuar përgjigjet:

“Po Tahir, e njoh atë faqezi! Shyqyr që kemi pak si ai qe po  thue ti, se ata e marrojnë veten por edhe tanë katunin”.

Prej atëherë,  për raste të ngjajshme, në atë anë ka mbetë shprehja: “Për rob e pata fjalën…!” Sidomos kur bisedat zhvillohen me bashkëfshatarët e të zotit të shtëpisë i cili e kishte refuzuar mahitarin e njohur,Tahir Sheremetin nga Shëngjergji.

*) Sadik Selmani i Grisë, ka qenë babai i shkrimtarit të njohur tropojan, Zeqir Lushaj.

(Nga libri i Kolë Tahirit: “Tahir Sheremeti – mahitet me njerëzit dhe me kohën”).