E enjte, 18.04.2024, 11:40 PM (GMT+1)

Kulturë

Rexhep Shahu: Cikël poetik nga Fiqirete Kukli

E diele, 09.07.2017, 12:25 PM


FATI I QYTETEVE TË VOGLA

Cikël poetik nga Fiqirete Kukli, shkëputur nga vëllimi i ri poetik Fati i qyteteve të vogla, botuar më 2017, përgatur nga shtëpia botuese “Klubi i Poezisë”, Tiranë, me redaktor Rexhep Shahu, recenzent Izet Duraku.

Fati i qyteteve të vogla është fati i njerzve, fati i keq e i mirë që na prin e ndjek në jetë.

Autorja Fiqirete Kukli është emigrante si gjysma e shqiptarëve të atdheut fizik që çerek shekulli i fundit i dëboi duke i kthyer në përmendore të gjalla malli e dhimbje.

Në këtë libër do të gjeni shqiptaren a shqiptarin që, atje në tokë të huaj tashmë ndjehet jo krejt e huaj, që këtu në tokën amtare  ndjehet tashmë  jo krejt si në tokën e vet, që ndjehet as atje as këtu, as në tokë as në qiell, as të gjallë as të vdekur.

Në këtë libër do të shihni se njeriu është si qyteti, është si lumi, si Shkumbini...

Gjithkush ka dhe shkruan librin e vet.

Ky është libri i parë dhe duket jo i fundit i autores Fiqirete Kukli, e cila ka hedhur tej dyshimet e dyzimet dhe del para lexuesve me librin e saj, me poezi që ruajnë rininë e hershme aty brigjeve të Shkumbinit, që janë rritë nëpër lumin  e jetës dhe janë shkruar udhëve të mërgimit.

Edhe ky libër, që iu besua shtëpisë botuese Klubi i Poezisë, pohon se askush nuk ka të drejtë të shpallet pronari i poezisë, pohon që askush nuk ka të drejtë të ngulmojë deri në paciptësi duke shitë veten si bërës apo krijues poetësh, si orakull që shkruan fatin e të tjerëve dhe nëse refuzohen, ata mallkojnë poetët, mallkojnë ata që duan ta shkruajnë siç dinë librin e tyre, librin e jetës së tyre, ashtu siç Shkumbini shkruan në jetën e fatin e Fiqirete Kuklit duke e ndjekë atë si fati njeriun, nga Librazhdi në Rimini në Itali atje ku jeton e punon me familjen e saj.

Fati i qyteteve të vogla është një libër që flet vetë, me metafora të befta e të ngrohta, që të jep emocion dhe të vë në mendime. Ne të gjithë jemi nga një qytet i vogël që e merr me vete një ujë lumi, një Shkumbin në të cilin derdhen ëndrrat tona.

Rexhep Shahu

 

FATI I QYTETEVE TË VOGLA

 

Ne luteshim gjithmonë

Të ndaleshin njerzit në qytetin tonë

Luteshim

Por ata kalonin mes për mes dhe iknin

Iknin, nuk ndalonin.

 

Ne shpesh ndjeheshim pak

Ndjeheshim të vegjël

Ndjeheshim të pamjaftueshëm

Dhe donim të tjerë njerëz të ndaleshin në qytetin tonë

Sepse qyteti i vogël ish

Por zemrën të madh e kish.

 

Udhëtarët na dukeshin si pjesë e jona

Na përshëndesnin me bori makinash të rralla

Ikjen si trishtim linin për ne

Për qytetin tonë të vogël me zemër të madhe.

 

Si Shkumbini, edhe udhëtarët

Kalonin nëpër ne dhe iknin

Duke marrë me vete ëndrrat dhe shpresat tona

Duke shkruar fatin e qyteteve të vogla.

 

 

SHKUMBINI SHKRUAN NË MUA

 

Shkumbini shkruan në mua ëndrrat më të bukura

dashuritë e mia,

mbytjet në gjiret e tij

shkruan rritjen time

sytë e mi

të qeshurën time që derdha në të

vështrimet që mi mori përjetë

këngët e mia që i mbolli si rrape

këngët e mia që m’i bëri vetë.

Shkumbini nuk ndalet së shkruari mbi mua,

gjunjët e vrarë që laja në të

gërvishjet e përgjakjet nga rrëzimi në varp

lotët që nxirrja në fytyrën gjithë pluhur

kureshtjen për gjinjtë që më rriteshin

dhe ai mi ledhatonte

rininë time shkruan në mua,

dashurinë e tretur që dhemb

më mëson të rend drejt fatit,

të mos ndalem më mëson.

Ëndrrat e mia u bënë shkumë

valë - valë rendin nëpër gurë

rriten ëndrrat, mbyten shpesh

brigjet qajnë, shemben në ujë.

Shkumbin lumi im, ëndrra ime

që më mëson ta gjej udhën

edhe kur s'ka udhë

ta çaj malin mes për mes

dhe dashurinë më mëson,

më mëson të dua

të shkruaj dhe unë në zemër

si ai në tokë e në brigje

më mëson zgjimin

këngët e tij që s’kanë fund

vajet e dhimbjet e tokës

lotët e maleve që rrjedhin në të

më mëson mirësinë, dashurinë

të mos ndalem kurrë deri në det...

 

 

NDARJET MË TRISHTOJNË

 

Po iki.

Ndarjet më trishtojnë

dhe kërcitja e derës tek mbyllet pas meje.

 

Rruga që s’e gjej

ngushtohet.

 

 

SHKUMBINI DHE UNË

 

Shkumbini dhe unë shpesh jemi të turbullt.

 

Nga malet e ëndrrave

rrokullisen gurë në ne

dhe na turbullojnë.

 

 

O XIXILLAK

 

(kushtuar valltarit të famshëm Sadi Halili)

 

Na ke marrë për dore o Sadi Halili...

drejt qiellit na tërheq

drejt diellit, dashurisë

me rreze dielli je mbështjellë

ëndërr e rinisë.

 

Na ke marrë për dore o Sadi Halili

Shkumbinin për beli ke mbështjellë

e çmbështjell në ajër kur zbret nga qielli

ta prekësh tokën me marrë fuqi

dhe shkund retë që të janë ngatërruar mbi krye.

 

Këmba jote nuk zë dhe’

trokon në ëndërr, niset për te yjet

fluturojmë ti e unë nga toka në re’

nga njëri shkëmb në tjetrin gur

nga njëri shpat në tjetrën majë

nga njëra ëndërr te tjetra brengë

nga njëra dhimbje te tjetra këngë

nga njëri lumë te tjetri mal.

 

Na ke marrë për dore o Sadi Halili

dhe në qiell ëndrrash na hedh.

 

Si zogjve, na mësove fluturimin.

 

 

HAJDE ZEMËR

 

M

 

Hajde zemër

Ti notat, unë fjalën me zërin tim

Muzika të jehojë

Kitara jote cicëron në duart e tua

E ne fluturojmë në ëndrra pa fund.

 

 

LIBRAZHDI YNË I VOGËL I MADH

 

Librazhdi ynë i vogël i madh

Portë e hapur gjithmonë.

Ne bijat e perëndeshës Dianë

hidhnim shtat nëpër shkumë.

 

Librazhdi ynë i vogël i madh

I mbushur me shpresat tona plot

me drojet tona që linim në Shkumbin

dhe ëndrrat që ia nisnim detit.



(Vota: 1)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora