E enjte, 28.03.2024, 02:21 PM (GMT)

Kulturë

Fran Gjoka: Intervistë me publicistin e njohur Viron Kona

E diele, 09.07.2017, 08:49 PM


Parajsa njerëzore janë fëmijët...

Intervistë me shkrimtarin dhe publicistin e njohur Viron Kona

(Në 67 vjetorin e lindjes së tij)

Nga Fran Gjoka, Publicist

-Duke ju falënderuar  për këtë bisedë dëshiroj t’ju kujtoj se bashkë kemi njohje e bashkëpunim jo pak, por mbi 30 vjet. Ky fakt çfarë ju sjell në mëndje ?

-Më sjell në mendje periudhën kur botonim gazetën “Mësuesi’, organ i MASH (sot MAS). E kujtoj me emocion dhe mall atë periudhë, ndërkaq kujtoj dhe përfytyroj me mall edhe juve shokët, miqtë, bashkëpunëtorët e panumërt të “Mësuesit” në të gjithë Shqipërinë, por edhe në vende të tjera të botës. E bënim me pasion atë gazetë dhe, e bënim mirë. Nuk e mora vesh asnjëherë pse na e mbyllën, ndërkohë që mësuesit e donin…

-Nga rreth 40 libra që keni botuar, cilët janë ata që keni më shumë për zemër  dhe pse?-Librat që kam më afër zemrës janë ato që u kam kushtuar fëmijëve...Mendoj se u detyrohemi dhe duhet të bëjmë shumë e më shumë për fëmijët, ashtu siç kanë bërë edhe të tjerët për ne. Nuk ka më të shtrenjtë se fëmijët. Ata kanë nevojë t`i duam, t`i respektojmë, t`u tregojmë përvoja të jetës sonë, por edhe të përfaqësuesve më të shquar të shoqërisë njerëzore në shekuj, pastaj, duke u rritur, me ëndrrat dhe guximin e tyre, ata e çojnë më përpara jetën dhe zhvillimin...

-Ndonëse vitet po bëjnë të tyren dhe përsëri punoni dhe krijoni si një  30 vjeçar. Ku qëndron  sekreti  i energjive tuaja ?

-Më vjen mirë që më vlerësoni, por mendoj se duhet të punoj edhe më shumë. Koha largohet me shpejtësi dhe pa u ndjerë, madje çuditshëm e sheh veten nga fëmijë çapkën i dikurshëm, në një njeri të moshuar, të rrudhur, të ngadalshëm, të ngeshëm në dukje, që ka nevojë për vëmendje, t`i flasin, ta përshëndesin, t`i thonë një fjalë të mirë dhe të ëmbël, ta dëgjojnë... Dëshira ime si e shumë të tjerëve është që ato përvoja më të mira, ato frymëzime dhe imagjinata krijuese që më gjëmojnë çdo çast në kokë, t`i shkruaj...Ato janë aq shumë dhe më thërresin çdo çast:  “Jam dhe unë, mos më harro, pa kujtoju dhe pak!” ndërkohë që “lëmshi mblidhet”...Kjo më bënë që të administrojë sa më mirë kohën dhe energjitë krijuese, të vë më shumë në lëvizje imagjinatën krijuese, e cila është dhe “arma” më e fuqishme për një shkrimtar.

-Thuhet se kush punon, jeton gjatë, ndaj jeta duhet kuptuar gjithnjë në lëvizje dhe me veprimtari të pandërprera. Ku qëndrojnë vlerat kryesore të librave të  botuara apo shkrimeve, qofshin këto në revista apo gazeta?

-Jeta është lëvizje,-thoshin të vjetrit. Kurse librat janë kujtesa e njerëzve, janë dëshmi të kohës që jetojmë, ato e ndihmojnë jetën. Një shkrimtar ka detyrë që t`i përzgjedh veprat e tij më të mira, dhe, pikërisht ato të paraqes përpara lexuesit, teksa është lexuesi pastaj që bënë zgjedhjet e tij...Nuk ka rëndësi nëse ajo që ti ke shkruar është një roman apo një artikull gazete, por sesa e vlefshme është ajo që t`i ke shkruar. Sokrati, që nderohet si njëri nga dijetarët më të mëdhenj të botës nuk ka lënë asnjë vepër të shkruar. Tek ne vijnë gojë më gojë, apo të shkruara nga të tjerët, dialogët dhe aforizmat e tij, që vlejë sa dhjetëra e qindra libra enciklopedikë...

-Ku mendon se qëndrojnë disa nga vlerat e librave që ke shkruar?

-Vlerat e librave i njeh dhe i përjeton lexuesi, teksa unë do të isha i lumtur sikur të ndihesha sadopak i vlefshëm me ato që  kam shkruar. Një tregues është shitja, tërheqja e librit nga lexuesi. Cikli prej rreth 14 libra, që kanë personazh Bubulinon, duke filluar nga viti 1999, ka kapur tirazhin prej afro 60 mijë kopje, gjë që më tregon se libri është i pëlqyer dhe i kërkuar. Në shtëpi kam fare pak kopje të atyre librave...

-Ndjen kënaqësi dhe emocion kur t`i vlerësojnë librat?

-Ndjej kënaqësi të rrallë kur lexues të ndryshëm gjatë takimeve, apo edhe me telefon ose nëpërmjet mesazheve me e-maile, më përmendin këtë apo atë libër. Në faqet e brendshme të librave unë vë gjithnjë adresën dhe numrin e telefonit, kështu që secili e ka mundësinë të më thotë vetë përshtypjet apo mendimet që krijon. Nga kontaktet me lexuesit po përmend vetëm dy momente të kohëve të fundit: Në një takim në shkollën “Vëllazërimi” në Tiranë, ku zhvillova një takim të paharruar me lexuesit e vegjël, në çastin kur hyra në oborrin e shkollës, befas, një grup fëmijësh, me tufa lulesh në duar, u derdhën si zogjtë drejt meje dhe, duke më përqafuar, më prezantoheshin me emrat e personazheve dhe të librave të mi për fëmijë: Bubulinoja, Dardi, Fluturushja, Shqipja, Shkencëtari Këmbëgjatë, Gjyshi Ambasador, kapiten Liku, papagalli Çate....Emrat e këtyre personazheve dhe titujt e disa prej librave, ata i kishin të shkruar bukur dhe dukshëm në veshjet e tyre... Kurse, më 23 prill të këtij viti, në “Ditën botërore të librit”, isha i ftuar në Universitetin “Aleksandër Xhuvani” në Elbasan në një takim  me pedagogë e studentë. Gjatë bisedës, njëra nga pedagoget e universitetit më dhuroi emocion dhe kënaqësi të veçantë kur tha se gjatë kohës që ishte nxënëse në shkollën 8-vjeçare, kishte lexuar një nga librat e mi për fëmijë, të cilin e mbante mend si një kujtim të çmuar. Ajo u shpreh se ai libër kishte nxitur tek ajo dëshira, ëndrra dhe pasione, kishte zgjuar ndjenja, imagjinata dhe mendime të bukura...

-Ju keni qenë refugjatë, madje keni shkruar edhe një roman të pritur mjaft mirë nga lexuesi “Drithërimat e yjeve”. Mendoni se mërgimi është zgjidhje për shqiptarët?

-Mërgimi ka qenë dhe është një zgjidhje, por zgjidhje nga  keqja. Natyrisht, në emigracion, ka edhe nga ata që jetojnë mirë, sidomos në disa prej vendeve të zhvilluara, por, gjithsesi, s`ka më të ëmbël se atdheu. Në mërgim, në shumicën e rasteve, mbetesh inferior, për të mos thënë skllav i të tjerëve. Mjafton t`ju perifrazoj vetëm një moment që e përshkruaj te romani im që ju përmendët “Drithërimat e yjeve”: “Në atë ditë të ftohtë, pronari grek, kur mori vesh që refugjati që kishte marrë në kabinën e makinës  ishte shqiptar, ndali makinën, e urdhëroi  refugjatin të hipte në karroceri, kurse, qenin që ishte në karroceri e futi  në kabinë...”

-Ju jeni një shkrimtar shqiptar i përkthyer edhe në Suedi dhe keni një marrëdhënie  dhe bashkëpunim  të ndërsjellë atje. Si po zhvillohet ky bashkëpunim?

-Po kam vite që e zhvilloj këtë lidhje dhe bashkëpunim. Atje është përuruar në një ceremoni mbresëlënëse, të paharrueshme me pjesëmarrje të gjerë suedeze dhe shqiptare, libri im i përkthyer në suedisht “Bubulino”. Por, është përuruar dhe vëllimi me tregime me motive suedeze dhe shqiptare “Zonja nga Borasi”, i cili, edhe ky po përkthehet suedisht...

Në prill të këtij viti, isha i ftuar në një takim të Kryesisë së Lidhjes së Shkrimtarëve të Suedisë Perëndimore, në Goteborg, ku paraqita disa nga botime e mia kushtuar Suedisë. Me mua ishin dhe sociologu i njohur shqiptar prof. Dr. Zyhdi Dervishi, si dhe gazetari dhe studiuesi Nuri Dragoj. Ndërkaq u gëzova shumë kur në një ceremoni të bukur në qytetin e Borasit, u vlerësua nga një komision i veçantë përkthyesja e librit tim “Eh, more Bubulino!” zonja Qibrije Hoxha, e cila banon familjarisht prej shumë vitesh në Stokholm.

-Në jetën time njohëse 30 vjeçare mbeteni gjithnjë buzagaz.  A zemërohet ndonjëherë Viron Kona?

-Zemërohem kur nuk arrijë të bëj dot atë që dua. Zemërohem kur nuk arrijë t`i botojë për mungesë financimi disa nga librat që kam shkruar kohët e fundit. Zemërohem kur shoh se njerëzve u vështirësohet jeta dhe zgjidhja  e problemeve. Zemërohem kur njerëz të ndryshëm, sidomos politikanë, që e mbajnë veten përfaqësues të shqiptarëve, shajnë njëri-tjetrin përpara botës… Pra siç e shikon edhe zemërohem...

-Po me fëmijët  zemërohesh?

-Me fëmijët nuk zemërohem kurrë, asnjëherë...

-Si ia arrin të përshtatesh me ta?

-Oh, është fare e lehtë, kujtoj fëmijërinë time, shokët e mi të vegjël, lojërat që bënim, shpirtin  aventurës, shkollën time fillore, dëshirat dhe pasionet dhe, fusha e bisedës me ta është një det i tërë...ku, edhe ata, edhe unë e ndjejmë veten mirë, ndihemi shokë dhe miq, sidomos me personazhet që dalin nga faqet e librave dhe bëhen temë bisedash...Kënaqem kur shohë se fëmijëve u ndrijnë sytë nga pasioni dhe dëshira që edhe ata të bëhen artistë dhe shkrimtarë...Në ato takime lexuesit e vegjël janë shumë të lumtur dhe të emocionuar, por më duket se më i lumturi dhe më i  emocionuari ndihem unë...

Lumturia e ka vendin mes fëmijëve, mes jetës dhe gjallërisë së tyre...Parajsa njerëzore janë fëmijët...Provojeni po deshët: kujtoni fëmijërinë dhe do të ndihemi i lumtur, rrini me fëmijët dhe do të lumturoheni, jeta do t`ju bëhet më e bukur, kurse për ne të moshuarit, jeta bëhet edhe më e gjatë, rrojmë më shumë..

- Të kam parë gjithnjë si një familjar model dhe  përkushtimin për të bërë më të mirën e mundshme në punët e përbashkëta në familje. A qëndron ky fakt ?

-I kryej me seriozitet disa detyra: bëj pazar, duke kërkuar për shembull perimet dhe frutat  me çmime më të lira, familjen e ftoj për kafe, për shëtitje, sidomos nga liqeni i Tiranës, i cili është një perlë e kryeqytetit dhe, ku, unë që marrë frymë me vështirësi mes lagjes dhe makinave të panumërta që dalin si breshkat në çdo cep dhe kthesë, atje te liqeni bëhem si lepur, jam gati të bëj vrap...

-I detyroheni kujt në jetë?

-Në radhë të parë familjes sime, për të cilën duhet të bëj më shumë. I detyrohem shumë bashkëshortes sime, vajzës, djalit me familjen e tij, sikurse dhe prindërve të mi, të cilët sa ishin gjallë më kanë mbështetur me gjithë zemër në aventurën time shkrimore...

-I ke respektuar shumë prindërit?-Shpesh vras mendjen se, mos, kur isha fëmijë dhe i ri, kam bërë diçka që u kam thyer atyre zemrën apo i kam vënë në vështirësi. Ndihem mirë që kujtesa më shfaq vetëm skena respekt për ta. Kur prindërit nuk jetojnë më, fëmija nuk e ka më mundësinë t`u  shpreh mirënjohjen apo t`u kërkoj të falur për  ndonjë rast ku ka gabuar me ta. Tani në këtë moshë i kujtoj shpesh prindërit e mi dhe, atyre u kam kushtuar disa nga tregimet më të bukura: “Refreni që përsëritej çdo ditë”,  “Një gotë uzo”, “Antigona.”..

.-Sponsorizohet letërsia?-Nuk duket se kam përgjigje pozitive. Mbase ngaqë ka shumë që shkruajnë, mbase unë druaj të kërkoj. Ka shumë “mbase” kjo pyetje. Ata që i kanë bërë paratë dinë se ku t`i shpenzojnë, me ato para bëjnë para të tjera, me libra nuk bëhen para. Kështu që, për mua dhe kolegët e mi, mbetet ajo që është më e sigurt: Të shtrëngojmë brezin dhe të vazhdojmë punën me këmbëngulje dhe durim...

- Keni parë e jetuar dy sistemet politike në Shqipëri. Cila është gjëja më e rëndësishme dhe më e shtrenjtë për ju në sistemin demokratik ?

-Liria. Liria është më e shtrenjta. Askush nuk ka të drejtë të ketë “pronësi” mbi njeriun dhe mendimin e tij të lirë.

- Të tjerët shkruajnë shumë për ju. Çfarë mendoni ? Ndaj vetes bëheni më kërkues, apo çfarë ndodh tek ju ?

-I falënderoj ata që shkruajnë për librat e mi, edhe në Shqipëri edhe jashtë saj. Hapësira e letërsisë është e jashtëzakonshme, nis me një përrua, vijon me një lumë, me një det...Ajo është një oqean i tërë...Jam gjithnjë me vela të hapura, erërat janë të mbara dhe përpiqem të lundroj i sigurt në këtë hapësirë....E di që nuk mund t`i bëjmë dot të gjitha, por secili nga ne le të bëj më të mirën...

- Si e dëshironi të ardhmen vetjake e familjare? Çfarë do të kërkoje më tepër nga jeta ?

-E ardhmja ime dihet: të kem shëndet dhe të shkruaj. Por kam merak familjen, po i lë pa një mbështetje, ekonomike në radhë të parë...Ndonjëherë shoh ëndrra se duke fituar ndonjë konkurs apo çmim do të bëhem i pasur...Ndërkaq, paraja tërheq vetveten, paraja shkon te paraja. Disa s`dinë ku t`i vënë aq shumë kanë, përpiqen t`i justifikojnë sidomos tani që po mbërrin  VETINGU...Kurse të tjerët shohin ëndrra në diell...Unë jam nga ata të ëndrrave...

-Do të thuash që bota është e padrejtë?

-Që kur ka lindur, që kur është krijuar, por “Pandora, e cila  shpërndau gjithandej të tëra ligësitë, vuajtjet dhe sëmundjet e fshehura në një vazo, la brenda vazos diçka edhe për ne, la shpresën dhe pritjen”



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora