E marte, 02.03.2021, 11:47 PM (GMT)

Kulturë

Ibrahim Gani: Mos e fyej vatrën tënde

E shtune, 08.07.2017, 08:58 AM


Ibrahim Gani

 

Mos e fyej vatrën tënde

 

Poemë

 

“E dashur nënë,

do ju ndihmoj…, por kurrë

nuk do të shkel më në atë

vend të mallkuar…”

Nga letra e një emigranti

 

1.

Mos e fyej këtë tokë,

Mos hidh zgjyrë mbi tëndin gur,

Se mes flakësh dhe në shqotë

Vrik mbulohet me flamur.

 

Në male, pyje, lëndinë

Në çdo grykë, te çdo burim,

Pllajave me trëndelinë,

Vlon një këngë, prehet një trim.

 

Po t’i prekësh vatrën trimit,

Ai rrasën e bën kalë,

Jep sinjalin e kushtrimit,

Prin me mijëra të gjallë.

 

Se të gjallët mirë e dinë:

Flamurtar sërish ai,

I martuar me lirinë

Sapo mbylli buzë e sy.

 

2.

Mos e fyej këtë baltë,

Mbi të popla mos vërvit,

Buka e saj e ëmbël mjaltë,

Fllad i saj shpirtin flladit.

 

Kaltërsi, diell e yje

Treqind ditë ku mund t’i gjesh?

Borë e bardhë përmbi krye,

Portokallja bregut qesh.

 

I vë buzët te burimi,

Beh në supe çelin fletë.

Ç’ka të thotë Vjosa e Drini,

Nuk thotë Oqeani i Qetë.

 

3.

Mos e fyej këtë vatër,

Se e prijnë ca bukëshkalë

Që helmojnë porsi gjarpër

Hem të vdekur, hem të gjallë.

 

Lër se ç’pjellë pabesie,

Ç’bar të keq që rriti moti

Loti ynë, lot varfërie,

Mos u ndaftë turpin Zoti!

 

4.

Mos e fyej tokën tënde

Përqafuar nga dy dete;

Ish e mbeti mollë helene

Për gjitonë e supershtete.

 

Malet tona jargavan,

Detet tona rrezear,

S’i prek dot – thikë e shafran,

Kur i puth – mjaltë e havjar.

 

Ndaj dhe krushqit shkojnë e vijnë

Ca me skeptër, ca pa skeptër,

Në një dorë “bromp!” dollinë,

Fshesën-o në dorën tjetër.

 

Fill pas fshesës plumb në ballë,

(U pre një lastar i ri),

Dhe një nënë rrënjëdalë

Nis e qan me logori.

 

Derdhen ligjet valë-valë,

Plagëplot vatër e brigje.

Bregut qan një pulëbardhë,

Kulmeve kukat një qyqe.

 

5.

Mos e përbuz vatrën tënde,

Toka jonë, tokë e bekuar!

Bir i nënës, mos u çmende

N’udhë bote shpirt-trazuar?

 

I përbuzur, i drobitur,

Gjiri yt – det pikëllimi,

Dorëlypës, i goditur,

Si qen pas të ndjek dyshimi.

 

Shtëpia jote e mirë

Derëhapur jetë e mot,

Kurrkujt s’i kërkoi mëshirë,

Rastësisht s’erdhi gjer sot.

 

Themelet mbirë në shkëmb,

Mbrujtur-o me gurra gjaku,

Sot të flasin nga ky vend:

-Eja bir, se të do pragu!

 

Po çatia duhet ndërruar

Bir i nënës, herë pas here,

Dritaret duhen zgjeruar,

Që të mbushet fllad pranvere.

 

Me dritare fletëgjerë,

Bukur yjet do pikojnë,

Si në dimër dhe në verë,

Më larg syri do shikojë.

 

6.

Po të flasin këto vende:

-Biri im, drita e syrit,

Ktheu shpejt në vatrën tënde,

Djepi i artë i Naimit!

 

 

Poeti dhe pushteti

 

Poeti vdiq, tërë pushteti,

Në dukje zi putër e vetull,

Brenga e tij në ballë të shtetit,

Një blanë e zezë që s’njeh të tretur.

 

Kodoshë partiakë e pushtetarë,

Sot e nderoni … ku ishit dje?

Poeti njomte buzën me dhallë,

Ju në gji vilash seks, hare !

 

Shtinjakë mbi arkivol përkulur…

Hipokrizi kush ta gjen fundin?

Poeti mes dallgësh tejshkundur,

Larg poetit, mos i trandi gjumin!

 

Liderë partiakë e pushtetarë.

Pas vdekjes e dime ç’do të lini,

Plagë, putana, qehallarë

Drogën bukëvalë e shtigje krimi.

 

Ndaj vdekja një rrasë do ju falë,

Me dy-tri shkronja te koka…

Poeti ngaditë prin në ballë

Pishtar blerimi në epoka!

 

Tiranë, 2012



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora