Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Albert Habazaj: Nderohet grupi '10 shqiponjat e Tërbaçit'

| E enjte, 06.07.2017, 08:36 PM |


19.06.2017, me Grupin në Presidencë, çast mbas marrjes së titullit Naim Frashëri

Grupi “10 shqiponjat e Tërbaçit” për polifoninë labe femërore nderohet nga Presidenti i Republikës

Nga Albert HABAZAJ, studiues i Etnologjisë dhe Folkorit

Kujtesë. Për këngën polifonike labe, njihen stilet muzikore të Kurveleshit, Bënçës, Lopësit, Gjirokastrës, Lunxhërisë, Zagorisë, Dukatit, Bregdetit, Pilurit, Smokthinës, Kaninës, Tërbaçit, Bratajt, Gorishtit, Mallakastrës, të cilët, krahas stileve të krahinave të tjera shqiptare kanë pasqyruar vlerat e traditës folkorike të zonës që përfaqësojnë, në festivalet folkorike kombëtare të Gjirokastrës, e cila, nga UNESCO, është cilësuar “Pasuri kulturore e njerëzimit”. Prezantimi, paraqitja e këtyre thesareve të gurrës popullore është realizuar nëpërmjet bartësve individë të trashëgimisë kulturore jomateriale, të grupeve dhe shoqatave kulturore, si dhe të grupeve përfaqësuese në bazë rrethi, me synim ruajtjen, promovimin, pasurimin, përhapjen dhe popullaritetin në publikun e gjerë të vlerave më të mira muzikore, koreografike, etnografike të krijuara prej shekujsh; si dhe për të paraqitur dhe krijimet e reja folklorike me karakter improvizues, lojërave me karakter imitativ, pantonimik e humoristik. Festivali i Parë Folkorik Kombëtar i Gjirokastrës u zhvillua në vitin 1968, në datat 8-16 tetor në kalanë e Gjirokastrës. Pas këtij festivali, ku morën pjesë të gjitha rrethet e vendit, në çdo pesë vjet, përkatësisht 1973, 1978, 1983, 1988 në kalanë e Gjirokastrës janë zhvilluar rregullisht Festivalet Folklorike Kombëtare (FFK), të cilat janë veprimtaritë më të rëndësishme në fushën e trashëgimisë kulturore jomateriale. Mbas viteve ’90, edhe folkori kërciti dhe pësoi ca tronditje, por u ringrit me dhembje për të vijuar udhëtimin e gjatë folkoristik. Në vitin 1995, FFK u zhvillua në kalanë e qytetit të Beratit. Në muajin shtator 2000, FFK rikthehet përsëri në qytetin e Gjirokastrës. Ky festival ka qenë i konceptuar në formën e një gare folklorike, ku deri në festivalin e vitit 1988, janë dhënë çmime për grupet më të mira, ndërkohë që në festivalet e fundit të tij çmimet do të ndaheshin për bartësit dhe interpretuesit e folklorit. FFK 2004 u zhvillua në Gjirokastër nga data 29 shtator - 5 tetor. FFK 2009 u zhvillua në Gjirokastër në datës 24 deri në 29 shtator 2009. Në vitin 2015 u zhvillua Festivali i Nëntë Folkorik Kombëtar. Qysh në vitin 1973, Tërbaçi shkëlqeu me këngën “Lindi luania luanë” dhe vallen “More diell e moj hënë!”; në vitin 1978 me këngën “Tërbeçtë haraçe s’dhanë” dhe kështu, vijuan udhëtimin majave të Malit të  Folkorit… në ato maja ku qenë ngjitur Himara e Smokthina, ku po ngjitej Piluri, Vranishti, Tragjasi, Dukati e në vijim Lapardhaja, Armeni, Kallarati, Bolena etj., pa përmendur Bënçën e grupet e tjera të mëdha të kënëgs labe, sepse ky shkrim është ngushtësisht lokal, se brenda polifonisë labe të krahinës së Vlorës, trajton vetëm grupin e veçantë të polifonisë femërore të Tërbaçit.

Pak historik për Grupin e Vajzave të Tërbaçit “10 Shqiponjat e Tërbaçit” (kolektiv), nderuar nga Presidenti i Republikës, Bujar Nishani me Titullin “Naim Frashëri”. Grupi i Vajzave të Tërbaçit, i quajtur “10 Shqiponjat e Tërbaçit” për këngën labe, na jep imazhin e 10 Miro Tërbaçeve të polifonisë femërore, që aktualisht është unikal në Shqipëri. Ky grup e ka zanafillën herët, në vitet 1969-1970, angazhuar me këngën polifonike tërbaçiote të shkollës 8 vjeçare “Halim Xhelo” Gryka, Tërbaç, qysh në klasë të tretë, sipas sistemit zinxhir që organizonte përsosmërisht për zhvillimin e folkorit lokal Dragoi i këngës Labe, i paharruari Kujtim Mici, Mjeshtër i Madh. Në vitin 1978, në Festivalin e Tretë Folkorit Kombëtar të Gjirokastrës, 4 nga solistet kryesore të grupit të vajzave të Mesaplikut me 7 këngëtare, ishin nga Tërbaçi, shoqe klase. Në atë festival, vajzat shkëlqyen me këngën epiko - lirike “Gjurmë të kuqe borës latë”. Dhe ishin 17-18 vjeçe me marrëse Nazo Dautaj (Diana Ribaj) sot në mërgim, Greqi dhe hedhëse Shpresa Kapo Çelaj, sot përgjegëjse e grupit. Në Festivalin e 78-s, Nazua u prezantua si vigane e famshme e këngës labe. Amazonë e pashoqe, e paarritshme, e papërsëritshme në zë. E madhe. Shoqe tjetër s’kish. Por…u largua… Në 1 gusht 2016, erdhi për fat, për të ndezur zjarrin dhe ta mbajnë ndezur bijat që janë në Atdhe. Nismëtarë të këtij grupi janë Nazo Dautaj (Diana Ribaj), Shpresa Kapo Çelaj dhe Albert Habazaj, i cili më vonë mori funksionin shoqëror si drejtues artistik i grupit. Takimi u zgjerua dhe me disa bashkëmoshatare dhe u bënë 10 vajza, gra, nëna, gjyshe, motra, shoqe. Dashuria për vendlindjen, sedra e shëndoshë, mirënjohja për emrin që na ka dhënë Tërbaçi kur na duhej, e meritonte këtë shpërblim shpirtëror. Nazua shfaqet në horizontin folkorik si kryeshqiponjë e malit të Çikës për këngën burimore tërbaçiote, në përsosmëri realizimi, e ngjizur me këngën si një harmonikë qiellore. Në atë takim u fol e u diskutua edhe për hallet e dertet e këngës së Tërbaçit, për ringritjen apo formatimin e një grupi polifonik femëror. Ja kështu mori udhë ideja e këtij grupi të veçantë. Ato nuk janë shqiponja të trimërisë historike, por janë shqiponja të kohës, me shikimin tutje horizontesh të paanë për transmentimin e këtyre thesareve të shpirtit popullor në këngë e valle brezave. Ato nuk janë vërtet  Miro Tërbaçe, (“trimja që vrau pashanë/ tërbaçiotja vajzë”), por ato janë 10 nga Miro Tërbaçet, që sfiduan kohën, që vranë paragjykime, koncepte meskine e mentalitete të lodhura të “burrave të rëndë me mustaqe e qesè”, se folkori buron vetë nga shpirti jo vetëm me e për pará, por me vërtetësi, shpirt, dashuri, me sakrifica, duke qenë në një solidaritet të admirueshëm për ruajtjen dhe zhvillimin e folkorit të fshatit. Këto dhjetë Miro Tërbaçe janë hedhur në krahë të Eposit folkorit, sikur të ishin shqiponjat e malit të Çikës, pa e ndalur fluturimin hapësirave lirike të këngëve të shpirtit. Në Grupin e Vajzave të Tërbaçit, bëjnë pjesë 10 këngëtare tërbaçiote, që, mbas shumë provash, konsoliduan profilin e këngës grarishte të vendlindjes, duke ruajtur origjinalitetin e folkorit përkatës lokal. Ato janë, përkatësisht: Shpresa Kapo Çelaj (ditëlindja 1960, me shkollë të lartë, marrëse, hedhëse, kthyese, mbushëse e këngës, heqëse e valles), Liliana Rrapi Kapo (dtl. 1961, sh.l., marrëse, mbushje), Hava Çelaj Muça (dtl. 1960, sh.l, marrëse, mbushje), Baftie Dauti Xhelili (dtl. 1963, sh.l., marrëse, mbushje), Evgjeni Habili Seferi (dtl. 1964, me shkollë të mesme, marrëse, mbushje), Antoneta Goxho Mehmetaj (dtl.1970, sh.m., marrëse, mbushje), Liri Gaçe Shkurtaj (dtl. 1960, sh.m, kthyese, mbushje), Vitore Shiroka Veraj (dtl. 1961, sh.m. hedhëse, mbushje), Lavdie Goxho Xhaka (dtl. 1958, sh.m., mbushje) dhe Madelona Mëzyraj Skëndaj (dtl. 1983, sh.m., mbushëse, nr. 2 në valle). [Lona, më e reja dhe mbarësia e Grupit këto ditë do të na sjellë një bebe të bukur në jetë dhe është zëvendësuar përkohësisht nga Meme Ribaj Habazaj (1963, sh.l., mbushje), e cila ishte në Tiranë me 10-shen e Grupit “10 shqiponjat e Tërbaçit” ditën e vlerësimit tonë nga Presidenti, më 19 Qershor 2017. Këto vajza, veshur me kostumet, që dikur vishnin nëpër dasma, gëzime e ceremoni festive stërgjyshet, gjyshet, nënat, tezet e hallat tona na shfaqen me lirikat e trëndelinta, sidomos në këngët dy vargjëshe, ku dallon tingulli lirik, aq i ëmbël e i shtrirë i labëreshës tërbaçiote. Tek Grupi i Vajzave të Tërbaçit evidentohet dukshëm dhe merr kështu një shkëlqim brilant karakteri sinkretik i foklorit për ta transmentuar brez pas brezi, edhe me veshjen karakteristike femërore të fshatit. Këngën e vlerësojnë si ushqim të shpirtit dhe, si të tillë, e ruajnë të pastër duke e çuar më tej. Kanë dhënë disa koncerte në Vlorë dhe janë mirëpritur. Kanë realizuar, me një repertor të pasur folkorik, kryesisht lirik burimor, Albumin e Parë me titull “Bota e Tërbaçit nëpërmjet polifonisë femërore” me 14 njësi folkorike, (11 këngë dhe tre valle të kënduara grash, me dy variante: me tri hapa ose tri këmbë, si i thonë ato, si dhe me një këmbë). Po punojnë për Albumin e Dytë, nën drejtimin e studiuesit të Etnologjisë dhe Folkorit MSc. Albert Habazaj dhe me ndihmën e Mjeshtrave të këngës labe Pelivan Barjamaj e Llambro Hysi. Zëri i Miro Tërbaçeve të këngës qoftë trashëgimi dhe dhuratë për brezat! Kujtojmë se Polifonia femërore është shfaqur nga Grupi i Dhërmiut, (1973), Korçë - Gramsh - Kolonja (2008), Fier (2016), Selos - Dropull (2016), Zhur - Kosovë (2012), tej kufijve, në Gadishullin Ballkanik - Bullgari, (2012). Pra numërohen me gishta. Ndërkohë shumë grupe që përmendëm, nuk janë më aktivë në jetën folkorike. Polifona femërore është një prurje që sot i mungon Labërisë. Këto vajza e ringritën.

Dekorimi. Grupi i Vajzave të Tërbaçit “10 Shqiponjat e Tërbaçit” nderohen nga Presidenti i Republikës, SHTZ. Bujar Nishani me titullin “Naim Frashëri” me motivacionin “Për aktivitetin e njohur dhe të vlerësuar në interpretimin e këngës polifonike, që përfaqëson një rast unik të polifonisë femërore, duke ruajtur origjinalitetin e folkorit të zonës së tyre”. Nr. Dekreti 10471, Tiranë, më 19. 06. 2017. Gjatë zhvillimit të protokollit të nderimit në mjediset e Presidencës atë mbrëmje, mbushur me shporta yjesh të qeshur e krenarë mbi kryet tanë, ishim sinqerisht të ngarkuar me emocione të fuqishme pozitive. Personalisht, isha, po aq i befasuar, unë dhe 10 motrat e mia tërbaçiote, sepse ne e nisëm këtë udhëtim për dashurinë ndaj vendlindjes, për mbrojtjen e traditave folkorike të Tërbaçit, të atij Tërbaçi të madh, që shkëlqeu sidomos me këngën e fuqishme burrërore të Sinan I. Hoxhës; për furtunën e hatashme polifonike të Syrjat Hoxhës; për të kthyerit me grykë të Rexhep Abazit apo atë gjëmim shpelle të Nebi Xhakës, për hedhjen drithëruese të Sinanit, që e ngriti në art Bilbil Xhaka; për vallen e papërsëritshme e të paarritshme të Tërbaçit, që e hiqte aq përsosmërisht Mujo Halili (Gjondeda)  me Mejdi Canon (Skëndaj) dhe e mbyllnin po aq hijshëm e madhështorë Izet Samo (Skëndaj) me Rrapush Mehmetin. Ai grup ngjante me 11 male në lëvizje, në këmbë, e them me bindje, në krahë me Çikën - të rëndë. Udhëtimin e nisëm dhe s’e ndërpresim për nderim të Dragoit të këngës labe, Kujtim Micit, që ishte dhe ngelet vërtet profesori ynë me firmë. Por, në Tërbaç, historikisht, gruaja ka qenë krahas burrit, në rrjedhat e kohës, jo vetëm në zakonshmërinë e jetës së përditshme, por edhe në luftërat për liri e pavarësi, për arsim, kulturë e zhvillim. Edhe në këngë. Misioni i Grupit të Vajzave të Tërbaçit, që kur u formatua ishte, është e do të jetë mbrojtja dhe përcjellja e traditës së polifonisë femërore te fëmijët e tyre, te fëmijët e fëmijëve, për vijimin e  pandërprerë të stafetës së këngës së stërgjysheve, gjysheve, nënave dhe motrave tona. Dhe ky grup, me sakrifica të shumta, në solidaritet të plotë me njëra - tjetrën dhe me mua si drejtues e vëlla i tyre, ka përballuar sfida ekonomike, sociale deri dhe në paragjykime apo mentalitete të vockëla, natyrshëm në udhëtimin e këngës sa të kemi mundësi e frymë. Kurrë, pra, as kemi menduar për dekorata, as kemi pritur, as kemi kërkuar e s’kërkojmë, se nuk është në natyrën tonë dhe as të të parëve tanë.  I rrëmbyer nga këto ndjesi të fuqishme, kur u thirr emri i grupit tonë për të tërhequr dekoratën, takova Presidentin, i shpreha mirënjohjen dhe, para mikrofonit thashë vetëm këto fjalë: “Shumë e madhe, shumë e rëndë kjo dekoratë, nga Presidenti i Republikës. Bota femërore e Tërbaçit, nëpërmjet këngës, vlerësohet. Sot është në krahë të malit të Çikës Faleminderit! Mirënjohje! Shpirti Juaj Bujar fisnikëroftë thesaret efolkorit shqiptar dhe atij lab veçanërisht. Mirënjohje!”. Dhe vërtet e meritonin këtë vlerësim moral këto zonja fisnike të këngës së tyre. Për prezantim dinjitoz vetëm me gra, ky grup, ka dhënë kontribute të veçanta e të spikatura për ruajtjen, interpretimin, pasurimin dhe transmentimin e traditës së këngës labe burimore tek brezat e rinj, duke sfiduar mentalitete, duke lartësuar profilin e botës liriko-epike të Tërbaçit me zërin e nënës nëpërmjet polifonisë femërore me nivel të lartë artistik. Polifonia femërore është një prurje që sot i mungon Labërisë. Këto vajza e ringritën me një repertor të pasur folkorik, kryesisht lirik burimor, në këngë e valle. Pa mëdyshje, fjalët më të mira dhe më të larta të Mirënjohjes i takojnë labit fisnik Bujar Leskaj, që sick ka emrin Bujar, ashtu është. Ai nuk erdhi në këtë dasëm foklorike të polifonisë labe të krahinës së Vlorës (vendlindja e tij dhe jona)me tagrin e kryetari të Kontrollit të Lartë të Shtetit, por si një vlonjat, si një lab, jo i dhënë, por i dashuruar marrëzisht mbas këngës labe, veshur me kostumin kombëtar folkorik të labit të Drashovicës. Pa dashamirësinë dhe vlerësimin e tij për këtë punë të mirë, humane folkorike të këtyre këngëtareve dhe valltareve, Grupi ynë “10 Shqiponjat e Tërbaçit” nuk vinte dot në Presidencë. Dy herë mirënjohje për ty, Bujar Leskaj! Në përfundim të ceremonisë së dekorimeve, ku krahas grupit tonë u nderua fshati Kaninë, si dhe grupet polifonike të Drashovicë, Tragjasit, Kudhës-Grehotit, “Jehona Labe”, “Krojet e Velçës” ( kolektive) si dhe thëllëza Katina Beleri e Himarës me bilbilin Nazif Çela të Lapardhasë.  Presidenti Nishani dhe të pranishmit ndoqën me ëndje një koncertin me këngë e valle, ku “10 shqiponjat e Tërbaçit” interpretuan mjeshtërisht vallen lirike grarishte “Shtëpitë e bardha në brinjë…”. Emblema e improvizimit të krijimit folkorik, Mjeshtri Tomor Lelo me “Çipinin” e tij I spërkati me sherbet të trëndafiltë kënge, siç di ai artistët e vlerësuar. Për grupin tonë krijoi e këndoi këto vargje: “President’ i Republikës/ nderon shqiponjat e Çikës, se këndojnë shtruar, fshaçe/ se janë 10 Miro Tërbaçe…”.