E premte, 29.03.2024, 12:20 PM (GMT)

Speciale

Kujtim Mateli: Poetin që e lindën dhimbjet e Çamërisë (I)

E hene, 01.09.2008, 07:00 PM


Kujtim Mateli
EKSKLUZIVE

Poetin që e lindën dhimbjet e Çamërisë (I)

Nga Kujtim Mateli

Bilal Xhaferri hyri në letërsinë shqiptare si një meteor dhe si i tillë u fik para kohe duke i lënë letërsisë  vezullimin e trupit qiellor.  Poezia e tij na jep Çamërinë të fiksuar në një nga momentet më të vështira të saj: largimin e popullsisë çame nga trojet e veta. Tek poezia “Baladë Çame” këto momente jepen me dramaticitet që i kalon kufijtë e mundimeve  njerëzore.

Në udhën e tyre të mundishme, drejtimin  ua përcaktojnë  plumbat që vërshëllejnë . Me këtë ikje, deri më sot pa kthim, mbas krahëve të  tyre lanë djersën, mundimin, lanë varret e të parëve të tyre. Nuk ishte një ikje e zakonshme, të ndiznin një qiri para se të largoheshin, të linin apo të merrnin një amanet nga ata që do të mbeteshin, të puthnin pragun e derës ku kishin kaluar tërë jetën e tyre. Kohën ua përcaktonin krismat e pushkëve. Krisma që sa vinin e bëheshin më të dendura, sa vinin e bëheshin më të afërta. Plumbat vërshëllenin mbi çatitë e shtëpive, thyenin xhamat e dritareve, këputnin degët e pemëve. Ah! Dicka më e keqe po ndodhte. Plumbat po rrëzonin në oborret e shtëpive jetë njerëzish. Një fëmijë që kishte dalë tek pragu i  derës dergjej i mbytur në gjak. E morën trupin e njomë mes gjakut e lotëve dhe u nisën për rrugë. Iknin për në veri. Mbas lanë gjithçka më të shtrenjtë që kishin. Karvani njerëzve ecte nën shiun e lotëve. Ecnin. Ecnin. Vetëm ecnin.  Kthyen mbas kokën për ta riparë përsëri. Ku ta dinin ata se do ta shihnin për të fundit herë. Çamëria ishte e përflakur.Diku, në një hapësirë që s`mund ta përcaktoje qartë, një hark ylberi, gjysëm në këmbë,gjysëm i rrëzuar,(ndoshta dhe ky nga dhimbja njerëzore po rrëzohej midis honeve të maleve) u lëkund  për  të fundit herë dhe humbi në mjegullën e largësive. Ecnin. Mbas lanë Çamërinë të përflakur nga zjarret që digjnin. Me tinguj vajtimi i përcillte era e Mesdheut. Ulërinte mbytur mbi kreshtat e flakëve që ende nuk ishin shuar. Ulërinte era e Mesdheut mbi trojet  e lashta epirote. Epiri i djegur dhe i shkatërruar deri në ekstrem para 2000 vjetësh nga pushtuesit romak. Epiri i bukur si pika e vesës u shkatërrua bashkë me qytetet  e tjera te Ilirisë. U shkatërruan plot 70 qytete. Shkatërrohej  gjithçka  ku flitej gjuha shqipe  

Ky ishte shkatërrimi i dytë i Epirit. Iknin në drejtim të veriut.  Mbrapa linin gjuhët e flakëve që  përpinin gjithçka dhe krismat e armëve. Po ky ka qenë më i dhimbëshmi. Çamët nuk do ta shihnin më vatrën e tyre as të djegur. Le të ishte e djegur gjithçka,por të kishte kthim. Asnjëherë nuk ka ndodhur në historinë njerëzore që një popull t`i largohet përgjithmonë vatrave të tyre. Ka patur gjithmonë largime të përkohshme. Ky është largim i një brezi njeriu. Historia njeh pushtime 500-vjeçare dhe popujt mbas kaq shekujsh u janë kthyer normalisht trojeve të tyre. Ky pesimizëm se

Bilal Xhaferri
nuk do t`i shohin më kurrë nuk mund të zgjasë shumë gjatë. Historia njerëzore gjithmonë i ka ndëshkuar zaptuesit. Bilali nëpërmjet vargjeve na jep një pamje tronditëse të Çamërisë mbas përzënies së madhe. Ndodhemi në çastet kur çamët e përzënë e kanë lënë vendin shkretë. Në kullotat e pasura nuk  dëgjohet më blegërima e gingjave,as barinjtë që prisnin në hyrje të vathës kalimtarët e shumtë dhe i qerasnin me prodhime stani, nuk dëgjohet më fërshfërima e fustanit të vajzës çame që çonte në stan  mallin e munguar. Të gjitha janë rrëzuar në një humnerë që nuk ka rrugë për kthim. Bari në livadhe lulëzon dhe thahet pa e prekur buza e e deleve.  Nuk po shndrohet më, në qumësht e mish për njerëzit. Tani kullotat ndjehen të braktisura. Janë rrufetë ato që u kanë zenë vendin tufave të deleve. Ato re që mbulonin qiellin çam dhe dërgonin në tokë shirat mesdhetarë për të rritur barin, tani i dërgojnë tokës rrufetë  për ta djegur atë.

Pamje e trishtë.

Ullishtet e pavjela presin dorën  njerëzore.
Ku është ajo dorë që kujdesej për to?
Ku është syri që ndiqte me kujdes  gjelbërimin  e ullishteve?
Ku është balli që rrudhej kur shihte lastarët që nuk rriteshin si duhet?
Ku është zemra që gëzohej kur prodhimet krrusnin degët e njoma?
Ku është Çamëria e djeshme?

Autori na thotë: “Rënkon e mbytur në gjak e lot,/e mbetur shkretë,/pa zot.” Kjo tragjedi do të  bëhet edhe më e rëndë, kur tokës së mbetur pa zot, ata që i përzunë me tytat e armëve, do të bëhen zotërit e saj. Do të bëhet zot dikush tjetër në truallin tënd.  Harrohen edhe vrasjet, edhe internimet, ashtu siç ka ndodhur me poetin Bilal Xhaferri, që jetën në Shqipëri e pati një burg të vërtetë. Dramat  familjare ndoshta  dhe i harroi për pak kohë, po drama çame e mundoi gjithë jetën. Na vjen keq që poeti  më shumë se kushdo tjetër e përjetoi kaq hidhur dramën çame. Duhet të kishte gjetur pak dritë për veten e vet. Po ai jeten e vet e lidhi me cështjen çame dhe mbi shpirtin e tij ra më tepër zymti seç duhej të binte. Edhe ai ishte qenie njerëzore dhe shpirti i tij duhej të gëzohej. Shpirti i tij le t`i harronte pak ato vuajtje që s`ishin vetëm të tijat. Po ai e lidhi jetën e tij me Çamërinë. Po Çamëria ishte plagë. Çamëria ishte dhimbje. Kjo dhimbje e vrau para kohe poetin. Po jo vepren. Vepra e tij do te mbetet si një yll në errësirën e netëve çame

Bilal  Xhaferri

Baladë çame

Ylberi, si një përshëndetje e përlotur lamtumirë,
u zhduk matanë largësive,
mbi kreshtat e flakëve,
nëpër shi...

Matanë largësive u zhduk e përflakur Çamëria
dhe të gjitha rrugët tona shpien në veri.
Ulërin era e Mesdheut mbi trojet e lashta epirote,
mbi të shtrenjtat trojet tona stërgjyshore.

Në kullotat e braktisura kullosin rrufetë.
Ullishtet e pavjelura gjëmojnë si dallgë nëpër bregore.
Dhe kudo toka çame,
mbuluar nga retë,
rënkon e mbytur në gjak e lot, e mbetur shkretë,
pa zot.

Na e tregojnë drejtimin plumbat, që vërshëllejnë në errësirë.
Na e ndriçojnë rrugët flakët, që gjithë tokën kanë përpirë
Pas shpinave tona përplas tufani dyert e shkallmuara të shtëpive
dhe rrugët zgjaten e zgjaten si veri.

Ne, popull muhazhir, ecim nëpër shi...
Lamtumirë, Çamëri!



(Vota: 19 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora