Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Kristaq Turtulli: Ikje prej vetes

| E hene, 03.07.2017, 07:41 PM |


Fragment nga romani:  IKJE PREJ VETES

NGA KRISTAQ TURTULLI

- Zoti është zot dhe bisedon me ty në çdo kohë, - më tha Minai.

Se kuptova ç’donte të thoshte me ato fjalë. E vështrova me vëmendje, por ai bëri përpara dhe unë i pashë vetëm shpinën e kërrusur...

Filloi të binte shi, tërhoqa këmbët pas me rrëmbim për të mos mu lagur. Minai qëndronte i plogët, shpatull mbledhur nën rrebesh. Nuk guxoja t’i thosha, hyr nën strehë, ndoshta nuk lagej. Ai ngriti kryet qetësisht lart dhe vështroi qiellin e errët ku prej nga binin rrëmbyeshëm litarët e shiut. Pa e kuptuar mu krijua përshtypja sikur të dy ishim të lidhur pazgjidhshmërisht pas tyre, sepse qullja tërësore nuk po më ndahej përgjatë shtegtimit tim të çakërdisur nëpër rrugicat e ngushta të qytetit. Stërkalat e ujit ishin të mëdha dhe unë ngjesha shpinën pas murit. Rrëketë turreshin me nxitim drejt qendrës së qytetit, sikur atje ndodhte përmbytja e madhe.

Befas mu duk sikur binin me potere gurë prej qiellit dhe llamarina e strehës kërciste me lebeti, pastaj binin përdhe duke kërcyer dhe kërcënuar për ndonjë lëndim. Ishin kokrra breshëri të madhësive dhe formave të ndryshme. Minai u përkul, përtheu gjunjët, qëndroi galiç mes breshërisë së tërbuar të breshrit. Doja t’i thërrisja, të lëvizte prej vendit, të hynte nën strehë, por gjuha më ishte lidhur. Toka dhe qielli gjëmonin. Ai u ngrit me plogështi, hyri ngadalë nën strehë dhe vështroi i murrëtyer betejën e hapur të natyrës.

- Sa herë bie breshër, mua dhe tim ati na dridhen kockat, - foli ultas Minai.

E vështrova si t’i thosha, kush nuk është ai njeri që të mos ngjethet prej frikës, rrëmetit dhe ftohtësisë së breshrit, por shikimi i Minait ishte i ftohtë akull më keq se breshri.

- Rrapëllima e breshrit më kujton thyerjen e pllakave të gramafonit të babait, - foli i menduar dhe shtoi: - Të kam folur për babanë, ka qenë këngëtar i njohur.

- Më ke thënë.

- Si kjo kohë dhe kjo natë shtëpia jonë tundej, shkundej prej rrufeve, rrëmetit e breshrit. Prindërit më morën në mes, mos trembesha. Befas dëgjuam trokitjet e forta në derë. Prindërit nuk lëvizën prej shtratit, kujtuan se ishte rrëmeti i kohës së keqe dhe breshrit. Më pas dëgjuam derën që shtyhej me forcë dhe shkallmimin e saj. Oshtiu gjithë shtëpia. Prindërit vështruan njëri tjetrin të pataksuar, çfarë ka bërë vaki, lëviz njeriu në këtë batërdi! thanë me sy. U ngritën të llahtarisur me rrobat e natës. Atëherë isha i vogël. Babai më këshilloi të qëndroja në shtroje, të mos lëvizja. Dritë elektrike nuk kish, për shkak të motit. Ai ndezi llambadarin. Errësira pritej në mijëra pjesë e mua më hynë të dridhurat. I ankthuar ndoqa dritën e zbehtë të llambadarit dhe zbrita pas hapave të prindërve. Tre veta hynë brenda, ata ishin me pardesy të zeza, kapuça në kokë dhe përplasën këmbët me forcë në korridor, më shumë për të na futur frikën sesa për të shkundur lagështirën. Shkundën me zhurmë e pardesytë dhe hoqën kapuçat. Korridori u bë pellg. Ata kishin vështrime të rënda dhe në brez u vareshin koburet. Vonë e mora vesh që ata ishin punonjësit e sigurimit të shtetit.

Babai ngriti llampadarin mbi krye:

‘Çfarë ka bërë vaki o njerëz të mirë,’ mërmëriti i pataksuar:‘Familja jonë s’është marrë me politikë, por vetëm me muzikë.’

‘Prej këtu fillon gjithë e keqja, - ia priti njëri prej tyre. Ai kishte vetulla të trasha, pardesyja i qëndronte si thes mbi trupin e dobët dhe lëvizte nëpër dhomë si pilivesë. Zë ngjirur shtoi: ‘Ju urdhëroj të qëndroni pas murit dhe mos bëni as gëk, as mëk.’

Ne u ngjeshëm të nemitur pas murit të ftohtë të korridorit. Ata nisën me ngut kontrollin e shtëpisë. Ne vështronim të çakërdisur, zemërngrirë veprimet e tyre. Unë u kalamenda prej frikës, mamaja më tërhoqi pas vetes, dridhej e tëra si purtekë. Ata u shpërndanë në tre drejtime të ndryshme të shtëpisë dhe filluan kontrollin. U bë katrahurë e madhe, përmbys, shqyej, shkatërro. Pas një copë herë parakaluan përpara syve tanë të ngarkuar me pllaka gramafoni dhe i flakën në mes të korridorit.

‘Merreni të gjitha, vetëm pllakat e gramafonit, jo,’ u lut babai.

‘Ore gdhe, ne për këto erdhëm,’ hungëriti burri vetulltrashë që ecte si pilivesë.

‘Oh, ju lutem, janë pllakat e mia, këngët e mia, jeta ime,’ mërmëriti zë dredhur babai.

Pilivesa vetulltrashë qëndroi përpara babai, i tregoi një pllakë gramafoni dhe zë rëndë lexoi:

‘Enriko Karrozo! Ore hajvan, kujt i tregon ti kjo është pllaka jote! Ky është emër italian, armik! Fol?!’ ia priti vetulltrashi.

‘More të uruar, kthejeni anën tjetër, ja lexoni, është emri im, është kënga ime, është serenata ime. Kështu inçizoheshin pllakat e gramafonit në atë kohë,’ i tha babai. U kapërdi me vështirësi dhe vazhdoi: ‘Enriko Karruzo është me famë botërore. Ishte nder për këngën time të regjistrohej në një disk me të...’

‘Hesht maskara, armik!’ E ndërpreu ashpër pilivesa vetulltrashë. ‘Ç’janë këto bastarde me dy faqe. S’të arrestojmë, por kemi urdhër të asgjësojmë të gjitha pllakave të gramafonit. S’na duhen këngët e huaja, kur kemi këngët tona. Të paralajmëroj, po të kesh pllaka të tjera dorëzoi menjëherë në polici, ndryshe të prej burgu.’

Babai e kyçi gojën dhe uli kryet i ligështuar. Menjëherë filloi kasaphana, thyerja e pllakave të gramafonit, me këmbë, me duar, me kopaçe. Shkatërrimi i vlerave më të mira muzikore. Qytat e pushkëve ishin shurdhuese, dërmuese. U bë batërdi, barbari e tmerrshme. Babai dhe nëna vështronin syshqyer. Çdo pllakë që thyhej prej dhunës, trupi i babait dridhej si gjeth, sikur shtypeshin e dërmoheshin kockat e tij. Jashtë gjëmonte dhe binte breshër me potere, brenda në korridorin e shtëpisë, shkatërroheshin, vriteshin, tinguj dhe zërat e jetës me rrapëllimë të tmerrshme.

Ata ikën kur pllakat e gramafonit u bënë copë e thërrime, por nuk harruan të përsëritnim, paralajmërimin, kërcënim e pritshëm burgun. Lanë katrahurën pas, derën e shkatërruar, të hapur kat më kat. Era dhe breshëri që vrundulloi brenda, na kallkanosi.

Babai u ul në gjunjë, ndehu krahët si t’i lutej zotit për mëshire ndaj masakrës së bërë, rënkoi, klithi me të madhe dhe lotët i binin rrëke. Zëri tij i mrekullueshëm, që këndoi në La Skala e gjetkë i humbi njëherë e përgjithmonë. Aty në atë katrahurë të llahtarshme ishte e gjithë ëndrra, puna, përkushtimi, sakrifica, talenti, tradita. Trupi iu var, ra pa ndjenja në dyshemenë e lagësht dhe, prej asaj dite nuk u ngrit nga shtrati. Ata me kurmin e tyre të qelbur shtinë helm në pusin e ujit të jetës sonë...

Minai heshti dhe vështroi gjatë nga unë. Ai ishte tmerrësisht i zbehtë aq sa më shkaktoi të dridhura në trup.

- S’të kam thënë, por pilivesa vetulltrashë që shkatërroi pllakat e gramafonit të babait, është i ati i Ardit Lakuriqit.’

- Ah!- ia bëra i hutuar pa ditur çfarë të thosha: - Ah!

- Arti, muzika, kultura përherë janë nëpërkëmbur nga injoranca, por asnjëherë mundur, - foli Minai dhe psherëtiu thellë.