Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Mehmetaj: A është haram kur islami e kopjon kaurin?

| E diele, 02.07.2017, 12:41 PM |


A është haram kur islami e kopjon kaurin?

Hoxha i mirë i lagjes na thoshte: të agjërosh dhe të mos falësh pesë herë në ditë është si ta ngujosh lopën në ahur pa i dhënë ujë as barë! Hoxha i Madh i Vitomiricës ishte edhe më i qartë: të lutesh e të predikosh në shqip është haram, sepse shqipja është gjuhë kauri, prandaj ai kurrë nuk lutej shqip: serbishtja dhe arabishtja ishin gjuha e tij e predikimit në xhami. Shqiptarët e shkretë ia hapnin sytë dy orë predikimi, nuk ia kuptonin asnjë fjalë as serbisht as arabisht, por kur dilnin nga xhamia shpërthenin në entuziazëm: s'ka me Hoxhën e Madh të Vitomiricës.

Nga Gani MEHMETAJ

Hoxha i fëmijërisë na këshillonte: të luash futboll, është haram, sepse armiqtë e islamit kanë luajtur top me kokat e pejgamerëve. T'ua kthesh të prapmet shikuesve në fushë, kinse po falesh, është haram e turp. "Po pse e bëjnë këtë disa lojtarë myslimanë që flasin shqip?" E pyesja hoxhën këto ditë. - Zoti n'havale ata që i shkelin rregullat e islamit, - ma kthente ai.

Të bësh iftar në restorant, ku mund të të shohin qindra sy të uritur është haram. Gjysma e Kodrës së Trimave e kanë tryezën e varfër, mezi ngopën me bukë e qep, kurse në sheshe e çadra shtrojnë iftare e hanë sikur të mos kishin ngrënë shtatë ditë e shtatë net.

Gratë e mbuluara që dalin në vende publike e restorante, më shumë ua tërheqin vëmendjen burrave lapërdharë se sa gratë e veshura me rroba të lehta vere e gjoks paksa të zbuluar. Të ulësh në vende publike ku të shohin qindra sy lakmitarë, është haram për myslimanen e mbuluar.

Të fotografohesh në xhami, duke bërë "selfi" është haram, sepse figura e njeriut nuk guxon të riprodhohet, as nuk guxon të përjetësohet në aparate a pikturë. Vetëm iblisi (djalli) e bënë këtë paudhësi, por jo myslimani, ma drejtonte gishtin hoxha nevrik.

Të thërrasësh ezanin me altoparlantët e kaurit është haram i dyfishtë, sepse në vend që t'i ftosh besimtarët në namaz më zërin tënd që ta ka fal zoti, në vend që të ngjitësh shkallëve të minares për të shikuar besimtarët, hoxha rri në kokërr të shpinës, ndërsa altoparlanti në maje të minares bërtet në kupë të qiellit si t''ia kishte futur kauri i mallkuar shtatëqind dreqër brenda.

Të pyesësh tjetrin a po agjëron, është haram, sepse nuk është puna jote agjëron ai apo jo, atë duhet ta di vetëm zoti. Të qelbësh në zyrë e në vende pune më gazrat e stomakut të trazuar nga agjërimi, është haram, prandaj kur vendos të agjërosh rri në shtëpi dhe mos e qelb botën.

Të hash 17 qofte për iftar është haram, sepse e torturon lukthin si t'i fusësh 17 raketa amerikane skud një nga një. Ai që agjëron duhet të ha pak e me turp, mos ta shoh askush, pos familjes së tij.

Myslimanin, thoshte fqinji im besimtarë, e paditë trupi i vet, prandaj shpirti i shkon në ferr, sepse e torturon trupin, nuk di t'i gëzohet jetës, nuk di të kënaqet. Të agjërosh vetëm tri ditët e të shurdhrit, është mashtrim, feja ta kërkon agjërimin e plotë, ose je qafir.

Të bësh iftar, ndërsa nuk e ke agjëruar është haram, i mashtron të tjerët, por nuk e mashtron zotin. Është po aq haram ta hash bukën që nuk e ke fituar me djersë, prandaj mos u mashtro nga tryezat e iftareve që jepen qyl, sepse nesër ata që të ngopën do ta kërkojnë shpirtin, më thoshte hoxha i mirë i lagjes sime.