E enjte, 28.03.2024, 08:49 PM (GMT)

Editorial » Shkreli

Frank Shkreli: Kryeministri Rama dhe At Gjergj Fishta

E enjte, 29.06.2017, 08:10 PM


KRYEMINISTRI RAMA DHE AT GJERGJ FISHTA

Nga Frank Shkreli

Me këtë poezi më poshtë të At Gjergj Fishtës -- postuar në fejsbukun e tij -- Kryeministri i Shqipërisë, Z. Edi Rama falënderoi votuesit shqiptarë duke ju thënë atyre, “u rritë ndera”, për mbështetjen që i dhanë atij dhe Partisë që ai drejton, në fitoren e zgjedhjeve të së djelës që kaloi.  Janë këto vargje të përshtatshme të Poetit të madh kombëtar, që Kryeministri Rama ka zgjedhur për të falënderuar Shqipërinë dhe elektoratin e saj me këtë rast, duke  shprehur mirënjohjen e tij Shqipërisë me fjalët e Fishtës, “Për jetë të jetës të rrnoftë ty ndera.”

Nga Edi Rama Fejsbuk

AMARCORD

Dy fjale Shqipes due me ja rreshtue...

"Perëndija t' fali i Amshueshëm,...

Sá 'dhe deka âsht për tý e shieshme:

N' gjí  tand vorri âsht i lakmueshëm.

 

Po, edhè hâna do t' a dijë,

Edhè dielli do t' két pá,

Se për qark ksaj rrokullije,

Si Shqypnija 'i vend nuk ká!

 

Rrnosh e kjosh, prá moj Shqypní,

Rrnosh e kjosh gjithmonë si vera,

E me dije e me Lirí

Për jetë t' jetës të rrnoftë tý ndera."

Përzgjedhja e këtyre vargjeve të At Gjergj Fishtës nga Z. Rama, në falënderim Shqipërisë dhe shqiptarëve për fitoren që i akorduan atij dhe partisë së tij në zgjedhjet e fundit, përkon me një përvjetor tepër të rëndësishëm fishtjan, ndonëse të harruar me qëllim, të historisë së kombit shqiptar – e që është përvjetori i fjalimit të famshëm të At Gjergj Fishtës, në Konferencën e Paqës në Paris me 28 qershor, 1919 mbi “Shqyptarët dhe të drejtat e tyne”.   Është ky një fjalim klasik i mbrojtësit më të madh të interesave kombëtare, Homerit të Kombit e të racës arbërore dhe Françeskanit të madh, At Gjergj Fishtës, që deri sot besoj se mbetet një fjalim i pashoqt  dhe i pa shembullt për temën që trajton, i.e. të drejtat e shqiptarëve në trojet e veta.

Ishte fati i kombit që At Gjergj Fishta jetoi dhe veproi në një periudhë jashtzakonisht kritike për ekzistencën e shtetit shqiptar.  Ai iu përgjigj thirrjeve të atdheut, kudo e kurdo i kërkohej, me pendë e me gojë, t’i shërbente të mirës dhe dobisë së Shqipërisë.   At Gjergj Fishta është një përmbledhës i visarit shpirtëror të vuajtjeve, luftërave, mundimeve e përpjekjeve për liri, pavarësi e dinjitet njerëzor të kombit shqiptar, ndër shekuj. Në veprat e Fishtës çdo shqiptar mund të gjejë të pasqyruar fatin e vet dhe të Kombit në luftërat titanike për të mbijetuar.  Aty gjenë luftërat e mëdha të drangojve ose të luftëtarëve shqiptarë, në përpjekjet e tyre për t’i zbardhur faqën kombit në luftërat kundër kulshedrës ose armiqëve të Shqiptarëve.  Albanologu italian Fulvio Cordignano ka shkruar (në ‘Epopeja Komtare’, Shkodër, 1925) se “Mënyra me të cilën Fishta u del zot ideve të veta, që janë ide lirie, mbrojtjeje për tagre të veta, mësimit kombtar mbi mbështetjen e gjuhës kombtare, bashkimit të zemrave për qëllime e në veprim për të përtëri popullin shqyptar – ashtë nji mënyrë luftarake, nga nji herë e përcjellme prej nji fuqie të pafrigueshme.  Ai këndon në mes të poterës së stuhisë ballkanike, në mes të ngatrresave të fuqive të mëdha, që me një politikë plot dredhi ja mohojnë tagret popujve të vegjël; këndon sa i kërcnohet Shqypnisë përmbrenda ndasia e partive, interesat e veçanta, pabesia, korrupsioni e tradhti politike gjithfarësh”, ka vlerësuar Fishtën, albanologu Cordignano, fillim shekullin e kaluar.

Kjo mënyrë “luftarake e një fuqie të pafrigueshme” të ideve të At Gjergj Fishtës vihet re më së miri -- sidomos në kritikat  që Fishta i bën politikës së Fuqive të Mëdha karshi shqiptarëve dhe në mbrojtje të të drejtave dhe interesave të kombit shqiptar -- në fjalimin që ai kishte përgatitur për t’u lexuar në Konferencën e Paqës në Paris, më 28 qershor të vitit 1919.  Në atë fjalim, që është një mbrojtje e fortë dhe bindëse në mbështetje të të drejtave të kombit të “pa-përkulun” shqiptar,  At Gjergj Fishta, përveçse u “Difton se kush janë e shka janë Shqyptarët” përfaqsuesve të Fuqive të Mëdha në atë konferencë dhe cilat janë të drejtat e tyre, ai njëkohsisht i kritikon ato, përfshirë edhe Francën ku u mbajt fjalimi, për qëndrimin e tyre kundër lirisë, pavarësisë dhe të përcaktimit të kufijve natyrorë, gjeografikë dhe etnikë të kombit shqiptar në Ballkan.  “Prej brigjeve gjimuese t’ Euksinit e me borë t’ amshueme t’Alpeve Julje, prej bigave bumulluese t’Akrokeraunvet e më karma të thepisuna të Karpateve, ene’ rijme me gjak njerit, në ato kavaljetet e kalueme të vjetra -- banonte si zotnija e juej mirë e din -- ajo familja e madhe trako-ilire, në nam e në za, në histori të fisevet e të kombeve.”

Fishta vazhdon duke thënë se nga këjo familje e madhe trako-ilire, “Atje ndërmjet Thesalijet e Malit të Zi, prej brigjevet lindore t’Adriatikut e më stom të Vardarit, pshtoi gjallë nji grusht njerzish, që xanë vend a mbas murojet të do maleve titanike, a se nen hije të kandshme të disa fushave gratshore e të kërthnesta – banë e përmallueshme e hyjvet të moshës prrallzore – u ban ball me fuqi kurr të përkulme të shpirtit të vet bujar e thellimeve të kavaljeteve e padrejtsive t’hipokrizisë njerzore.”  At Gjergj Fishta, “me fuqi të pafrigueshme u sjellë ndër mend fuqive të mëdha se shqiptarët, “Të stolisun me nji forcë të jashtzakonshme qindrese, ene kta flasin atë gjuhën e të Parvet të vet ma të hershëm; ene e ruejnë të pandryshuem karakterin e hekurt e fisnik të stërgjyshavet të vet, e sot edhe punojnë shi njat tokë që punuan të parët e tyne prehistorikë.”

At Gjergj Fishta, në fjalimin e tij, shprehet për vuajtjet e mëdha të shqiptarëve nën okupues të huaj gjatë shekujve, duke thënë: “Mbi ta, po, randoi pesha e fuqisë rromake; mbi ta po, u lëshue e irun mnijet e gjithmonë e pabesë sfinksa sllave; rresht për katër kavaljete të gjata i ra sypri boena e barbarsisë azjatike; por me gjith kta, ata nuk ndërruan njininë e vet kombtare, e as s’lshuan doket e idealet e veta” Ai u kujtoi atyre se, “Po, ky popull i papërkulun kurrë, ene gjindet atje mbi ato maje të thepisuna, mbi ato zalli të plleshme, ku të parët e tij prefshin rrasat për me ça me to rrashtat e anmqivet, a u epshin ujë pallavet të hekurta, për me shtrue me to mbarë botën nën kambë të nji Lekës së Madh...” Dhe vazhdon. “E mirë, pra, zotni të mij, ky popull asht njaj populli i vogël shqyptar, aq pak i njoftun e qa zi i gjykuem në Evropë. I vjetër sa fosilat, sa stalagtitat e shpellave jehuese të malevetë te veta vigane, e le të thuesh, prej vet bucet të Shqypnis, ai asht sot zot autokton e i pakundërshtim i tokve të veta.  Ene Sllavi s’kishte dalë prej breshtet t’Uralit, e ene s’kje njeshë e sodmja frotë laramane neo-elenike, kur Shqyptari korrte më zagna të Ballkanit edhe mbyllë e kishte nji periudhë të historisë së vet në moshë të rruzullimit. Kush para Shqyptarit ngau qetë sinjorevet të Ballkanit? Historinë e kemi aty, zotni të mij, që na flet kjartë, e asht kot që hipokrizia diplomatike të mundohet me ia shue zanin me shtupa notash zyrtare a se gjysëm-zyrtare...”.

Fjalimi është tepër i gjatë për qëllimet e këtij shkrimi, por nevojitë të kujtohet si një fjalim që duhej të ishte lexim i detyruar në shkollat anë e mbanë trojeve shqiptare.  Është për tu lavdëruar fakti që Kryeminsitri Rama përmend Fishtën dhe që përdori vargjet e At Gjergj Fishtës për të falënderuar shqiptarët për votën e tyre, por kjo nuk mohon faktin e tmershëm se për më shumë se 75 vjetë, përfshirë çerek shekullin e post-komunizmit, emri dhe veprat e Fishtës, zyrtarisht, mbeten ende tabu për brezat e shqiptarëve, ndërsa emri i tij përdhoset ende nga pseudo- historianët dhe nostalgjikët komunistë shqiptarë.

Ish- Profesor Namik Resuli i universitetit të Napolit, në një fjalim në Romë me rastin e 100-vjetorit të lindjes së Fishtës ka thënë se, “Kontributi i çmueshëm që dha Fishta në laminë e letrave dhe në edukimin e kombit, në ruajtjen e kulturës dhe në naltësimin e gjuhës, vërtetojnë njëherë e përgjithmonë se Shqipnija pa Fishtën kishte për të qenë e mangët, ashtu si letrat tona pa penden fishtjane kishin për të paraqitë nji golle (boshllëk) të paplotsueshme.  Këndej del e qartë se vetëm mënija e vëneri ndaj zhgunit e ndaj meshtarit katolik, terratisin mendjet dhe ia mohojnë Fishtës vlerën e vendin që ai xen në panteonin e Kombit’’, ka shkruar Profesor Namik Resuli.

Ky përjashtim e mohim nga vet kombi i vet, të cilit gjithë jetën u përpoq t’ia mbronte të drejtat dhe interesat e tija, në nivele kombëtare dhe ndërkombëtare, është i papranueshëm dhe një përdhunim i historisë së shqiptarëve, nga një grup siç duket gjithnjë me influencë i Ministrisë së Kulturës në vendimarrje të tilla dhe nga historianë politikë të idoktrinuar, të cilët gjithnjë i referohen Homerit të Shqiptarëve me epitet më fyese të periudhës komuniste si  “fashist” e “tradhëtar”.  Është e pafalshme heshtja arrogante e autoriteteve shqiptare në lidhje me këtë çështje.  Kjo heshtje zyrtare nuk është e denjë për një shtet si Shqipëria, anëtar i NATO-s dhe vend kandidat për antarësim në Bashkimin Europian.

Gjatë viteve, unë kam i bashkangjitur zërin tim të vogël e modest, një kori zërash “ushtarësh të lodhur” të cilët gjatë viteve kanë bërë thirrje për restaurimin e shtëpisë së At Gjergj Fishtës, si monument kulture.  Ministria e Kulturës e qeverisë së juaj, Z. Kryeministër, gjatë 4 viteve të fundit, nën drejtimin e Ministres Kumbaro ka bërë veshët e shurdhët ndaj këtyre apeleve, duke treguar -- me heshtjen e saj -- arrogancën dhe njëanëshmërinë e preferencave të saja ideologjike, se cilat figura të kombit duhet të kujtohen e të nderohen, e cilat jo.

I nderuar Z. Kryeministër Rama ka ardhur koha që kombi shqiptar të shkëputet njëherë e mirë, me vepra dhe me mendime, nga trashëgimia ideologjike dhe nga periudha e errët komuniste, duke i dhënë At Gjergj Fishtës vendin që i takon dhe që meriton në historinë e Kombit Shqiptar.  Shqipëria me At Gjergj Fishtën është Shqipëria që dëshiron Kombi shqiptar.  Pa ‘të Shqipëria është e mangët, siç shtë shprehur Namik Resuli dhe shqiptarët, pa ‘të janë më të varfër shpirtërisht dhe kombëtarisht.  Mbrojtës më të madh të Shqipërisë dhe të drejtave të shqiptarëve nuk ka pasur kombi! Ka ardhur koha që si të të tillë ta njohë edhe historia.



(Vota: 14 . Mesatare: 3/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora