E premte, 29.03.2024, 06:37 AM (GMT)

Kulturë

Gjon Keka: Gjergj Kastrioti ishte ora e hershme

E diele, 25.06.2017, 11:26 AM


Gjergj Kastrioti ishte ora e hershme që i parapriu idesë së madhe të unitetit europian

Nga Gjon Keka

Në shekullin XV, Europa sapo kishte filluar ta konceptonte natyrën dhe gjenezën e saj; gjithashtu, ajo sapo kishte filluar ta njihte vetveten dhe po hidhte hapat që i duheshin domosdoshmërisht në histori. Këto hapa, jo vetëm që do të ishin vendimtare, por edhe historike e të një rëndësie qenësore për identitetin e saj në rrugëtimin për një kontinent të bashkuar.

Kontribut të madh dhe të përjetshëm në rikthimin e themeleve të lashta të unitetit të vërtetë të familjes së kontinentit europian kanë dhënë fisnorët, kryefisnorët, kombet, intelektualët, shkencëtarët, poetët, mbretërit, princat mendjemprehtë dhe vizionarë, siç ishte edhe Gjergj Kastrioti, Gjon Hunyadi etj. Është parë që në agimin e shekullit XV, por edhe më parë – si tepër qenësore dhe me një qëllim të natyrshëm – uniteti i familjes së kombeve europiane, ndarjet apo muret, si ato ideologjike ashtu edhe ato që krijuan vetë kombet në këtë familje të lashtë, se

shkaktarët kryesorë ishin armiqtë e jashtëm. Por nuk duhen harruar edhe armiqtë e brendshëm apo, thënë më saktë, politikat tepër egoiste të princave të kombeve brenda saj, të cilët, me egoizmin dhe me interesat e tyre joparimore nuk i kanë shërbyer aspak dobisë së familjes, forcimit dhe zhvillimit të saj në rrugëtimin historik drejt të ardhmes.

Familja e përbashkët europiane asnjëherë nuk ishte e ndarë në brendësi të shpirtit dhe të rrënjëve të saj; ajo u nda pas rënies në krahët ideologjikë të egoizmit politik. Shpirti i saj, prej nga edhe ajo vjen, natyrshëm mbeti i pandarë, i palënduar e i pa zhytur në thellësitë e mentalitetit bjerrës dhe të politikës mohuese egoiste. E vetmja gjë që shpirti i familjes së përbashkët europiane e ndjeu si dëm të saj ishte se trupi i saj ishte bërë vegël e pasioneve politike të princave të kombeve dhe mentaliteteve ideologjike që, edhe pse e njihnin prejardhjen e familjes europiane, e mohonin atë me arsyen dhe mënyrën e tyre tepër çoroditëse.

Po ashtu, ishin edhe luftërat dhe barbarizmat e pushtuesve që lanë plagë të mëdha në trupin e familjes europiane, madje te disa popuj këta pushtues barbarë kishin mbërritur me tendenca të errëta deri edhe te shpirti i tyre, për ta ideologjizuar atë e për të rrënuar tërë sistemin mendor, qenësor dhe identitetin e atyre popujve. Kjo u ndie tepër thellë në shpirtin e përbashkët të familjes europiane, duke pasur pasoja të mëdha. Këto pasoja i ndjenë disa nga popujt

e infektuar ideologjikisht, të cilët ende janë në procesin e ngritjes së tyre dhe të shërimit të plagëve nga pushtimet barbare.

E gjithë kjo ngarkesë apo ky gjemb që ra mbi shpinën e familjes europiane, si rezultat i ideologjizmave, rënieve të popujve, pushtimeve barbare dhe politikave egoiste, e ka futur kontinentin në udhëkryq historik dhe në prangosjen padrejtësisht nga zinxhirët e pasioneve dhe egoizmit të politikave dritëshkurtra, si dhe të ideolgjizmave që kishin ardhur si rezultat i pushtuesve. Familja europiane nuk është ndërtuar mbi idetë e ndryshme politike, as të imagjinatës, as të aksidenteve historike, por ajo ka lindur nga rrënja vertikale e shpirtit të përbashkësisë së familjeve të kombeve brenda kontinentit. Dhe, si e tillë, ajo ka krijuar edhe marrëdhëniet e natyrshme brenda saj, për të arritur kështu stadin e institucionalizimit të plotë në përbashkësinë e kombeve të ndryshme, por me rrënjë të njëjta dhe të përbashkëta e të pashkëputura përgjatë historisë. Nga kjo pikëpamje, mund të themi se ideja e përbashkësisë së familjes europiane ishte në natyrën e saj që në zanafillë, ndërsa qëllimi, sidomos në fundshekullin XIV, pastaj në shekullin XV e më pas, ishte që kjo familje, edhe pas gjithë arritjeve dhe ngecjeve përgjatë historisë dhe sakrificave të saj, t’i ruante rrënjët të pa infektuara nga ideologjia barbare sulltaniste dhe nga ideologjitë tjera. Ajo e përpunonte në vetvete idenë e domosdoshme të unitetit të trupit të familjes europiane; dhe kjo ide ishte e vjetër, sepse me bashkimin e trupit të kësaj familjeje nënkuptohej edhe institucionalizimi i tërësisë së saj dhe vendosja e sistemit politikkombëtar e shtetëror mbi  themelet shpirtërore, pa u larguar kështu nga parimet e gjenezës dhe themelet e kulturës së saj.

Ideja e unitetit të trupit të familjes europiane ishte e vjetër, për faktin se me të janë marrë shumë dijetarë të ndryshëm, filozofë, shkrimtarë, juristë, shkrimtarë politikë, shkencëtarë, burrështetas etj. Vetë ky fakt tregon edhe natyrën e domosdoshme dhe imediate të unitetit të saj në një trup të vetëm. Por duhet thënë se të gjithë kishin planet dhe idetë e tyre, të cilat saç ishin të afërta aq ishin edhe të veçanta, për nga mënyra e daljes në rrugën e duhur të unitetit të gjithë kësaj familje dhe të zhvillimit të saj të dobishëm drejt të ardhmes së mirë të kombeve brenda vizionit të përbashkët. Pikërisht në këtë periudhë, Gjergj Kastrioti, si lidership, strateg dhe vizionar i madh, ishte i vetmi personalitet me ndikim të fuqishëm e të urtë që kristalizoi dhe që hodhi idenë burimore të përjetshme e të shëndoshë të unitetit të plotë të familjes europiane.

Gjergj Kastrioti është pra i vetmi arkitekt i urtë i kombit shqiptar që i hodhi themelet e Europës si një trup në unitet të plotë, të gjallë dhe praktik, si një Europë që ndërtohet mbi shkëmbin e palëkundur, si një Europë me të ardhme të sigurt dhe në përbashkësi të përjetshme me kombet e familjes europiane. Në lidhje me këtë, mund të nënvizojmë se, “më premtuese ishte edhe traktati “De Union Christianorum contra Turcas”. Ky traktat, në vitin 1462 u është drejtuar mbretërve dhe gjithë princave të krishterë, duke bërë kështu thirrje për unitet kundër turqve (...).. Madje, këtu kemi një citim që autori R. H. Foerster, në librin e tij “Europa: Geschichte einer politischen idee”...Kjo nënkupton se po ky autor, edhe pse nuk e përmend Gjergj Kastriotin – arsyet nuk mund t’i dimë – tregon tepër qartë që bëhet fjalë për një princ të tillë, i cili e kishte profetizuar këtë union. Por nuk dihen arsyet se pse autori R. H. Foerster nuk përmend në librin e tij, në asnjë kapitull të periudhës së mesjetës, ndonjë plan apo ide të princit dhe të liderit të shtetit të Arbrit, të Gjergj Kastriotit, si një vizionar dhe ideator i parë i Europës së bashkuar.

Ai e shihte bashkimin e familjes europiane si një unazë të madhe, veçanërisht të natyrshme, të pakëputshme e të pandashme në shpirtin e në trupin e saj gjeopolitik-natyror. Po ashtu, ai donte një Europë të bashkuar e të fuqishme, për t'ia rikthyer asaj dinjitetin e përmbysur, si dhe vlerën e shenjët të identitetit të natyrshëm, por edhe të famës së madhe që ajo kishte që nga lindja. Qëllimi i tij ishte që të shihte vërtet një Europë të gjallë, një Europë që beson në themelet e saj të lashta, një Europë që ka marrëdhënie të brendshme të shenjta shpirtërore, me anë të besimit në Jezus Krishtin. Pra, një Europë të mbështetur te rrënjët e saj dhe në unitet të plotë me bashkësinë e saj. Kështu, ai mendonte se, duke qenë të bashkuar dhe të fuqishëm, do të kenë edhe pikën e përbashkët të burimit dhe të ecjes drejt të ardhmes së mirë e të sigurt. Jo rastësisht, modeli më i lartë i shtet-ndërtimit në shekullin XV është konsideruar ai i mënyrës demokratike dhe i mjeteve politike e diplomatike që përdori Gjergj Kastrioti pas kthimit në atdheun e tij dhe të themelimit të Kuvendit të Lezhës, në mars të vitit 1444.

Europa vetëm sa e kishte nisur rënien e saj, si rezultat i përçarjeve të brendshme, i interesave joparimore dhe i egoizmit të madh politik, prandaj Gjergj Kastrioti donte ta ngrinte atë në formën e natyrshme dhe të fuqishme të unitetit.Barrierat që i kishte vënë vetes Europa ishin gjeneratorë të trashjes së mureve dhe të ndarjeve edhe më të thella të saj, prandaj

ajo duhej që ta rigjente veten dhe ta arrinte njohjen e vetes dhe të domosdoshmërisë së unitetit. Historia e ndërprerjeve të mëdha, paaftësia për të mësuar nga ato çka ndodhën herë pas herë në procese të ndryshme historike në kontinentin europian, mbetën akoma për brezat e ardhshëm një kaos i pakuptueshëm, një periudhë apo proces pa frymë dhe vizion të qartë.

Por Gjergj Kastrioti e kuptoi se brezi i tij dhe ai personalisht, si princ i shtetit të Arbrit, janë e vetmja mundësi që, së bashku me të gjithë princat e kombeve të tjera ta rivënë sërish familjen europiane në vendin e origjinës, të krenarisë dhe të rrugës së njohur drejt të ardhmes së përbashkët si familje. Në fakt, ai e gjeti veten përballë sfidës si të çlirimit të vendit nga hordhia barbare turke ashtu edhe përballë paragjykimit, mungesës së kuptimit të mbretërve dhe princave të shumtë europianë dhe xhelozisë, si dhe të Europës që kërkonte vetveten dhe ngritjen e saj në histori, si unike dhe e plotë në tërësinë e kësaj familje. Pra, nga kjo ai kishte qëllim të shihte te familja europiane një sistem të gjallë të trupit në përbashkësi të shteteve, respektivisht të kombeve europiane, sepse, siç thoshte ai, “kombet vetë u hodhën poshtë nga princat e tyre, për shkak të mungesës së bashkimit të tyre. Prandaj, vetëm të bashkuar mund t’i ngremë sërish lart të gjitha kombet brenda Europës sonë”.

Gjergj Kastrioti e kishte të qartë të gjithë këtë; ai e kuptonte natyrën e problemit, se pse Europa si familje ishte e ndarë në mure ideologjike dhe në largim nga origjina e saj. Gjergj Kastrioti donte ta vinte atë si në qendër të bërthamës së saj si familje ashtu edhe në qendër të politikës së vërtetë vizionare, të politikës së bashkimit dhe të zhvillimit të kombeve në përbashkësi të plotë e me një të ardhme të ndritshme. Vizioni i tij i qartë për një Europë të bashkuar përbënte, në fakt, idenë më të rëndësishme të jetës, të historisë dhe të së ardhmes së Europës si familje. Si e tillë, Europa natyrshëm ishte krijuar mbi themelet e bashkimit të trupit të saj dhe të ardhmërisë së saj të mirë e të sigurt.

Ai i kishte lutur të gjithë princat dhe mbretërit e kombeve të kontinentit europian se e vetmja sakrificë që ata duhej të bënin ishte  “të heqin dorë nga dëshirat egoiste, nga interesat joparimore dhe nga xhelozitë e mëdha. Duhet të jenë të bashkuar kundër armikut të tyre turk dhe rreziqeve të tjera që u kanosen kombeve”. Kështu, ai u bë zëri i arsyes, zëri i ndërgjegjes së kontinentit. Prandaj përpjekjet e tij të pa rreshtuara për unitet të Europës si familje dhe të ringjalljes së saj e të rinovimit përbënin edhe shpresën e re të Europës dhe të rrugës së saj drejt të ardhmes. Sigurisht që, me zell të madh, ai donte një Europë të bashkuar, një Europë me të ardhme, një Europë që qëndron përjetësisht mbi themelet e saj të lashta historike.

Gjergj Kastrioti ishte ora e hershme që i parapriu idesë së madhe të unitetit të familjes europiane në trupin e saj natyror. Qëllimi i tij ishte që familja europiane, përmes unitetit dhe rikthimit të vlerave të saj qenësore, të rikthej në dritën e natyrshme, në diellin që ajo vazhdimisht e kishte përmbi kokën e saj, që i bënte dritë përgjatë gjithë shekujve të historisë si një familje në përbashkësi të plotë.

Lidhjen e forcave të çdo kombi brenda familjes europiane, ashtu si uniteti i pjesëve të trupit, ishte qëllimi i tij historik dhe i natyrshëm. Me këtë ai donte t’i largonte kombet nga lidhjet e gabuara, t’i largonte nga pasionet kafshërore politike dhe nga zhytja e tyre në gjakun politik të korruptuar dhe egoist. Thjesht, ai donte t'i thyente të gjitha barrierat, të gjitha paragjykimet dhe muret që kishin ndërtuar princat dhe kombet; Gjergj Kastrioti donte që të bashkuar t’ia jepnin lavdinë familjes europiane. Rikthim në gjirin e saj të natyrshëm, si një trup në unitet brenda shpirtit dhe rrënjëve të kombeve europiane, ishte për të një rikthim historik dhe i shenjtë, sepse përbënte në vetvete një hap të madh historik e të natyrshëm të këtij kontinenti.

Ai e kishte të qartë se, në atë periudhë, rreziku i vetëm që Europa kishte si kërcënim ishte perandoria e errët otomane, e cila, me barbarinë e saj bënte gjenocid dhe uzurponte territore europiane, duke mbjellë kështu ideologjinë e saj islamike, një ideologji politike e dhunës dhe e primitivizmit. Kështu, Europa Qendrore u kërcënua nga vala e stuhisë turke. Porse për t’i rezistuar kësaj stuhie kontribuuan me rezistencë heroike vetëm Gjon Huniadi i Hungarisë dhe Gjergj Kastrioti i Shqipërisë (...),1461. Ai dërgoi te Papa ambasadorin e tij në Romë, Marinin, për të biseduar rreth

projektit të tij të një lige apo bashkësie evropiane të paqes nga të gjitha kombet e kontinentit europian. [Shënimi im] (...)“

Prandaj, qëllimi i Gjergj Kastriotit për një Europë të bashkuar nuk ishte vetëm në një periudhë kohore si kjo kundër pushtuesit barbar turk. Qëllimin e bashkimit të Europës ai e shihte si të natyrshëm, si një unitet të plotë e të përjetshëm, por edhe si një bashkim politik, ekonomik, kulturor etj. Thjesht, Gjergj Kastrioti kishte për qëllim një Europë në unitet të plotë në të gjitha fushat.

Ishte pikërisht ajo lidhje e kombeve europiane apo unitet që ai kishte si ide të tij, si një fuqi të vetme të familjes europiane, si një lidhje të pastër, të mirë e të pandashme dhe që do t'i çlironte popujt nga brenda dhe, po ashtu, do të largonte nga balli i tyre edhe rëndesën e pushteteve nga princat e papërgjegjshëm dhe jo vizionarë të asaj kohe, të cilët e mohonin bashkimin, vetëm e vetëm për të mbizotëruar me interesat e tyre mbi popullin, me ato interesat e tyre joparimore dhe të dëmshme për vetë trupin e përbashkët të familjes europiane.Hapat e ringjalljes së plotë të Europës dhe të unitetit të saj përbënin një nga arsyet e jetës së tij mbi tokë, se një ditë ai t'u linte brezave që do të vinin një Europë pa mbeturina morale, po njollat ideologjike sulltaniste dhe, njëkohësisht, një Europë pa muret e saj të brendshme të politikës egoiste të princave. Thjesht, ai donte një Europë të bekuar, si brenda shpirtit të saj ashtu edhe në trupin e përbashkësisë së saj natyrore. Është një e vërtetë e madhe se si ai realisht ishte aq shumë i vetëdijshëm dhe i ndërgjegjshëm për hapat transformues dhe për bashkimin e Europës si një trup, sepse Gjergj Kastrioti, në fakt, e shihte se si etërit e tij dhe të gjithë etërit e tjerë të kombeve europiane, nga varri provokonin dashuri për

kombet e tyre dhe për bashkimin e familjes europiane. Gjergj Kastrioti është fryti i parë i bashkimit të vërtetë europian dhe pandashmërisë së shpirtit, trupit dhe ndërgjegjes së kombeve europiane, por, njëkohësisht, të bashkimit të forcave të përbashkëta politike e ushtarake. Sepse ai e shihet si një rrezik të përbashkët tendencën e shtrirjes së pushtimit barbar turk në kontinentin europian, si dhe dëmet e mëdha që ai do të mund të linte te kombet e pushtuara barbarisht dhe të ideologjizuara.

Prandaj, ai donte një unitet të fuqishëm, rrënjësor e të përjetshëm, jo vetëm ushtarak, por edhe politik dhe shpirtëror të kombeve europiane, si një familje kundër armikut të përbashkët dhe barbar turk. Ai dëshironte edhe unionin e tyre dhe ecjes së bashku në dinamikën e kohës.Me një fjalë, si në kohë lufte kundër pushtuesit barbar turk ashtu edhe në kohë paqeje, Gjergj Kastrioti ishte forca mbizotëruese politike në Europë, epërsia e ideve të frymëzuara nga rrënjët e thella të shpirtit të urtësisë dhe të njohjes. Por, sidomos ideoiniciativa e tij vendimtare në historinë e kontinentit për një bashkim të kombeve europiane përbënte, në fakt, edhe hapin më të madh historik dhe politik të Europës në tërësi dhe të tij në veçanti, si një personalitet mbikohor dhe vizionar. Ishte pikërisht ky hap, ky frymëzim, ky talent e këto ide që e bëjnë atë një thesar të madh të kombit shqiptar europian, por edhe të gjithë familjes europiane. Gjergj Kastrioti është realisht thesari më i madh i qenies së kombit shqiptar, i cili, në fakt, qëndron përjetësisht në qenien e kombit dhe të familjes europiane. Ai është princi që nderon jo vetëm kombin shqiptar dhe që i jep atij madhështinë, si një pemë e lartë e qytetërimit europian. Për këtë element të rëndësishëm të fryteve të vërteta, edhe në Bibël nënvizohet mjaft qartë se “pema njihet nga frytet” (Ex fructu cognoscitur arbor), Mat.12:33. Kjo tregon natyrën dhe hapat e tij në mënyrë tepër të qartë, ndërsa për frytet që ai la në pemën e madhe të kombit tanimë i njohin të gjithë, si brenda kombit shqiptar ashtu edhe në të gjithë botën e qytetëruar dhe demokratike.

Nga kjo mund të nënvizojmë tepër qartë se ai, si një princ i kombit dhe i shtetit të Arbrit, ishte në të gjitha hapat e tij promotori më i zellshëm i kombit, i fesë, i familjes europiane dhe i të mësuarit se ç’do të thotë të ecësh në gjurmët e paraardhësve të kombi tënd. Me hapat e tij historikë, me patriotizmin e vërtetë, me vizionin e me frytet e ideve të tij të mëdha, Gjergj Kastrioti u bë ideatori i parë i komunitetit të përbashkët europian, teksa më vonë ky komunitet do të bëhet një realitet praktik dhe i gjallë. Ai vërtet, me idetë e tij themeltare të dala nga rrënjët e mendimit të shpirtit të kombit

shqiptar europian, u bë arkitekti i parë i një Europe të bashkuar, ama i një Europe në bashkimin e saj të plotë, ashtu siç ai e kishte projektuar në detaje.

Kështu, që këtej mund të thuhet pa asnjë mëdyshje se ishte pikërisht periudha e shpirtit të principatës dhe shtetit të Arbrit, menë krye Gjergj Kastriotin që, me anë të veprave e unifikoi kombin shqiptar në Lezhë e synonte që edhe të gjitha kombet brenda familjes së lashtë europiane të jenë në unitet dhe krah njëra-tjetrës.

Princat europianë do të duhej të merrnin shembull Lidhjen apo Kuvendin e Lezhës të vitit 1444 dhe të formonin edhe ata, së bashku me Gjergj Kastriotin, Unionin e Kombeve Europiane të Krishtera kundër pushtuesit barbar turk. Vetëm në këtë mënyrë perandoria e errët otomane do të dëbohej njëherë e përgjithmonë nga trojet europiane. Ai nuk i donte korrjet e pamerituara, për të shpjeguar natyrën e famës dhe të fuqisë së tij; ai donte korrje të vërteta dhe vendosjen e themeleve të fuqishme të bashkimit europian si familje. Gjergj Kastrioti i freskoi enët historike të kombit shqiptar me frymën e tij, me politikën efektive, me qeverisjen e urtë dhe të përgjegjshme të shtetit të Arbrit. Me talentin e tij, me vizionin e me idetë themeltare të dala nga mendimi i thellë i rrënjëve të vërteta të shpirtit i dha përjetshmëri kombit shqiptar europian.

Po ashtu, ajo çka duhet me domosdoshmëri të nënvizohet, është lidhja e degëve të shpirtit të gjenealogjisë së shtëpive mbretërore në Europë. Pothuajse gati të gjitha shtëpitë e familjes europiane kishin lidhje të fuqishme në mes tyre, sepse vinin nga i njëjti burim, nga e njëjta rrënjë, nga i njëjti shpirt. Pikërisht, duke u nisur nga kjo, si personalitet vizionar dhe si burrë-shteti ai donte që kjo pemë e përbashkët e familjes europiane, që ka rrënjë dhe shpirt të përbashkët gjenealogjik sipas degëve, ta japë po ashtu edhe frytin e saj në bashkimin e plotë të familjes. Pra, të ketë frytet e përbashkëta, të ketë bashkëveprim të gjallë, të ketë lidhje të shenjtë të trupit, dhe jo vetëm e ndërtuar mbi bilancin politik brenda sistemit të saj. Ai kërkon që ajo të ndërtohet mbi parimet e shenjta të unitetit në vetvete në të gjitha fushat, si një familje e lidhur ngushtë me rrënjët e saj. Ideja e tij nuk ishte ndonjë zbulim i ri; mund të thuhet se ideja e tij ishte ideja më origjinale, për sa i përket bashkimit të kombeve të Europës; njëkohësisht, qëllimi i tij ishte i qartë, që ky union të ndërtohej mbi themelet e përjetshme të rrënjëve të shpirtit të familjes së madhe europiane. Gjergj Kastrioti, idenë e tij për bashkimin e trupit të familjes së kombeve europiane e shtroi në mars të vitit 1445, me arsyen se rrënjët e një familjeje nuk mund të qëndrojnë në një trup të ndarë. Prandaj ai dëshironte që kjo familje e madhe e kombeve europiane të bashkohej në të gjitha fushat e saj, por edhe në mënyrë të natyrshme.

Pas kësaj ideje dhe hapave për një Europë të re e të bashkuar, menjëherë ndodhi edhe hapi tjetër. Lindi ideja në kokën e talentuar të Kristofor Kolombos, i cili, në vitin 1492 zbuloi kontinentin që më vonë do të bëhej kontinent i demokracisë liberale, i mundësive dhe i arritjeve gjigante të të gjithëve, të mbledhur së bashku në këtë kontinent të shpresës, në kuptimin human të zhvillimit të kombeve dhe të demokracive në botë. Më pas kemi hapin tjetër apo idenë e ndryshimeve pozitive, atë të Paqes së Westfalisë të vitit 1648, mbi parimet esenciale të sovranitetit dhe të rolit të shtetit-komb (në kuptimin modern-komb, që do të thotë shtet-qytetar (popull) heterogjen), dhe të kombeve në tërësi, në raport me zhvillimin politik e demokratik të tyre. Pas këtyre hapave, kemi edhe hapin tjetër apo idenë e kohës, atë më të rëndësishme të kokave iluministe, pra Revolucionin Francez, i cili zgjati që nga viti 1789 deri në vitin 1799, revolucioni ky që shpalosi një faqe të re në zhvillimet e përgjithshme të Europës si kontinent e më gjerë. Ndikimi i këtij revolucioni ishte thellësisht historik dhe me efekt të madh politik.

Të gjitha këto ide e këto zbulime përbënin një parapërgatitje, një ndërveprim të gjallë historik. Të gjitha këto erdhën si një bum i madh kulturor, politik, moral, intelektual, social, shtetëror e kombëtar i botës e, në veçanti, i Europës së bashkuar. Erdhën në të gjitha fushat e saj dhe në zhvillimet e përgjithshme e të hovshme të kombeve, si në udhën e demokracisë, të institucioneve dhe të sistemit modern politik, ashtu edhe të pjekurisë shtetërore e kombëtare përballë sfidave të shekujve në vijim. Këto ide dhe zbulime, jo vetëm që ishin revolucionare, por edhe ringjallëse, transformuese dhe historike, të cilat lanë gjurmë të pashlyera në historinë e Europës. Njëkohësisht, kjo ka të bëjë edhe për historinë e botës, sepse idetë e gjalla dhe fryma e rrënjëve të lashta, si ajo e Gjergj Kastriotit, por edhe zbulimet e tjera revolucionet të nënvizuara më lart, janë të realizuara apo të mishëruara në realitet. Tanimë, ideja e tij është bërë realisht një ndër idetë e mishëruara themeltare të komunitetit.

(Gjon KEKA ,Skënderbeu idetaor i bashkimit europian, Botart, 2012)



(Vota: 1)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora