Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Gjekë Gjonaj: Kinematë e vdekura të Ulqinit

| E diele, 25.06.2017, 10:10 AM |


Kinematë e vdekura të Ulqinit

Nga Gjekë Gjonaj

Në vitet  gjashtëdhjetë-shtatëdhjetë  të shekullit të kaluar  kinematë  kanë qenë pikë qëndrore në jetën kulturore të Ulqinit. Ato kanë përfaqësuar kujtesën e përbashkët dhe identitetin kulturor të banorëve të këtij qyteti, respektivisht   kanë qenë dhe kanë mbetur pjesë e kujtesës  kolektive të qytetarëve të tij. Me një fjalë ishin simbol krenarie të këtij qyteti.  Në ato vite të shekullit të kaluar, në këto objekte ishte e vështirë të gjendej një biletë nga interesimi i madh që mbretëronte për të parë vepra të rëndësishme kinematografike nga vendi, rajoni dhe bota, meqë kinemaja është univers, përtej flamujve dhe kufijve . Nostalgjikët, që mendojnë se kinemaja nuk duhet të vdesë,   me mall e kujtojnë  grimcimin e  farave të  bardha apo të  lulediellit para dyerve të kinemave.

Për fat të keq të gjitha  kinematë e këtushme, në qytet dhe  në fshat në  Katërkollë tashmë janë  degraduar. Këto pasuri të përbashkëta kulturore që ekzistonin  dhe frekuentoheshin nga popullata vendase dhe vizitorët në kohën e monizmit, pas demokratizimit të vendit  u mbyllën, për të mos u hapur  deri në ditët e sotme.    Shkatërrimin e kinemave artistët e qytetit e cilësojnë një bjerrje të kulturës. Një ngërç  të madh kulturor.  Një shenjë të humbjes së identitetit kulturor mbase janë të vetëdijshëm se ky segment i kulturës është shpirti që i jep frymë dhe identitetit.

Objektet e ish- kinemave  të Ulqinit janë     në gjendje të   mjerueshme.   Pamjet e tyre ( rrënojat)  tregojnë momente të trishta. Panoramat e gjendjes trishtuese    kinemave të vdekura të Ulqinit shqetësojnë dhe trondisin të gjithë kulturëdashësit e këtushëm, të cilët shprehen se është  për të ardhur keq   që në këtë epokë të zhvillimit teknologjik vizioni i autoriteteve vendore dhe qëndrore  të jetë kaq primitiv, duke mos e kuptuar se kultura nuk është luks, por domosdoshmëri.

Dashamirët e këtushëm të  kulturës janë të një mendimi se mungojnë politikat  e zhvillimit të kinemasë. Sipas tyre  qeverisja lokale në periudhën e tranzicionit  gjithnjë  është treguar  indiferente, e paaftë dhe e painteresuar të stimulojë kulturën   në këtë qytet, i cili bartë në vetvete kulturat dhe historinë e mijëra viteve civilizim dhe i cili pretendon  të hyjë në listën e trashëgimimisë kulturore të  UNESKO-së .  Ngecja në zhvillimin e kulturës justifikohet me mungesën e mjeteve buxhetore.  Ky fakt qëndron. Por, ka edhe vështirësi të tjera të cilat  kanë bërë që kultura në këtë qytet   të ketë ngelur në margjina. Shkakun e ngecjeve në fushën e kulturës duhet ta kërkojmë  në mungesën e një strategjie për  zhvillimin e kulturës në këtë qytet,  të cilën  është dashur ta kenë që moti autoritetet vendore dhe ato të Minsitrisë së Kulturës. Normalisht, kur mungon strategjia,  atëherë mungon  edhe zhvillimi.  Pa sajimin e një strategjie për kulturën çdo gjë tjetër është e padobishme. Ky është hapi i parë  i ndryshimit të politikave dhe qasjes ndaj institucioneve kulturore në këtë qytet. Në këtë rrafsh institucionet vendore dhe qëndrore duhet të punojnë më shumë nëse mendojnë ta ndryshojnë fotografinë e përgjthshme të  zymtë të kulturës, përfshirë këtu edhe kinematografinë.

Është për të ardhur keq që,  në mungesë të kinemasë e teatrit, vakumi i aktiviteteve kulturore është mbushur me kafenetë,   lojërat e fatit dhe lotot sportive, të cilat jo vetëm nuk kontribuojnë në emancipimin qytetar, por hapin plagë edhe më të thella sociale,  për të gjtha shtresat e shoqërisë  dhe godasin sidomos rinininë. Më shumë se kurrë  të rinjtë  kanë nevojë të ulen pranë njëri-tjetrit, të flasin  dhe të dëgjojnë njëri-tjetrin, ndërsa kinemaja është  mediumi më i mirë për të arritur këtë.  Prandaj  do të ishte mirë që Ulqini të ketë kinema ku do të shfaqeshin dokumentarë edukativë, kulturorë e të tjerë, nga të cilët të rinjtë do të përfitonin më  shumë se sa  nga kafenetë dhe  rrjetet sociale.