E premte, 29.03.2024, 12:57 PM (GMT)

Mendime

Xhylije Ibrahimi: A do të ketë Kosova një qeveri PANLA

E marte, 20.06.2017, 08:05 PM


A do të ketë Kosova një qeveri PANLA (A)?

Nga Xhylije IBRAHIMI

Zgjedhjet e parakohshme në Kosovë, të cilat për nga rezultati janë mjaft befasuese për dy ish-subjektet e mëdha (ish, sepse më nuk mund thirrën në këtë epitet), mund të qojnë në ripërtëritjen e “dashurisë së vjetër” mes PDK-së dhe LDK-së, për të formuar një qeveri PANLA (PAN+LAA), sipas koalicioneve parazgjedhore që kanë bërë, pavarësisht se qytetarët nuk votuan për vazhdimin e politikës së vjetër, përkatësisht për një qeveri PANLA(A).

Kosova ka nevojë për një qeverisje të re, që nuk favorizon korrupsionin, nepotizmin, familjarizmin. Kosova ka nevojë për një shoqëri ku politikanët nuk janë mbi ligjin. Kosova ka nevojë për institucione që nuk tolerojnë korrupsionin, krimin, pasurimin e paligjshëm. Është momenti i fundit që Kosova t`i kthehet zbatimit të ligjit, ekonomisë, zhvillimit, të përshpejtojë në proceset integruese, sa nuk është bërë vonë. Duhet të kemi kujdes, sepse Bota mund të humb durimin dhe një ditë t`i ngreh duart nga ne, nëse vazhdojmë të sillemi si pashallarë.

Shenjat e para tregojnë se Kosova, sërish, mund të hyjë në një krizë të re, sikurse para dy vitesh. Subjektet politike vazhdojnë të përmendin “vijat e kuqe”. LDK ka thënë se as nuk do të pranojë të ulet në një tavolinë me PDK-në, madje as me garanci ndërkombëtarë. Në këto rrethana mund ta vonohet formimi i qeverisë së re, qoftë Haradinaj, qoftë Kurti. Një qeveri Hoti, tashmë nuk ka gjasa të bëhet, pas rezultateve të zgjedhjeve, ku partia e Isa Mustafës mbeti e treta.

Por, në gjithë këto matematika, një marrëveshje e re PAN-LAA për të formuar qeverinë PANLA(A) nuk është e pamundur krejtësisht, nën udhëheqjen e Haradinajt.

Drejtuesit e LDK-së, sado që kanë bërë “be” se nuk do të bashkohen më me PDK-në, do të gjejnë një arsye për të thënë se kjo është qeveria Haradinaj, jo qeveria Thaçi, as qeveria Veseli, prandaj kjo, sipas tyre, nuk nënkupton shkelje të premtimeve. Madje do të mburren se si e shpëtuan Kosovën edhe njëherë nga kriza institucionale.

LDK mund të vendos sërish nëse Kosova do të ketë një qeveri PANLA(A) apo një qeveri V(V)LA(A).

Një qeveri PANLA(A) nuk do të ishte një ndryshim i madh për Kosovën, meqë pjesë e saj do të mbeteshin shumica e atyre politikanëve që nuk i zbritën këtij populli nga shpina prej 18 vitesh. Qeveria V(V)LA(A) vështirë se do të pranohet me kushtet që përmenden.

Por edhe LVV, që proklamon ndryshime rrënjësore në Kosovë, po e kupton çdo ditë e më tepër se e ka të vështirë të vijë në qeverisje e vetme. Kjo është gati e pamundur në një sistem shumë partiak. Brenda këtij realiteti, partitë e mëdha do të provojnë me çdo kusht ta bëjnë LVV-në pjesë të qeverisjes së tyre (pjesë të lojës), që nesër të mos ketë arsye t`i akuzojë për asgjë, sepse do t`i thonë “të gjithë kemi qenë bashkë“.

Kurti po reziston ende të hyjë në këtë valle, por shenja zbutjeje ka dhënë edhe ai tashmë.

..............................

(Autorja është master i diplomacisë dhe marrëdhënieve ndërkombëtare)



(Vota: 15 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora