Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Hajrie Rondo

| E hene, 20.03.2006, 08:58 PM |


Rruga ime drejt artit kaloi nga Fieri në Tiranë

Hajrie Rondo

Jo të gjithë e dinë se aktorja Hajrie Rondo, artistja e merituar, mbajtëse e dhjetra çmimeve dhe krijuese e qindra roleve nga fëmijë deri në 55 vjeç, ditëlindjen e saj e festoi dje, në një festë të madhe në Delvinën e saj, ku u lind dhe u rrit, ku shkëqleu si një amazonë dhe u bë një hyjneshë, ku spikati në dije, artë e kulturë. Ku si sportiste linte pas edhe djemtë dhe ngjiste shkallët për t’a ngjitur qytetin e Namik dhe Sulejman Delvinës, në majën e Sopotit. Ajo vetë thotë se sa herë që kthen kokën pas kujton se i ngjitej malit me shoqe dhe buzët i lyente me nektarin e luleve të lofatës, kur shkonte në sheshin e qytetit dhe ndalej para mësuesve të saj të cilëve u puthte dorënsi mirënjohje për atë që i mësonin dhe dashurinë që i jepnin dhe kurajon që i nxisnin për t`u bërë një aktore e madhe në përmasat që ka arritur sot. Hajrie Rondo është gruaja fisnike delvinjotia që kurrë nuk ka harruar të kthehet në qytetin e saj e përmallur dhe e mbushur me lumturi. Ajo thotë se ka lindur në Delvinë, është nusëruar në Himarë dhe është formuar në Fier, qytetin që do më shumë pas Delvinës. Ajo ka në shprtin e saj një botë të tërë sa mali i Sopotit, të cilin në fëmijëri e quante kryezot ashtu siç i thoshte mësuesi i saj, Xhelal Berberi dhe nëna e saj, ajo gruaja e shkurtër dhe tani thinjoshe e cila me qumështin e gjirit i mëkoi talentin dhe i mbolli në shpirt dashurinë e madhe sa deti për artin skenën dhe filmin. Në qytetin e saj të lindjes dje, ajo ishte mbretëresha e qytetit, gruaja dhe vajza, nëna dhe artistja e madhe, se ajo ka në zemër tërë Delvinën nga Vërrizi, atje ku buron uji i kristaltë e deri në lëndinat ku ka vënë kurorën e parë të artistes, kur ende ishte fare e vogël dhe shoqet për t`i vënë në dukje që ishte pak thuthuqe i thonin tani radhën e ka “ajo që “s”-në e shqipton me “Th”,. Kështu ndodhi deri në atë vit kur ajo nga Elbasani erdhi në qytetin e saj siç sollën në kujtimet e fëmijërisë bashkënxënës të saj, me një çertifikatë nderi dhe foton e një djali, i cili ishte himarioti me të cilin do vinte kurorë dhe me të cilin ka një familje të mrekullueshme dhe fëmijë- artistë. Dashurinë e saj për qytetin e Fierit e treguan edhe tërë ata që dje, ishin shkrirë me delvinjotët në këngë e në tregime në një tavolinë gjigande ku ishte e tërë Shqipëria, arti dhe kultura. Mes atyre që mbërritën për të qenë krushqit e dasmës së madhe ishte i famshmi “Artist i popullit”, Luftar Paja, Fuat Boboçi, Kosta, këngëtarët e Fierit, prefekti i Fierit dhe kryetari i bashkisë së qytetit. Po numri i njerëzve të ardhur nga qyteti i Fierit vijonte me deputetin e këtij qyteti, Petro Koçi si dhe personalitetet të tjera të këngës, muzikës artit dhe skenës. Hajria dje, ishte e mbushur me emocion. Atë e vlerësoi edhe zyrtarisht qyteti i saj i lindjes. Dhe ajo artistja e madhe, mbretëresha e skenës dhe ekranit u ngrit ngadalë dhe duke marrë titullin iu drejtua të gjithëve me poemën që vet ka shkruar në të cilën thuhet tërë historia e jetës së saj. Historia që nis nga copa e munguar e bukës deri te trofetë e fituara në skenat brenda dhe jashtë Shqipërisë. Tërë Delvina ishte atje, që nga kryetari i bashkisë, Islam Jupi deri tek mësuesit e zonjës së madhe të filmit dhe skenës, Hajrie Rondo Veizi. Po për të mësuar më shumë dhe për të kuptuar tërë dimensionin e jetës së saj si artiste le t`ia lëmë të flasë vetë ajo me gjuhën e saj që na ka bërë të ndihemi të dashur e të mallëngjyer të qeshim e të qajmë dhe të na duket se edhe vetë jemi një brez që vijmë nga një përrallë nga e kaluara dhe secili le ta vendos veten në rolin e Vangjelit, Maliqit, Gjinos e të tjerë emrave dhe karaktereve që qëndisin me mozaikun e tyre tërë jetën tonë.

Kush është Hajrie Rondo dhe pse sot këtë titull e merrni pikërisht në këtë qytet të vogël në Delvinë?
Unë jam lindur këtu në këtë qytet dhe kam mësuar të parat fjalë në Delvinë. Delvina është nëna e babai im, këtu u rrita, këtu u mësova dhe prej këtej kam filluar të ngjis shkallët e skenës. Unë nuk e di nëse po të kisha lindur në një qytet tjetër do të mundja të isha bërë artiste. E them me plot gojën me shpirt se pa Delvinën time, unë do të isha ende një nxënëse në skenë dhe nuk do kisha arritur të ngjitesha këtu ku jam. Unë në sy kam Delvinën në zmër nanuris qytetin tim, në shpirt jam delvinjote dhe në art jam po nga ky qytet. Delvina të më besoni, të jep krah të fluturosh të jep jetë të jetosh, të bën të guximshme të guxosh, të bën të ënëdërrosh. Unë them se dashuritë kanë lindur këtu, jetët këtu, dijet në këto mëhalla që zbresin si nga malet dhe futen tutje në labirinthet e maleve. Ju nuk mund ta dini se sa e madhe është Delvina. Atë e kanë lartësuar të parët tanë, ata që e kanë dashur dhe ngritur deri në Sopot, ja atje në majë-male. Unë do të ndihesha mirë në se kam ndikuar sadopak në lartësimin e saj. E dua si shpirtin, se këtu janë nëna ime, të cilës i puth duart dhe vëllai im Avniu, këtu janë motrat e mia dhe fëmijëria ime. Ndaj unë këtu e mendoj se lavdia ka emër tjetër dhe gëzimi peshë tjetër. Mund ta merrja edhe në ndonjë qytet tjetër këtë kurorë, tiitullin nder i qytetit, por këtu ka tjetër peshë, këtu është fare i vërtetë.

Kur është ngjitur për herë të parë në skenë Hajrie Rondo dhe kujt ia dedikon genin artistik, vetes, apo të parëve?
Thonë të gjithë se kam filluar të luaj në atë, apo atë moshë. Disa e zvogëlojnë moshën për të thënë se kam lindur artiste. Unë nuk veproj kështu për të ulur moshën e fillimit të karrierës, por vëretë kam filluar që kur shkova në shkollë dhe kthehesha në shtëpi teksa imitoja shoqet e mia dhe ndonjëherë edhe vetë mësueset e klasës, por ato për të bërë shaka që të qeshte gjyshja dhe babai që vinin të lodhur nga puna. Unë kur u bëra 13 vjeç ia arrita të bëhem dikushi në sy të shoqeve, por ende kam qenë larg të qënit një artiste e vërtetë. E tillë fillova të bëhem kur në shkollën e mesme filluam të vëmë në skenë teatrot e para që ishin pjesë nga leximi i shkollës së mesme dhe mandej të ngjitem pak e nga pak pas shkollës artistike që ndoqa me shumë dëshirë.
Shikojmë se bashkë me ju kanë ardhur sot në Delvinë shumë qytetarë të Fierit, personalitete të artit, Paja, Baboçi, bile edhe të politikës si Petro Koçi,

Kryetari i Bashkisë, Prefekti dhe shumë këngëtarë dhe aetistë të tjerë. Si i sollët tërë këta?
Ju duhet ta dini se vërtetë kam lindur në Delvinë po kam plot 34 vjet që jetoj në qytetin e Fierit. Pa Fierin, zëmërgjerësinë dhe shpirtmadhësinë fierake unë nuk do ndihesha kurrë aktore dhe aq më tepër si sot para një kurore që ma jep sa Delvina aq edhe Fieri dhe Bylisi im i dashur netëve pa gjumë dhe qëndrimi zgjuar në skenë për ditë e netë të tëra, deri sa ta tresnim tërë rolin nën “kërcënimin” e amvisës më të mirë dhe korifeut të skeçeve, Pëllumb Kullës, e të madhit, Paja, Baboçi, etj. Unë sot jam bashkë me ata se ata janë pjesë e trofeut tim dhe në vendlindjen time janë si bijtë e Delvinës

Sot këtu ndodhen edhe përfaqësues të Himarës, kjo se ju pëlqeni këngën himariote apo se ju lidh ndonjë arsye tjetër me këtë qytet?
Unë vërtetë jam lindur në qytetin e Delvinës, jam rritur dhe formuar si atiste në “Bylisin” e Fierit, por dua të them se jam po kaq edhe himariote. Nga Himara unë kam kujtimet e mia të pafundme. Himara për mua është vendi ku kam qëndruar e nusëruar pasi burri im është himariot. Fëmijët e mia janë nga Delvina, Fieri, Himara ndaj dhe them se: janë sykaltër nga deti i Himarës. Janë artistë në shpirt nga Delvina e mamasë dhe të butë nga Myzeqeja e gjerë dhe e pafund nga pjelloria e saj kanë fituar dimensionin e dashurisë dhe nga Himara atë të këngës. Ndaj janë himarotët këtu sot. Mos të harroni se ata që janë këtu sot janë një nder i madh për tërë Shqipërinë. Kanë shkelur në tërë botën me këngën e bukur himariote janë artistë dhe bijë artistësh janë të famshëm se dinë të këndojnë dhe të qajnë duke kënduar. Ja njëra prej tyre, Katerina Bala është një artiste që të gjthë do donin të ishte nga qyteti apo fshati i tyre. Po artistët këtë të mirë kanë se janë të të gjithëve,

A mund të na thoni se sa fëmijë keni dhe cilin prej tyre doni më shumë?
Ju kuptoj shumë mirë. Fëmijët e çiftit “Rondo” janë fëmijët që kam ëndërruar dhe dashur më shumë se çdo gjë në botë. Po tani le të vijmë tek ata që doni të dini ju. Po ju them se kam luajtur 120 role dhe të gjithë i dua. Fëmijët janë të barabartë. Duhet të dini se kur ishim fëmijë edhe pse na shanin nënat për ndonjë prapësi të moshës, përsëri ishim të dashurit e tyre dhe ata nuk bënin dallime. Edhe unë i dua të gjthë rolet e mi të vogla, të mëdha në skeçe, parodi, telekomedi, komedi, teatër, apo film. Rolet janë pjesë e shpirtit ato burojnë nga shpirti dhe rriten me dashurinë zemrës. Në to unë kam vënë pjesën më të bukur të jetës time. Ato i kam lindur dhe ritur në skenë dhe i takojnë të gjthë shikuesve. Do të isha e lumtur në se rolet do jenë pëlqyer nga bashkombësit e mi. Nuk do të bëja asnjë përjashtim. Janë 120 role që i dua të gjthë. Ndryshe, pyetja për fëmijët nuk është kuptuar nga unë apo nga ju si përgjigje. Roli më i mirë është ai që ka mbetur në kujtesë të popullit dhe ata janë ngritur nga karrikia dhe kanë shkuar me të në shtëpi ose kanë bërë me të si kanë dashur e kanë shfrytëzuar për të edukuar fëmijët për t’i qortuar apo për të dashuruar. Roli më i mirë është ai që ka hyrë te shikuesi nga shpirti dhe ka mbetur në zemër.

A është ky çmimi i parë që keni marrë apo keni edhe vlerësime të tjera?
Mos më vini në siklet. Dua t’u them se edhe ky çmim sikur të ishte i vetëm do të ishte i mjaftueshëm. Do ta vendosja në dhomë dhe do i falesha si inkonë se është vlera që më dha qyeti im për jetën dhe karrierën time të gjatë. Nuk ka më mirë se sa të nderojnë njerëzit me të cilët u rrite dhe u dehe u përqafove dhe këndove qave apo ishte bashkë me ta në të mirë e të keqe. Sa për vlerësimet e tjera mos më ngacmoni, se ja ku është Fuat Boboçi dhe gati e ka penën të qëndisë ndonjë tjetër, me titullin “A doni më për Belulin”. Po me që është pak larg po iu rendit disa vlerësime. Unë jam vlerësuar me urdhërin ”Naim Frashëri i artë”, me titullin, ”Aktorja e madhe e karrierës për Myzeqenë”, për rolin e “Plakës” tek “Gjëmimi i atij dimri”, rolin e “Linës” te “Kush vdes në këmbë”, 1976, të V Priftit, për rolin e “Tanës” tek “Përrallë nga e kaluara”, me të shquarin regjisorin e madh Dh Anagnosti.

Për pjesëmarrjen tuaj në festivalet e teatrove dhe filmit këtu brenda i dimë, po më tej, jasht shtetit?
Po unë kam marrë pjesë në festivalin e Korinthos në vitin 1987, në Izmir në vitin 1990, dhe në Turqi në vitin 2004. Në tërë këto festivale filmat tanë janë pëlqyer dhe vlerësuar. Unë jam ndier si pjesë e suksesit dhe kam ato merita si edhe kolegët e mi në të gjitha këto debutime.

A mund të na thotë aktorja Hajrie Rondo se cilët janë personazhet e saj më të dashur për të cilët ndjen dhimbje dhe mall?
Eh, ata janë shumë, të gjthë i dua dhe mos prisni të anatemoj ndonjërin. Dua t’iu them lexuesve se unë për rolet që kam luajtur kam qëndruar zgjuar në skenë, kam ngrënë copën e bukës para aktorëve të taletuar, Paja e Baboçi, kam dëgjuar të madhin e skenës Pëllumb Kullën, i cili është njeriu që i dha teatrit tonë kripën e humorit dhe zërin e skenës. Po unë do doja të përmendja atë që edhe ju e dini. Rolin tim tek ”Përrallë nga e kaluara”. Unë ecja rrugës një ditë në Fier dhe disa fëmijë më thonin shiko kjo që e marrosi Gjinon që në 14 vjeç, o sa e keqe që ishte me nusen që ishte një engjëll. Po unë vetë mendoj tërë atë galeri personazhesh që fillojnë nga Maliqi tek Vangjeli im, te prifti dhe mërmërima e grave të mëhallës të cilat e bënë shtëpinë time të qëndronte zgjuar. Po edhe ato dinakëritë e nuses time e cila më tërboi dhe më bëri xheloze dhe më la pa gjumë.

A mund të na thotë Hajria se cilët janë miqtë e saj në teatër dhe në film, po në skeçe e në komedi?
Me të gjthë ata që kam bashkëpunuar jam ndier e privilegjuar. Miqtë e mi ja ku janë Paja i madh dhe Boboçi, që nga larg është Cekja me ata që kanë ikur për të mbetur artistët e mëdhenj shqiptar. Unë i kam dashur dhe i dua të madhin Sandër Prosi, dua Kadriun dhe Tinkën, Rozën dhe tërë të rinjtë e të vjetrit që nuk mund t’i përmend të gjithë tani.

A ka Hajria ndonjë breng të pathënë dhe ndonjë emocion për ndonjë rol të pa luajtur?
Kjo puna e artistit është si puna e endësve që endin e endin dhe gjithmonë mbetet diçka për të plotësuar. Unë do doja të luaja një rol për nënën delvinjote. Dua të them se jam edhe në origjinë nga Delvina, por edhe në skenë dua të mbetem po kështu.
A mund të na thotë artistja Rondo fituese e titullit “Nderi i Delvinës” disa nga sekretet e saj si, shënjën tuaj, pasionin, hobin, trishtimin, tmerin, sfidën, etj?
Pse jo. Unë atë që kam brenda vetes ua them të gjithëve. Artistit i mbeten pak sekrete. Po jam e shenjës “Peshqit”. Pasioni im është skena, teatri, poezia, tishtimi është plakja, është vdekja dhe sfida është optimizmi. Po unë jam një njeri që rroj me shprtin e gëzuar dhe ëndërroj për të ardhmen se e dua jetën dhe e vlerësoj atë

Sapo dëgjuam një poezi tuajën. Ju jeni edhe poete?
Po unë kam në botim librin tim të parë. Me këtë rast e falenderoj gazetën “Sot” për këtë komunikim.

Sot

Aktorja Hajrie Rondo, protagonistja e “Përrallë nga kaluara”, vlerësohet me “Nderi i qytetit” në vendlindje, Delvinë

“Më kujtohet ekrani i mbuluar me llamarinë”

Thoma Nika - Shekulli

Delvinë-Tana, vajza e komedisë së Çajupit, e bëri të njohur Hajrie Rondon. Ky kryerol është kurora e aktores. Një tjetër kurorë i vuri këto ditë vendlindja, Delvina, duke e bërë “Nderi i qytetit”. Ajo kujton se ka qenë ekrani i madh i kinemasë së vogël të Delvinës, mbuluar me llamarinë që ia ndezi shkëndijën dhe shpresat se një ditë do ta shihte veten në ekran dhe në afishet e teatrit. Pranë njerëzve që e adhurojnë është kthyer jo për të kërkuar trashëgimi pronësie, por si gruaja që ka mishëruar me dhjetëra role. Në interpretimin e saj të thjeshtë e mjeshtëror, plot patetikë dhe kolorit, kemi parë një aktore që di të vëzhgojë jetën, që di të plazmojë figurën, që bashkon në harmoni fjalën me gjestin dhe mimikën. Personazhet e saj janë sa të vërteta aq të këndshëm, me gjetje e detaje befasues. Në larminë e roleve në skenë dhe në ekran, na kanë mbetur në kujtesë ato role vajzash e grash që iu përkasin kategorive të ndryshme shoqërore, por edhe periudhave të ndryshme historike. Rondo shfaqet në to dramatike dhe komike, si në rolin e protagonistes, apo në ato episodik. E kujtojmë në dramat “Gjëmimi i atij dimri”, “Baladë për një grua”, “Shtrigat e Salemit”, “Dy krisma në Paris”, si gruaja e Petro Nini Luarasit tek “Nëntori i dytë” tek komeditë televizive me Ceken, për t’u ngjitur tek roli i Tanës, në “Përrallë nga e kaluara”.
Marrja e titullit “Nder i Qytetit” ishte përzgjedhje dhe vlerësimi i bashkive, duke plotësuar edhe dëshirën e vetë qytetarëve të Delvinës. Artistë si Hajrie Veizi dhe një legjendë e futbollit si Panajot Pano, të shpallur “Nderi i qytetit” në një ditë me të, janë veçuar si përfaqësuesit më në zë të qytetit.


Çfarë ndien artistja kur kthehet në vendlindje dhe nderohet prej saj?
Emocioni është i fortë dhe i veçantë. Ndihem si bijë e përkëdhelur prej qytetarëve të mij, ose kanakare, siç themi ne delvinjotët.
Çfarë i mungoi kësaj dite?
Asgjë, të gjitha ishin të mrekullueshme: atmosfera, ngrohtësia, përzemërsia dhe mirësia e njerëzve, fjalët e ëmbla, të bukura në adresën time dhe të delvinjotëve, të thëna nga personalitete që Delvinës nuk i numërohen.
U ngacmuan emocionet për t’u kthyer pas në vitet e rinisë këtu?
Eh, rinia! Jo pa qëllim kam thënë se nostalgjia është rinia. Ardhja e sotme m’i solli pranë edhe shumë kujtime që lidhen me rininë time në Delvinë.
Ka të bëjë ajo me fillimin e udhës artistike?
Motivi i parë ishte Xheni. Unë nuk i kam ngjarë, kam ngjarë nga im atë, ai shkollën përkatëse nuk arriti ta bënte, por ishte artist i vërtetë, që imitonte dhe improvizonte në mënyrë të mrekullueshme. Nga traditat që ka Delvina si qytet kulturor dhe nga ajo mbresa që m’u krijua nga ekrani i madh i kinemasë së vogël të Delvinës, mbuluar me llamarinë, unë harrohesha pas artistëve të mëdhenj rusë. Dhe që atje mora një vendim: do bëhem aktore dhe nuk kthehem prapa.
Dhe si vazhdoi ëndrra?
Ia dola të bëhem studente dhe të diplomohem në Institutin e Lartë të Arteve. Fillimisht u emërova në Gjirokastër, por unë isha e dashuruar dhe e fejuar në Fier dhe ky ishte stacioni im i përjetshëm.
U pranua lehtësisht në familjen ku shkove që nusja të ishte njeri i skenës?
Me mua dhe bashkëshortin tim ka ndodhur mrekullia. Im shoq, Kiçua, ka qenë dhe volejbollist e trajner i këtij sporti e kjo mbase është edhe arsyeja që ne merreshim vesh shumë mirë me njëri-tjetrin, se bashkëjetesa e artit me sportin ka dhënë prova të panumërta.
Çfarë veçoni nga rruga juaj artistike 35-vjeçare në Teatrin e Fierit?
Do të veçoja ngrohtësinë që më ka dhënë spektatori, sikurse e ka thënë regjisori i madh Pëllumb Kulla që “Fieri Hajrien e ka mbajtur ngrohtë”. Veç kësaj, jam ndjerë mirë me partnerët e mi të skenës duke nisur që nga Pëllumb Kulla, personaliteti që e krijoi dhe i dha portretin Teatrit dhe Estradës së Fierit, Luftar Paja, Fuat Boçi, Todi Llupi, Vasil Vaso, Fatos Sela e shumë të tjerë.
Jeni angazhuar diku për momentin?
Sot gjendem në Delvinë, nesër në Fier, pasnesër në Himarë, pastaj në Tiranë me xhirime. Andej në Vlorë, në Shkodër, pastaj me një telekomedi me Ceken, më tej me Robert Ndrenikën, Roland Trebickën. Është një jetë me puls që më mban në kërkim e në krijim.