Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Përparim Hysi: E 'lehtë' të 'flasësh' me të vdekurit?!

| E diele, 18.06.2017, 08:40 AM |


Sa e"lehtë" që është që të"flasësh" me të vdekurit?!!!

In memoria- për Sejfulla Maleshovën (Lame Kodra)

(ese)

Nga Përparim Hysi

Jam një nga ata që e kam "njohur" Sejfulla Maleshovën. Jo vetëm e kam  njohur, por dhe e kam dashur. E kam dashur;e kam patur dhe dy çapa afër apo ballë për ballë, por nuk kam guxuar as ta përshëndes dhe jo më për t'i folur.

Ka ndodhur pikërisht si  ajo kënga që shpotit një "gjasme trim" si puna ime. Kënga seç ka nja dy rreshta vulgare që i  vënë notën atij "trimit". Ia vënë atij trimit, por ke parë që më rrinë dhe mua pas trupit. Kënga thotë, mes tjerash:"Qejfi ta ka/ po bytha s'ta mban/... epo ç'ta vazhdoj më tej? A nuk është si  një fshat që duket dhe nuk do kallauz. Terziu që ma ka prerë pas trupit atë"dyvargëshin", është edhe ai si një fshat që duket. Sado që është  emër i gjinisë femërore, ka një peshëspecifike që  të shtyp dhe ta merr shpirtin pak nga pak. Terziu ishte frika. Frika qe hija që më ndiqte pas dhe, që, tek e shihja që vinte drejt meje, ulja kokën si një njeri që ka bërë faj dhe më dukej vetja një hiç. As po zmadhoj dhe as po zvogëloj. Po, kur ka qenë kështu, përse shkruaj për të?

*     *    *

Arsyeja e kësaj "eseje" është vetëm që të tregoj disa të vërteta që m'i kanë parë sytë dhe dua që, sado pak, të "replikojë" me ata që shkruajnë me apriori dhe tentojnë që të vënë mbi ballin që ia kanë nxirë (ai në fushën e letrave e ka patur ballin të bardhë), ndonjë aureolë si "drithërimë" apo regëtimë dhimbjeje për atë kohë,kur i kishin mundësitë, por jo s'e kishin "frikë", si puna ime (ata nuk  njihnin frikën.Tërë jetën vetëm kanë ndihmuar, sidomos, të vdekurit). Se të vdekurit kanë një të mirë: nuk  flasin. Nuk flasin ata, po zëmë e ligjërojmë ne, të gjallët dhe tjerrrim e tjerrim furka të  tëra me lesh, ku, në një farë mënyre, o marrim në mbrojtje këtë, të vdekurin, o e ngremë në qiell.

Dhe ndodh si në atë garën: më i shkathti, më i shpejti.

Dikush tregon  që jo vetëm e njihte, por dhe  e"paska ftuar dhe në dasëm?!!!". NJë tjetër zë dhe evokon vargje, se regëtin për të ndjerin. Dhe harron se dhe për një tjetër nga këta të "penëndaluarët" si Lame Kodra, ngaqë është treguar "si sytë e veshtë e mbretit", e ka mbyllur atë"penëndalurin" në hapsanë dhe vet,hop dhe nga provinca ka zënë Tiranën në një qoshe të ngrohtë.

Një tjetër, tek shkruan për vitet e prapme të Sejfullait në Fier, thotë: "...  fierakëve u mbetnin sytë në "veshjen-shik të Sejfullait." Një tjetër,tek shkruan revan, thotë: "Sejfullai- një mediokër!!!". Kur lexova,para dyvjetësh, nga ky"mendjendritur" që quante Sejfullanë "mediokër", aq u revoltova, sa i shkrova kryeredaktorit.Kryeredaktori më shkruante se do e thërriste atë "gazetarin" dhe do  t'i shkulte veshin. Domethënë, fund e krye një tallje.

*    *   *

Për të qenë më i drejtpërdrejtë me lexuesin dhe për të treguar pse e shkruaj këtë"ese" për Sejfullanë, se më datën 9 qershor 1971, është data kur ka vdekur Sejfullai aliaz Lame Kodra. Dhe, sa shoh, askush nuk i di të gjitha për Sejfullanë në internimin e tij të gjatë në Fier.

*    *    *

Rronte vetëm. Askush nuk i qasej afër dhe, si burrë i ditur që ishte, kurrë nuk tentonte që të imponohej. Gjithmonë me kokë zero, me shapkë me strehë, me këpucë me  majë dhe u mshonte çapava rëndë, si për të treguar qe gjallë dhe vital. Që nga sezoni i vjeshtës dhe deri, sa vinte maji, mbi trup kish një "pelerinë" që aq e kish humbur ngjyrën sa më kujtonte atë"pelerinën" e Kolonel Shaberit. Analogjia është e qëlluar: edhe Lame Kodra sikur vinte nga një"vdekje kilinike" të një lloji të veçantë. Nëse nuk kish qenë në betejat e Napoleonit si Shaberi i Hygoit, ai vinte  i "plagosur brinjë më brinjë" nga një "betejë kulisash" të një regjimi komunist që vetëm fabrikonte armiq. Kur flas për atë"pelerinën" që kish humbur ngjyrën, dua t'i tregojë pak vendin atij"veshjeshikut". Por dhe jo vetëm atij.

*    *   *

Unë jam nga ata që recitoja me atë naivitetin  e fëmijës  ato vargjet:"... këmbëzbathur/bythëçjerrë/ punoj vetëm për të tjerë/". I recitoja, po as e kisha idenë sekush i kish shkruar. Atëherë vetëm një poet njija: Ishte Naim Frashëri!  Pse të kishte tjetër, vallë?!!!

*    *    *

Kur vajta në shkollë të mesme, në Elbasan, kur duke kaluar nga dora në dorë, më ra në dorë libri i Lame Kodrës"Vjersha" dhe aty më"doli rakia" e asaj poezie dhe zura" o të rrija këmbë mi këmbë mbi selishte/ dhe nis vallen plqeërishte", por dhe me vargje të tjerë: "... ja, nga brigjet e Tiranës/ del Naimi;/ Dyllë i verdhë e syshkëlqyer/nga mejtimi/. Dhe thosha e thosha vargje të  tëra.

Kur, pasi dola mësues,  e shoh mu përpara. Mu përpara syve, po "avazi" qe prapa. Si qemania e Nastradinit. E pashë së pari dhe kushedi se sa herë. E dija që kish shkruar dhe përkthente, por paemër. Pra, qe i gjallë dhe i pakallur në dhe. Por ndodhi mrekullia. Sejfullai e kish bërë zakon: çdo mbasdite shkonte në kinema. Le ta kishte parë filmin.Dhe qëlloi që i pata kariken ngjitur. Në atë sekuencën e "artë" që, pas dokumentarit, bëhej një pushim, unë përfitova  nga rasti dhe i them:

- Profesor, kam lexuar një poezi pa emër autori. Mos e kini shkruar ju?

- Pa ta dëgjojmë,- më tha ai.

E recitova një strofë dhe, tek do vazhdoja, më tha:

- Jo. Nuk është poezia ime. Është e Petro Markos. Dhe shtoi:- Pse shkruaj dot unë si Petro Marko?!!!

Ç' domethënie të madhe kishte kjo përgjigje  dhe  hajde dhe mos  e quaj "mediokër". Më vonë, mora vesh që edhe Petro Markon e kishin kthyer në "kufomë të gjallë".

Më erdhi keq që kaq zgjati "biseda ime" me LAME KODRËN dhe thashë se nuk do të "bisedoj" dot më me të.

*     *    *

Por ja që e"takova" prapë. Tani "nuni" për t'u takuar me Profesorin, qe komshia im në Petovë, boshnjaku Rrahman Maka. Unë isha mësues dhe tek m'u shfaq përballë, më thotë:

- Po çfarë mësuesit je ti, mor jaran, se i kam ndje që po të thonë profesor. Pasha të madhin Zot, e kam ndesh një Profesor që shok në këtë dhe nuk ka. Për dy dekika (minuta) më ka  mësue me e ba firmën, or ti.

- Axha Rrahman,- i them,- po si e mësove firmën, kur ti as di të shkruash dhe as të lexosh.

Po, mor, kështu ka qenë dje, por, sa e kam takuar atë Profesorin si me qenë vet Pejkamberi e më ka mësue. E shif se po ta tregoj. Kam shkue me kierren me duhan dhe, pasi kam vue thasët mbi nji kandar të madh, po më thotë aj makzinieri:

- Hajde, kosovë, e ma hith nji firmë.

Po i them:- Nuk jam kosovar, por bash boshjak.

Dhe aj. Ani... dhe po ma tregon. Por, besa e burrit, nuk po dij dhe ia kam ngjat gishtin.

-Po hiqu gishtit,- po më thotë. Pa afrohu! Dhe i jam avit. Ma ka dhënë atë kalemin dhe më ka thënë:

- Boshjak, bane një vijë.  E kam ba. Tani mbi  këtë një vijë tjetër. E një tjetër... e një tjetër. Besa i kam ba dhe, tash, numëroi. I kam numërue: 6 vija që as dreqi s'po i merr vesh.

Dhe po më thotë:- Boshnjak, mbaje mend: sa më e keqe frima, aq më e mirë është! Eh, çfarë njeri është, more jaran. Por e ka"prishë" me atë"tatarin"(kupto Enver Hoxhën) dhe ka përfundue atje në makazien e duhanit.

*    *   *

"Njohja e tretë"... Sejfullai u sëmurë dhe u shtrua në një pavijon të spitalit  të Fierit. Punonte në një zyrë me Bardhin, mikun tim. Bardhi,sado që e donte shokun e tij të punës, nuk guxoi të shkonte në spital. Kur u kthye nga spitali, unë,- tregonte Bardhi,- vetëm i thashë të shkuara se më mbuloi turpi.

Ai më tha:- Ore Bardhi po në spital nuk qe Sejfullai, por qe shtruar një njeri!!!

Këto qenë "tri takimet  e mia" me Sejfulla  Maleshovës që,sa qe  gjallë, rroi vetëm dhe vdiq i vetëm. Të  tjerat janë vetëm spekulllime.

*   *   *

Do isha i padrejtë, nëse në këtë "ese" modeste timen, nuk do përmend poetin dhe shkrimatrin e persekutuar fierak, Nuredin Boriçi, që, pothuaj, grisi dy palë këpucë duke kërkuar donacione vetëm e vetëm për t'i bërë një qivur Lame Kodrës. Këtë punë jo vetëm e filloi, por, nëse sot, Lame Kodra ka një qivur, merita është e Nuredinin Boriçit.Aso kohe kam qenë inspektor në departamentin e arsimit në Fier dhe jo vetëm e di nismën e ij, por e kam përshëndetur me një poezi timen, që në këtë jubile të Lame Kodrës, po e pranëvë tek kjo "ese".

Shqetësimi i Poetit!

Mikut tim, Nuredin Boriçi


I shqetësuar Nuredini, pashë më pashë i bie  qytetit

Donacione seç kërkon: një qivur t'i bëj Poetit*

Një qivur për Lame Kodrën (Kodra pak, po Lame Mali)

Portë më portë seç troket (po i humbet  për fare, varri)


Nuredini është i varfër, por i pasur si askush

Një kacidhe s'ka në xhep, por ka shpirt të nxehtë si prush!

Nuredin boton libra: është poet dhe është shkrimtar

Por në xhep ka vetëm "dimra" se punon si arsimtar,


Edhe bredh i shqetësuar që t'i bëjë qivur Poetit

Dhe kërkon donacione që një sfidë t'i bëj shtetit

Edhe bredh si smonabull, poshtë e lart nëpër qytet

Shpirt i bardhë dhe i plagosur, si një zok zë e këlthet

................................................................................

Trasta bosh e shpresaplot, tutje- t'hu,Nuredini,

Vjen tregon a më shumë qahet tek xhepshpuar,Përparimi!

E të dy zënë  e qajnë hallet se janë vënë në siklet

Për të bukurin,Lame Kodra, nga poetët, më poet.

*    *   *

Natyrisht, unë e di mirë gjithë jetën e  Sejfullait. As që e gjykoj për bindjet e tij "ultra të majta",as për gjithë veprimtarinë me Konarenë dhe ca më t'hu, si komunist, por e gjykoj si një Poet që e"vranë për së gjalli" dhe si" mediokër" që ishte, u lakua emri i tij në Kongresin e Lidhjes së Shkrimtarëve Sovjetikë, kur kryetar ishte Maksim Gorki.  Gorki nga i cili përktheu Zgalemin... Po sikur vetëm këtë? Po Nekrasovin? Po Pushkinin? Epo "mediokrit" të tillë janë. Po mirë thonë në Myzeqe:" Kur u bë zagari langua, mortja që s'më hëngri mua!".

Fola pak gjatë, por e ndjeja si një detyrim që, ndoshta, sado pak ia kam arritur.

* Poezia është shkruar në vitin 2000 ( kam ndërhyrë dhe nuk e sjell të tërën.). Unë ika në Amerikë në vitin 2000 dhe, kur u ktheva në Fier, gjeta jo vetëm qivurin ( meritë e Nuredin Boriçit), por, për fat të mirë, në Fier për të është ngritur një bust për Lame Kodrën nga skulptori Haxhi Kalluci.

Tiranë, 11 qershor 2017