E enjte, 25.04.2024, 05:48 PM (GMT+1)

Editorial » Entela

Entela Binjaku: Intervistë me shkrimtarin Juljan Abrashi

E diele, 18.06.2017, 12:00 PM


Juljan P. Abrashi është një i ri i diplomuar në Tiranë, në fushën e "Shëndetit publik" i cili aktualisht jeton dhe kryen praktikën në Gjermani.

"Akull dhe zjarr" është romani i dytë i tij, që ka dale në treg kohët e fundit.

Sipas "bukinist.al" ai është dhe ndër librat e rinj më të shitur të javës.

Ndiqni në vijim intervistën me Juljanin për të mësuar më shumë rreth tij dhe krijimtarisë së tij!

Nga Entela Binjaku

“Një jetë e mbrapshtë”-cila është përvoja e romanit tuaj të parë?

J.A .“Si 17- vjeçar me mungesën e vetëbesimit, në një vend ku filtrat e librave cilësore për botim mungojnë dhe ku të jesh shkrimtar është normalitet, mund të them se ishte një sfidë e vërtetë pa e ditur ende se çfarë ishin sfidat. Kam pasur ndrojtje për ta publikuar librin jashtë kontureve farefisnore dhe të të njohurve për të mos u vrarë nga ndonjë gisht gjykues sepse ende nuk isha i mirëformuar emocionalisht. Kjo kishte edhe jo të mirat e saj sepse të njohurit nuk e shohin me aq sy kritik ose të paktën nuk janë shumë të sertë që mos ndihesh keq. Gjithsesi, pak e nga pak, nga e kërkuara me shumë këmbëngulje për të marrë vlerësimin e vërtetë, mora dhe pak më shumë kurajo për ta zgjeruar akoma më shumë rrethin e lexuesve dhe mund të them se ndjesitë e para të lexuesve të panjohur për ty, të cilët të kontaktojnë e të përgëzojnë, janë një rrahje zemre e veçantë, e tipit që të ngroh e të jep buzëqeshje. Këto pikla lumturie shtuan akoma më shumë pasionin, vendosmërinë, dashurinë, punën, motivimin, seriozitetin e elementë të tjerë të shumtë ndërtues në rrugën nga shkrues në shkrimtar”.

Çfarë ju bindi që duhet të shkruanit “Akull dhe zjarr”?

“Romani "Akull dhe zjarr" filloi të lindë në idetë e mia para shumë kohësh krejt normalisht si një dashuri mes dy personazhet kryesorë, një mashkull i ndërtuar prej zjarrit dhe një femër e ndërtuar prej akullit, por pastaj idea në kokën time mori një kthesë tjetër duke i dhënë kuptim krijimit të botës së tyre sikundër zakonisht vetë njeriu përpiqet të gjejë gjenezën apo arsyetimin shkencor të një ndodhie. Pse? Paralel me këtë ndodhi kam qenë duke punuar me studime shkencore të "Shëndetit Publik" si punime universitare sepse unë kam studiuar më parë në Tiranë dhe në materialet shembuj jam hasur me një punim online nga zonja Emira Galanxhi, drejtore e statistikave sociale, ku shkruhej se "abortet në Shqipëri në  vitin  2009 ishin afërsisht  9  mijë  ndërkohë    në vitin 2013  ishte  afërsisht 6,6 mijë". Rrjedhimisht afërsisht 1/5 e fëmijëve, përkatësisht 186 aborte në 1000 lindje të gjalla, ishin aborte. Shifër e latë në 2013 dhe të mendosh se në vitet e mëparshme ishte më e lartë. Për moshat +34 vjeç janë dy në pesë fëmijë aborte. Marrëzi! Këto shifra nuk i besova asokohe dhe ende nuk i besoj, kam bërë kërkime për të dobësuar shifrat, por ato dukeshin si shifrat më të buta sepse ekzistonin shumë mosraportime me medikamente që vrasin në heshtje e që qarkullojnë dorazi. Mungon një mbështetje institucionale për këtë kapriço, pamendim e mosinformim dhe nëse trajtohet si duhet do ulen dhe rastet sa nga përballueshmëria finaciare ashtu edhe nga botëkuptimi që krijesa nën trupin tënd nuk është si çokollatat e marketit, të cilat edhe nëse i hedh në kosh nuk përbën problem. Kurrsesi nuk mund të pajtohesha me rastin dhe vendosa të hedh një gur në lumë për një roman i cili nuk flet me statistika, por me ndjenja për të shmangur këtë plagë të ardhur në demokraci. Ndihem i pafuqishëm sepse si shkrues i ri jam si miza që përplaset pas dritares në përpjekje për të fluturuar e lirë dhe nuk e kupton që dritarja është e mbyllur, por unë shpresoj që barrierat frymëmarrëse të lëvizin dhe sadopak të kemi një ndryshim. Në Gjermani janë abortet vetëm 4-5 në 1000 lindje dhe e çuditshme pse nuk flet dikush a ndodh diçka? Mos nuk dëgjoj unë? Mos po kërkoj shumë? Dikush mund të thotë "O djalë, bjeri-bjeri, nuk po pyet kush për të gjallët e të pyesin për ata që në disa terma ligjore e pro-abortit nuk quhen ende të gjallë."

Cila është sipas jush tipologjia e lexuesit tuaj?Po a atij shqiptar? Si e testoni veten tek lexuesi?

J.A. “Më pëlqen në shkrimet e mia të përdor retrospektivën dhe kthimet e papritura, jo vetëm aq, por edhe misterin, të lëmshuarit të lexuesit dhe përdorimin e nënteksteve. Zakonisht shkrime të tilla edhe me nuanca filozofike, filantropike, botëkuptimore, goditëse e forma të ngjashme nuk janë për shumicën e lexuesve sepse bëhen dhe të lodhshme. Mesa kam vënë re nga gjykimi personal dhe madje edhe bisedohet rëndon midis lexuesve, shqiptarët vështirë se lexojnë e ata që lexojnë nuk lexojnë të duhurat. Tregu shqiptar priret drejt shkrimeve të quajtura lemonadë me dashuri vanilje, shkrime të cilat nuk përshtaten shumë me stilin tim nëse nuk mbartin një mesazh të thellë. Libri, në përgjithësi, ka si misionin e tij të zgjerojë horizontin, të rrisi kapacitetin imagjinar, të urtësojë, të të edukojë dhe librat me dashuri e zhgënjime për mua duhet të jenë si qumështi, t'i përtypim si fillim për të shkuar në hapa më të mëtejshëm e jo të mbetemi me biberon. Nuk mund të nisësh me libra filozofikë prej moshës së re sepse pastaj luan mendja me ty e jo ti me atë, por edhe jo të mbetesh tek librat dashurorë që i gjejmë të mbitrajtuar, filani u dashurua me filanen dhe anasjelltas, u zhgënjyem e u ndanë a i ndau bota apo u bashkuan e jetuan të lumtur. Kot nuk thonë "dashuria lindi mes njerëzve, por e vranë shkrimtarët". Libra të tillë i kemi në jetën e vërtetë, ndërveprimet sociale janë librat, zhgënjimet na kalisin, eksperienca na bën të fortë. Këtë tip kishte romani "Një jetë e mbrapshtë", libër të cilin e gjykoj të përshtatshëm për moshat e reja për të mos u hedhur në zjarrin social pa e ditur se djeg. Jo se romani "Akull dhe zjarr" nuk e ka temën e dashurisë paksa qëndrore, por ideja qëndron se dimesioni i tij shtrihet përtej një historie demode trekëndësh "ai" "ajo" dhe "lufta për të qenë të dy të lumtur".

Zotëroj një faqe të quajtur "Përtej Barrierave- Juljan P. Abrashi" dhe mund të them se kam testuar shumë herë veten e tregun dhe kam mësuar ç'kërkojnë lexuesit. Mbase se jam i ri, mbase se jam tipi, por falenderimet e vogla në komente, mesazhet, interesimet, postimet mbi dashurinë ndaj romanit janë një tregues dhe testim ndaj vetes. Test është dhe shitja e librit dhe suksesi, por kjo ka dhe të sajat, të heqim një herë rrjetën që na ze frymën e pastaj të dalim në treg si njerëz. Mendoj se ka ardhur koha të eci në hapa të tjerë.

Cilat janë betejat kryesore që zhvillon një e re apo i ri shqiptar?

J.A “Nga ta nis? Më kapluan të dridhurat që në vit të dytë në shkollë të lartë. Ku do ta përplas veten? Si të jetoj në kurriz të prindërve? Ata mbajnë një familje e nuk mbaj veten. Mungesa e punës, ji dele militante ose vdis në shkretëtirën Sahara Shqipëri, mungesa e një organizimi studentor, mungesa e informimit, të qenurit i pafuqishëm, jo i barabartë nga hapat e para e deri në fund më zienin mendimet dhe më demoralizonin. Vetë bisedat janë si ai që hidhet në lumë pas shokut. Gradualisht kalon nga "Shqipëria bëhet." në "Nuk bëhet, jo." dhe vetëvetiu të godet rryma në përpjekje për të të marrë.

E shoh si sëmundje, si virus që përhapet dhe pak shpëtojnë e ata që janë jo të infektuar nuk i dëgjon kush. Unë jam përpjekur mos e vdes shpresën.

Si shkrues beteja më e madhe ishte shpërndarja e librit. Shkurt-bukur-saktë "nxihesh nga të qenurit i pafuqishëm". Shitësi që i drejtohet një klienti që ka dëshirë të lexojë librin me fjalët "po ik ik lexo këto që janë pastaj kërko të tjera" apo "nesër-nesër" e kjo e nesërmja nuk vjen kurrë apo "të promovohet pastaj e marr" e shumë shembuj të tjerë janë shkatërruese për shkruesit e rinj duke refuzuar marrjen e librit edhe nga shtëpia botuese pavarësisht sugjerimit të tyre. I kuptoj, nuk kanë faj se këtu mungon filtri i botimeve, promocioni, lexuesit, organizimi dhe ata kanë nevojë e për të ardhura e jo libra stok, libraria është forma e jetesës, por edhe me kaq mugesë kulture nuk mund ta konceptoj. Uroj të ndryshojë, ka shkrues që libri i tyre duhet të promovohet e lexohet sepse të ushqen. Duhet të kuptojmë se për të jetuar ushqehemi dhe një ushqim për mendjen është dhe libri. Në vendet e tjera mekanizmat e botimeve të librave janë mbresëlënës. Tek ne mund të mos jenë botuar shumë libra cilësorë vetëm se nuk ka mundësi financiare, rrjedhimisht duhet të jesh edhe shkrues edhe me xhepin e mbushur. Për të ardhur keq.

Civilizimi ka ecur nga libri, nga edukimi, nga komunikimi e nëse nuk do kishte libra do ishim kushedi diku duke u përpjekur të prisnin stinën të bëheshin fruta sepse nuk do kishim mjaftueshëm mend të krijonim mundësinë e jo ta prisnin.

Në syrin tuaj, cfarë e bën dikë të quhet “shkrimtar”?

J.A. “Gjatë intervistës, jo pak herë kam përdorur termin "shkrues". Jo pa arsye. Fjala shkrimtar përkufizohet "mjeshtër i fjalës" dhe jo "botova libër". Ky lloj titulli, nderi, kjo arritje, vjen gradualisht dhe lidhet edhe me suksesin, por jo domosdoshmërisht. Ka shkrimtarë të kalibrit të lartë që nuk u ecën botimi, ashtu si ka të ashtuquajtur shkrimtarë që ecin si kërmilli lart në shkëmb, me të lëpira, por nuk duhet të bëhemi qaramanë pse komshiut i ecën libri e mua jo, por ta shohim problemin tek vetja. Një tregues për mua si shkrimtar janë çmimet ndërkombëtare megjithëse do i quaja dhe shkrimtarë të kalibrit të lartë dhe ata me çmime kombëtare si shkrimtarë, por tek kjo e fundit nuk mund të jesh fort i bindur duke ditur se ligjin e bën Maliqi. Për t'i dhënë fund kontradiktave, të shkruarit artistikisht mirë është një proçes përgjatë gjithë jetës dhe kalibri i tij bëhet i lartë kur libri nuk mbetet këngë sezonale e harrohet se ekziston, por ka vazhdimësi.

A mund të cilësohet i tillë gjithëkush?

J.A. “Personalisht, sikundër e thashë, sipas këndvështrimit tim, jo. A, nëse e marrim a mund të bëhet gjithkush? E besoj. Me punë di se arrihet gjithçka, sado ke mungesë talenti. Do të të marrë më shumë kohë, por ia del.

Çfarë do të pëlqenit të mbetej nga romanet tuaja?

J.A . “E kam thënë dhe stërthënë, madje në ribotim dua ta shkruaj edhe tek kopertina e pasme e romanit "Akull dhe zjarr" se do isha më i lumtur të më shkruanin: "Faleminderit, për shkak të romanit vendosa të mos abortoj fëmijën!" sesa të më shkruanin: "Ke shkëlqyer me librin."

Ndërsa për sa i përket romaneve të botuara në përgjithësi do doja të mos mbeteshin sezonalë, por me jetëgjatësi. Gjithashtu guri i mundimit të Sizifit në kurriz i njerëzve të një problemi a shqetësimi të mos rrokulliset më tatëpjetë, por të jetë një shtytje për ta hequr barrën e madje trampolinë kaluese me mesazhet e tij. Marr shkas edhe nga romani "Akull dhe zjarr" për të cilin jam kujdesur mos i godas me thupër të nxehtë nënat e baballarët të cilët e kanë kryer tashmë gabimin, por t'i ngushëlloj, t'i mëkoj plagët për të mos u rënduar gjendjen e tyre emocionale sepse aborti le shpesh herë barra psikologjike. Uroj t'ia kem dalë. U them nënave dhe baballarëve të bëhen të fortë dhe mesazhi i tyre i dhimbjes të jetë ndihmues për parandalimin e aborteve të tjera”.

Ju faleminderit!



(Vota: 3 . Mesatare: 2.5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora