Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Hata: Intervistë me skulptorin e shquar Llesh Biba

| E shtune, 17.06.2017, 03:53 PM |


Skulptori i shquar i punimeve në dru Llesh Biba rrëfen të fshehta të parrëfyera më parë

Punët e mia i kanë në zyrë dy presidenta amerikanë…

Artisti brilant i punimeve në dru, skulptori Llesh Biba nuk është unik vetëm në artin e tij, por dhe në mënyrën e jetesës, në filozofinë jetësore dhe kodet e marrëdhënieve me të tjerët.

I veshur në një mënyrë të çuditshme, me një mjekër të gjatë, sikur vjen nga koha e eremitëve, Llesh Biba herë të ngjan me një asket shëtitës, herë me një pelegrin në kërkim të përvojave të reja jetësore; në fakt, ajo që është, me sa duket, zembereku i “orës së tij” ka të bëjë me filozofinë e nxitimit, pasi ai nuk ka kohë për të humbur dhe gjithmonë e pret një punë, një porosi, “një takim intim me drurin”.

Llesh Biba ka mbi tridhjetë vjet që jeton me magjinë e drurit, i jep drurit frymëmarrjen e tij dhe e bën të gjallë, e shndërron në simbolika brilante të botës shqiptare, në kumte të historisë dhe përditshmërisë. Punimet e tij mbresëlënse për Nënë Terezën, Gjergj Kastriotin, Statujën e Lirisë së Kosovës, etj janë sa të veçanta aq dhe shprehëse të një bote të pasur artistike dhe emocionale.

Kjo intervistë është një pjesë e botës së tij njerëzore dhe artistike, që ai na rrëfen me zemër në dorë, duke apeluar për një shoqëri të cliruar nga idhujtaria politike dhe e çdo lloj tjetër.

Intervistoi: Dukagjin Hata

D.H: -Zoti Llesh, ku qëndron ndryshimi në mes të shikimit të gjërave të një artisti dhe shikimit të të tjerëve?

LL.B: -Meqënese paskeni shumë pyetje, do t’i përgjigjem shkurt secilës. Me që merrem kryesisht me të nderuarin dru, po e bëj krahasimin me një ministër pyjesh që i thotë një regjizori: “Shikojeni këtë pemë tetëqindvjeçare, sa e madhe dhe e buku që është”. Regjizori i përgjigjet: “Sytë e mi shikojnë në gjethen 2017 një krimb të mëndafshtë me 62 lloje (nuanca) ngjyrash të gjelbëra…

-E keni fjalën për konstatimin gjenial të Lunaçarskit, kritikut të madh rus, për symprehtësinë e artistit?

-Për atë e shumëçka tjetër, pasi artisti vështron në thellësi, aty ku një sy i zakonshëm nuk arrin të depërtojë.

-D.H: A është e vërtetë se disa nga më të mëdhenjtë e politikës shqiptare dhe asaj evropiane kanë veprat e tua?

-LL.B: Po, të gjithë ato që kanë ngatërruar këtë copë Shqipëri në këto 26 vjet, kanë marrë vepra, punime sculpture në dru, tek unë, me përjashtim të një shkencëtari politikan. Kurse në glob, vepra të mia kanë dy presidenta amerikanë, një francez, një gjerman, një turk, një iranian, një kosovar. Këto që them janë bërë publike nëpër vite nëpërmjet mediave të ndryshme.

D.H: Po ju përse jetoni në skamje atëhere, se veprat ju paguhen, apo jo?!...

LL.B: Skamje për mua është ajo që më rrethon mua dhe artistët e tjerë. Po unë e të tjerët jetojmë në kamje e përtej saj. Se bota e një artisti nuk kondicionohet nga pasuria materiale, por nga emocioni që i ngjall krijimi i vlerave të tij dhe shijimi i veprave të tij nga të tjerët.

D.H: Kur i prishet qetësia një artisti?

Ll.B: Atij të vërtetit në gjithë kuptimin e fjalës i prishet këtu çdo ditë, sepse çdo hall i njerëzve-dhe sot kjo e jona është një shoqëri e zhytur në halle e siklete ekzistenciale-prek vetë shpirtin e artistit, ndjeshmërinë dhe talentin e tij, pasi një artist nuk jeton dot në kullën e fildishtë, por mes njerëzve.

D.H:-Po rrugëdalje a ka?

LL.B: Kjo duhet nisur një herë seriozisht dhe të vazhdojë seriozisht një edukim me vlerat europiane që në klasë të parë e kështu pas një dekade e ca do të kemi fryte, por duhet punë, pasion e mbi të gjitha dashuri për ta bërë këtë, gjë të cilat në këtë vend thuajse mungojnë…

D. H: Pse i ndodh kjo shoqërisë shqiptare?

LL.B: Po iu referohem dy shoqërive, asaj franceze dhe shoqërisë sonë. Francezët e pranuan kërkesën e De Golit për mosrezistencë gjatë Luftës II Botërore, kur tha: “Le të humbasim një betje për të fituar luftën”. Shqiptarët ende e quajnë Mbretin tradhëtar që, duke ikur, shpëtoi jetë njerëzore më 1939.

D.H: Çfarë mund t’i ofrosh kësj politike që të jetë ndryshe?

Ll.B: Të gjithë duhet ta nisim nga vetja. Artisti duke e nisur nga vetja, me artin e tij ndikon n zbutjen e të keqes. Rrugë perfekte nuk ka, mrekullitë çudibërëse nuk ekzistojnë, por dashuria, po, me dashuri shkohet shpejt dhe larg, shumë larg.

D.H: Çfarë është ky konstatim i juaj, romantizëm, pesimizëm apo realizëm?

LL.B: Përtej të gjitha këtyre. Është thirrje për të dashur jetën, natyrën, historinë e popullit tonë. Luksi, hotelet luksoze, grataçelat e botës ku nuk mungon të përfshihet dhe Shqipëria nuk e fshehin rrënimin e natyrës, florës dhe faunës, shterjen e burimeve të ujit që është alfa e jetës. Bie fjala, nëse shkon në Orosh të Mirditës, mund të vëresh me sy të lirë deri në rrafshe të Korabit ndonjë lopë që kullot e shpenguar, pasi nuk të pengon asnjë pemë. Pra, ku i kanë pemët, pyjet, ministrat e pemëve (Bujqësisë)!? A do të vijë një ditë që shtyporët (siç iu them unë shtetarëve) të përkulen para çdo druri e gjetheje, siç ndodh, bie fjala, në Zvicër dhe në gjithë botën progressive? Le të shpresojmë…

D.H: Për lehtësim jepja një ndikim politikës shqiptare që të jetë ndryshe?...

LL.B: Po pranoj të them se politika mbarëshqiptare kështu si po vepron meiton figurativisht në avionin tim privat me stemën Sazan –Kumanova e Stamboll-Athina dhe një flamur me të gjitha ngjyrat e ylberit dhe t’i dërgosh në mes të Paqësorit që të mësojnë notin e paqes aty. Por z. gazetar, mbylljeni këtë temë dhe bëni pyetje për artin dhe shqetësimet e kulturimit të lexuesit tuaj, se po ta dija s’do të kasha dalë në këtë kafe pune në pesëyllëshin turistik të Tiranës sonë të dashur.

D.H: Meqë ra fjala, unë shpesh ju shikoj të pini kafe këtu, te Pesëyllëshi,siç e quani ju Pesëmbëdhjetëkatëshin…

LL.B:S’besoj se ka vend më çlodhës dhe komod për kafe e për çdo lloj tjetër shërbimi, kam 36 vjet që njoh pronarin dhe është admirues i punëve të mia.

D.H: A ka marrë ndonjë punim tuajin?

LL.B: Edhe po qe se s’e merr, do ia dhuroj unë një të tillë, në përkujtim të vitit të 36 të njohjes sonë, në zyrën nr.36 të objektit 36 yjesh, që do ta hijeshoj akoma më shumë Tiranë tonë të dashur.

D.H:Po ju shmangem pyetjeve me karakter politik, t’i kthehemi kulturës…

LL.B:-Shyqyr më në fund, hoqe dorë nga politika e madhe që është barrë e tejrëndë për një artist.

D.H: Ky vit po mbyllet e ju me çfarë do të krenoheshit në fushën e artit shqiptar?

LL.B: Kam punuar çfarë mungon në fushën e skulpturës, në dru. Para disa kohëve isha në Itali, ku hapa në kryeqytetin Italian të kultures Mantova, një ekspozitë në javën shqiptare të kulturës. Në këtë veprimtari isha me ftesë të gazetarit Ndue Lazri e sa për suksesin e ekspozitës sime ju lutem pyesni zv/ministrin tonë të kulturës z. Zef.

D.H: Më tregoni ju diçka, me çfarë interesi u ndoqën punët tuaja?...

LL.B: Shkurt, para hyrjes së shtëpisë së famshme Rigoleta u vendosën disa nga punët e mia, por meqë ishin shumë të tilla, me ndërhyrjen e autoritetit të padiskutueshëm të z. Petrit Kozeli, një personalitet i nderuar me titullin më të lartë nga Presidenti Italian, u muar autorizimi që ekspozita ime të hapej në një nga rrugët kryesore ku kishte të paktën njëzet vjet ku nuk ishte futur asnjë lloj makine.  Qytetarët shikonin të çuditur makinën time me logon “Mirdita Itali”, nga një artist mirditor dhe shprehnin gadishmëri për të ndihmuar në montimin e ekspozitës dhe duke më dhuruar mjete (pa të drejtë kthimi). Një biznesmen pranë meje e përkthyesit tim Pëllumb S. Naipi, na hoqi të gjitha shpenzimet që nga kafetë ederi tek drekat e darkat. Mediat italaine e dhanë gjërsisht këtë ekspozitë dhe nga e gjithë Italia e Veriut arritën plot shqiptarë, ndër të cilët po veçojmë: dy bashkëpresidentët e firmës KONI, Aleksandër e Nikë Nikolla, biznesmenin Mark P. Marku etj. Niko e Aleksandri, që kanë ndihmuar mjaft artistë shqiptarë për të promovuar veprat e tyre në Itali, më gargantuan që të më ndihmonin të hapja një tjetër ekspozitë në Milano.

D.H: Më kanë thënë se në këto soj ekspozitash ju nuk pranoni të shisni punët tuaja, atëhere si dolën shpenzimet për këtë veprimtari në Itali?

LL.B: Për fat të mirë, edhe në Shqipëri ka dhe do të ketë sponsorë, dashamirës të artit, që kanë mundësi për të ndihmuar dhe ndihmojnë artistët në realizmin e këtyre veprimtarive.

D.H: Edhe tek ju ndihet dora e shtetit?

Ll.B: Sigurisht që po dhe ja se si: që në vitin 1984 e deri më sot shteti nuk më ka sjellë asnjë të ardhur në xhepin tim, përveç taksave që m’i ka marrë me rigorozitet. Nuk kam marrë nga shteti asnjëherë rrogë, pagesë administrartive, doganore, kam qenë i rregullt me të gjitha dokumentet që kërkohen. Artistët e arteve figurative e kanë pasur këtë liri qarkullimi nëpër botë. Artet kolektive si ansamblet, operat, baleti, teatrot, kinematografia kanë nevojë për ndihmën e shtetit, që të mbijetojnë dhe të krijojnë vepra të denja për kohën që jetojmë.

D.H: Si përfunduat në Francë për të ndjekur ndeshjen Shqipëri-Francë?

LL.B: Firma KONI organizoi mbarëvajtjen e tifozëve shqiptarë në Francë. Njëri nga menaxherët e firmës, Elton Marku kontaktoi me mua dhe kërkoj konsulencë artistikë për të shkuar sa më denjësisht, si bashkëkombas të Nënë Terezës në këtë eveniment të madh sportiv. Pasi u grumbulluam, mua më vendosën në krye të organizmit, duke rënë dakord që të lëshonim parulla pro Francës, të veshur me kostume shqiptare, gjë për të cilën mund të dëshmojë gazetari i njohur Ylli Rakipi, që më përgëzoi kur më pa se si e organizova mbërritjen e tifozëve shqiptarë në Francë. Shqiptarët e Belgjikës kishin paguar, siç e mora vesh, një vajzë për të më provokuar e puthur në ambiente publike. Unë isha veshur si Gjergj Gjon Pal Kastrioti dhe i thashë vetes, fitoje dhe këtë betejë me kundërshtarët dhe besoj e kalova me sukses, pasi tifozët francezë më ofronin gota të madhë birre e më jepnin flamujt francez e flamujt shqiptarë e po pakësosheshin se po hynin në stadium. Dikush më tha: “Hyni në stadium, zotëri”. Unë i thashë: “S’kam ardhur të shikoj ndeshjen, se e di përfundimin e saj, por për të drejtuar e xhiruar sjelljen e bijve të shqipes’. Më pyetën për profesionin e unë iu thashë me humor se iu përgjigjem vetëm femrave police. Në më pak se tre minuata, erdhi policja femër dhe përkthyesja i tha: “Kliko në google “Llesh Biba” dhe aty i ke të gjitha përgjegjet rreth këtij personi. Policja lëvizi me makiën e saj dhe pas pesë gjashtë minutash erdhi me komjuterin e ndezur dhe kërkoi të bënte një foto me mua. Biznesmeni Saimir Gjini që ishte dhe shoferi e bodigardi që më mbronte, e pati të vështirë të përballonte fluksin e atyre që më rrethuan dhe kërkonin të bënin foto me mua. Fotoreporteri dhe kameramani Elton Xhivani e ka pasqyruar me vërtetësi dhe sens esetik çdo lëvizje të shqiptarëve, që nga manifestimi i tifozërisë si miqësi e solidaritet deri te drekat e darkat ku unë e kisha të ndaluar të mendoja për të paguar.

D.H: Disa nga gjërat që janë thënë për veprën tuaj?

LL. B: Kryeprifti i qytetit Milepin, pasi më vendosi gjithë kishën në dispoziocion për ekspozitën, midis të tjerash, tha: “Politika më favorizuese e më jetëgjatë për një komb është arti autokton, arti kombëtar. Jam i lumtur që njoha një artist kaq unik të kombit të Nënë Terezës”. Gazetarë, analistë dhe kritikë arti, në disa gazeta perëndimore e kanë quajtur artin që unë bëj “një art elitar, plot shije dhe befasime, që shpreh historinë dhe përditshmërinë e bijve të shqipes”.

D.H: Çfarë mendoni për artistët tanë?

LL.B: Të punojnë për të krijuar individualitet, përndryshe nuk kanë për të mbijetuar në “xhungël”.

D.H: A urren artisti?

LL.B: Unë për vete s’jam aq fatlum sa të jetoj 130 vjet që të kemë luksin e kohës së tepërt për të urryer. Arti mbaron aty ku fillon urrejtja.

D.H: Kur do të shohim një vepër të madhe publike arti të punuar nga Ju?

LL.B: Kur udhëheqsat lokalë do të fitojnë lirinë politike dhe të krijojnë personalitet në shoqëri, jashtë kontureve partiake e të tillë ka edhe në botën shqiptare. Unë ka kohë që kam përfunduar porosinë e Bexhet Pacollit për Statujën e Lirisë së Kosovës, kam përfunduar bacetin e martirëve të kishës katolike etj. Kam dhe shumë projekte të tjera në faza parapërgatitore e përgatitore që presin vetëm rënien e mureve burokratike për t’u bërë vepra arti publike.

D. H: A keni besim se planet tuaja do t’i bëni realitet në një të ardhme të shpejtë?

LL.B: Kur më bie besimi, shkoj e takoj atin Tonin Alia, i cili është ai që më fal drurin, por dhe më ledhaton shpirtin me qetësinë dhe zemërgjërësinë e tij, duke u bërë në një farë mënyre bashkëartist i projekteve të mia.

D.H: E nisëm me politikën dhe ta bitsim me politikën: Kur do të ketë qetësi e harmoni ky popull që na lindi?

LL.B: Vetëm në qoftë se bëhet publike AND-ja e çdo kryetari partie. Po më mirë pyesni Prof. Aleksandër Dhimon, që 75 përqind të saktësive i thotë, vetëm duke i parë njerëzit vetëm në sy.